Elvi Sidheri: Kadare, ose ndryshe “Shih me sy e plas nga marazi”
| E Shtune, 02.01.2016, 11:20 PM |

Kadare, ose ndryshe “Shih me sy e plas nga marazi” (ziliqarët e tij)

Nga Elvi Sidheri

Dje, 1 janar 2016, shqiptarët u zgjuan nga letargu i shkurtër alkoolik, festiv dhe fishekzjarras që ndërlidh Vitin e Vjetër 2015 me rioshin 2016; me një ndjesi të këndshme jo vetëm dëshirash në pritje të plotësimit dhe jetësimit në këtë Vit të Ri të porsanisur, por edhe me një lajm (e gjysëm) madhështor.

Duke kryqëzuar akoma gishtat lidhur me mundësinë e vërtetësisë së indiskrecioneve lidhur me vizitën e mundshme të Papa Françeskut në Kosovën dardane gjatë këtij viti (“Dardania Sacra” siç shkruhet me plot të drejtë në katedralen magjepsëse Nënë Tereza të Prishtinës); gjithësesi, nga Parisi filtroi mediatikisht në tërë botën, si dhe në Shqipërinë tonë të vogël, lajmi i mbrothët, se shkrimtarit tonë të madh, iluministit të fundmë të shqiptarëve, Ismail Kadaresë, i është dhënë titulli i “Komandantit të Legjionit të Nderit” në Francë.

Pa dashur t’i futem teknikaliteteve strikte frënge lidhur me historikun e këtij titulli, pikësëpari do vënë theksi vetëm mbi një fakt tejet kuptimplotë...

Këtë vit, Legjioni i Nderit, në gradën e tij më të lartë për nga vlera (atë të “Kalorësit”), pesha dhe rëndësia, i është përkushtuar heronjve të atentateve të fundit në Paris, në redaksinë e revistës satirike Charlie Hebdo (karikaturistët Stéphane Charbonier “Charb”, Jean Cabut “Cabu”gazetarja e Charlie Hebdo Elsa Cayat dhe korrektori Mustapha Ourrad, të vrarë mizorisht nga vëllezërit Kouachi më 7 janar; ashtu si edhe viktimat e pengmarrjes në supermarketin Kocher të vrarë me gjakftohtësi çnjerëzore nga Amedy Coulibaly: pra Philipe Braham, Yohan Cohen, Yoav Hattab dhe François-Michel Saada; gjithaq edhe agjentët e policisë, togerin Franck Brinsolaro dhe Ahmed Merabet të vrarë jashtë selisë së Charlie Hebdo më 7 janar në Paris, dhe agjenten Clarissa Jean-Philipe të vrarë më 8 janar në Montrouge; dhe në fund edhe makinistin e trenit Thalys të linjës Amsterdam-Paris, Eric Tanty, shefin e trenit Michel Bruet, dhe studentin universitar franko-amerikan Mark Moogalian, që patën ndërhyrë në tentativën për atentat në këtë tren, nga ekstremistët e lidhur me Kalifatin në Siri dhe Irak, dhe disa heronj të tjerë të ngjarjeve të fundit tragjike në Francë).

Dhe paskëtaj... pas ish kryeministrit francez Lionel Jospin (i nderuar me “Kryqin e Madh”, vlerësimin më të lartë të Legjionit të Nderit) dhe disa politikanëve të tjerë karriere francezë, kur futemi në fushën e artit, takojmë të parin Kadarenë...

Aspak rastësisht fundja!

Me Kadarenë rastësia është një koncept abstrakt, ndërsa sfera më e lartë e vetëdijes sublime me të cilën Franca − me të gjitha nuancat mishëruese të shumëngjyrësisë së universit intelektual, të vlerave, moralit, trashëgimisë dhe thelbësisht thesarit që buron dhe përçohet nga motoja “Fraternité-Liberté-Egalité”− e vlerson shkrimtarin tonë emblematik, është diçka që mund të përkufizohet vetëm me fjalën “Nder-Honneur”!

Sepse Kadareja − i sotmi në kulmin e moshës dhe pjekurisë së tij mendësore, vizionare, letrare dhe humane, ai i djeshmi, në agun dhe lulëzimin e artit të stilizuar aq mrekullisht përmes gërmave të çurguara nga pena, instrumenti jetësor i mendjes së tij gjeniale, dhe ai Kadareja i së ardhmes së pangrysur, i gjallë edhe në të përtejmen (sa më të largët dashtë Perëndia) e jetës së tij tokësore, i përjetësuar në secilën fjalë të veprave të tij, në secilin shteg ku të udhëheqin mendimet e tij vargonj-thyes e çlirimtarë për popullin e tij – përbën një “përjashtim që konfirmon rregullin” të gjithhershëm që na tregon se ky njeri poliedrik, ka pikëtakuar njëkohësisht “Nderin” e tre elementeve bashkëkohorë të aktualitet të sotëm global, atë të shqiptarëve (dhe Shqipërisë së tij), të Francës, vendit ku letërisht bujti qysh në fillimet e rrugëtimit të tij artistik nëpër botë, dhe të vetë Letërsisë botërore, në Olimpin modern të së cilës, në atë kupë qiellore “mendimi, pene dhe fjalësh e mesazhesh të përjetshme” pra, ku një vend nderi maja e diamantit e letrave shqipe, e ka zënë vetvetiu prej disa dhjetëvjeçarësh tashmë.

Bëj pjesë ndër ata njerëz që pa mëdyshje Kadarenë do të donim medoemos ta shikonim të vlerësuar edhe me çmimin Nobel, këtë makth modern të ndërlidhur fort me një shpërfillje, mënjanim apo mosvlerësim të shkrimtarit tonë, Zeusit më të zëshëm të shekujve XX-XXI të letërsisë së shkrojtur dhe ngjizur në gjuhën tonë të mirë, të ëmbël dhe të dëlirë, që na rifanitet me përpikmëri sa herë që vjen kohë e dhënies së Nobelit për letërsinë vit pas viti.

Duke qenë një popull jo pak fatalist, ne shqiptarëve, sikur na shijon ajo parandjerja e mungesës së përvitshme të Nobelit për Kadarenë tonë; sikur na pëlqen të ankohemi, të gjejmë lloj-lloj shkaqesh përse kolosit tonë të letrave nuk i jepet ky çmim rregullisht.

Për të mos thënë që shumëkujt ndër ne, kjo gjë i shkon përshtat.

Kadareja është “shumë i madh” për egon megallomane, po fare-fare gjigande (si gjigandi i Rodit në lashtësi, që jo rastësisht, meqënëse ishte më i madh sesa ç’duhej, edhe u pat rrëzuar pashmangshëm në det).. në mendjemadhësinë e shpërfytyruar të “homo-albanensis-pordhensis” të sotëm; që vlerat jetësore, letrare dhe intelektuale të dikujt si Kadareja, i cili, si askush tjetër sot e mot, prej dekadash vendit të tij ia rrezaton përbotësisht emrin dhe esencën më të epërme të qenësisë sonë shumë-mijëravjeçare; i konsideron si simptoma të dënueshme dhe të përçmueshme për më tepër, të një sindromi krejtësisht të papranueshëm për trupeshqit modernë të kënetës së ndenjur të moçalit mendësor shqiptar, pra të sindromit të “madhështisë jetësore, mendore dhe morale” që Kadareja mishëron katërcipërisht, dhe për të cilën vlerësohet gjerësisht në Francë e në gjithë botën e qytetëruar!

Franca pra, Kadaresë (domethënë, përkatësisht Çezarit të letrave shqipe) i jep atë që është e Kadaresë dhe atij natyralisht i takon, pra NDERIN, ndërsa moçali vetëurryes që pluskon gëlboqshëm nëpër valët e pandalura të jargavitjes së nepsit, smirës dhe zilisë së mirëfilltë e ligësisë prapanike shqipfolëse, vijon dhe vazhdon të kakarisë, të çirret, të shqyhet gojësh, duke dashur që të çojë kumbimin sëmbues të helmit të vet anti-kadareian, gjer në Akademitë e Francës, në selitë e Nobelit e kudoqoftë në Perëndimin e kulturës dhe qytetërimit, në përçapjen e pandalur për të përbaltur këtë personalitet, që për fatin e keq të mjaft “dëngla-shitësve” kronikë të anëve tona, është thjesht I MADH!



(Vota: 21 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: