Albert Vataj: Bik Ndoja, i magjishmi i këngës
| E Marte, 29.12.2015, 08:56 PM |

Bik Ndoja, i magjishmi i magjisë së këngës, jares shkodrane

Nga Albert Vataj

Prej dje, rrugëve të Shkodrës do t'i mungojë ai që erdhi me këngë në buzë e po ikën me lot. U ngjit në apogje dhe shndriti si yll, pa arritur të shkëlqente dot në podet e nderimeve që i meritonte aq shumë, sa ç'shndriti me virtuozitetin e interpretimit të jares shkodrane. Pas një sëmundje  dhe viteve ndahet nga jeta në moshën 90-vjeçare duke lënë pas një mungim dhe zemërthyerje. Iku pa pendim dhe pengje, sepse siç mëton edhe vetë: "Unë kam ba punën teme si artist, politika ka ba të veten, që shpeshherë nuk ishte e zonja të bante as politikë".

Ludovik Ndoj Gjergji i njohur si Bik Ndoja, u lind në Shkodër me 13 gusht të vitit 1925. Është lëvruesi dhe përçuesi i jares shkodrane, këtij visari të papërsëritshëm, kësaj urëbashkimi mes Lindjes dhe Perëndimit, traditës dhe bashkëkohjes në artin e këndimit.

Ai burrë shtatshkurtër e zëëmbël i shqitet jetës së këtij qyteti traditash dhe kontributesh të epërme artistike dhe jo vetëm. Ai plak i ka zbritur biçikletës për të rrugëtuar me frymë shenjtërie për nga amshimi. Fiket si flaka e një qiriri prej taftit të errët të vdekjes që vjen dhe e merr, ndoshta në të mbaruar të viteve që ai diti dhe mundi t’i jetonte me këngë dhe gazmim. Shkodra dhe gjithkund zëri i tij u kolovit në dallgët e ovacioneve dhe duartrokitjeve, ndahen me këtë këngëtar të madh e njeri të mirë.

Në udhën e vet 70-vjeçare të këngës si argëtim dhe me këngën si përfaqësim, ai mori ashti si meritat edhe kufizimet. Kurrë nuk u dha pas ndereve dhe privilegjeve. Bëri jetën e një njeriu të përkorë pa ankime dhe trazime, megjithëse rreth tij siç nuk i munguan njerëz që e vlerësuan talentin e tij, kishte dhe nga ata që u rreken ta pengonin në ngjitjen e këtij ylli. Por ai nuk u dha, nuk e shteri zërin e tij të magjishëm, nuk e la atë shpirt artisti dorzan dredhive dhe smirës. Gjithqysh ai triumfoi.

Në vitin 1969, Bik Ndojës iu akordua titulli “Artist i merituar”.  Plot 30 vite më vonë, Bashkia e qytetit të Shkodrës i akordoi titullin “Krenaria e qytetit”. Në vitin 2007, Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike i jep titullin “Interpretues i shquar i jares shkodrane”, duke qenë ky vlerësimi i fundit së gjalli. Në lëmin e meritave vlen të përmendet fakti se që nga viti 2011, dosja "Mjeshtri i Madh" pret në institucionin e Presidencës, për t'iu akorduar ndoshta pas vdekjes.

Bik Ndoja për së fundi herë pjesëmerr në një aktivitet më vitin 2014, në “Ahengun Shkodran”, duke qenë ndoshta nga të rrallët e moshës së tij që ngjitet në një skenë për të performuar. Pas këndej, një vit i mbetet për t'iu dhënë i gjithi ditëve të mundimshme dhe netëve të gjata të trazimit të pleqërisë, deri më 27 dhjetor 2015, kur lajmi i vdekjes së tij do të merrte dhenë duke e mbushur këtë kremte festash me kujtime dhe lot.

Tregimtaria e origjinës së tij mirditore

Ndoshta jo dhe aq e rëndësisë prioritare, por gjithsesi kureshtia ka yshtur shpeshherë të rrëmohet në prejardhjen e personaliteteve. Bik Ndoja nuk mund të ishte një përjashtim.

Origjina jonë, kishte kumtuar në një intervistë, Bik Ndoja, sipas thënieve të baballarëve, fillon kur ndër shtatë vëllazën, gjashtë prej tyne vdesin në luftëra me turkun dhe për hasmëri. Mbijeton vetëm gjyshi im, Gjergj Mirdita, dhe për të mos u shue ky fis e merr nji familje e fortë nga Gjakova, të cilës fatkeqësisht nuk ia di emrin dhe e mban në besë, derisa u fal gjaku. Gjyshi kthehet në Mirditë, martohet, i lindin tre djem e nji vajzë. Nji djalë i vdes e kështu mbetën gjyshi, gjyshja – Dila, Marku, Ndoja e Marija. Në vitin 1880 gjyshi im vjen në Shkodër, tek nji mik i tij për banim. Në ketë kohe im atë ka qenë nëntë vjeç. Babai im u martua me Gjysten e Frano Kikës dhe lindëm Gjergji, Lodoviku (Biku), Pjerini dhe Albina. Pra, origjina jonë asht mirditore.

Rusi i Vogël ku lindi një këngëtar i madh

Gjithçka që e lidh Bik Ndojën me këngën, atë që do ta bënte të pavdekshëm lidhet me qytetin por më së shumti me lagjen Rus i Vogël, ku u rrit, me kojshitë për të cilët ai ruan librin artë të kujtimeve, që rreket t'i ndajë me të tjerë si një krenari. "Ishin njerëz të mirë, të ndershëm, shumë humanë, i qanin hallin njëri-tjetrit, i banin vizita njëri-tjetrit, ndihmueshin njëri-tjetrin. Ne nuk ishim të pasun, por shpeshherë im at më jepte nji zymyl kashte të mbluem me kashtë e më thoshte: “sa të erret, ke me e çue tek dera e “filanit” e ki kujdes mos të shohin kush...”. Gjithë ajo lagje e këndonte kangën, kërcenin vallen shkodrane e bisedojshin për folklorin, kujtonte Biku...

Kush nuk këndonte, kërcente. Kush nuk kërcente, këndonte. Kush nuk bante asnjërën, bisedonte për artin dhe folklorin, e ndoshta ua kalonte të dy palëve.

Si "lindi" Bin Ndoja i jares shkodrane

Nji natë, -kujton Bik Ndoja, -erdhi baba nga puna e tuj ndenji poshtë tanës së hardhisë bashkë me nji shok, pinë nji shishe raki e filluan tjetrën, atëherë baba më tha: këndona nji kange! Unë ngurrova se më vinte marre e pasi mu lutën edhe tri herë, fillova dhe e këndova. Kur e mbarova, baba mu drejtue përsëri: këndona kangën “Karajfili kuq si gjaku” se e ke mësue prej Pinës! E fillova dhe këndova strofën e parë, kur papritmas strofën e dyte e këndoj Pina prej matan murit të avllisë e kështu kangën e çuam deri në fund. Të nesërmen pyesnin: kush ka kenë ai fëmijë që ka këndue mbrame? Po Biku more, djali i Ndojës! Nga ky moment e në vazhdim filluan të më quanin “kangëtari i vogël i lagjes”. Tani brenda vetes ndjeja diçka që po rritej, më bënte përshtypje çdo gja, sidomos kur ajo lidhej me artin. Ndihmoja babën në dyqan ku punonte llastërtar dhe aty improvizova nji fyell kallami, të cilit i çila nji vrimë dhe tek gryka i vura nji letër duhani e me anë të dridhjes së zanit i bija melodisë së kangës, kështu që në Pazar filluan të më quanin: djali i fyellit. Kur kanga filloi të bulonte tek unë, më vdiq nana, e cila la motrën time 6 muejsh, vëllain e vogël 4 vjeç, mue 9 vjeç e vëllai i madh, Gjergji 19 vjeç, të cilin e martoi baba shumë të ri, pasi duhej nji grue në shpi.

Udha e mundimshme e rritje së talentit

Si shumë e shumë korifenj të artit, personalitete që dhanë gjithçka kishin përjetësimit të emrit të tyre, Edhe Bik Ndoja në fëmijëri vuajti, hoqi, por kjo vetëm e kalti më shumë. Babai, kujton ai, në kohën kur u përballën me humbjen e nënë, me shumë mundime bleu pak tokë në rrugën Canaj dhe bani dy oda shpi, në të cilën hymë pa i ba dyer as dritare. Unë u hoqa nga shkolla dhe u bana shegert si rrobaqepës. Kisha dëshirë të këndoja si fëmijë që isha, dhe sapo ia nisja me kujtohej nana e kanga vdiste në buzë. Por jeta vazhdonte. Rritesha unë e rritej kanga brenda meje. Më kujtohet nji piknik në Razem, ku më morën edhe mua. Organizator ishte rrobaqepësi Ndoc Tivari, ahengun e kryesonte Zef Hilë Gega – kangëtar e komik, Ganxhe Bedenja e Leze Gabja – komikë. Orkestra përbahej nga Kin e Ndoc Kumrija – klarinetë e violinë, në dajre Mark Doda e Palok Gjini kangëtar. Në të vërtetë, kurr nuk kam dijtë me e përshkrue ahengun e humorin e asaj dite të paharruar!

Në dëftimin e tij Bik Ndoja, për vitet që rritej si këngëtari ashtu edhe rrobaqepësi, kujton: - Unë kam punuar tek mjeshtrit Marash Preçi, Pjeter Kçira, Kole Franja e Lin Pepa, që të gjithë të pasionuem të artit, prandaj dyqani frekuentohej nga kangëtarë, humorist, instrumentistë, aktorë e piktorë, si: Shuk Prifti, Palok Gjini, Kole Lufi, Kole Tivari, Zef Hile Gega, Ganxhe Bedenja, me të cilët pata rastin të njihem e të këndoj. Në lagjen time, Rus i Vogël zhvilloheshin aktivitete të shumta e të ndryshme, si: Festat e Shënkollit, Shën Gjergjit, shtregullat, karnavalet, dasmat, ku për secilën organizohej nga nji aktivitet mjaft i bukur. Mjeshtër timin do te quaja Marash Preçin.

Episode me emblemat shkodrane

Të shumtë kanë qenë personazhet që krahas profesionit të tyre kanë lënë në memorien e qytetit të Shkodrës si këngën ashtu edhe humorin. Falë një kujtese të admirueshme Biku, pak vite më parë mëton: Kur vinin në dyqan Kole Tivari, Adem Mani, Zef Hile Gega, Palok Gjini, Shuk Prifti krijohej nji situatë që zor se e gjen sot në asnji vend, nji teatër i vërtetë. Kolës i shkonte në dyqan nji katundar që fliste shumë e gjysëm e kishte rrena. Nji ditë, katundari i kishte thanë, se: “Aq ftoftë kishte ba në katund saqë ishte ngri nji micë në hava duke kërcyer”!? Mirëpo Kola i kishte thanë: “Nuk asht kurrgja puna e maces, pasi në Luftën e Parë Botënore tuj luftue me gjyle asht ngri gjylja në hava prej të ftohtit”. Katundari i kishte thanë: “Nuk ka mundësi me u ngri gjylja në hava, prandaj ule pak zoti Kolë”! E Kola i ishte përgjigje: “Kur të ulish ti micën, uli edhe unë gjylen”!. Kola kur mbetej pa lek nuk dilte jashtë me ditë të tana. Njiherë kishte mbetë pa lek e i kishte thanë të shoqes: “Mi gjej pak lekë për nesër se më ka ardhë nji shok nga Tirana”. E shoqja i kishte thanë: “Nuk i kam pasha sytë e ballit …”. Atëherë, pasi e shoqja kishte fjetë, çohet Kola natën e ia lyen sytë me tutkall të shkrim në ujë të ngrohtë. Kur i del gjumi në nadje grues e nuk mund hap sytë ia fillon e bërtet: “Kolë more, diçka më ka gjetë, nuk më hapen sytë“! Kola i përgjigjet: “A e din pse të ka ndodh kjo, se ke ba be në rren për sytë e ballit. Tash a po më tregon se ku i ke lekët e të shëndoshen sytë”. Shko e merri more Kolë se i ke mbas qypit të djathit në çarranik. Mbasi merr paret ia lanë sytë grues me ujë të ngrohtë sa për ti shkri tutkallin.

Me këngën në ngulme të tjera

Po, duke u rritur e duke këndue arritëm ta kuptonim se duhej të organizoheshim ndër shoqata, e për ketë u aktivizuem pranë shoqënisë “Antoniane”, “Don Bosko”, “Rozafat”, të cilat drejtoheshin nga njerëz të përgatitun e me kulturë të gjanë pasi ishin të diplomuem në Itali, Gjermani, Austri, si: padër Gjoni Shllaku, padër Lek Luli apo pader Martin Gjoka që drejtonte orkestrën e korin në muejin e Zojës pranë kishës Françeskane. Padër Martini ishte i shkathët, i afrueshëm e gjithmonë në aktivitet, kishte za baritoni, luante shumë bukur në pianoforte, violinë e në shumë instrumente frymore, njihte shumë mirë kompozitorët e mëdhenj, kishte një respekt të veçantë për Palokë Kurtin.

Unë më tepër di ta këndoj jaren shkodrane se sa të jap informacion për ta, por di se kompozitori i madh i saj ishte Palok Kurti. Më vjen shumë keq se si shumë kangëve popullore që u mungojnë autorët dhe partiturat ashtu ndodhë edhe me jaret shkodrane. Unë jam rritë me këto perla, kam lundruar nëpër to, më duket e tepërt kur më thonë: “Ti Bik i ke dhanë diçka të re jares …”. Jaret e Palok Kurtit më kan lanë net të tana pa gjumë, nuk mu kan hjeke nga mendja asnji minutë, kan shoqnue shtatin tem në rritje e do të shoqnojnë kujtesën teme deri në vdekje. Talenti i tij u zbulue nga Gjovalin Canale kur erdhi në Shkodër me organizue Bandën e Qytetit. Në moshën 20 vjeç u njoh si dirigjent i kësaj bande. Për bandën ka kompozue kangët “Bashkimi kombëtar”, “Nji kllef me ar ta çova”, “Marshallah bukurisë sate”, “Për mue paska ken kismet”, “Nji zaman te njasaj furie”, e të tjera. Miku i tij, Kole Gurashi vërteton se Palok Kurti ka rreth 30 kangë popullore të tipit “jare”, si: “Karajfili i kuq si gjaku”, “Në Shkodër ton ka ra nji dritë”, “Tash du me fillu”, “Kenke nur i bukurisë”, “Të du mori të du”, “Edhe baba po m’bërtet”, e të tjera dhe megjithatë thuajse të gjithave u kan humbur partiturat. Ai ishte jo vetëm nji muzikant i madh, por edhe nji patriot i flaktë. Jeta e tij, internime e burg ishte, por artin nuk mujtën me ja burgos, asht internue nga turqit në Diabekir (2 vjet), në kampin e Grosaut nga austriakët (në vitet 1916 – 1917), nga francezët në ishullin e Korfuzit (në vitin 1919), vdiq më 31 dhjetor 1920, kur kishte vetëm katër muej që ishte lirue prej burgut. Ai ishte dëshmi se njeriut artist nuk mundet me ja vra artin asnji regjim, përveç ni hjekte frymën artistit.

Kujtimet nga ushtria

Kam shkue ushtar në vitin 1945 në repartin e punëtorisë ushtarake, Tiranë, me Rexhep Zaganjorin në fizarmonikë e Tonin Saraçin në kitarë, kemi krijue shumë shpejtë orkestrën dhe skuadrën e volejbollit e futbollit. Jepnim koncert çdo të shtunë në repart e jashtë tij, kështu që u bame të njohur. Në ketë kohë u thirra në grupin popullor pran Radio Tiranës, nga kompozitori i madh, Paulin Pali. Kur më kërkoj, unë i tregova 150 kangë që i kisha në bllok, e ai më tha: “Je i pari kangëtar që nuk paskam nevojë me u lodhë me ty”. Edhe sot ndiej respekt ndaj ish-komisarit Petro Leka që për asnji çast nuk më pengoj që të merrem me kangën. Në Radio Tirana kam këndue me Bajram Spahine, Kel Saten, Luçije Milotin, Sanije Kosovën, e të tjerë. Edhe pasi u lirova kam bashkëpunue me Paulin Palin. Kur due me dhanë vlerësime për Paulin Palin edhe sot me dalin fjalët nga zemra: “Ku je, o Paulin Pali që kurrë mos të shuhet nami”!

Pas lirimit aktivitetin më të madh e pata në Radio Shkodra, ku kishte tre grupe: grupin popullor, grupin karakteristik që këndonte kangë të ndryshme dhe grupin modern. Ndër kangëtaret më të njohur ishin Kole Mati Tukja, Kole e Pina Hil Mark Pali dhe i verbi shumë i njohur dhe shumë i talentuar Hafiz Gogoli. Kur ishte drejtor Shefki Hoxha ma shumë bahej zhurmë se sa prova dhe me shumë të drejtë ai e shpërbani grupin, por pas nji jave më thirri dhe më tha: “Jeni i ngarkuem me formue grupin”. Mbeta i çuditun, por pas pak kohe e formova grupin me Tonin Dain (violinë), Leonard Deda (fizarmonikë), Muhamet Grimci (klarinetë), Pjeter Kovaçi (kontrabas) e Çesk Jakova (kitarrë). Ky grup dha emisione mjaft të mira. Në ketë kohë Tirana nuk e kishte as çerekun e forcës artistike të Shkodrës. Ne kemi dhanë shfaqje në disa rrethe të Shqipnisë, kur Tirana nuk kishte mundësi në atë kohë të jepte shfaqje nëpër rrethe sa ne!

Mbresat në Festivalin e Rinisë Botërore në Budapest, 1949

Kryetar të ekipit kemi pas Qamil Buxhelin, për të cilin nuk me dhimben fjalët e mira me i thanë. Populli hungarez asht nji popull shumë i pritun, ka shumë ngjasim me ne përsa i përket mikpritjes. Në atë përfaqësim kena pas shumë, shumë sukses. Mijëra duartrokitje kanë marrë Marie Kraja, Jorgjia Truja, Kristaq Antoniu e Hysen Pelingu, te cilët u paraqiten me autorë klasikë botërorë. Nji sukses të madh patëm edhe unë e Luçije Miloti. Ansambli ynë me paraqitjen e tij profesionale fitoj të drejtën e grupeve ma të mira të festivalit. Kështu që shfaqjet vazhduan me shumë sukses. Më 29 gusht 1949 u nisëm për në Shqipni. Kur arritëm në Bukuresht na u dha lajmi se dy qeveritë kishin ra dakord me na lanë edhe 20 ditë në mbarë Rumaninë. U ftuem dy herë nga Televizioni Rumun. Na kërkuen me këndue kangë folklorike. Unë dija kangët, por nuk kishin çifteli. Atëherë Muharrem Gjediku që i binte mandolinës më tha: “… mos u ban merak se mandolinën ta akordoj si çifteli” dhe ashtu bani. Unë këndova dy kangë trimnije, atë për Shaqir Grizhen dhe atë të Zekë Jakinit, të cilat dolën shumë bukur dhe patën nji sukses përtej çdo parashikimi. Kur erdhëm në Shqipni na u rezervue nji pritje madhështore në Pallatin e Brigadave. Të nesërmen shpërthyen gazetat për arritjet tona. E përjetoj edhe sot atë krenari për suksesin.

Jeta dhe karriera

U martova në vitin 1954, kujton Biku. Hyna në marrëdhënie pune në Turizëm si kangëtar. U sëmura randë dhe shërimin ma bani nji mjek i huaj, i quajtun Spasse Trimçev që më adhuronte shumë. Në vitin 1957 u hap estrada, në të cilën nuk më pranuan te hyja si profesionist, por si rrobaqepës i kategorisë së gjashtë në teatrin “Migjeni”. Puna si rrobaqepës për të dy trupat, për teatrin edhe për estradën, ishte vërtetë një tmerr, sidomos për mua që kisha shumë kërkesa ndaj vetes.

Gjatë 20 vjetëve kjo trupë dha 100 premiera, 2618 shfaqje, nga të cilat 897 në fshat, ku do të veçoja regjisorin Paulin Sekuj me 71 premiera, Tano Banushin me 850 role, drejtuesin muzikor Mark Kaftalli me 85 premiera, skenografin Lec Fishta me 90 dekore, unë këndova mbi 200 kangë. Drejtorit të asaj kohe nuk dua t’ia përmend emnin, por përveç rrobaqepësisë më ngarkoi edhe shërbimin e gardarobisë. Ndjehesha i turpnuem kur ndonji i brendshëm apo i jashtëm që më vlerësonte më thoshte duke mbetur i befasuem: “Si ka mundësi që të lajnë me ba këtë punë?” Manush Myftiu ishte Ministër Kulture dhe kur vjen në Shkodër bashkë me Ministrin e Kulturës të Polonisë, ndër të tjera më pyeti: “Si ja kaluet dhe a patët sukses në Bullgari?” Nji herë ngurova me ju përgjigje, por pastaj e mora veten dhe i thashë: “Unë nuk e di as ku bjen Bullgaria! Ai mbeti i shtangun duke me thane: “Si është e mundur pasi unë kam hedhur firmë për emrin tënd”!? Ndërkaq do zyrtar të Shkodrës kthyen kryet e më thanë: “Pse nuk i thue Ministrit se ke qenë i sëmurë me dhimbje koke”?! Unë u përgjigja: Sëmundja e kokës është shërue qysh në vitin 1957 nga doktor Trimçevi. Ministrit nuk i erdhi mirë për mos zbatimin e urdhrit dhe më tha: “A po na këndon ndonjë jare tjetër?”. Nga ky moment sikur ndërruan gjanat për mue.

Peripecitë e pjesëmarrjes në turneun e Algjerisë dhe Marok

Nuk e di me siguri se si rrjedhën ngjarjet, por di që Ansambli i Këngëve e i Valleve ishte i ftuar nga Presidenti i Algjerisë, Ben Bela, për nji turne. Urdhëni për mua paska pas ardhë në Shkodër, por askush nuk ma diftonte. Tuj ba prova në Tiranë, grupi që do të shkonte në Algjeri, kishte shkue me i pa Manush Myftiu dhe menjiherë kishte pyet Tish Dainë, i cili ishte drejtuesi i Ansamblit: “Ku është Bik Ndoja?” Tishi i ishte përgjigjë: “Ka dhetë ditë që e kam njoftue Shkodrën, por Biku nuk asht pa?!” Vërtetë nuk e di si kan rrjedhe ngjarjet, por të nesërmen jam njoftue nga drejtori i teatrit për me shkue në Tiranë, se do shkoja me grupin në Algjeri e Marok. Kemi dhanë koncerte madhështore në të dyja këto vende, kemi pas nji pritje që nuk mund të harrohet kurrë. Në Marok, shfaqjen tonë e ndoqën Guvernatori e koreografja e Sulltanit, bile Guvernatori na ftoj për darkë. Ne shkuam dhe si për zakon e para ishte nusja e Guvernatorit që na qerasi me nga nji gotë çaji.

Jo gjithçka do të ishte e lehtë

Padyshim që Bik Ndoja nuk do të ishte i përjashtuar prej kulisave dhe trazimeve, fanatizmit dhe smirës që duket se duke e u futur në trazim një artist e rrit më shumë atë.

Nuk dua të akuzoj Shkodren teme të dashtun, por persona të tillë që Shkodra ka pas dhe për fatin e  jo të mirë vazhdon të ketë edhe sot. Zakonisht kjo ndodh nga njerëz që nuk e njofin artin dhe bajnë sikur e drejtojnë atë. Ishin pikërisht ata te Shkodrës, që megjithëse unë e kisha nji vlerë ne sytë e të tjerëve, më punësuan si rrobaqepës, më ngarkuan edhe gardërobën, bile më ngarkuen të përgjigjesha edhe për rekuizitën. Ndjehem krenar që ua dola të gjithave. Tek nji artistit arti vritet vetëm kur ti marrësh frymën. Frymën ma lanë e unë e shfaqa artin që pata përbrenda, përkufizon ai.

Turneu në Kosovë, në vitin 1980

Grupi që do të ndërmerrte këtë turne në Kosovë ishte i Radio- Shkodrës nën drejtimin e kompozitorit Pjeter Gaci. Koncertin e parë e dhamë në Prishtinë, në sallën Boro-Ramiz. Koncertin e hapëm me kangën “N’Shkodër tonë ka ra nji dritë”, këndue nga të gjithë këngëtarët. Pastaj del prezantuesja Zyliha Miloti, përshëndet e prezanton kangën “Drita dal ka herë”, të cilën e kënduem unë, Ibrahim Tukiçi, Xhevdet Hafizi e Bashkim Alibali. 3000 spektator shpërthyen në stuhi duartrokitjesh. Dhamë shumë koncerte dhe çdo natë na shoqëronin kangëtar kosovar, si e madhja Nexhmije Pagarusha, Luan Hajro, Shpresa Gashi, Qamili i Vogël, e të tjerë. Nji detaj që më kujtohet gjithmonë asht momenti kur në Gjakovë po këndoja kangën “Si dukat i vogël je” dhe kur po thoja refrenin “…cokrrama gotën”, nji shikues shkëputet nga turma, drejtohet nga unë me shishe të rakisë në njërën dorë e me nji gotë në dorën tjetër, me afrohet e më thotë: “O Bik Ndoja, rrahe gotën plot e jo bosh”. Ky moment shkaktoi në sallë nji alegri të papame.

Ndonjë emër mund të veçojë në të admiruarit e tij

Me vitet mbi supe, me andjen me dëshmu e gjithçka me i'a lanë trashëgim gjeneratës, Bik Ndoja kishte me dallu ndonjë emër, pa u drasht se duke citu emra të mëdhenj do të ndihet i vogël. Ai ka shumë, por prej të gjithëve dallon të madhen Marije Krajen, të papërsëritshmen Tefta Tashkon, të magjishmen Nexhmije Pagarushen.

Përgjatë gjithë jetës, ai nuk reshti së punuari dhe përkushtuari që të ishte një gurthemel i rëndë në traditën e shkëlqyer të Shkodrës.


28-12-2015

(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: