Elvi Sidheri: 2015 - një vit i trishtë për të majtën ndërkombëtare
| E Diel, 27.12.2015, 07:00 PM |

2015; një vit i trishtë për të majtën ndërkombëtare

Nga Elvi Sidheri

Si vjen fundi i vitit, si zakonisht ofrohet mundësia më e përshtatshme për të bërë disa bilance përkatëse të 365 ditëve të shkuara; të ngjarjeve dhe situatave të ndryshme që kanë shenjuar dukshëm këtë periudhë kalendarike që tashmë i afrohet pandalur fundit.

2015-a, përgjithësisht një vit i pasur në zhvillime dhe të reja pafund, nga këndvështrimi gjeopolitik, është padyshim viti i zmbrapsjes të së majtës në nivel mbarëbotëror.

Pas vitesh hegjemonie të regjimeve diktatoriale, autokratike apo gjysëm-regjimeve majtiste sidomos në Amerikën e Jugut dhe Karaibe; 2015-a shënoi paqëtimin historik midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe regjimit hegjemonist komunist dhe jo pak izolacionist kuban; falë ngulmimit largpamës dhe praktik të administratës Obama; që vendosi njëherë e mirë që ithtarëve gjithëbotërorë të shtetit ishullor karaibas “Con Fidel adelante” (Me Fidelin në ballë), t’u heqi përfundimisht statusin gjysëm-mitik të antagonistit që rreket qysh nga 1958-a e largët, të personifikojë rolin e Davidit kundër Golias prepotent amerikan.

Kështu, Raulit (vëllait sundues të Fidelit puro-thithës dhe mjekërgjatë), tani e tutje do t’i mbetet që të kujdeset për ekonominë e stërvarfëruar të vendit të vet të bukur buzë detit të Karaibeve, për nënshtetasit e tij të skamur gjer në kockë; për prostitucionin e shfrenuar që gëlon rrugicave piktoreske me stil kolonial spanjoll të Havanës apo Santiago de Cuba-s; në vend që t’i hakërrehet Amerikës imperialiste dhe “Yankees-ve” të cilëve ngaherë sistemi i dështuar socialist kuban, ua pati shkarkuar trastat plot me probleme të vetëkrijuara kubane (në formën e qindra-mijëra emigrantëve kubanë që për dekada të tëra patën synuar brigjet e Floridas së afërt).

Njëkohësisht, si një zhvillim krejt i freskët në çdo kuptim, vjen edhe humbja katastrofike zgjedhore e regjimit socialist Venezualian të kërrmëzuar në hirin e zymtë të Hugo Çavezit të ndjerë.

Pasonjësi i përzgjedhur nga Çavezi dora vetë në të gjallë të tij, Nikolas Maduro, mënjanë pamjes prej halabaku dhe të forti lagjeje, më tepër i denjë për ndonjë video Hip-Hop latin (padyshim që Pitbull do ta merrte plot ëndje në ndonjë nga videot e këngëve të tij; krahas Jennifer Lopez apo yjeve të tjerë të muzikës latine spanjisht-folëse); nuk diti të tregohet, qoftë edhe diktatorialisht, asfare në nivelin e paraardhësit të tij Çavez; duke e zhytur edhe më thellë vendin në gropën e thellë së skamjes, arbitraritetit, shtypjes dhe abuzimeve të tjera të panumërta të aparatit opresiv socialist venezualian.

Opozita e bashkuar venezualiane (Mesa de la unidad democrática; Tryeza e bashkimit për demokracinë); pas vitesh të tëra përndjekjeje, burgosjesh dhe vrasjesh; më në fund, në zgjedhjet parlamentare të këtij fillim-dhjetori, korri një fitore madhështore përballë regjimit dhe grahmave të tij të fundit shtypëse; duke fituar një shumicë të tejmadhe në parlament, për herë të para pas 17 vitesh regjim (112 deputetë nga 167 gjithësej).

Dhe më në fund, pavarësisht petro-dollarëve të shpenzuar elektoralisht për vite të tëra duke blerë votën e shtresave më të varfëra të popullatës venezueliane, mbështetjes dhe përvojës së njohur opresive kubane; arrestimeve të udhëheqësve opozitarë anti-regjim (Leopoldo López për shembull, lideri i njohur opozitar, i burgosuri politik i dënuar vetëm në shtatorin e kaluar me 13 vite e nëntë muaj burgim nga regjimi çavist i Maduros)... sidoqoftë sistemi socialist delirant venezuelian, e ka nisur pakthyeshëm të tatëpjetën e tij përfundimtare.

Gjithaq, edhe në Argjentinën e qytetëruar; pak muaj më parë i pat ardhur fundi gjysëm-regjimit populisto-majtist peronist të presidentes Cristina Fernández de Kirchner, ish bashkëshortes së të ndjerit ish president Néstor Kirchner; e akuzuar gjerësisht gjatë sundimit të saj dy-mandatësh për një korrupsion të shumanshëm, falsifikim të statistikave ekonomike, shkelje të lirisë së mediave argjentinase (llogaritet se sistemi i ngritur në këmbë gjatë sundimit të zonjës Fernández de Kirchner kontrollonte në mënyrë të drejtpërdrejtë ose indirekte përafërsisht 80% të mediave argjentinase), si dhe për përdorimin e sistemit tatimor shtetëror dhe fondeve shtetërore si mjete për të goditur kundërshtarët politikë.

E njohur për lidhjet e saj me liderët autokratikë majtistë të Bolivisë (Evo Morales), Venezuelës apo Ekuadorit; sundimi i zonjës Kirchner u pat shquar edhe për marrëdhëniet tepër të dyshimta me regjimin iranian të ajatollahëve; sidomos pas mbrojtjes shtetërore të urdhëruesve dhe dorasve të shpërthimit të “AMIA” (Asociación Mutual Israelita Argentina; Asociacionin e Ndërsjelltë Izrealito-Argjentinas) të 18 korrikut 1994 ku patën mbetur të vrarë 85 persona të pafajshëm në Buenos Ajres.

Shpërthim për të cilin vijon të akuzohet regjimi iranian dhe satelitët e tyre të libanezë të Hezbollahut; dhe pas vitesh të tëra shtyrjesh dhe përpjekjesh për të fshehur të vërtetën, 14 janarin e këtij viti, prokurori argjentinas Alberto Nisman pati akuzuar personalisht presidenten Cristina Krichner si të përfshirë në një konspiracion ndërkombëtar që synonte varrosjen e të vërtetës lidhur me këtë ngjarje tragjike (si shkëmbim favoresh ekonomike me Iranin). 4 ditë më pas, më 18 janar, prokurori Nisman do të gjente vdekjen; ndërkohë që presidentja menjëherë do ta deklaronte atë të vetëvrarë, gjersa pak ditë më pas do të merrej vesh botërisht se ai kish pas qenë vrarë në rrethana akoma të pasqaruara.

Nl ethet e një krize ekonomike gjithnjë e më në rritje, nën akuza nepotizmi, autokracie dhe korrupsioni; presidentja do të detyrohej të shihte delfinin e saj peronist për presidencën Daniel Scioli të humbiste përballë rivalit opozitar Mauricio Macri.

Por, siç rëndom ndodh në të tilla raste, ashtu siç dikur thuhet t’i ketë pas thënë edhe mbreti Luigj i XV Madamë Pompadurit “Pas meje le të përmbytet gjithçka”, kështu edhe zonja De Kirchner, nga pallati presidencial argjentinas Casa Rosada më datë 9 dhjetor, ish kujdesur të largohej me trastat plot me rezervat e kafesë, sheqerit, telefonave, televizorëve dhe kompjuterave të pallatit presidencial.

Armikut nuk i do lënë asgjë fundja; nëse Stalini digjte urat dhe fushat me grurë të stepave ruse, për të mos e lënë Hitlerin dhe nazistët e tij të përparonin të qetë në thellësi të Bashkimit Sovjetik në vitet 40 të shekullit të kaluar; ashtu edhe Cristina, presidentit të ri, që populli “injorant” kish guxuar të zgjidhte kundër vullnetit të saj “hyjnor”, nuk do i lejonte as edhe një luks të vetëm pas fundit të erës së saj presidenciale.

I kanë megallomanët autokratë këto “kapriço” të vockëla, iu falen, ç’t’i bëjmë vallë?!

Në Brazilin e afërt, vijojnë diskutimet lidhur me të ardhmen e presidentes majtiste dhe procesit të “impeachement” të mundshëm kundër Dilma Rousseff (eksponente e spikatur e “Partido dos Trabalhadores”, pra e Partisë së Punës së Brazilit), e bija e një emigranti bullgar në Brazil, një ish militanti të Partisë Komuniste të Bullgarisë në vitet 1920 të shekullit të kaluar.

Do theksuar se përsa i përket majtizmit militant brazilan, një ndër rrymat më të fuqishme përfaqësuese të kësaj tendence politike, pra Partia Komuniste e Brazilit (Partido Comunista do Brasil, ose ndryshe PCdoB), pat qenë njohur për lidhjet e dikurshme të çelikta me udhëheqësinë moniste shqiptare të epokës së regjimit diktatorial enverist në fundvitet 1970 dhe fillimin e viteve 1980, sidomos pas ndryshimit të kursit politik të Kinës pas vdekjes së Mao Ce Dunit në 1976-ën.

Faktikisht, qysh nga 1978-a ithtarët brazilianë të kësaj partie, u patën shndërruar në ndjekës të vijës kritike ndaj politikës kineze të Tiranës zyrtare moniste, duke e konsideruar Shqipërinë si vendin e vetëm vërtetë socialist në botë (Zhoao Amazonasin e kujton ndokush akoma në Shqipëri, edhe sot).

Nga viti 1989, kjo parti do të niste mbështetjen e Lula Da Silvës, ish presidentit brazilian, paraardhësit të Dilma Rousseff-it.

Duke e mbyllur xhiron tonë të shpejtë politike rreth botës pikërisht në kontinentin tonë të moçëm, ndërkaq, vërejmë se të majtët anglezë, gëzojnë në krye të Partisë së tyre dikur të lavdishme Laburiste; një ekstremist të majtë; që për më tepër rezulton të jetë (Jeremy Corbyn) edhe ca si shumë Enverist!

Po, po, nuk është shaka; ky tipi fort hokatar është vërtetë enverist i thekur, dhe në Angli tanimë gazetat argëtohen pamasë duke bërë krahasime apo kuice, mes deklamimeve të tij të sotme, dhe frazave të njohura të shokut Enver gjatë viteve moniste të Shqipërisë!

Gjë që shumëkënd nga ana e Konservatorëve qeverisës britanikë, e bën tejet të lumtur padyshim; duke pritur kështu një opozitë të gjatë të laburistëve në të ardhmen e afërt dhe të largët.

Në Spanjë, ku porsa u zhvilluan zgjedhjet parlamentare, ndryshe nga parashikimet miope të gjithë sferës mediatike anarkiste europiane, lëvizja Podemos; simotra e Syriza-s greke të Aleksis Tsiprasit dhe regjimit të Maduros në Venezuelë (njihet “simpatia” e regjimit despotik venezuelian për Podemos dhe liderin e saj aspak karizmatik Pablo Iglesias)... rezultoi forca e tretë politike më e votuar më datë 22 dhjetor, duke mos mundur jo më të triumfojë në nivel kombëtar siç shumëkush shpresonte anembanë universit të majtë europian, por as të bëhet parti e dytë mbi PSOE-n tradicionale (Partia Socialiste Punëtore Spanjolle).

69 deputetë në 360 gjithësej sa ç’ka parlamenti spanjoll, nuk përbëjnë kurrësesi një sukses; aq më pak pas thuajse 6 vitesh krizë ekonomike dhe recesioni; të nisura dhe të shkaktuara si pasojë e qeverisjes katastrofike të ish kryeministrit socialist Zapatero; njeriu që e zhyti Spanjën në krizë ekonomike, sociale dhe ekzistenciale (si pasojë e lëshimeve të marra dorëlëshuara ndaj orekseve të shfrenuara nacionaliste të ithtarëve të pavarësisë baske e katalane).

Në Francë ndërkohë, Partia Socialiste e presidentit Holland, pluskon prej kohësh në fundin e renditjes politike, duke u tejkaluar vazhdimisht në zgjedhje nga Republikanët e djathtë të ish presidentit Sarkozi, dhe neo-fashistët e Frontit Nacional të Marinë Lë Pen.

Dobësi e socialistëve francezë në qeverisjen e vendit, si në sferën ekonomike, aq edhe në atë të sigurisë, që dukshëm ka forcuar përparimin e Frontit Nacional vitet e fundit.

Në Gjermani SPD-ja e majtë, shkelet prej vitesh me këmbë rregullisht nga CDU kristiandemokrate e kancelares Merkel; në Poloni partitë e majta nuk marrin deputetë as sa të numërohen me gishtat e dorës, në Hungari gjithashtu, dhe kudo njëlloj; (edhe Italia gëzon një qeveri të qendrës së majtë demokristiane të kryeministrit reformator Renci, që bashkëqeveris me një parti të qendrës të djathtë, duke ia pamundësuar pushtetin anarkistëve modernë të Beppe Grillos dhe Lëvizjes së tij me 5 Yje).

Dallon si një njollë e zezë në hartë, vetëm Greqia mazokiste e Aleksis Tsiprasit dhe SYRIZA-s; por në momentin që flasim për Ballkanin dhe sindromën e njohur ballkanike të shkelmimit të kovës që vetëmbushet, apo të kafshimit të dorës që të ushqen; biseda gjithësesi ndryshon pakthyeshëm thelbësisht.

Një vit i keq për të majtën botërore pra ky që po mbaron, një vit shprese, besimi!



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: