Elvi Sidheri: Christī Nātāle
| E Enjte, 24.12.2015, 09:08 PM |

Christī Nātāle

Nga Elvi Sidheri

Dita e Vigjiljes së Krishtlindjeve; për mua ka përbërë përherë një ngjarje tepër të veçantë, ashtu si edhe për çdo njeri tjetër, që laikisht apo në mënyrë thelbësisht e thellësisht praktikante; vlerëson, ndjek, ndjen, respekton, admiron, shijon apo thjesht mëton të zbatojë hareshëm dhe plot dinjitet e përkorje; ditët e shënuara të kësaj feje të madhe monoteiste; krishtërimit.

Për fat, ndër shqiptarë, papërjashtim, gëzojmë mbrothtësinë e madhe që për Krishtlindje, katolikë, ortodoksë, protestantë etj; të mos ndahemi e hapërdahemi në këtë ditë të shenjtë; por të gjithë së toku; falë nje vendimi të tejmençur të kishave ortodokse të anës jo-jugosllave të Ballkanit (Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë; asaj greke, bullgare dhe rumune)... t’i kremtojmë hyjshëm Krishtlindjet më datë 25 dhjetor; si gjithë qytetërimi perëndimor.

Thënë kjo, ndërkohë që shumë kisha të tjera të krishtera ortodokse lindore, që nga ajo ruse (bashkë me rusofilët e veckël ballkanikë, serbë, malazezë e maqedono-sllavët), tek armenët (që i kremtojnë Krishtlindjet me datë 6 janar, duke e bashkuar lindjen e Krishtit, me ditën e pagëzimit të tij, me datë 6 janar, ose edhe me 19 janar siç bën Partiarkati Armen i Jeruzalemit) gjeorgjianët, kisha e lashtë etiopiane, ajo kopte e Egjiptit, e deri tek të krishterët e martirizuar të Lindjes së Mesme, në Siri, Irak, Jordani e Liban, Krishtlindjet i festojnë më datë 7 janar; sipas kalendarit të vjetër Julian të kohës së Jul Çezarit (viti 45 para Krishtit).

Pra, Zoti ka dashur, që si shqiptarë, të mos na ndajë edhe brenda së njëjtës fe, në disa kremtime të ndryshme, sidomos sa i përket një date të tillë kaq madhore dhe kuptimplote.

Jemi fundja, populli i “kishave dhe xhamijave, e mbi të gjitha i shqiptarisë” së Pashko Vasës; por edhe njerëzit e të njëjtit gjak që vëllazërojnë në kremtet dhe festat e njëri-tjetrit; qofshim të krishterë, myslimanë, bektashinj, ateistë, laikë dhe mbi të gjitha shqiptarë; një grigjë “sui generis”, që hyjit i është drejtuar, e ka adhuruar dhe i është lutur ngaherë, me shumë emërtime e rite apo liturgji të shumta përgjatë shekujve, por që këtë qenie sublime dhe të tejepërme qiellore, e ka njohur kurdoherë si ZOT; si “zërin e gjithëfuqishëm” që gjëmon përbotshëm qysh nga nata e kohëve, duke na përçuar neve si shqiptarë, mesazhet e perëndishme.

Në ndërkohë, vetë dy emërtimet që shqiptarshëm, i kemi mveshur kësaj kremteje, vijnë të dyja me të njëjtin kuptim hyjnor, pra: “Krisht – lindje” dhe “Kërshëndella”, nga (“Christī nātāle” në latinisht), duke dëshmuar kështu njëkohësisht edhe lashtësinë e përhapjes së krishtërimit ndër shqiptarët e dikurshëm ilirë, të cilët padyshim që të parët patën përzgjedhur si formë për të emërtuar këtë eveniment të shenjtë, emërtimin latin “Christī nātāle – Kërshëndella” si rrjedhojë e drejtpërdrejtë e ndërlidhjes së tyre të afërt me Perandorinë Romake dhe gjuhën, fenë e traditat e saj të spikatura; dominuesen e madhe të botës së kohës, së krejt antikitetit; perandori së cilës ilirët i patën falur perandorë (vetë Babain ligjërues dhe kanonizues të Krishtërimit ndër të tjera; Shën Kostandinin e Madh nga Iliria, nga Naissusi i lashtë; njeriun që i dha fesë së krishterë, fytyrën që të gjithë i njohim asaj sot)... pretorianë e qytetarë të tjerë të shumtë të shquar.

Krishtlindjet janë pra, edhe në këndvështrimin tim njëçikë profan, qartësisht laik, si dhe tepër çmues të rrezeve të dritës hyjnore që burojnë prej mijëvjeçarësh nga Librat e Shenjtë monoteistë; mishërojnë një “Lindje” të re të përvitshme të agut të një shprese të përjetshme, të një mundësie blatuese, të një dielli të ri shëronjës që rrezaton mirësi dhe dashuri për një botë ku njeriu modern, rregullisht e ndërfut vetveten mes nuancave të përhimta të së ligës, fajit, krimit, vetëpërçmimit, fshikullimit, mosmirënjohjes, smirës dhe gjithçkaje të nisur qysh nga Molla e Evës në Edenin e parajsshëm; metaforën religjioze, të prirjes fort të natyrshme njerëzore, për t’u ndjellur nga e keqja, drejt së keqes, duke përzgjedhur ligësinë, si formë shkallëngjitjeje drejt majës vegimtare në kullën e Babelit që përbën jetët tona vdekatare.

Jemi ne shqiptarët, një popull që kremton, feston, gëzon; festa që nënkuptojnë gjithherë diçka të përtejme, më të thellë, më shumëdimensionale sesa kuptimi i dukshëm parësor i këtyre kremteve fetare.

Krishtlindjet e lindjes së pandalur, vit pas viti, pareshtur, të shpresës së mbrujtur në frymën e shenjtë, që përfshin në përqafimin e vet shëlbyes, njerëzimin e tërë, dhe shqiptarët gjithaq.

Kemi Bajramin, këtë festë të dyfishtë myslimane, që nëse do t’i referoheshim kuptimit burimor të kësaj fjale, do të thoshte pikërisht dhe vetëm “festë” (“Bayram” në turqisht domethënë “festë”, fetare apo laike, kombëtare etj).

Apo edhe Sulltan Nevruzin bektashian, Vitin e Ri të lashtë persian, festën e dikurshme zoroastriane, që sot pak a shumë, anembanë zonave ku kremtohet, nënkupton fillimin e stinës së ngrohtë e shumëngjyrëshe të pranverës, ndërsa vetë fjala “Nawrūz”, lind si bashkim i dy fjalëve të persishtes së vjetër: “Nava (e re)” dhe “rezanh (ditë)”; sërish ravijëzimi i një ditë, ere, epoka, jete, mundësie të re pra!

Pa dashur t’i futemi vetëpikëpyetjeve metafizike lidhur me njeriun që krijoi Zotin apo Zotin që ngjizi njeriun në trajtat e tij të sotme të evoluara, apo të dikurshmet primitive; me Darvinizëm apo jo në konsideratën tonë ekzistenciale; ndërkaq, Krishtlindjet kurorëzojnë fundvitin tonë duke na përcjellur me përkushtim të mbinatyrshëm, drejt Lindjes së diellit të parë të një viti tjetër; një viti, një 365 ditëshi të ardhshëm ku gjer sa fryma të mos na shuhet njëherë e mirë; sërish do të dashurojmë, kërkojmë, punojmë, duam, puthim, vështrojmë, ndiejmë, dëgjojmë, shijojmë e do sodisim akoma edhe pafundësisht herë të tjera, universin, botën tonë.



(Vota: 7 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: