Flora Durmishi: Intervistë me xhudisten, Majlinda Kelmendi- Nderi i Kombit
| E Marte, 22.12.2015, 08:15 PM |

E dua medaljen Olimpike!

Intervistë me xhudisten, Majlinda Kelmendi- Nderi i Kombit

Nga Flora Durmishi

Nderi i Kombit, Majlinda Kelmendi, që fëmijë kishte parandjerë se një ditë do të arrijë suksese të mëdha dhe do të bëjë të krenohen jo vetëm familja e saj por edhe gjithë shqiptarët. Ishte e vogel por ëndërrat që shihte ishin të mëdha: Pjesëmarrja në Lojrat Olimpike! Ajo dëshiron pafund, që të jetë e para sportiste që të stolis vendin e saj, Kosovën, me medaljen olimpike! Duke e njohur vendosmërinë, karakterin dhe dashurinë që ka për xhudon, kjo ditë është afruar. Majlinda Kelmendi ka përmbushur pikët olimpike dhe tashmë, Rio de Zhaniero, po troket në derën e saj!

Për disa vjet me radhë, Majlinda Kelmendi na ka ofruar shumë emocion madje, na ka nxjerrë lotë gëzimi. Majlinda është ylli jonë ndriques. Sukseset e saj janë edhe sukseset e të gjithë shqiptarëve. Lufta e saj të lë pa fjalë, të mahnit. Ne I besojmë Majlindës dhe ëndërrës së saj. Ajo është ambasadorja e vërtetë e Kosovës e cila si askush tjetër po e ngrit lart flamurin dhe emrin e vendit të saj. Majlinda bëri që, mijëra njerëz të ngriten në këmbë për të nderuar himnin e Kosovës. Ajo të mahnit jo vetëm si sportiste por edhe si një njeri! E thjeshtë dhe shumë e dashur. Si edhe pjesa më e madhe e femrave, pëlqen blerjet! Edhe pse ndodh shpesh që ato rroba nuk I vesh asnjëherë. Këtë ajo edhe e quan fiksim. Shopingu më relakson, thjesht thotë ajo. Majlindën e lumturon fakti se njerëzit e urojnë dhe I gëzohen sukseseve të saj.

Majlindë, si fëmijë ke menduar që një ditë do të arrish këtu në majat e sportit botëror?

E kam thënë edhe herë tjetër që, kur isha fëmijë, gjithherë kam dashur që t’I bëj prindërit e mi të ndihen mirë edhe t’I bëj të lumtur. Si fëmijë kam qenë shumë e vendosur dhe e kam parë që përmes sportit mund të arrij aty ku unë dua. Dhe kështu përmes sportit I kam bërë prindërit e mi të ndihen mirë. Ndoshta si fëmijë kam qenë shumë e butë mirëpo kur kam filluar me xhudo e kam zbuluar atë anën time luftarake. Por, ajo cka më ka karakterizuar mua ka qenë sidomos vendosmëria. Kam qenë shumë më shumë e vendosur se fëmijët tjerë që kanë qenë në klub me mua.

Kur ka qenë ai momenti që ti e ke kuptuar se mund të hysh në historinë e sportit?

Nuk e di pse por, qysh kur kam qenë e vogël e kam pasur një ndjenë që një ditë do të korr sukses të madh. Gjithmonë ëndërr e imja kanë qenë Lojrat Olimpike.

Sa vjece ishe kur mendoje për këtë?

Isha diku 13-14 vjece. Në vitin 2009 jam bërë kampione e Evropës dhe kampione e botës  për juniorë  dhe ky ka qenë ndoshta ai momenti që më ka bindur edhe më shumë se unë mund të arrij aty ku dua. Gjithmonë kam punuar me vullnet shumë të madh, me përkushtim shumë të madh dhe asnjëherë nuk kam dyshuar se kam me pasë sukses.

Kur jemi te Lojrat Olimpike, pas asaj humbjeje që na erdhi si dush I ftohtë dhe ty të ndali në marshin drejt piedestalit, njerëzit më shumë se asnjëherë tjetër kanë kërkuar nënshkrime nga ti, të kanë mbështetur shumë!

Po kjo është pjesa më e mirë e gjithë asaj. Dihet si kanë shkuar Lojrat Olimpike dhe thjesht ai presioni që t’I bëj krenarë dhe t’I bëj të ndihen mirë dhe thjesht t’ua shpërblej gjithë atë besimin që kanë pasur në mua, unë e prisha krejt në fund!(qeshet). Megjithatë mua më gëzon fakti që njerëzit më kanë qëndruar afër më kanë thënë fjalë të mira edhe më kanë pritur në mënyrë shumë pozitive.

Dikur ke menduar që të fitosh një garë, më pas si të mposhtësh xhudisten kineze, atë japoneze pastaj,  ëndërra ka vazhduar, si të bëhesh kampione e Evropës, e botës! Po sot, cila është ëndërra yte?

Dihet që unë jam kampione e Evropës, kampione e botës dy herë dhe tash më mungon vetëm edhe medalja olimpike. Lojrat Olimpike janë edhe disa muaj në Rio. Po besoj shumë që do ta kem formën e duhur. Ju e dini që kam pasur një lëndim para disa muajsh dhe rikuperimi nuk ka shkuar bash ashtu si kemi menduar por, fatmirësisht tash po ndihem shumë më mirë dhe u jam kthyer plotësisht stërvitjeve . Dihet që, jo vetëm ëndërr e imja, por ëndërr e cdo sportisti janë Lojrat Olimpike. Po shpresoj që kam me qenë në top formë atje dhe kam me pasë sukses.

Ke pasur disa oferta shumë serioze nga Azerbejxjani, Emiratet, Turqia etj. U ke thënë jo! Të ka mbetur peng që nuk I ke pranuar?

Përkundrazi, unë jam shumë e lumtur dhe I jam shumë mirënjohëse trajnerit tim dhe do t’I jem mirënjohëse deri në fund të jetës sime që më ka mbajtur këtu në Kosovë. Ndihem shumë mirë që të gjitha sukseset dhe medaljet që kam fituar shkruhen në historinë e Kosovës. Nuk do t’ia kisha falë asnjëherë vetës sikur këto medalje do të kishin shkuar për ndonjë shtet tjetër. Ju e thatë edhe më herët kur dështova në Lojrat Olimpike, njerëzit këtu më kanë mbështetur dhe kanë qenë shumë pozitiv me mua dicka cka nuk do të ndodhte në një shtet të huaj. Për ata ti je thjesht një e huaj dhe të shikojnë vetëm për interes. Nëse ti ke sukses ata janë me ty nëse nuk ke ata të anashkalojnë dhe nuk merren me ty aspak. Kështu që ndihem shumë mirë që jam këtu ku jam dhe që jam idol për shumë fëmijë të Kosovës. Ata duan që të bëhen si unë dhe më besoni që nuk ka ndjenë më të mirë se kjo. Nuk ka miliona që të bëjnë me u ndi kështu.

Ka qenë një moment kur mamaja yte të ka inkurajuar që të pranosh njërën prej këtyre ofertave mu përshkak se institucionet nuk përgjigjeshin!

Po është e vërtetë. Në periudhën kur unë kisha ato ofertat u duk sikur institucionet po na injorojnë dhe nuk I merrnin seriozisht ofertat që unë kisha dhe kështu mami insistonte që unë të largohesha prej Kosovës dhe të garoja për ndonjë shtet tjetër. Jo pse ajo kishte ndonjë interes financiar mirëpo ka pasur frikë që unë si një e re e talentuar të shuhesha në shtetin e Kosovës vec për shkak të aspektit financiar dhe mospërkrahjes. Insistimi pra ka qenë  I saj, ndërkaq babi ka qenë ashtu I pavendosur, neutral. Ai është tip I tillë, ai do të përkrahte vendimet e mia cilatdo qofshin ato. Fatmirësisht ishte trajneri im ai që ka qenë I vendosur në kundërshtimin e tij që unë të mbetem në Kosovë.

Edhe Rusisë I ke thënë jo!

I kam thënë faleminderit, Ruasia ka sportista të mëdhenj, unë kam shtetin tim që ka nevojë shumë për mua dhe jam krenare për atë që jam por gjithësesi faleminderit!

Sa e ke ndier peshën e politikës si pengesë por edhe si motivim… Mendoj cështja e statusit të Kosovës, si është reflektuar në karrierën tënde të deritashme. A ke ndonjë rast të vecantë për të na rrëfyer?

Rasti konkret ka qenë vitin e kaluar në kampionatin botëror në Rusi ku unë  do të duhej të garoja për Kosovë por vec për shkaqe politike nuk na është lejuar të marrim pjesë si Kosovë! Kjo gjë më bën të ndihem shumë keq, jo të barabartë krahasuar me sportistët e tjerë sidomos, duke marrë parasysh nivelin në të cilin jam. Nuk është se unë jam një garuese anonime dhe hajt se nuk është problem për kend merr pjesë. Unë jam sportistja më e mirë në botë për kategorinë 52 kg. dhe nuk është se ti mund të sillesh me mua dosido! Unë kam shtetin tim, identitetin tim dhe nuk mund ta ndërrosh këtë sado që dikush mundohet kështu që, kjo më ka motivuar dhe kjo edhe ka rritë atë egon time që gjithësesi të fitoj medaljen e artë mu në mes të Rusisë. E kam ditur që një ose dy ditë pas garave, ka me ardhë Putini edhe ka me dëgju që prapëseprapë unë kosovarja kam dalë e para! Kështu që sa ndihem keq aq ndihem edhe mirë kur ka këso rastesh.

Më meritori, pa diskutim, për arritjet tua është trajneri yt Driton Kuka. Dua të di raportet me të, ziheni pajtoheni apo ka edhe raste kur nuk pajtoheni? Si është të punosh me të? Është I rreptë ai?

Jo, jo nuk pajtohem gjithmonë. Toni është tip shumë ipulsiv. Kur është nervoz, ato 5 minutat duhet të kesh shumë kujdes dhe zgjidhja më e mirë është heshtja. Pra, mos me thanë asnjë fjalë. Mirëpo, jo gjithmonë jemi ashtu mirë dhe të qetë, edhe zihemi ndonjëherë por Toni është edhe shumë I kthyeshëm edhe pavarësisht cka thotë kur është nervoz, kur të qetësohet është krejt ndryshe. Përgjithësisht kemi raporte shumë të mira.

Të kanë dehur sukseset në ndonjë moment?

Jo! Pavarësisht asaj që jam bërë kapione e Evropës dhe kampoine e botës gjithmonë kam vazhduar të punoj shumë. Është interesant kjo puna e titujve. Kur një herë u bëra kampione e botës doja përsëri. Asnjëherë nuk është mjaft. Vinin më uronin duke më thënë se është më vështirë me mbajtë titullin se me fitu. Këto fjalë më kanë motivuar dhe unë nuk jam prej atyre që sapo të fitojnë një medalje me u kthy në vend e me shitë mend. Në cdo garë që shkoj unë shkoj sikur mos me qenë kampione e botës. Shkoj si një sportiste dhe me fitu në cdo garë medaljen e artë. Dua rë kujtoj një rast për ju: Erdhi një gazetar francez të më intervistojë pas lëndimit që pata. Ai më tha se është shumë mirë që je lëndu tash. Unë u habita se si po mundet të më thotë ashtu! Përgjigja e tij ishte: Ti qe dy vjet në cdo garë po merr medaljen e artë dhe deri në Olimpiadë do të ishe dehur prej medaljeve të arta dhe thjesht nuk do të kishe pasur motiv për Lojrat Olimpike. Dhe tash pas lëndimit do të kthehesh shumë më e fortë se sa ke qenë.

Paska pasur të drejtë!

Po, pastaj unë e kuptova cfarë deshi të më thoshte.

Të qeshet ndonjëherë me veten, me reagimet, veprimet pas fitoreve apo edhe dështimeve sado të rralla që janë?

Në përgjithësi kur fitoj në gara reagimi im është I pamenduar më herët. Krejt është reagim spontan. Dhe realisht, pasi I shikoj xhirimet pas garave më vjen me qeshë dhe më vjen turp për mënyrën se si kam reaguar mirëpo, në ato moment, gëzimi është aq I madh sa që nuk shoh askend as sa mijëra njerëz janë aty. Unë thjesht e shijoj atë moment pavarësisht se cfarë mendojnë të tjerët.

Me cka ushqehet Majlinda?

Mishi më pëlqen shumë. Prindërit e mi kujdesen shumë që unë të kem ushqim sa më të mirë e të shëndetshëm. Më pëlqen edhe ushqimi tradicional si pitja, flia por, nuk është se I konsumoj shumë.

A ka ndonjë gjë që kufizohesh ta konsumosh ose të bën dëm?

Jo fatmirësisht nuk kam probleme të tilla. Me peshën jam shumë mirë. Mund të ha cfarë dua por ushtrimet I kam shumë të vështira dhe të gjata edhe ushqimi duhet me qenë sa më I shëndetshëm. Sallata dhe mishi janë ato që I konsumoj më së shumti.

Dashuron Majlinda?

Jo! Ka kohë për këtë. Karriera është në rend të parë! Dihet që sportisti nuk mund të ketë karrierë sa do ai vet kështu që, po mundohem që këto vite të karrierës t’I shfrytëzoj në mënyrën më të mirë të mundshme. Ka kohë për gjërat tjera.

Si mendon ti, a mundet një femër e martuar të arrijë suksese kulmore duke qenë edhe e martuar, duke qenë nënë?

Nëse ka përkrahje, nëse nuk ka probleme në familje pse jo! Ka shumë garuese në kategorinë time që janë të martuara, kanë fëmijë, të cilat kanë bërë pauzë disavjecare dhe përsëri janë kthyer. Mendoj që martesa nuk është ndonjë pengesë serioze. Por, unë jam shumë mirë kështu, nuk ia kisha lidh këmbët vetes. Ka kohë për të gjitha.

Ka edhe prindër që pagëzojnë fëmijët me emrin tend! E di ti këtë?

Kjo është edhe më bukur! Ja që nuk e paskam ditur këtë fakt.

Përvojën tënde je duke e përcjellur te vajzat e reja. U fsheh ndonjë gjë atyre, ua mëson të gjitha, të gjitha?

Kemi shumë vajza këtu në klub dhe më vjen shumë mirë kur ato vijnë e më pyesin dhe ndihem mirë kur unë di dicka dhe mundem me iu ndihmu. Nuk jam prej atyre sportistëve që thonë se jam unë dhe vec unë! Por dua të jem krejt e sinqert me ju! Do të më kish ardh inati nëse dikush tjetër kishte me marrë medalje në Lojërat Olimpike para meje! Nëse unë e marr e para më pas le ta marrin të gjithë të tjerët. Do të gëzohesha por, unë dua të jem e para!



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: