Sejdi Berisha: Kujtim rrëqethës
| E Hene, 21.12.2015, 09:06 PM |

Sejdi BERISHA:

Kujtim rrëqethës ose kalërim jete i para pesëmbëdhjetë vitesh

LETRA TË CILËN NUK BESOJA SE DO TA SHKRUAJ NDONJËHERË...!

-Nuk di, si në ëndërr më erdhi apo ashtu është, përmbajtja e kësaj letre mu duk se ma reflektoi njëjtë edhe rrugëtimin e ditëve të sotme të vendit tim, por ndoshta pak më ndryshe. Dhe, më vloi mendja për ta botuar për herë të parë këtë letër të shkruar këtu e pesëmbëdhjetë vite më parë, kur u ktheva në Kosovën e shkatërruar dhe të rrënuar nga lufta, e të cilën ia kisha shkruar vajzës sime, Vjollcës dhe dhëndrit, Arbrit, që jetonin në Rorschach të Zvicrës.

- Më kujtohet se si rrëfen Lasgush Poradeci për jetën e tij, kur thotë se për të mbijetuar dhe për të arritur diçka në studime, në Bukuresht, jo që flija në një kasolle, por edhe pastroja rrugët e këtij qyteti, kurse në universitet më nderonin të gjithë! Dua të them, tani por edhe kurrë, nëse nuk je i mëkëmbur në aspektin ekonomik, nuk ke asgjë. Në tubime, në ndeja të ndryshme, ta çmojnë mendimin, veprat dhe diturinë, por ajo nuk bën të shtrohet në sofër as për mëngjes, as për drekë dhe as për darkë!

-Në tubime, në ndeja të ndryshme, ta çmojnë mendimin, veprat dhe diturinë, por ajo nuk bën të shtrohet në sofër as për mëngjes, as për drekë dhe as për darkë!

___________

Zbritja në tokën e ngrohtë të Kosovës, ishte shumë e rëndë dhe plot mall e dhembje

Vjollca dhe Arbër,

Është e zorshme kjo letër të cilën po e shkruaj, sepse, gjërat janë duke shkuar rrjedhës që akoma më shumë rëndojnë jetën por edhe zemrën dhe shpirtin. Tani, kjo edhe më ngarkon me të kaluarën e afërt, e cila është një mur i ndërtuar edhe me dhembje por edhe me gjëra të mira?!!

Ishte kohë kjo e cila në historikun e familjes sime, ka dhënë shumë kahe, teposhtëza, qëndresa e zhgënjime, vlera e pavlera, të cilat, shumë më mirë do të ishte sikur mos të kishin ndodhur, por, megjithatë, pa to jeta do të ishte padyshim shumë më e varfër, kurse ne, tejet e tejet më të varfër nga përvoja e përjetimet. Andaj, më mirë që ka ndodhur kështu. Mos të kishte ndodhur kjo, nuk do të ekzistonin “Zeqa”, “Xheva”, “Zhuga” dhe as “Mafia” (Ishin këta emra ledhatues që kur donim të relaksohemi ia “veshnim” njëri-tjetrit)! Janë këto kujtime aq të hidhura, aq të ëmbla, të cilat nuk do t’i ndërroja me pasurinë e tërë botës.

Ardhja, respektivisht, zbritja jonë në tokën shqiptare, në tokën e ngrohtë të Kosovës, ishte shumë e rëndë dhe plot mall e dhembje, por, edhe gëzim,... ëndërr! Një. Pse edhe njëherë arrita me familje që të shkeli tokën e Kosovës. Dy. Kthehesha në qytetin tim, në Pejën e dashur. Dhe e treta. Se tani kthehesha në shtëpinë time, e cila tash sikur nuk ishte imja, pse të nesërmen duhej të takohesha me gërmadhat dhe shkrumbin e saj, të vatrës ku isha rritur me vuajtje e mundime. Dhe, ecnim rrugës prej aeroportit të Prishtinës, tani me autobus drejtë qytetit të Pejës. Gjithnjë mendoja se si do ta përballoj pamjen tjetër të shtëpisë sime të djegur, të qytetit të djegur, të plaçkitur e të rrënuar, të shtyllave më pllakate të vdekurish e të vrarësh, me vajzat e mia, me nipin Yllin dhe mbesën Tringën. Janë këto peshë e rëndim i madh për moshën time, për shpirtin tim kryeneç dhe të pa pajtuar e rehatuar asnjëherë me jetën dhe rrjedhat e saj.

Sytë nuk më bënin dritë dhe mendja nuk më shkonte dot aq drejtë Pejës, kur e dija se si të kam lënë ty, Vjollca, me lot për faqe, me zemër të trembur për prindërit tuaj, dhe me shpirt plot plagë nga ndarja jonë. Momenti kur jemi ndarë atë ditë para banesës dhe ikja me minibus, kanë ngelur përmendore e gurëzuar në zemrën time. Pastaj, udhëtimi deri në aeroportin e Cyrihut, pritjet për të fluturuar drejtë Kosovës dhe ndarja nga Blerimja, lotët e së cilës, vërtetë m’i përcëllonin faqet, m’i molisnin dhe dërmonin edhe atomet e fundit të të qëndresës dhe të durimit.

Afrimi i kohës për ndarje në aeroport, më dukej se Arbrin e bënin tunxh të rëndë nga malli e mërzia. Njësoj ishte edhe me Edin, bashkëshortin e Blerimës. Dhe, tani erdhi edhe momenti kur i pamë duart e njëri-tjetri të ngritura. Tash, në mes nesh ishin xhamat e trashë, më vonë edhe shkallët që na këputën shikimin. Mendoja, kurrë më nuk do të takoheshim në mënyrën ashtu siç ishim takuar deri në atë moment. Dhe, prej këtu, jeta tani rrjedhë ndryshe, si gjithnjë për shpirtrat e trazuar, pamëshirshëm.

Uh, po sa ngrohtë më erdhi puthja e pragut!

Arritëm vonë në Pejë. Më dukej se ishte ajo që e kam lënë. Thua se dje isha larguar nga ajo. Ishte terr. Para stacionit të autobusëve ishte duke na pritur Arsimi(bashkëshorti i Besës) me veturën e tij. I pari zbrita; preka tokën ngadalë dhe butë. Kishte qenë baltë. Sa e ëmbël. Iu afro¬va Arsimit, sepse, droja se nuk do të më njihte. Ishte një përshëndetje formale dhe shumë e shpejtë. Kjo, krejt me qëllim për t’i “mbytur" emocionet të cilat mund të më tradhtonin. Meqë vetura nuk na zinte të gjithëve, unë dhe djali im, Lami, u nisem këmbë drejtë qendrës së qytetit, bile kështu edhe me konvenonte. As njëzetë metra nuk i kam bërë dhe jam takuar me njerëz të cilët u shtangën kur më panë. U ndalen dhe njëri prej tyre tha: nuk po u besoj syve. A je ti, Sejdi?!

Kuptohet se iu përgjigja me një “Po” të turbulluar dhe me sy të mjegulluar. Shkurt më tha: "Paske bërë shumë mirë që qenke kthyer. I nevojitesh Pejës. Beso, na ke munguar”!... U ndamë pa tekst dhe që të dytë me lot në sy.

Ky ishte takimi i parë me qytetarët e Pejës. Dhe, arritëm para banesës së Arsimit. Lartë ishte duke na pritur vajza ime e madhe, Besa bashkë me vajzën e saj, Tringën. Të mos e zgjas. Të nesërmen, vetëm unë shkova në rrënojat e shtëpisë. Të tjerët nuk i lejova. Posa hyra, uh, po sa ngrohtë më erdhi puthja e pragut. Atëherë pasoi vizita ”detale” e shtëpisë. Tani kthehem në qytet, por prezenca mendore thuaja se nuk ekziston. Mendja gjithnjë më rri tek Ju, tek. Blerimja dhe Edi.

Dhe,... mos i kujtoni as darkat e vona, as drekat, as rru¬gën gjer në Goldah(qytezë në Zvicër), as mollët as shiun e borën që na rrihte rrugës. Tani ato janë vetëm kujtime. Bile edhe hithrat e pranverës së hershme me të cilët (edhe pse na thanë se nuk janë të pastër) e gatuam një pite të mirë. Nuk e di, këto gjëra a mobilizojnë apo na plakin e rëndojnë, ishte edhe kjo ngjarje me të cilën Ju ngarkuam në të gjitha aspektet dhe që të gjithë ishim si në mes kullës e çekanit! Por, nganjëherë të gjitha na i lehtësonte liqeni Boden See dhe uji i tij, por edhe uji që rrjedhke nga ulëset përbri liqenit i cili fshehë histori. Ç't’i bësh. Ishte rrugë e gjatë dhe plot peripeci gjer në takimin tonë në Ror¬schach, pastaj koha deri në ndarjen tonë. ...Pastaj, ja, tani edhe jeta këtu në Pejën dhe Kosovën plot plagë.

Po pra. Vjollca dhe Arbër, pa ne, tani, ndoshta ju mungon krisma e dyshemesë tek hyrja në banjo. Ju mungon edhe pamja jonë në orët e mëngjesit duke fjetur. Ju mungon edhe cingërima e celularëve nga ne, por... I rëndë është kujtimi për të gjitha këto, se malli e shpejton harxhimin e jetës dhe etjen e syve. Tani, këtu për mua ka ndërruar shumëçka. Edhe për familjen time. Është ngadalësuar apo fare është ndalur treni i jetës edhe rrjedha e lumit të ujit të kthjellët. Më mungon teksti për vazhdimin e këngës krenare por edhe forca për t'ia bërë jetën dikujt të lumtur.

“Takimi” i parë  pas luftës me varrin e nënës dhe të babait tim

Dhe, çfarë të them për situatën. Këtu jeta është dinamike dhe plot lëvizje, si pas përfundimit të luftës, më! Lufta i ka ndryshuar njerëzit, apo mua më duket kështu. Por, nuk më mashtron mendja. Pikërisht është kështu, si them. Ka plot eufori, andaj, për rifillimin e jetës këtu nuk ka vend as ngutja dhe as nervozizmi. Më kujtohet se si rrëfen Lasgush Poradeci për jetën e tij, kur thotë se për të mbijetuar dhe për të arritur diçka në studime, në Bukuresht, jo që flija në një kasolle, por edhe pastroja rrugët e këtij qyteti, kurse në universitet më nderonin të gjithë! Dua të them, tani por edhe kurrë, nëse nuk je i mëkëmbur në aspektin ekonomik, nuk ke asgjë. Në tubime, në ndeja të ndryshme, ta çmojnë mendimin, veprat dhe diturinë, por ajo nuk bën të shtrohet në sofër as për mëngjes, as për drekë dhe as për darkë!

Shpeshherë, shpirti më zemërohet por edhe mendja, për të shkruar e jo për të vepruar me “lamtumirë përgjithmonë Kosovë”! Atëherë, athua a do ta ndjenin dhe hetonin peshën e mungesës sime. Ndoshta, jo!...

Dhe, Vjollca e Arbër, këtu nëpër rrugët e qytetit të Pejës por edhe të tërë Kosovës nxitojnë qindra e mijëra vetura dhe automjete të tjera, të cilat ngufasin jetën por tregojnë edhe për fenomenin e ri të jetës, i cili kushtëzon sjelljen krejt tjetër fare për të ecur vertikalisht.

Kështu është përgjithësisht edhe në segmentet tjera. Por, ma thotë mendja se jeta do të ecën kah e mbara dhe populli do të jetë i lumtur por edhe i aftë për ta zotëruar vetveten dhe për ta organizuar jetën institucionale si i ka hije një shtetit... një shteti të ri...

Ti Vjollca, e përmend në letrën tënde jeni mërzitur për festën e Bajramit. Ke të drejtë. Vetëm njerëzit pa ndjenja nuk mërziten dhe i harrojnë gjërat. Edhe ne jemi mërzitur, sepse kemi qenë të mësuar të jemi së bashku... Ishte Bajrami i parë  i pasluftës, e kremtonim me shtëpi të djegur, të rrënuar e të plaçkitur. Unë dhe Lami vizituam varrin babait dhe të nënës sime. Edhe ky ishte “takimi” i parë me ta pas luftës. Më dukej se më shikonin me gëzim ashtu duke pushuar në varret e tyre... Nuk kisha koment, por as ata... Mirëpo, sikur komenti i tyre ishte prezenca ime aty dhe kthimi në atdhe...

Dhe,... Vjollca dhe Arbër, më lejoni që këtë letër ta përfundoj kështu: Çdo gjë që keni bërë për mua dhe familjen time gjatë qëndrimit tek Ju, nga shpirti dhe zemra u falënderohem. Kjo ishte periudha më e vështirë deri me tash në jetën time. Asgjë nuk harroj, as nuk do të harroj! Kërkoj falje për të gjitha ato gjëra me të cilat ua kam rënduar dhe vështirësuar jetën tuaj. U kërkoj falje për prishjen e disponimit dhe për nervozizmin, që ndoshta shpeshherë pa dashje ua kemi shkaktuar. Dhe, për tërë atë periudhë kohore, na bëni hallall! Qofshi me shëndet, të lumtur dhe me mori suksesesh. Ju përqafojmë të gjithë ngrohtësisht. Paçi nderë dhe përjetë të luftoni për ndërgjegje të lartë njerëzore, sepse, kështu gjithmonë do të ngeleni krenarë tek pasardhësit Tuaj dhe tek njerëzit.

Ndoshta kjo letër nuk ka ndonjë vlerë, por le të mbetët dokument në sirtarët Tuaj. Edhe në sirtarët e historisë sime të vogël. Përshëndetje të sinqerta!

(E shkruar në Pejë, me 27 janar 2000/19:20)



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: