Neki Lulaj: Bukureshti i zemrave tona
| E Merkure, 16.12.2015, 09:30 PM |

BUKURESHTI I ZEMRAVE TONA

Nga Neki Lulaj

4 dhjetor 2015. Nuk jam as qytetari i parë i Kosovës dhe as ai i fundit që aterizon në aeroportin ndërkombëtar Otopeni. Mikpritësi na priti me revistën ”Albanezul” si shenjë njohjeje, edhe pse me të njihemi kaherë. Gjatë rrugës për në qytet nga tregon aeroportin lokal Baneasa. Mos vjen vallë nga shqipja ”banoj” apo ”banesë” kjo fjalë? Këtu dikurë ishte pylli ku dilnin në piknik boboshtarët dhe drenovarët me Asdrenin në mes.

Burrat e kombit nuk i harron koha kurrë, sepse ata punuan në kohëra të vështira për ditë me të mira, të cilat sot i gëzojmë ne. Lavdi karvanit të gjatë të atdhetarëve dhe patriotëve tanë që vepruan në Bukuresht, Sofje, Konstantinopojë, Egjypt e gjetiu. Njëri ndër ta është edhe Plaku i Vlorës, Ismail Qemali, bustin e të cilit në zemër të Bukureshtit pata nderin ta shoh e përqafoj.

Në shoqatën e shkrimtarëve u mbajt një orë e madhe letrare. Në mesin e një numri të madh të pranishmëve, rumunë shqiptarë dhe arumunë, ishte edhe autori i këtij reportazhi, nënkryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë nga Gjermania. Ndoshta po e teproj nëse them se me paraqitjen time dinjitoze e përvetësova publikun duke zgjuar një admirim të veçantë ndaj Kosovës.

Me këtë rast, shoqata respektive dhe Bashkësia Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë më shpallën Anëtar Nderi, duke kërkuar të lidhën ura bashkëpunimi me LSHAKSH. Me përkthimin e vargjeve të mia në gjuhën rumune, poeti dhe eseisti Lucian Gruia theksoi se djepi i kulturës nga rilindësit që përkundej dikurë në Bukuresht, tani ka zënë vend meritor edhe në pjesë të ndryshme të Gjermanisë.

Pas manifestimit dhe një darke solemne, vazhduam rrugëtimin që nga godina e ku ka funksionuar shtypshkronja e parë shqipe (Strada Lipscani nr. 2) ku për herë të parë e kanë parë dritën e botimit veprat e Naimit dhe rilindësve tanë, e deri te busti i shkrimtarit të famshëm rumun me origjinë shqiptare Viktor Eftimiu. E pamë me këtë rast edhe ish kishën shqiptare të Bukureshetit, ku ka meshuar në gjuhën amtare Noli ynë i pavdekshëm, dhe deri te shtëpia ku ka jetuar Asdreni.

Në ndërkohë, gjatë vizitës sime 5 ditore, patëm nderin ta njohim liderin historik të shqiptarëve të Rumanisë, Dr. Xhelku Maksutin, mikun e madh të Kosovës, zt. Tiberius Puiu, duke komunikuar edhe me Zonjën Adriana Tabaku, të stërmbesën e Dhimitër Emanoilit që pat vajtur me delegacionin e Ismail Qemalit për ngritjen e flamurit të pavarësisë në Vlorë. Tejet interesante dhe mbresëlënëse ishin varrezat shqiptare të Bukureshtit, ku gjendej edhe varri i Asllan Rexhepit, bashkëluftëtar i Bajram Currit, lulishtja Çishmixhiu, shtëpia ku ka jetuarprincesha rumune me origjinë shqiptare Dora d’Istria (Elena Gjika), spitali ku qe shtrirë kryeveterani i veteranërisë shqiptare Nikolla Naço, Pallati Mbretëror, Pallati i Parlamentit, Universiteti i Bukureshtit, Kisha Luterane ku gjendet varri i Princ Vidit, banesa e botuesit të revistës ”Shqiptari”, një arkiv i gjallë vlerash të vjetra shqiptare.



(Vota: 27 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: