Avzi Mustafa: Platforma pedagogjike e shkollës shqipe
| E Enjte, 03.12.2015, 09:40 PM |

PLATFORMA PEDAGOGJIKE E SHKOLLËS SHQIPE NË VITET E LIDHJES SË PRIZRENIT

Nga Prof. Dr. Avzi Mustafa

Lidhja Shqiptare e Prizrenit erdhi si rezultat i përpjekjeve ideologjike dhe kulturore të viteve ‘60-‘70 të shekullit XIX. Përpjekjet e para të rilindësve tanë për organizimin e një lëvizje të gjerë kulturore në plan të parë ishin synime të karakterit politik të shqiptarëve të vendit. Ideologët shqiptarë, si: Naum Veqilharxhi, Thimi Mitko, Konstatin Kristoforidhi, Hoxha Tasini, Pashko Vasa, Ismail Qemali, Jani Vreto, Thmi Krei, vëllezërit Frashëri etj., e kishin kuptuar fare mirë se faktori kryesor i mbijetesës dhe perspektivës së kombit shqiptar është arsimi dhe pa të nuk ka as emancipim politik.

Siç dihet, Perandoria Osmane zhvillonte një politikë asimiluese e shkombëtarizuese, sidomos ndaj popullit shqiptar, duke mbrojtur parimin fetar mbi atë kombëtar, kështu që kombin shqiptar nuk e njihte. Prandaj, kur ishin në pyetje kultura dhe arsimi i këtij populli, ajo aspak nuk brengosej që populli ishte katandisur në injorancën më të madhe arsimore e kulturore, por edhe në gjendjen më të mjeruar ekonomiko-sociale. Prandaj iluministët shqiptarë jashtë atdheut kishin marrë mbi supet veta të themelojnë, klube e shoqëri dhe gazeta e revista me synime të qarta politike për të drejtuar popullin shqiptar nga vetvetja. Në këtë kohë paraqiteshin statute, thirrje, procesverbale, artikuj shtypi, relacione të ndryshme dërguar konsujve, që ishin kundërshtim ndaj planeve ekspansioniste të shteteve fqinje se shqiptarët janë një popull i veçantë dhe nuk kanë të bëjnë as me osmanët, e as me grekët, e as me sllavet. Për zgjimin kombëtar dhe ngritjen e ndërgjegjes te shqiptarët s kishte rrugë tjetër, përveç arsimit dhe edukimit kombëtar. “Me anë të arsimit të popullit në gjuhën shqipe në frymë patriotike, rilindësit synonin ta shpejtonin zgjimin kombëtar, ngritjen e ndërgjegjes politike, ndenjën etnike dhe aftësimin e tij në jetën shtetërore të pavarur” (IPS: Historia e arsim it shqiptar,f. 60).

Rreziku më i madh që i kanosej vendit ishte hapja e shkollave të huaja në fillim të viteve të ’50-ta të shekullit 19, ku iluministi parë shqiptar Naum Veqilharxhi do t’u drejtohet pasanikëve shqiptarë që ta japin kontributin e tyre për shtypjen e librave në gjuhën shqipe, si dhe për hapjen e shkollave shqipe. Veqilharxhi më vitin 1866 i paraqiti një memorandum kryeministrit të Sulltan Azizit, me të cilin kërkohej t’u jepej “leje shqiptarëve të shtypim libra shqipe dhe t’i përhapin në Shqipëri” (Hyni Myzuri, Shkollat e para kombëtare shqipe, Tiranë 1972, f. 39).

Me Evetarët e Naum Veqilharxhit, si dhe me kërkesat e tij drejtuar Sulltanatit, sipas pedagogut Bedri Dedja, mendimi pedagogjik ngre “një platformë përparimtare me karakter demokratik e cila lidhet ngushtë me interesat e popullit tonë për liri, pavarësi e përparim shoqërore” (B. Dedja, Shënime mbi historinë e mendimit pedagogjik shqiptar, Tiranë 1972, f, 9).

Në këtë kohë gjegjësisht me daljen e Ëvetarit të Naum Veqilharxhit kemi përpjekje të të shumta e vetëmohuese të intelektualëve të ndryshëm, kjo edhe përkundër pengesave shumë të vështira, që sanksionoheshin nga Perandoria me vdekje, burgime e syrgjynosje. Patriotët po bënin përpjekje që te masat e gjera popullore ta përhapin dijen në gjuhën amtare. Aty ku kishte mundësi hapeshin ose të paktën pranë shkollave të huaja fshehurazi mësohej edhe alfabeti dhe gjuha shqipe.

Kështu në lagjen Varosh të Gjirokastrës hapet një shkollë për vajza në 1851. Thimi Mitko benë përpjekje për hapjen e një shkolle në Korçë, Anstas Byku bënë përpjekje për një abetare të vogël me titull “Gram për shqiptarët” . Në Shkodër filloi të mësohej gjuha shqipe nga Gjergj Benushi. Po në këtë qytet 1862 u hap një qendër mësimore shqipe që funksiononte privatisht për vajza nga mësueset: Kushe Mici e Tereza Bërdica, ndërsa pastaj shkollë hapet edhe në Shirokë .Rifilloi qe  gjuha shqipe të dëgjohet pëerseri edhe në Shkup që para 1820 ishte hapur nga arqipeshkopi  Metej Krasiniqi.

Edhe Hoxhë Tahsini më 1871 në medresenë e Stambollit vendos që kjo medrese të bëhet çerdhe e patriotizmit shqiptar pa dallim feje e krahine. Aty u diskutua për krijimin e një alfabeti të vetëm, për mësimin e gjuhës shqipe, për botimin e librave etj. (Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar, v. I, Tiranë, , f. 96-100). Gjatë periudhës së Lidhjes së Prizrenit intelektualët shqiptar pikërisht në Stamboll, nën organizimin e Hoxhë Tahsinit formuan një institucion të lartë shkencor me emrin “Akademia e Dietareve Shqiptarë”, të cilët e kishin edhe organin e vet me emrin “Revista shkencore” (Nexhat Abazi, Zhvillimi arsimit, i shkollave dhe mendimit pedagogjik shqiptar në Maqedoni (1830-1912), Tetovë, 1997, f. 81).

Këta dijetarë, nëpërmjet shkrimeve, ndikuan mjaft që të kuptohet se Programi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit së pari duhet shikuar nga disa pikëpamje, si në bazë të konceptit të autonomisë territoriale-administrative që lidhet ngusht edhe nga pikëpamja kulturore arsimore dhe politiko-ushtarake.

Me aplikimin e Kushtetutës së vitit 1876 ku nenin 15 të kësaj Kushtetute thuhet se “ mësimi është i lirë. Çdo qytetar osman  brenda suazave të ligjit ka të drejtë shkolla publike a private”. Edhe pse në këtë Kushtetutë siç thotë Jashar Rexhepagiqi se nuk  behet fjalë për mësimin e gjuhës shqipe, po me  me sintagmën “ mësim i lirë”  nënkupton  se edhe shqiptarët para ligjit osman mund të hapin shkolla . ( Jashar Rexhepagiq,  Zhvillimi arsimit  dhe i sistemit shkollor  të kombësisë shqiptare   ne territorin e Jugosllavisë së sotme  deri më vitin 1918, Prishtinë, 1968, f. 78)

Që nga viti 1877 paria e jugut të Janinës të parët e ngritën kërkesën që administrata, shkolla dhe gjyqet të ishin në gjuhën shqipe, ndërsa kjo kërkesë u aprovua në Memorandumin e 27 nëntorit 1878, që u miratua në mbledhjen plenare të Lidhjes së Prizrenit dhe iu drejtua Sulltanatit. Dokumentiti mban titullin “Vendimet e Lidhjes së Prizrenit”, ku perarandorisë osmane i behet me dije  edhe kërkesat e shqiptareve për arsim edhe kulturë. Në pikën 3 të këtij memorandumi thuhej: “Arsimi duhej të përhapet nëpër të gjitha anët dhe nëpër shkolla të mësohet edhe gjuha shqipe” (Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar, v. I, Tiranë, 112)

Kërkesat për arsim në gjuhën amtare u përsëritën shpesh, sepse kishte nevojë për këtë, aq më tepër që disa feudalë shqiptarë e kishin vështirë të shkëputen nga sistemi arsimor osman dhe ata nuk mund ta pranonin vetëm futjen e gjuhës shqipe si gjuhë mësimore në shkollat turke.

Pashko Vasa, njëri ndër ideologët më të shquar dhe mendimtar i kohës, haptazi kërkon një sistem arsimor për shqiptarët, i cili do të ketë karakter të thellë kombëtar dhe të jetë i përshtatshëm me psikologjinë e shqiptarit. Vaso Pasha nuk ishte utopist, por një mendimtar i cili realizimin e sistemit arsimor e kërkonte vetëm me bashkimin dhe shpalljen e pavarësisë, sepse vetëm atëherë mund të arrihet edhe arsimi popullor.

Lidhja e Prizrenit e formoi edhe organin qendror për një komision për punë brendshme, i e kishte cili për detyrë të merret me rregullimin e arsimit, që t’i analizojë dhe financojë shkollat në gjuhën amtare.

Pas mbledhjes së 10 qershorit 1878 dhe disa muaj pas memorandumit të nëntorit 1878 u mor vendimi i qartë dhe këmbëngulës për mësimin e shqipes, si dhe për hapjen e shkollave në këtë gjuhë.

Platforma pedagogjike e shkollës në gjuhën amtare u bë kërkesë shumë e shpeshtë gjatë muajit qershor-tetor të vitit 1879, sidomos me krijimin e “Shoqërisë së të shtypurit Shkronja Shqip” si dhe Kanonizmës së kësaj shoqërie, që kërkonte lëvrimin e gjuhës shqipe, hapjen e shkollave shqipe dhe botimin e librave në gjuhën shqipe me alfabet të njëjtë. “Shoqëria e të shtypurit Shkronja Shqip”, Kanonizma e sidomos fryma e Lidhjes së Prizrenit me objektivat që i përcaktoi i dha udhë dhe motiv përhapjes së arsimit, të shkollës dhe ngritjes së ndërgjegjes kombëtare.

Me botimin e “Alfabetares” të vitit 1879 bëhet dokumenti i parë i platformës pedagogjike dhe didaktike kombëtare për atë kohë. “Alfabetarja behet një traktat pedagogjik për ruajtjen e gjuhës si shenje identiteti të shqiptarëve për ta dalluar atë nga popujt e tjerë, që ishte rezultat i asimilimeve nga shtetet shoviniste fqinje.

Alfabetarja, siç vlerësohet nga studiuesit, nuk ishte vetëm një libër leximi, por aty u ngjizen edhe shkenca, si gjuha shqipe, historia kombëtare, aritmetika, njohja me natyrën etj. Aty është programi mësimor si didaktika dhe idetë pedagogjike të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. “Ajo është përmbledhje e plotë tekstesh për arsimin elementar, për arsimin e fëmijëve... Ajo është njëkohësisht një dokument didaktiko-arsimor dhe teoriko-pedagogjik, ku pasqyrohen pikëpamjet e mendimtarëve dhe ideologëve më të shquar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”. (Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar, v. I, Tiranë 2003, f. 118). Alfabetarja e Stambollit ngërthen në vetvete edhe virtytet me të larta shpirtërore të shqiptarëve, si: atdhetarizmin, diturinë dhe mendimin pedagogjik e didaktik shqiptar.

Lidhja e Prizrenit u bë trajektore e zhvillimit të veçorive kombëtare të popullit shqiptar, individualitetit dhe origjinalitetit. Këtë e kërkonte ndërmjet gjuhës si një ndër faktorët më kryesorë për bashkimin kombëtar pa dallim feje e krahine. Lidhja e Prizrenit ishte një lëvizje kombëtare që vepronte në mënyrë të organizuar në të gjitha trojet shqiptare dhe ajo e hapi rrugën e përparimit dhe avancimit të mendimit pedagogjik shqiptar. Platforma e saj ishte largpamëse dhe gjithëpërfshirëse ndaj interesave të popullit shqiptar, veçanërisht për një arsim dhe kulturë që do të ishte në shërbim të popullit shqiptar.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881) hartoi një program me pesë pikat programore për njohjen e gjuhës dhe të shkollës shqipe, ku do të sigurohet lumturia fizike dhe shpirtërore e shqiptarëve. Në këtë periudhë u arrit përcaktimi i një alfabeti të përbashkët, u botua “Abetarja e gjuhës shqipe” dhe, më vonë, edhe tekstet e tjera shkollore.

Në strategjitë afatgjata të zhvillimit të arsimimit kombëtar të rilindësve të shquar është hedhur ideja dhe, deri diku, është përpiluar platforma për krijimin e arsimit të mesëm dhe të lartë. Këtë platformë më vonë e trajtoi më qartë intelektuali erudit Sami Frashëri në veprën e tij enciklopedike “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, që ishte, mes të tjerash, një sintezë në vetvete e gjithë mendimit intelektual pedagogjik rilindës. Ajo mund të konsiderohet si platforma e parë shkencore për zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe, ku shtron si domosdoshmëri krijimin e “gjithmësimores” ( S.Frashëri “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, f. 9)

Lidhja e Prizrenit, arsimit dhe kulturës shqiptare, i hapi rrugë perspektivës dhe parashtrimit të kërkesave dhe marrjen e aksioneve të përbashkëta për ta avancuar veprimtarinë arsimore dhe kulturore. Ajo i dha përgjigje si Perandorisë, ashtu edhe shteteve fqinje, se gjuha e shqiptarëve është shqipja dhe se dhe mësimi duhet të jetë gjithëshqiptar, si në formë, ashtu edhe në shpirt (Vehbi Hoti, Luigj Gurakuqi për shkollën shqipe dhe arsimin kombëtar, f.151).



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: