Vangjush Saro: Festë shqiptare në Vankuver
| E Hene, 30.11.2015, 09:47 PM |

Festë shqiptare në Vankuver

Përkujtohet Dita e Pavarësisë dhe kontributet e popullit shqiptar në Luftën e II Botërore. Këngë e valle nga të gjitha trevat. Ankand bamirësie. Traditë e konsoliduar tashmë, që ngrihet mbi kujdesin e munguar të institucioneve shqiptare për diasporën.

Nga Vangjush Saro

Këto ditë, Shoqata Shqiptare "Eagles Land" (Vendi i Shqiponjave) në BC - Provinca British Columbia, Kanada - organizoi, ashtu si çdo vit, mbrëmjen për festimin e Ditës së Pavarësisë. Tashmë kjo është shndërruar në një traditë të bukur për të gjithë shqiptarët dhe kosovarët që punojnë e jetojnë në Greater Vankuver. Festa nis nga dekori, që shpërfaq karakteristikat e kombit tonë dhe gjithaq veçoritë e vendit ku jeton ky komunitet. Flamuj të Shqipërisë, të Kosovës, të Kanadasë. Mandej, vargje të njohura për atdheun dhe gjuhën shqipe. Fjalë të thjeshta për aspektin historik dhe për rëndësinë e ngritjes së flamurit kombëtar në Vlorë nga patrioti i madh Ismail Qemali. Këngë e valle nga krahina të ndryshme të vendit. Atmosferë gëzimi dhe mirëkuptimi në një komunitet që sa vjen e bëhet më kompakt.

Kjo mbrëmje, në një kuptim është njëherësh edhe një takim i zgjeruar a një Asamble e anëtarëve dhe simpatizantëve të Shoqatës e të këtij komuniteti. Me të drejtë, u theksua dobia e trashëgimit të vlerave kulturore dhe gjuhës edhe në një atdhe tjetër, sikurse u vu në dukje rëndësia e vullnetarizmit, për t’i dhënë gjithkush një ndihmesë e një krah mbarëvajtjes së komunitetit. Ky është një apel që përsëritet herë pas here dhe që merr edhe më shumë rëndësi në kushtet kur ndihmesa e institucioneve shqiptare për diasporën, është ende në kuota të ulëta.

Festa zien në disa mjedise. Ndër biseda, krahas urimeve për Ditën e Pavarësisë, si dhe evokimit të kontributeve të vendit tonë në Luftën e II Botërore, flitet për punën e përditshme, për zgjerimin e limiteve të Shoqatës, për ndihmesën që iu duhet ofruar aplikantëve të rinj në këtë vend; por jo më pak edhe për jetën dhe zhvillimet në Shqipëri. Është normale të thuhet se ka një impenjim për problematikat në të dy vendet tona, në Shqipëri dhe në Kosovë. Përvoja e këtushme, apelon për zgjidhje perëndimore, që do të thotë vullnet për zbatimin e ligjeve, për rritjen e autoritetit të shtetit dhe të institucioneve të tij; këto shkojnë krahas zhvillimit të ndjenjës qytetare, pra përmirësim i vizionit që kemi për jetën, qytetet dhe komunitetet tona, sa edhe për rolin qytetar në të gjitha zhvillimet politike e të reformave, si dhe në sferat shoqërore apo ekonomike.

Në ato biseda, flitet edhe për shifrat modeste në ecurinë ekonomike të vendit, për prodhimet e stinës që në një sërë krahina nuk gjejnë tregun; flitet gjithashtu edhe kundër lajmeve me abuzime zyrtarësh e qytetarësh. Një vend e një shoqëri demokratike duhet të ngrihen mbi klanet dhe obskurantizmin e individëve të veçantë. Tej orekseve njerëzore, apo jonjerëzore, qëndrojnë parimet, të cilave shteti dhe qytetarët e tij duhet t’iu bëjnë vend.

E gjithë mbasditja kaloi në një atmosferë të gëzuar, me këngë e valle të trevave mbarëshqiptare, por edhe me një aktivitet bamirësie. (Z. Dritan Muka dhuroi nga koleksioni i tij pesë libra nga njëqind librat më të mirë të Franklin Library, si dhe disa punime nga fondi i piktorëve bashkëkohorë kanadezë, që u vunë në ankand; ndërkohë, të ardhurat nga biletat do t’i  kalojne Shoqatës së Autizmit në British Columbia. Shoqata Shqiptare nga ana e vet do të kontribuojë me të njëjtën sasi të ardhurash nga donacionet e anëtarëve, duke e dyfishuar shumën e mbledhur për këtë qëllim, çka flet edhe njëherë për qëllimet humane dhe të hapura të këtij komuniteti.) Kjo mbrëmje e Shoqatës pohoi vlera të një komuniteti në rritje, që përfaqëson këtu në Vankuver fragmente Shqipërie e Kosove, përcjell zërin e një kombi të vjetër e në ripërtëritje, që drejtësisht i përket Perëndimit, me të cilin e lidhin historia, kontributet e përbashkëta dhe aspiratat për demokraci e civilizim.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: