Lutfi Alia: Bashkëbisedimet me veteranët
| E Diel, 22.11.2015, 08:49 PM |

BASHKËBISEDIME ME VETERANËT.

Nga Prof. Dr. Lutfi ALIA

Të shkruash historinë e luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare, është impenjim i vështirë, por aktualisht është dhe një ndërmarrje relativisht e lehtë, pasi në ditët e sotme, arkivat kanë nxjerrë shumë dokumenta, që kanë ndikuar të rivlerësohen disa situata të veçanta dhe të njihemi me historinë reale të luftës.

Sot mund ta vështrojmë Luftën Antifashiste Nacional-çlirimtare jo si dikur nën presionin e saj dhe as nёn imponimin e politikёs, por si nje kompleks ngjarjesh, si luftë patriotike çlirimtare, që ka hyrë në histori. Ky qëndrim diktohet nga fakti, se pas 70 vjetësh, kanë ndryshuar rrënjësisht faktorët historikë dhe politikё, që vepronin në kohën e saj dhe që ndikun në 40 vitet pas çlirimit të vendit.

Nё ditёt e sotme, kanё mbetur shumё pak nga partizanët, protagonistët e luftёs sё lavdishme për çlirimin e atdheut nga pushtuesit nazi-fashista dhe bashkëpuntorët e tyre.

Shumë ishpartizanë sot na mungojnё, por kanё lёnё njё trashëgi-mi tё pasur historie, kanё lёnё kujtimet me mesazhe tё fuqishme, që meritojnë të tregohen me vërtetësinë dhe thjeshtësinë, ashtu si na i rrëfyen ata vetë.

Ndёr ata qё luftuan me guxim e me vetmohim kundёr pushtuesve italianë dhe gjermanë dhe bashkёpuntorëve të tyre, ishte dhe im atё, Qazim Alia, partizan i orёve tё para, pjesmarrёs aktiv në ngjarje, në aksione, në luftime dhe nё beteja të shumta.

Në shtëpinë tonë vinin shpesh miq, shokё e bashkluftёtarё dhe së bashku bisedonin e rrëfenin historitё e luftёs. Bisedat me këta veteranë ishin interesante. Ata tregonin thjeshtë, me sinqeritet të admirueshem, pa mburrje dhe pa sllogane politike, përshkruanin vitet e luftës, tregonin ngjarjet, aksionet, betejat, ku kishin qenë pjemarrës dhe protagonista.

Kam pasur fatin të jem i pranishëm në shumë nga këto takime dhe kam ndjekur bisedat me Nasebi Rama, Qazim Peshku, Kamber Haslika, Sali Feza, Avram Koja, Fahrie Xhani, Zenepe Koxherri, Beshir Bala, Hasan Gёrrica, Kadri Hoxha, Sali Saliu, Fatime Ndreu, Muharrem Kenga, Vehbi Gjyla etj.

I dëgjoja me kureshtje tregimet e tyre, që pothuajse gjithmonë fillonin me shprehjen: “A të kujtohet aksioni ...” dhe vazhdonin të rindërtonin ngjarjet, duke plotësuar njeri tjetrin, deri në hollësi; tregonin për ato ngjarje, që nuk ishin shkruar në librat e historisë të luftës. Ndodhte shpesh, të befasohesha nga diferencat e dukëshme, qё ekzistonin ndërmjet tregimeve të veteraneve të luftës dhe librave të historisë, që në ato vite ishin shkruar për luftën.

Librat e historisë tregojnё pjesёt monumentale të luftës, rolin udhëheqës të Partisë Komuniste, vlerat heroike të triumfuesëve, lavdinë e komandantëve, që drejtuan luftёn dhe mё pas thërrisnin “Vae victis” (mjerё tё mundurit), por nuk tregonin në veçanti për partizanët si aktorë te luftës, andaj mbetën gjithmonё anonima dhe nën hijen e “udhëheqësave”.

Në librat e historisё, populli prezantohet nё përgjithësi, i njësuar si masa popullore, si masa e fshatarëve dhe e qytetarëve, por nuk tregohet si vepronin kundër pushtuesve, çfarë mendonin dhe si e kundërshtonin luftёn.

Nё libra shkruhet pёr partizanёt, qё luftuan kundër pushtuesve, për ata që ranё dёshmorё, pёr vrasjen e njerёzve tё pafajshёm, tё cilёt pёrmblidhen me njё fjalё tё vetme, viktima tё luftës, por kur dёgjoja rrëfimet e veteranёve, njihesha me trimёri dhe akte heroike emocionuese, që kishin kryer ata njerëz të thjeshtë, të cilët dhe pse nuk ishin inkuadruar në rradhët e formacioneve partizane dhe ata e mbështeten luftën dhe luftuan kundër pushtuesve.

Thuhet se historinë e shkruajnë fitimtarët, por arkivat ruajnë dhe sekrete, që nuk shkruhen nga kalemxhinjtë e fitimtarëve. Në arkiva ruhen dokumenta dhe fakte, që tregojnë çfarë ndodhi me shtetet, me qeveritë, me mbretëritë, me ushtritë, me partizanët, me ballistët dhe legalistët, çfarë u ka ndodhur individëve dhe komuniteteve, por disa nga këto dokumenta kanë mbetur “sekrete”, nuk njihen nga opinioni, sidomos kur bien në kundershtim me ato, që pёrcaktoi “fati i epokës” dhe si i tregonte Partia në pushtet, sepse disa nga këto dokumenta janë ndryshe nga ato, që tregojnë librat e historisë.

Kur gazetarët dhe historianët takohen dhe bisedojnë me vetera-nët e luftës Antifashiste Nacional – çlirimtare, e kuptojnë se disa pjesë të historisë së shkruar, nuk mjaftojnë për të dhënë imazhin e plotë të luftës, pasi janë skematike, tё mbyllura në pёrshkrime të përgjithëshme, me fraza stereotipe, që përshkruajnë kronologjinë e ngjarjeve kryesore të luftës, qё “çuditërisht” rrjedhin pa personazhe, mungojnë partizanёt, nuk shihen aktorёt e luftёs, tё cilёt mbeten perherё anonima.

Për fat të keq, historia zyrtare shkruhet në korniza politike, pra nuk rrëfehet si rrjedh ngjarjesh historike, me pjesmarrjen e masës popullore e ndarë ne dy forca të kundërta shoqërore dhe ushtarake.

Kur lexojmë librat e Moravia, Remarque, Shollohov, Antoine de Saint-Exupéri, Ismail Kadare, Kin Dushi, Dritero Agolli, Dhimiter Shuteriqi, Dhora Leka, Ali Abdihoxha etj, të cilët në veprat e tyre për luftën, kanë transmetuar mesazhe dhe emocionet e aksioneve dhe të betejave, na bëjnë të kuptojmë, se lufta ka dhe aspekte njerëzore, ka botën shpirtërore të veçantë, ka pjesën psikologjike të mbushur me ndjenja të forta guximi, kurajo, force, vetmohimi, sakrificash, por ka dhe dhimbje, dёshprim, vuajtje, dobësi, frikё e dështime.

Në bisedat me veteranët, kupton se dëshmitё e tyre janë ditare dhe kujtime, që i kapërcejnë skemat tradicionale të librave të historisë, pasi rrefejnë thjeshtë të vertetën, i përshkuajnë plot ndjenja çastet dramatike, luftimet e guximëshme, betejat, aktet heroike, por flasin dhe për aspektet humane të luftës, të cilat autorёt e librave të historisë e kanë të vështirë t’i afrohen dhe të shprehin këtё realiteti intim e të vërtetё.

Pratizanёt dhe partizanet ishin trima, luftuan me kurajo kundër pushtuesve dhe tradhëtarëve të vendit, por ndonjë kishte dhe frikë, i mungonte guximi të vriste kundërshtarët, i shmangej sakrificave, madje dhe dorëzohej para vështirësive.

Gjatë luftës, ka ndodhur qё komandanti dhe komisari të japin dhe urdhëra të gabuara, kanë organizuar tërheqie, kur forcat partizane mund të kalonin në sulm e të fitonin betejat; në ndonje rast kanë marrë dhe vendime të nxituara deri në ekstremizëm, si rastet e ndёshkimit padrejtёsisht tё ndonjё partizani, si ndodhi me Ramize Gjebrea dhe Zaho Koka, madje kanë vrarë dhe njerëz tё pafajshme, por këto nuk tregoheshin, ishin sekrete.

Lufta ka dhe anën tjetër të medaljes, ka dhe disa aspekte “negative”, por propoganda dhe ideologjia komuniste, i ndaloi të tregoheshin këto dobësi, pasi ato ishin cilësi të armikut frikacak.

Gjatё viteve tё luftёs Nacional-Çlirimtare, propoganda zhvillohej me intensitet nga të dy palët kundërshtare. Pushtuesit nazi-fashista, shteti dhe qeveria kolaboracioniste, zhvillonin propogandë të fuqi-shme, pasi kishin në disponozicion te gjitha mjetet: Radio Tiranën, gazetat, kinematё, librat, revistat etj, ndërsa lëvizja antifashiste vepronte nё klandestinitet me trakte, me gazeta të shaptilografuara, që shpërndaheshin fshehurazi, si dhe me takime dhe biseda të fshehta, për të përhapur në popull lajmet e fitoreve të lëvizjes antifashiste.

Propoganda e zhvilluar nga të dy palët në luftë, ishte imponuese dhe ndikonte në moralin e pjesmarrësve në luftë, por ne menyra te ndryshme kishte ndikim dhe nё masёn e madhe popullore.

Rikujtoni 75 vite më parë, kur “8 milion bajonetat” e Italisë fashiste kërcënonin botën, Instituti italian “Luce”, me filmat dokumentarё, me kronikat dhe lajmet e “shkurtëra” të dёrguara nga reporterët e luftës, zhvilloi një propogandë intensive, me synime të mbante lart moralin e ushtarëve, t’iu kultivonte shpirtin triumfues, të krijonte “mitin e superioritetit” të armatës të “pamposhtur italiane”, por nga ana tjetër, kёrkonte t’i mbante nën presion psikologjik masat e gjëra popullore italiane dhe tё vendeve tё pushtuara.

Propoganda fashiste fliste vetёm pёr lavdi dhe fitore, ndërsa i fshihte disfatat, humbjet e mёdha tё ushtarёve nё luftё, stresin psikologjik, neurozat e luftës, dhimbjet fizike e shpirteroe, nuk fliste pёr vёllavrasjet, pёr masakrat e torturat, pёr internimet e kundërshtarëve dhe të njerëzve të pafajshëm; nuk tregonin për dëshprimin dhe dhimbjen e dhjetramijёra familjeve italiane, që kishin humbur në luftë djemtë ushtarë dhe oficera, që i kishin dërguar të pushtonin dhe të luftonin në vendet e tjera.

Në vitet pas luftës, ndërroi skenari i politikës dhe i propogandës. Historiografia italiane heshti për aspektet “monumentale” të “armatës së lavdishme” tashmë e shpartalluar, që u shndërrua në “ushtri armike”, andaj e ndryshoi propoganden dhe i zmadhoi në mënyrë të tejskajshme fitoret e partizanëve antifashista.

Kjo lloj propogande ёshtё zhvilluar qё nё kohёt antike, kur flitej vetëm për heronj e fitore, por njerëzimi ka mësuar se dhe heronjtë e “çartun”, ata “të pathyeshmit”, kishin nga një pikë të dobët, kësisoj Akili e kishte dobësinë në thembër, Atlasi e humbte fuqinë kur shkëputej nga toka, Sansoni po t’i prisnin flokët etj, kështu dhe armata italiane, kishte pikat e saj të dobëta, në veçanti ishte lufta e padrejtë, lufta pushtuese e vendeve të tjera dhe masakrat mizore që kryenin.

Dobësitë e heronjëve dhe të “armatave të pathyeshme”, nuk tregoheshin nga propoganda, shmangeshin për të mos i kompromentuar ato figura “ideale” dhe në veçanti, për të mos cënuar dhe për të mos fyer “krenarinë” kombëtare.

Kështu ndodhi me ne, gjatë dhe pas luftës Nacional-çlirimtare.

Në librat e historisë mësuam se partizanët ishin trima, të pathyeshëm dhe kjo eshtë e vërtetë, por veteranët e luftës, ishpartizanët e ndershëm tregonin dhe një të vërtetë tjetër, rrefenin dhe për dësh-time e dobësi, madje dhe tradhëti, por këto nuk thuheshin publikisht, pasi ishte sakrilegj të tregoje difektet e partizanëve, ishte e ndaluar tё flitej pёr kёto të meta dhe dobёsi.

Në bisedat intime mes tyre, veteranët tregonin dhe disa ngjarje qё fshihnin mistere, madje tё nxisnin t’i pyesje dhe tё zbuloje ç’ishin kёto sekrete. Disa të vërteta rreth ketyre enigmave, i mësuam zyrtarisht vite më vonë, kur u mundësua hapja e arkivave, nga u nxorrën dokumenta, që na njohën me disa ngjarje tё dhimbëshme të luftës.

Kёsisoj, u informuam se gjatë operacionit tё dimrit, Brigada II dhe Brigada III partizane u shpërbënë, partizanët u shpërndanë dhe shkuan nëpёr shtëpitë e tyre dhe dihet se u rikthyen të luftonin disa muaj më vonë, pikërisht në pranverën e vitit 1944.

Po kështu dihet se Balli Kombëtar dhe Legaliteti i tradhëtuan idealet e popullit, sepse u bashkuan me pushtuesit gjermanё, duke u implikuar në konflikte vëllavrarëse, por nuk tregoheshin rastet kur ndonjë partizan e ndonjë komisar, i braktisi idealet e luftës, i tradhëtoi bashkëluftëtarët dhe u bashkua me armiqt.

Tregonin raste, kur ndonjë person, për hirë të miqësive, fillmisht u lidh me Ballin Kombëtar, por kur e kuptuan se ishin mashtruar, u larguan e shkuan partizan në rradhet e ushtrisë Nacional-çlirimtare.

Këto ngjarje të dhimbëshme, madje disa dhe të rёnda, ndonjërën prej të cilave, për arsye etike nuk do t’i tregoj, i kam dëgjuar në bisedat konfidenciale të babait Qazim Alia me veteranёt Nasebi Rama, Qazim Peshku, Hasan Gerrica, Halil Alhasa, Jaho Shehi etj.

Për disa dekada me rradhë, ngjarjet e luftës Nacional-çlirimtare të popullit të Martaneshit tregoheshin vetëm në biseda të lira, disa në festimet e përvjetoreve dhe me ndonjë shkrim të thatë në gazeta.

Në vitin 1967, Komiteti i Partisë i Rrethit të Matit vendosi, qё his-torinё e luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare të popullit të Marta-neshit, ta shkruaj Qazim Alia. Ky ishte një vendim i pa apelueshëm, por që nxiti reagimin e ndonjë funksionari partiak, sidomos të një ishkomisari, i cili pas protestave fillestare në organet kompetente, ku nuk gjeti përkrahje, filloi të dërgoi mesazherё, me këshilla, që të shkruaj me objektivitet dhe tё mos harroi t’i japi vendin e merituar komisarit, që sipas tij, në gusht te vitit 1942, na kishte organizuar malësorët në luftë kundër pushtuesve dhe tradhëtarëve, ndërsa në fakt, ai kishte ardhur në Martanesh në fund të qershorit 1944.

Pas ishkomisarit dhe si kuptohet me sugjerimet e tij, u ndërsye dhe ndonjё veteran martaneshas, që shpejtoi të kërkoi pjesë lavdie të pamerituar dhe në veçanti u “zgjuan” disa nga ata ishpartizanët dhe ish drejtuesit e formacioneve partizane, të cilëve u rëndonin në ndërgjegjie mëkatet dhe gabimet, që kishin kryer gjatë viteve të luftës dhe tani menda, se u erdhi rasti të reabilitoheshin.

Qazim Alia e vlerёsoi shumё këtë detyrё qё i ngarkuan dhe u impenjua me pёrkushtim tё shkruaj me ndershmёri historinë e vёrtetё të luftës nacional-çlirimtare të malësorëve të Martaneshit, duke i dhёnё gjithkujt meritat qё i takonin.

Nё ato vite nuk ishte e lehtё tё shkruaje historinё e luftёs Nacional – çlirimtare tё Martaneshit, pasi puna mё e madhe do tё bazohej nё kujtesё, nё aftёsitё pёr rindёrtimin e saktё tё ngjarjeve dhe prezan-timit tё personazheve tё luftёs, pasi dokumentat ishin tё pakta.

Kur im Atё shkonte në arkivat e Elbasanit, tё Tiranёs, tё Dibrёs e tё Matit, në shumicën e rasteve e kishin pёrcjell duke i thënë, se nuk ekzistojnë dokumenta pёr Martaneshin.

Qazim Alia nuk u dorëzua para vёshtirёsive dhe pengesave qё iu krijuan, as para presioneve, as para ofertave pёr kompromise, por vazhdoi i vetёm dhe me kёmbёngulje nё rrugёn e tij.

Para se tё fillonte hartimin e historikut, takoi Fahrie Xhanin, bashkёshorten e Baba Faja Martaneshit. Pasi i tregoi pёr detyrёn qё i kishin ngarkuar, Fahria, me shumё dёshirё i dhuroi dy blloqe tё vegjёl me kujtime tё shkruara personalisht nga Baba Faja, qё ajo i kishte ruajtur me kujdes tё posaçëm.

Qazim Alia, ёshtё personi i parё, qё njohu shkrimet e Baba Fajёs. Kёto dy blloqe tё vegjёl, me pёrmasa 12 x 8 cm, ishin dhuratat mё tё bukura dhe mё me vlerё, ishin dokumentat bazё, qё hapёn njё shteg tё ri e tё sigurtё, pёr tё shkruar historikun, pasi me dorёn e tij, Baba Faja ka shkruar pёr presionet dhe pёrndjekjet, qё i ishin bёrё nga fashistёt dhe bashkёpuntorёt e tyre, ka treguar kohёn kur u organizua njesiti partizan, datёn kur u çlirua Martaneshi, si dhe bazat kryesore tё luftёs Nacional-çlirimtare.

Nё fakt, kёto dy blloqe nuk janё ditare nё kuptimin e mirfilltё tё fjalёs, sepse nuk kanё renditje kronologjike tё datave dhe tё viteve, por kanё shënime tё ndryshme, disa tё herёshme tё pranverёs tё vitit 1942, ka dhe kujtime tё disa periudhave gjatё luftёs, ka meditime, reflektime, ka pёrshkrime takimesh dhe aktivitetesh, por ajo qё ka rёndёsi, ato shёnime me bojё kine, qё nuk fshihet, janё dёshmi historike, qё dokumentojnё ngjarje me rёndёsi pёr Martaneshin.

Në ato vite, ndonjё skeptik dhe pseudohistorian, kishte hedhur dyshime pёr datat e formimit tё njesitit dhe tё çetёs partizane, si dhe per datёn e çlirimit tё trevёs tonё, por tё vërtetat rreth këtyre  ngjarjeve historike, janë dokumentuar në shënimet e Baba Fajës.

Para se të fillonte hartimin e historikut, im Atё ftoi dy bashkёluftëtarёt Nasebi Rama dhe Qazim Peshku, figura tё shquara tё luftёs nё Martanesh, Çermenikё dhe Gryka e Madhe.

Ata tre burra, biseduan gjatё rreth ngjarjeve kryesore tё lëvizjes Nacional-çlirimtare nё kёto treva dhe nё mirёkuptim tё plotё pёr-caktuan fazat dhe ngjarjet kryesore tё luftёs dhe kёsisoj sё bashku përgatitën njё skemё orientuese tё historikut tё luftёs.



Pas njё pune kёmbёngulёse dhe sistematike disa vjeçare, histori-ku i Martaneshit filloi të marri formё tё plotё. Variantin e parё tё historikut, ose projekt-historiku, si quajtёn disa nga partiakët, pasi e daktiliografoi, Qazim Alia ua dёrgoi Haxhi Lleshit, Myslim Pezёs, disa ishdrejtuesёve tё luftёs dhe veteranëve martaneshas. Njёkohё-sisht propozoi tё organizohej njё takim me veteranёt, pёr tё diskutuar sё bashku, pёr ta pёrmirёsuar e zgjeruar pёrmbajtjen e historikut tё luftёs Antifashiste Nacional - çlirimtare tё Martaneshit.

Pёrpos disa sugjerimeve tё vogla tё karakterit redaktorial, askush nuk prezantoi vёrejtje dhe as kritika serioze pёr historikun.

Me 10 shtator 1970, në Martanesh u organizua takimi me vetera-nёt, ku Qazim Alia prezantoi historikun. Ishin të pranishëm shumë kuadro e intelektualё vendas dhe drejtuesit e pushtetit lokal.

Të gjithë pjesëmarrësit e miratuan në uninamitet historikun.

Nё nëntor të vitin 1972, Qazim Alia i dёrgoi njё letёr Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Komitetit tё Partise tё Rrethit tё Matit, me anё tё cilёs iu kёrkoi, qё 22 malёsorёt e pushkatuar nga Brigada I Partizane nё 5 shkurt të vitit 1944, të konsideroheshin viktima tё luftёs, sepse ata nuk kishin kryer veprimtari kundёr partizaneve dhe as kundёr Brigades I S, kur kaloi nёpёr Martanesh, pёrkundrazi kishin mbёshtetur lёvizjen partizane, madje disa prej tyre kishin marrё pjesё nё aksionet me forcat vullnetare tё luftёs Nacional-çlirimtare. Kёtë argument e kishte shkruar dhe nё historikun e Martaneshit. Kjo letёr ngjalli shumё reagime, kritika dhe presione tё tё gjitha formave, por Qazim Alia nuk u tёrhoq nga ky qёndrim, por vazhdoi t’iu bёj apel veteranёve, tё bashkoheshin e tё firmosnin sё bashku njё letёr tjetёr e t’ia dёrgonin organeve pёrkatёse, duke kёrkuar reabilitimin moral dhe politik tё 22 viktimave tё pafajshme dhe familjeve tё tyre, qё prej shumё vitesh vuanin njё padrejtёsi.

Pas shumё përpiekiesh, vite me pas, Qazimi Alia i bindi disa nga veteranё, tё firmosnin kёtё letёr, qё iu dёrgua Komitetit tё Partisё tё Rrethit tё Matit dhe Presidiumit tё Kuvendit Popullor, por pёrsёri kjo kёrkesë nuk u miratua.

Historia e kësaj letre u bё objekt diskutimi nё popullin e Martaneshit, qё e pёrkrahu kёtё nisёm, por ngjalli dhe reagimin e disa funksionarёve partiakё, tё cilёt filluan njё fushatё kritikash e sulme kundër Qazim Alia, madje tentuan ta izolonin nga opinioni.

Shumё vite mё vonё, kur u vendos regjimi  demokratik, instancat pёrkatёse e vlerёsuan kёtё kёrkesё dhe i riabilituan 22 malësorёt e pushkatuar nga Brigada I S, kёsisoj iu hoq cilёsimi “armik” dhe me të drejtë u shpallёn viktima tё luftёs.

Nё vitet 1971 – 1974, Qazim Alia vazhdoi tё punonte me historikun, ripunoi disa kapituj dhe e plotёsoi me dokumenta tё reja, qё mundi tё nxirrte nga arkivat, ashtu dhe me kujtime nga bisedat me shokёt. Pas risistemimit, nga njё kopie tё daktilografuar tё historikut, ua dёrgoi Komiteteve tё Partisё tё Rretheve Elbasan, Mat, Librazhd, Komitetit Kombёtar tё Veteranёve tё Luftes Nacional-çlirimtare, Muzeut tё Martaneshit dhe disa bashkёluftëtarёve.

Pas kёtij veprimi zemёrgjerё tё Qazim Alia, disa martaneshas dhe tё tjerё të “apasionuar” për historinë e luftës Nacional-çlirimtare, e shfrytëzuan pёr interesat e tyre kёtё material dhe filluan tё prezan-tonin historikё tё tjerё, tё cilёt nё fakt ishin kopje të historikut tё Qazimit, madje ishin kopjuar me aq saktёsi, sa pёrmbanin tё njejtat gabime drejshkrimore dhe disa pasaktёsi nё data dhe në vite, qё kishte varianti origjinal. Po me këto gabime dhe me ndonjë datë të pasaktë, këta “historiane” i kanë pasqyruar dhe në librat e tyre, që i kane botuar në dekadat e fundit.

Si kuptohet, njё ditё prej ditёsh dolёn nё skenё disa “Belula”, u zgjuan disa historianё te vonuar, qё shetisnin me historikёt private në xhep, ndonjë prej tyre botoi dhe libёr me “kujtime nga lufta”.

Me kёtё rrethanё qesharake, ishte njohur dhe shkrimtari, gazetari, politikani, plaku i urtё Sabri Godo, i cili ma tregoi kur erdhi pёr vizitё nё Siena.

Nё shtator te vitit 2003, Sabri Godo, sё bashku me tё bijёn Prof. Anila Godo dhe nipin Gjergjin, qё filloi studimet nё Universitetin e Sienёs, erdhёn pёr vizitё nё shtёpinё time. Fisniku Sabri Godo, mё kishte sjelle njё dhuratё të bukur, tre libra: “Ali Pashё Tepelena”, botimi në shqip dhe tjetri i përkthyer në italisht, si dhe romanin “Koha e njeriut”, qё ia kish dedikuar jetёs dhe veprёs tё Baba Fajës.

Biseda mes nesh ishte tepër miqësore dhe me diskutime shumё interesant rreth kёtyre librave, nё veçanti u pёrqëndruam te romani “Koha e njeriut”. Sabri Godo na tregoi pёr vёshtirёsitё qё ndeshi gjatё shkrimit tё romanit. Pёr trajtimin e ngjarjeve tё luftёs e kishte pasur tё lehtё, sepse kishte qenë partizan, kështu orientohej qartë në argumentat historike dhe interpretimin e ngjarjeve, qё do t’i përshkruante nё libёr, por tregoi dhe pёr vёshtirёsitё jo tё pakta, qё i krijuan tё tjerёt, deri sa arrijti ta pёrfundoi romanin.

Duke folur pёr impenjimin për të shkruar këtë libër, ndёr tё tjera Sabri Godo na tregoi:

Problemi kryesor që më preokuponte në atё kohё, ishte aspekti fetar, pasi dihet se ishte e ndaluar propaganda fetare, por duhej ta trajtoja, sepse tё shkruaje pёr Baba Fajёn, pa Bektashizmin ishte pakuptim. Problemi tjetёr jo me pak i rёndёsishёm ishte tё merrja dokumenta nё arkivat dhe tё mblidhja informacione nga personat, qё kishin punuar dhe luftuar sё bashku me Baba Fajёn”.

Pёr ta realizuar këtë roman tё bazuar nё faktet historike, Sabriu kishte takuar shumё veteranё tё luftës, nga të cilët kishte mbledhur informacion të gjërë dhe për këtë aspekt na tregoi:

Pas takimeve me disa personalitete politike dhe shtetёrore, që kishin luftuar e punuar me Baba Fajën, bisedova gjatё me Fahrie Xhani, bashkёshorten e Baba Fajёs, e cila më tregoi shumё ngjarje dhe aspekte rёndёsishme, por herё pas here thoshte: Pёr kёto duhet të pyesish Qazim Alian, ai i di mё hollёsisht”.

Kёshtu, Sabri Godo vazhdoi të tregonte si mblodhi të dhëna pёr tё kompletuar shkrimin e romanit pёr Baba Fajёn.

Takova shumё veteranё martaneshas. Ishin takime interesante. Mё dorёzonin kujtimet e tyre tё shkruara. Ndonjё prej tyre fliste nё vetёn e parё, pёrsёriste tё njejtat ngjarje, që më kishin treguar të tjerët, ishin tregime kopie, ose pёrsёrisnin ato tё historikut tё shkruar nga Qazim Alia. Disa nga këto takime ishin pa përfitime, sepse nuk mё dhanë diçka tё re, tej atyre qё kisha lexuar e qё kisha dёgjuar. Mё pas vizitova Martaneshin, pёr tё krijuar njё vizion tё qartё tё terrenit ku kishte jetuar dhe vepruar Baba Faja.

Ndёrsa tregonte m’u drejtu mua:

- Nuk e di nё se ke shkuar nё Martanesh, por po tё them se ёshtё njё mrekulli e natyrёs, por dhe njerёzit janё tё mrekullueshёm, fisnikё e mikpritёs, jo si ju elbasanasit - mё tha pёr tё mё ngacmuar, i bindur si isha elbasanas, per faktin se unё kisha punuar në Elbasan.

Mё tej Sabriu vazhdoi tё tregonte:

Gradualisht krijova njё skemё paraprake tё romanit dhe njё ditë i kёrkova shokut JF, nё atё kohё funksionar me makinё, tё shkonim sё bashku nё Elbasan, pёr tё takuar Qazim Alian.

Shoku JF pranoi, të mё shoqëronte në Ebasan, por shtoi: “Ky takim ёshtё kohё e humbur, pasi Qazimi nuk ka çfarё tё tregoi mё tepёr nga sa të kemi thënë”. Kjo qё tha shoku JF, sinqerisht iu them nuk mё pёlqeu, çka më nxiti më shumë ta takoja.

Takimin me Qazimin, ma kishte kёshilluar Fahrie Xhani dhe i biri Dr Mustafa Xhani, por ajo qё tha shoku JF, ma shtoi kuriozite-tin, andaj insistova te shkonim ne Elbasan.

E kisha lexuar historikun e Qazimit, por doja tё preçizoja disa hollёsi. Takimi do tё mё shёrbente dhe pёr skenarin e dokumentarit pёr Baba Fajën, qё pothuaj e kisha pёrfunduar dhe po punoja me operatorin Engjell Strazimiri, pёr ta kompletuar dhe ndërkohë do të përcaktonim cilët veteranë do të intervistoheshin, si dhe rreth cilës ngjarje do të duhej të fliste Qazimi.

Dokumentari do të transmetohej nga televizioni, nё pёrvjetorin e vrasjes tё Baba Fajёs – vazhdoi tregimin Sabriu.

Kur arritёm nё Elbasan, i dёrguam fjalë Qazimit tё vinte te na takonte nё turizёm, por ai na ftoi nё shtёpi, pasi ishte nё gjendje konvaleshence, pas njё operazioni, qё kish kryer pak javё mё parё dhe duhej të shmangëte ecjet e gjata.

Shkuam bashkё me shokun JF dhe njё martaneshas, qё ai e merrte si shoqërues. Pasi u pёrshёndetёm, i tregova Qazimit pёr qёllimin e vizitёs dhe ai mё shumё mirёsi më pyeti:

“Pёr çfarё do të dёshironi t’iu tregoj?”

Nxorra bllokun me shënime rreth ngjarjeve që më interesonin në veçanti dhe rreth tyre i bёra disa pyetje.

Fliste ngadalё, rrjedhshёm dhe tregonte plot ngjarje nga jeta e Baba Fajёs. Asnjёherё nuk foli pёr vete. Disa ngjarje i përshkroi ndryshe nga si m’i kishin treguar tё tjerёt, madje u preokuova, por mendova të mos e ndёrprisja, pasi ishin informacione, që unë i dëgjoja për herë të parë.

Gjatë kohës që Ai tregonte, shoku JF dhe shoqëruesi i tij nuk ndjeheshin tё qetё dhe diçka pёshpёrisnin mes tyre.

Pasi vazhdoi rrёfimin pёr rreth gjysёm ore, sё fundi vendosa ta ndёrpres dhe i thashë:

- Me kёto qё mё tregove, unё duhet ta ndryshoj skemёn e librit dhe me duhet ta filloi punёn nga e para.

Mё vёshtroi pёr njё çast e duke buzёqeshur mё tha:

- Unё po i pёrgjigjem pyetjeve tuaja dhe po tregoj si ёshtё e verteta. Si e shkruan librin ёshtё puna e juaj.

- Ke tё drejte, - i thashё, - vazhdojmё mё tej.

Pas njё tjetёr gjysёmore, mendova ta nderprisnim bisedёn, sё pari pёr tё mos e munduar, se ende ndjehej i dobёt pas operacionit, por e kuptova, se duhej ta takoja persёri kёte burrё.

Kur po pёrshёndeteshim, i thashё se do tё vi pёrsёri dhe ai me dashamirёsi mё tha, je i mirpritur. Shkova pas njё jave. Shkova vetëm dhe folёm gjatё. Më tregoi ngjarje, qё mё ndihmuan ta pёrfundoj romanin në kohёn e duhur. I jam mirёnjohёs atij burri tё ndershёm, tё sinqertё e mikpritёs. Janё tё rrallё burrat si Qazimi, - e pёrfundoi rrёfimin Sabri Godo.

- E di, e njoh mirё, - i thashё unё buzagaz.

- Ku e ke njohur, - me pyeti me shumё kureshtje Sabriu.

- E njoh, se ai ёshtё babai im.

I befasuar nga pёrgjigjia ime, pёr njё çast heshti e mё pas ia dha tё qeshurave me tё madhe, u ngrit, mё pёrqafoi dhe mё tha:

 

 

- Atёhere jemi dy herё miq, nuk je vetёm mik i Anilёs, por je dhe miku im e nё veçanti je miku im.



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: