Frank Shkreli: Solidariteti amerikan me Francën
| E Merkure, 18.11.2015, 09:03 PM |

SOLIDARITETI AMERIKAN ME FRANCËN

Nga Frank Shkreli

Të hënën mbrëma, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry arriti në Paris për t'i shfaqur popullit francez solidaritetin e Shteteve të Bashkuara pas sulmeve terroriste në Paris. Ai arrijti kryeqytetin francez nën masa të forta sigurie, për të shprehur ngushëllimet e rastit për viktimat e terrorit, për të theksuar mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për Francën në këtë moment të vështirë, për të nënvijuar marrëdhënjet e forta  që historikisht kanë ekzistuar midis dy vendeve dhe njëkohsisht për të venë në dukje vendosmërinë e përbashkët të Washingtonit dhe Parisit për të luftuar terrorizmin.

Me të arritur në kryeqytetin francez, ai shkoi në ambasadën amerikane në Paris të hënën mbrëma, ku mbajti një fjalim duke e cilësuar Francën si "Mikën më të vjetër dhe aleatën e parë të Amerikës."  Ai shtoi se ky fakt vërtetohet më së miri në periudhat më të errëta dhe më të vështira të historisë së marrëdhënjeve miqësore midis dy vendeve, duke thënë se, "Kjo ishte e vërtetë kur Laffayette kaloi Atlantikun  238 vjetë më parë për të  ndihmuar Amerikanët që të realizonin lirinë e tyre.  Kjo ishte e vërtetë në vitin 1917, kur ushtria e gjeneralit amerikan Pershing  zbarkoi në Francë pë t'iu bashkuar frontit të aleatëve.  Kjo ishte e vërtetë gjatë Luftës së Dytë Botërore kur Amerika bashkoi forcat e saja me luftëtarët guximtarë e trima të rezistencës franceze për të kundërshtuar dhe për të mundur njërën prej ideologjive më të këqia që kishte parë ndonjëherë bota."   Kjo miqësi dhe aleancë  midis dy vendeve tona sigurisht që u vërtetua edhe 14 vjetë më parë, shtoi kryediplomati amerikan John  Kerry, pas sulmeve terroriste  të 11 shtatorit, në New York, në Pensilvani dhe në Washington.  Duke kujtuar reagimin francez ndaj sulmeve terroriste të 11 shtatorit, ai përmendi kryeartikullin në faqen e parë të gazetës së njohur franceze Le Monde në atë kohë, që pasqyronte atëherë ndjenjat e popullit francez në solidaritet me Shtetet e Bashkuara se, (“Nous sommes tous Americains”) ,"Ne të gjithë jemi Amerikanë".

Zyrtari i lartë amerikan nënvijoi se, "Ai ishte momenti që vuri në dukje qartë se miqësia shekullore midis dy vendeve tona kishte arritur një nivel më të lartë se thjeshtë një nivel miqësie: Shtetet e Bashkuara dhe Franca nuk ishin thjeshtë vende mike.  Ne jemi një familje", deklaroi John Kerry në Paris.

Kryediplomati amerikan vazhdoi fjalimin e tij duke thënë se, sot mbarë bota i bashkohet familjes tonë në pikëllimin që ndjejmë nga  këto akte terroriste. "Terroristët i kanë deklaruar luftë mbarë qytetërimit.  Ata vrasin grupin etnik Jeziditët vetëm se janë Jeziditë.  Ata vrasin të Krishterët vetëm se janë të Krishterë. Ata vrasin Shiat vetëm se janë Shia, e ashtu me radhë", theksoi Kerry.  "Terroristët përdhunojnë, torturojnë e plaçkisin dhe këto ata i quajnë vullnet i Zotit.  Ndërkohë që ai i cilësoi terrroristët si, "egërsira psikopate të rrezikshme, të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët me qytetërimin".

Barbarizmi që shkaktoi dhunën, terrorin dhe vrasjen e pakuptimtë të 132 vetëve dhe plagosjen e qindra të tjerëve në Paris – përfshirë edhe katër amerikanëve – nuk është vetëm një sulm kundër Francës, u shpreh Zoti Kerry, por kur të merren parasyshë sulmet e tyre të fundit në Liban, në Irak, në Egjipt, në Turqi, dhe gjetiu, atëherë këto sulme përbëjnë një goditje kundër arsyes dhe objektivave tona të përbashkëta, me fjalë të tjera shtoi ai, ky është një sulm kundër vet qytetërimit.  Duke shprehur keqardhjen e tij të thellë për humbje jete në sulmet teroriste në kryeqytetin francez, ai tha se ata që u vranë në Paris nga terrorizmi nuk mund t’i ngjallim, por duhet të bëjmë atë që mundemi -- dhe kjo fillon nga një ndjenë e thellë solidariteti në radhët e njerzve të mirë dhe të ndershëm kudo, “duke u angazhuar se nuk do të frikësohemi kurrë nga terroristët dhe duke premtuar se nuk do të lejojmë që këta vrasës të realizojnë objektivat e tyre të turpshme”, tha në fjalimin e tij në ambasadën amerikane në Paris kryediplomati amerikan. Në këtë moment të vështirë për popullin francez, ai u shpreh duke u premtuar francezve se, “Motërat dhe vëllëzërit tuaj amerikanë do jenë pranë jush, ashtu siç kanë qëndruar historikisht pranëjush dhe me ju”, duke shtuar se “Sonte ne të gjithë jemi parisianë.”

Ndërkohë që  Presidenti i Francës, Francois Hollande i quajti sulmet në Paris si “një akt lufte” dhe përcaktoi Shtetin Islamik si përgjegjës për to, këtu në Shtetet e Bashkuara ka patur thirrje ditët e fundit që, si rrjedhim, Washingtoni të bëjë diçka më shumë se shprehje solidariteti. Të djelën që kaloi në një program të rrjetit të televizionit amerikan, ABC, njëri prej kandidatëve republikanë për president, Senatori i shtetit Florida, Marco Rubio tha se sulmet terroriste në Paris nevojitin një përgjigjetë fortë nga organizata NATO.  Ai pasqyroi deklaratën e presidentit francez se sulmet ishin një “akt lufte”, duke u shprehur se sulmet terroriste në kryeqytetin francez ishin në fakt të tilla dhe i cilësoi si, “Sulme kundër njërit prej aleatëve tonë në NATO,  dhe si përfundim, shtoi ai, duhet të vihet në veprim artikulli 5 i marrveshjes së NATOs për të formuar një koalicion me qëllim që së bashku të përballohet kjo sfidë”.  Artikulli 5 i  marrveshjes NATOs përcakton që një sulm kundër njërit prej anëtarve të saj është një sulm  kundër të gjithëve. Ndërkohë, që një kandidat tjetër republikan për president, ish-governatori Jeb Bush tha të djelën se nëqoftse Franca, një prej aleatëve tonë më të vjetër, më të fortë dhe më besnikë në të gjithë historinë tonë, dëshiron invokimin e artikullit 5 të marrvehsjes së NATO-s, atëherë ne duhet të marrim parasyshë kërkesën e saj, pasi sipas tij, sulmet përbëjnë një “kërcënim ndaj qytetërimit perëndimor”.  Ndërkaq, Sekretari i Përgjithëshëm i NATOs, Jens Stoltenberg ka thënë se aleatët e Francës në NATO janë të gatshëm ta ndihmojnë Francën, megjithëse Parisi nuk ka kërkuar   një gjë të tillë nga Organizata e Atlantikut Verior, NATO.

Me ose pa invokimin e artikullit 5 të marrveshjes së aleancës NATO nga Franca, duket se të pakën Shtetet e Bashkuara dhe Franca, pas sulmeve terroriste në kryeqytetin francez, do të rrisin bashkpunimin dhe koordinimin e veprimtarive të tyre anti-terroriste. Të martën në Paris, pas takimit të tij me Presidentin francez Hollande, Sekretari Amerikan i Shtetit tha se ata biseduan mbi një numër masash që mund të ndërmerren së bashku për të qenë më të efektshëm në luftën kundër terrorizimit. Kryedipolamti amerikan njoftoi gjithashtu nga Parisi se Presidenti i Francës, Francois Hollande do të vizitojë Washingtonin mbrenda një jave, për bisedime të mëtejshme me Presidentin amerikan Barak Obama.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: