Shkreli: Liria e shtypit - ferrë në sytë e politikanëve
| E Enjte, 12.11.2015, 08:48 PM |

LIRIA E SHTYPIT: KJO FERRË NË SY TË POLITIKANËVE SHQIPTARË

Nga Frank Shkreli

Duke lexuar gazetën Illyria të komunitetit shqiptaro-amerikan në New York të martën, lexova një shkrim nga korrespondenti i saj në Tiranë në lidhje me një konferencë të përbashkët me shtypin që Kryeministrit shqiptar Edi Rama zhvilloi me përfaqsuesen e Bashkimit Europian në Shqipëri, Romana Vllahutin, e cila i dorëzoi udhëheqsit shqiptar,  Raportin e Përparimit (“Progress-Report”) të Komisionit Europian për vitin 2015.  Ajo që më tërhoqi vëmendjen me këtë rast ishin komentet e Kryeministrit Rama mbi median, pjesë të cilës, sipas Illyrisë, ai iu referua disa herë si, "kënetë".   “Çfarë të komentoj?! Këto lajme nga këneta!  S’kam çfarë të komentoj!” – ishte përgjigja e kryeministrit Edi Rama kur u pyet mbi zërat se është nën presion nga aleati Ilir Meta për ndryshime në qeveri, shkruan korrespondenti i gazetës Illyria në Tiranë, Denion Ndrenika.   “Unë kur flas për “këneta mediatike”, nuk flas për median në tërësi, por flas për kënetat medatike në hapësirën ku operon media shqiptare”, citohet të ketë thënë Kryeministri Rama, duke u mbështetur, shkruan Illyria, në ato që kryetari i qeverisë shqiptare i cilësoi si "shpifje" dhe "akuza", por pa dhënë ndonjë shëmbull konkret se kush dhe kujt i drejtohen këto shpifje dhe akuza.

Gazeta Illyria shkruan se as Zonja Vllahutin, nuk qartësoi qëndrimin e saj kur u pyet se si ndihej si ambasadore e Bashkimit Europian kur dëgjonte kryeministrin shqiptar t’i thoshte medias disa herë “kënetë”, gjatë konferencës me përfaqsues të medias shqiptare, por ajo thjeshtë e shkurtimisht u shpreh vetëm se, “Siç e dini edhe ju, liria e fjalës është një ndër vlerat thelbësore të BE-së dhe ne e ndjekim nga afër."

Është e vërtetë se liria e fjalës është ndër vlerat thelbësore të Bashkimit Europian dhe në këtu në Shtetet e Bashkuara, liria e shtypit mbrohet nga artikulli i parë i kushtetutës, ndonëse mund të ketë edhe kufizime si në Europë ashtu edhe në Amerikë, siç është për shëmbull ligji kundër shpifjeve.  Për më tepër, historikisht, edhe në këto vende ka patur raste abuzimi me të drejtën dhe lirinë e medias dhe trysni ndaj medias nga politikanët.  Por fatkeqsisht, politikanët shqiptarë, tani dhe në të kaluarën, kudo dhe në përgjithësi -- ndryshe nga kolegët e tyre në vendet Përendimore të cilave ata pretendojnë se duan tu bashkohen --shpeshherë  në marrëdhënjet midis tyre dhe në takime me përfaqsues të medias -- kanë venë në dukje të zëmëruar, se përsa u përket pikëpamjeve të tyre mbi fjalën e lirë dhe lirinë e medias, ata fatkeqsisht janë më afër qëndrimeve të "putinëve", "erdoganëve" dhe “ajatollahëve” të kësaj bote, se sa vlerave perëndimore mbi lirinë e fjalës dhe të medias, për të cilat u shpreh ambasadorja e BE-së në Tiranë.

Është e vërtetë se media ka përgjegjësi gjithashtu, që ndër të tjera, të mbikqyrë veprimtaritë e qeverisë dhe të zyrtarëve të saj, duke raportuar faktet përgjithësisht dhe objektivisht, përfshirë edhe përspektiva të ndryshme por pa munguar edhe pikpamjet që mund të mos jenë në përputhje me politikën zyrtare qeveritare. Detyra e medias është që të mundësojë qytetarët të jenë të informuar më mirë, me qëllim që ata të jenë më në gjëndje për të influencuar pozitivisht veprimtaritë qeveritare në përgjithësi dhe zyrtarëve të lartë individual në veçanti.  Për ndryshe, siç ka thënë Xhorxh Washingtoni, "Nëqoftse na mohohet liria e fjalës, atëherë si memecë në heshtje, do na çojnë si delet në kasaphane."

Ndërkaq, sipas Zërit të Amerikës, dokumenti i Komisionit Europian, që iu dorëzua Kryeministrit Rama të martën, vëren se “një numër rastesh të profilit të lartë, përfshirë disa, ku faktet për dyshime për veprime të paligjshme nga ana e zyrtarëve të lartë, gjykatësve, kryebashkiakëve dhe ish ministrave, ishin publikuar nga mediat, nuk u hetuan asnjëherë seriozisht”.  Ndërsa raporti vjetor i Departamentit të Shtetit për Të Drejtat e Njeriut ka vërejtur më heret se një numër fushash që kanë nevojë për përmirësim, përfshirë lirinë e medias në Shqipëri, duke nenvijuar se: "Media ishte aktive dhe në masë të gjerë e pakufizuar; megjithatë, pati raste presioni politik të drejtpërdrejtë ose të tërthortë mbi median, përfshirë kërcënime ndaj gazetarëve. Në disa raste presioni politik dhe mungesa e fondeve kufizuan median e shkruar të pavarur, dhe gazetarët raportuan se kishin ushtruar gjerësisht vetëcensurë…”.

Por të martën në Tiranë, sipas gazetës Illyria të New York-t, Kryeministri i Shqipërisë u shpreh se ndonëse media në Shqipëri, “Ka të gjithë lirinë të thotë çfarë të dojë, ka lirinë të shpifë sa të dojë, ka të drejtën të akuzojë kë të dojë, ka luksin që të mos bëjë asnjë përpjekje për të provuar asgjë nga ato që thotë, unë besoj se media "nuk mund të sillet si 'lulja mos më prek', në kuptimin e fjalëve, sepse në kuptimin e veprave unë nuk di asnjë rast të një presioni, kërcënimi apo sulmi të mbështetur nga qeveria ndaj mediave”- komentoi zoti Rama gjatë konferencës me gazetarët.  Pyes veten, si u larguan gazetarët shqiptarë nga kjo konferencë shtypi të martën: të sfiduar, të frikësuar, a po të kërcënuar -- se të ofenduar po se po.

Këtu në Amerikë thonë se nëqoftse i  futesh politikës, "You need to develop a thick skin", që pak a shumë do të thotë se nuk duhet të preokupohesh shumë nga kritikat e medias ose të kundërshtarëve politikë, por të keshë durimin e nevojshëm dhe tolerancën e duhur edhe atëherë kur akuzat mund të duken të pa baza.  Fatkeqsisht, në diskursin politik shqiptar të këtyre 25-viteve të fundit, midis kundërshtarëve politikë, midis politikanëve e medias dhe anasjelltas, për ditë e më shumë po humb toleranca, po humb durimi dhe ç’është më keq dhe mbi të gjitha, po humbë njerzia.

Kjo vihet re kudo, duke filluar nga debatet, të cilat më shumë janë akuza dhe shpifje të ndërsjellta midis parlamentarëve se sa debate të mirëfillta politike që kanë të bëjnë me legjislacionin në Kuvendin e Tiranës dhe të Prishtinës, e deri tek konferencat që politikanët kanë, nga hera në herë, me shtypin.  Nga diskursi politik me akuza dhe shpifje çnjerzore midis përfaqsuesve të ndryshëm politikë shqiptarë, kjo atmosferë mos tolerance ndaj njëri tjetrit -- është transferuar fatkeqsisht edhe në ente të tjera të shoqërisë dhe medias, përfshirë edhe programet televizive midis analistëve, tëcilat ngjajnë më shumë në duele me fjalë se sa diskutime intelektualësh për të frymëzuar dhe për t’i dhënë rrugë zgjidhjes së shumë problemeve që kanë pllakosur shoqërinë  -- një dukuri e keqe kjo që vihet re anë e mbanë trojeve shqiptare.  Me ndonjë përjashtim të vogël aty këtu, fatkeqsisht askund nuk ka vend për një çkëmbim normal ideshë e mendimesh pa u konfliktuar, as në nivelin politik e madje as në nivelet akademike dhe gazetareske. Të gjithë janë ngujuar në mbrojtje të ideve të tyre dhe interesave politike dhe partiake duke mos lëshuar pe dhe pa u shqetësuar fare për mendimet dhe të drejtat legjitime të tjerëve.

Liria e shtypit është baza e vlerave universale të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe e rëndësishme për të gjithë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, ka thënë Presidenti amerikan Barak Obama me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit majin që kaloi.  Duke lavdëruar profesionin e gazetarit, ai tha se gazetarët, “ekspozojnë padrejtësitë dhe mbajnë përgjegjës udhëheqsit si unë”, theksoi Obama duke shtuar se: “Ajo që është gjithashtu me rëndësi është fakti se duhet folur haptazi dhe shpesh në mbështetje të këtyre vlerave të cilat janë të garantuara nga Kushtetuta jonë dhe nga të drejtat themelore që ajo përmban, por që ne besojmë se këto vlera nuk janë thjeshtë vlera amerikane.  Ne besojmë se disa vlera themelore, siç është liria e fjalës dhe e ndërgjegjes, është një e drejtë njerzore, por njëkohsisht është edhe e drejtë universale -- një liri -- zbatimi i së cilës më në fund e bën këtë botë më të mirë dhe më të fortë” për të gjithë ne, ka thënë udhëheqsi amerikan.

Për lirinë e shytpit duhet  folur haptazi dhe shpesh si një e drejtë themelore për çdo shoqëri demokratike të lire ose gjysëm të lirë. Liria e shtypit pra, edhe për shqiptarët është një vlerë dhe e drejtë bazë që duhet të mbrohet, të kultivohet dhe mbi të gjitha të zbatohet me qëllim për të bërë Shqipërinë dhe shqiptarët ndër më të mirët dhe më të fortit në botë.  Si i tillë, zbatimi i plotë i lirisë së shtypit, në përputhje me vlerat shqiptare dhe universale, është edhe në interesin kombëtar të shqiptarëve.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: