Entela Binjaku: Rinia
| E Enjte, 12.11.2015, 09:55 PM |

Rinia

Nga Entela Binjaku

Me kalimin e shoqërisë shqiptare nga stadi në të cilin u gjend në fillimin e viteve ‘90 në shoqërinë postmoderne të  25 viteve më vonë,  me një larmi  problematikash u shoqëruan edhe të rinjtë.  Ato nisën që me ndryshimin e  vetë konceptit për rininë,  me të cilin nuk kuptohet  më thjesht  ajo fazë e kalimit të  individit nga fëmijëria tek i rrituri, por më shumë se kaq është ajo kategori e shoqërisë që është përcaktuese për shumë fusha të jetës,  duke filluar që nga arti e kultura deri tek teknologjia dhe IT ku të rinjtë janë “udhërrëfyes”. Në një kuptim global, në shoqëritë postmoderne të rinjtë kanë përmbysur disa konvencione klasike duke i zëvendësuar  me koncepte të reja në përputhje  me zhvillimin dhe përparimin. Në një kuptim vendor, me të rinjtë u identifikua  kufiri historik i  viteve  ’90.

Raporti i të rinjve me ndryshimin, lidhja e tyre me librin dhe edukimin, aspiratat për një shoqëri të standardeve bashkëkohore, sjella qytetare dhe aksioni komunitar etj. janë  disa nga objektet e studimit të sociologëve. Në shoqërinë aktuale shqiptare nevoja për ndryshim është e madhe gjë e cila shprehet përmes nivelit  të lartë të pakënaqësisë shoqërore ndaj status-quo-s.  Aplikimi në lotarinë  përtej oqeanit në një shkallë  deri në kufijtë e të pabesueshmes,  dhe  statistikat për muaj me radhë që  nuk e  “lanë” Shqipërinë të lëshojë numrin dy në renditjen e azilkërkuesve në një nga vendet e përëndimit, janë disa tregues të kësaj pakënaqësie. Pritmënitë për ndryshim shoqëria i lidh me pjesën më të gjallë  të trupit të saj, që është rinia e cila  në rastin e  shoqërisë  shqiptare përbën dhe  shumicën, ndaj ndryshimin  e status-quos ajo duhet ta kërkojë të vijë  nga vetë radhët e shumicës, edhe pse ky është një koncept i (keq)përdorur politikisht.

Politikat e reja ekonomiko-shoqërore, që do të ndryshonin të tashmen,  kërkojnë të rinj me vizion, të formuar me cilësi, të guximit dhe të veprimit, me aftësi të larta bashkëpunuese, të aftë për të mbrojtur mendimin e tyre. Kjo do të nënkuptonte që shumica e  shoqërisë sonë të ishte edukuar më së miri,  por edukimi i lidhur me ngushtë me shkollimin,  nuk është  pasqyruar  as në punësimin e të rinjve, dhe as në aksione  shoqërore ku ata të shfaqnin   energjinë e tyre dhe as në vetë  në përmirësimin e cilësisë së jetës shqiptare.  Por nëse e tashmja është e tillë, e ardhmja ngre pasiguri të mëdha. Një studim i  para disa kohëve i Fondacionit “Fridrih Ebert Stiftung”  jep të dhëna ku konkurenca dhe kreativiteti, si elementë thelbësorë të zhvillimit,  janë të rëndësishme vetëm për një numër të paktë të rinjsh,  ndërkohë që  shfaqin rënie të besimit tek toleranca dhe tek altruizmi, si vlera të padiskutueshme të bashkëpunimit njerëzor dhe të kulturës shqiptare.

Në të njëjtin raport,  thuhet se të rinjtë shpenzojnë  shifra minimale për ushqimin e tyre shpirtëror dhe kulturor, pra për libra, filma apo teatër  i domosdoshëm për  zgjerimin  e vizionit dhe  të botëkuptimit të tyre, ndërkohë që shpenzojnë më shumë për kafe dhe veshje, pra për humbje kohe,  apatizëm dhe aspektin e jashtëm.  Shpenzimet për këto aspekte  mund të japin edhe dhëna të tjera por kjo mund të ishte temë për një shkrim tjetër.

Në një tjetër studim të paraqitur disa ditë më parë, nga “Iniciativa Studentore kundër Korrupsionit në Universitetet Publike”, mbështetur nga Ambasada amerikane u mësua se në radhët e të rinjve universitarë  87% e tyre pohojnë se ka korrupsion, edhe pse 78 % e tyre shprehen se “nuk kanë qenë ndonjëherë protagonistë të ndonjë  ngjarjeje korruptive”  ndërkohë që  83% e tyre shprehen se njihnin dikë që ka pasur një aferë të tillë”.

Pra vetë të rinjtë  të pyetur në 5 prej universiteteve publike të vendit pohojnë se janë pjesë e mjediseve universitare  ku sipas tyre korrupsioni gëlon;  Ku edhe pse në dijeni nuk kanë ku të denoncojnë, ku edhe vetë organet e zgjedhura nga radhët e bashkëmoshatarëve ku duhet të mbështeten  dhe të përfaqësohen,  janë të mbërthyer po ashtu prej korrupsionit.

Duke i shtuar këtij mjedisi universitar edhe të tjerët që priten t’i shtohen, nga radhët e  17 vjecarëve, ku  57% e tyre sipas BB në 2013 ishin “analfabetë funksionalë”, do të pohonim se gjendja e pjesës më të gjallë të trupit të shoqërisë do të ishte  thuajse dramatike për të  pritur të ardhmen e ndryshme.

Të dhënat e  mbledhura nga pyetësorët e zhvilluar me studentë dhe të rinj shqiptarë gjatë bisedave në fokus-grupe  të krijojnë idenë se krahasuar me të rinjtë e shoqërive të tjera evropiane, të rinjtë tanë janë më pak të përfshirë në veprimtari shoqërore, ku edhe pse punon një në pesë të rinj,  po aq merren  me aktivitet vullnetar.  Shkaqet për këtë duhet t’i kërkojmë tek: mentaliteti i gjithësecilit, niveli i edukimit,  tek qëllimet personale etj.

Që kjo gjendje të ndryshojë  duhet të promovojmë të rinjtë me rezultate të larta, të aftë dhe aktivë, që të shprehin dhe të mbrojnë  mendimin, të jenë të interesuar për aftësim profesional, por që  cmojnë  po aq shumë edhe përmbushjen shpirtërore.

Që ndryshimi të vijë nga radhët e të rinjve është e nevojshme që  ata ta kthejnë pjesëmarrjen  në jetën shoqëore në mënyre jete,  që ta  shohin si një mundësi për të shprehur dhe përmbushur veteveten. Kjo kërkon ndryshim të thellë mendësie.

Por në kushtet në të cilat gjendemi ku problemet janë të shumëfishta, ndryshimi i mendësisë do t’u sillte  edhe  vetë atyre mundësi për zhvillim personal duke  krijuar për të tjerët në vijim,  shembullin e  vlerësimit  për më të aftët.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: