Shqipëria në vitet 1941-1948, sipas Franco Benantit
| E Diel, 08.11.2015, 01:10 PM |

Të huajt për Shqipërinë

Shqipëria në vitet 1941-1948,  sipas Franco Benantit[1]

Lufta e Dytë Botërore pati ndikime të fuqishme edhe në tokat shqiptare. Për këtë është folur mjaft nga historianët tanë në frymën komuniste. Brezat e para vitit 1990 e kanë mësuar këtë nga tekstet shkollore, nga Historia e Partisë së Punës dhe Historia e Shqipërisë, por shumë pak syresh janë njohur me trajtimin alternativ bërë nga historianët dhe autorët jokomunistë jashtë vendit.

Lidhur me këtë, është me shumë interes libri “La guerra piu lunga”[2] i Franco Benantit, ish mjek në ushtrinë pushtuese italiane në Ballkan e Shqipëri, botuar nga shtëpia “Mursia” e Milanos (botimi i parë më 1966, pasuar nga katër ribotime të mëvonshme).

Pas 8 shtatorit 1943, kur gjenerali Badoglio shpalli kapitullimin e ushtrisë italiane dhe kalimin e saj në anën e aleatëve, Benanti sikurse mijëra ushtarë të tjerë u bashkua me forcat partizane shqiptare, ndërsa pas lufte kaloi një kalvar të gjatë internimi, burgosje dhe pune të detyruar, vite agonie, urie, dhune, brutaliteti, torture, derisa sa më 30 qershor 1948 arriti të kthehej si klandestin në atdheun e vet, Itali, pranë të shoqes dhe familjes.

Ajo që tregohet në këtë libër është dëshmi personale jo vetëm e dr. Benantit vetë, por edhe e miqve të tij italianë me të cilët ndau të njëjtin fat, sidomos sa i përket luftës së përbashkët kundër gjermanëve dhe përjetimit të regjimit komunist pas lufte.

Është interesant, se ndonëse vinte nga një vend me regjim totalitar, siç ishte Italia musoliniane, që nga viti 1922, dr. Benanti konstaton më shumë ashpërsi dhe egërsi, më shumë antihumanizëm dhe primitivitet në regjimin totalitar komunist shqiptar. Duke abstraguar nga subjektivizmi i tij si pjesëtar i një ushtrie të huaj dhe i një populli tjetër, sa i takon opinioneve për Shqipërinë dhe ngjarjet e zhvilluara aty, duhet të pohoj se, në tërësi, autori pasqyron me vërtetësi atë realitet të hidhur dhe tragjik që ekzistoi në vendin tonë që në vitet e para pas lufte. Kjo vlen sidomos për brezat e rinj që nuk e kanë vuajtur në kurriz atë burg të madh që përfaqësonte Shqipëria komuniste e Enver Hoxhës për shumicën e popullit shqiptar, për të qenë syçelët, që ajo kohë të mos kthehet kurrë më!

Misioni im në Shqipëri

Në një ditë të ftohtë dhjetori 1941, kur shërbeja pranë regjimentit 130 të këmbësorisë të divizionit “Perugia” në Dalmaci, mora urdhër të vija në Shqipëri për të hetuar zonat e sëmundjeve infektive në radhët e popullsisë vendase që mund të rrezikonin trupat tanë aty. Në atë kohë mora vesh për ekzistencën e një lëvizje komuniste në fillimet e saj dhe për Enver Hoxhën, lajme këto që i njoftonte Shërbim Informativ i Ushtrisë (SIM). Atëkohë, sigurisht kjo lëvizje nuk kishte krijuar ende probleme për ushtrinë tonë këtu. Shqipëria ishte shtrirë pak a shumë në kufijtë e saj natyrorë, i tërë vendi ishte përfshirë nga ndërtime të shumta rrugësh, ndërtesash, objektesh industriale, veprash bonifikimi etj.

Sikurse edhe kolegët e mi, pata përshtypjen se ky vend ishte një strehë e sigurtë, larg teatrit të luftës gjigande që ishte shtrirë në anë të tjera të Evropës dhe botës.

U ktheva në Split më 22 dhjetor.

Rreth dy vite më vonë, divizioni “Perugia” u transferua në Shqipëri, konkretisht në rrethet e Përmetit, Këlcyrës, Tepelenës, Gjirokastrës dhe Delvinës. Në gusht 1943, situata në Shqipëri kishte ndryshuar ndjeshëm. Kishte nisur lufta partizane. Nga të katër grupet komuniste që ekzistonin para nëntorit 1941 ( i Korçës me Enver Hoxhën, Koço Tashkon, Koçi Xoxen, Nako Spirun dhe Mihal Lakon, i Shkodrës me Zef Malën, Qemal Stafën, Liri Gegën, Tuk Jakovën, Vasil Shanton dhe Kristo Themelkon, i Të Rinjëve me Anastas Lulën, Elami Nimanin, Sadik Stavelecin, Hysni Kapon, Bedri Spahiun dhe Ramadan Çitakun dhe i Zjarrit me në krye Andrea Zisin), tri të parët kishin formuar Partinë Komuniste, nën mbikqyrjen dhe udhëzimet e dy komunistëve jugosllavë, Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviç dhe në lidhje me Kominternin (Internacionalen e tretë Komuniste që drejtohej nga Moska).

Nga partitë e tjera, më e rëndësishmja ishte Balli Kombëtar i kryesuar nga Al Këlcya, Skënder Muço, Xhem Gostivari, Hysni Deme e Autori me sa duket harrom një figurë qendrore, themeluesin e Ballit Kombëtar, Mitat Frashërin. Nacionalistët shqiptarë afirmonin të drejtën e lirisë së individit, të drejtat kombëtare të popujve, “Shqipërinë e Madhe” duke pasur jehonë të shumë shtresa të popullsisë. Por bashkëpunimi ndërmjet tyre, për shkak të parimit të “Luftës së klasave” që ndiqnin komunistët nuk ishte realizuar.

Ndeshjet e para me partizanët ushtria italiane i pati në muajin mars 1942, kur u sulmuan disa poste të largëta dhe u vranë disa ushtarë. Me 1 maj partizanët dogjën depot e Mavrovës, rreth 15 km larg Vlorës, rrugës për Gjirokastër. Një karvan automjetesh u sulmua dhe iu vu zjarri, një kompani karabinierësh në Selencë ra në pritë. Me 25 (apo 24 ?) korrik u prenë të gjitha linjat telefonike të vendit dhe iu vu zjarr centralit telefonik të Tiranës. Vojo Kushi me shokë sulmoi edhe aeroportin e Tiranës. Në Korçë u dogj ndërtesa e prefekturës ndërsa në Elbasan depot e municioneve. Çetat e Mehmet Shehut, Isa Toskës dhe Alizot Demirit kryenin thuajse çdo ditë goditje ndaj qendrave italiane këtu.

Veprimet në zonën bregdetare shoqëroheshin edhe me ato në Shqipërinë e Mesme ku vepronte Myslym Peza dhe në Dibër ku vepronte Haxhi Lleshi.

Partia Komuniste mori hegjemoninë në Frontin Nacional- Çlirimtar që u shpall më 16 shtator 1942 në Pezë.

Komunistët jugosllavë vijuan të drejtonin punën e komunistëve shqiptarë. Kështu, pas largimit të Dushanit, vjen Bllazho Jovanoviç që organizon një konferencë të jashtëzakonshme në Labinot 17-22 mars 1943. Ndonëse jugosllavët, veç të tjerash, kërkonin që të mos bashkëpunohej me nacionalistët, Hoxha dhe Dishnica (Ymer) mëdyshonin. Por megjithatë Enver Hoxha e vlerësoi shumë “ndihmën e shokut Bllazho që erdhi si një hyjni e zbritur nga qielli” (kështu diskutoi ai më vonë në Mbledhjen e Beratit).

Sidoqoftë këta organizuan në gusht Konferencën e Mukjes ku u muarën shumë vendime të rëndësishme, midis të cilave ishte zgjedhja e “Komitetit të Shpëtimit Kombëtar”. Kur u muar vesh kjo nga Popoviçi dhe Mugosha, këta, të mbështetur nga Koçi Xoxe, e kritikuan ashpër Hoxhën, i cili paskëtaj e shpalli marrëveshjen të pavlefshme, duke provuar kështu që Partia Komuniste e Shqipërisë ishte një shtojcë e asaj jugosllave dhe antikombëtare.

Ndërkohë veprimet luftarake me partizanët u ashpërsuan dhe forcat tona patën humbje të mëdha në njerëz dhe materiale.

Tragjedia e shtatorit 1943

Grushti i shtetit i 25 korrikut në Romë ngjalli shpresa për një armëpushm dhe për t’u rikthyer më në fund në shtëpitë tona. Por gjeneral Badoglio deklaroi se “lufta do vazhdojë”. Kundër kujt? A do i kishim sërish aleatë gjermanët? Apo do luftonim me ta?

Në Ballkan atëkohë ndodheshin 700 000 trupa italiane që prisnin një udhër për t’u rikthyer në atdhe. Në Shqipëri ndodheshin: Korpusi i katërt, korpusi XXV, trupat e zonës Shkodër –Kosovë. Të gjitha këto përbënin armatën e nëntë italiane që varej nga Grup-Amata e Lindjes me qendër në Tiranë. Shtojmë këtu edhe reparte të tjera individuale si trupat e marinës, ato ajrore, aeronautike, karabiniere dhe policinë.

Forcat italiane në Shqipëri kështu përbëheshin nga gjashtë divizione, përveç reparteve shtesë, duke kapur shifën 120 000, të ndarë në 200 njësi të mëdha e të vogla, të dislokuara në pjesë të ndryshme të Shqipërisë. Kishte edhe një divizion gjerman me reparte shtesë.

Erdhi 8 shtatori, e mërkurë ora 19-15 kur dëgjuam në radio për shpalljen e armëpushimit. Në çastin e parë u gëzuam pa masë. Mendimi i parë ishte të ktheheshim në shtëpitë tona! Deri në mëngjes rrinim duke pritur, duke pyetur se çdo bëhet me ne tash e tutje. Por s’u tha asgjë tjetër veç që “trupat italiane të jenë të gatshme të reagojnë ndaj çdo situate eventuale”..Lidhur me një ndeshje të mundëshme me gjermanët, kishim një farë sigurie se do t’i mundnim nga që numri i forcave atëkohë ishte në favorin tonë 4 me 1.

Për atë situatë shumë gjëra kanë mbetur me vite një enigmë deri sa Departameni i Shtetit i SHBA më 1964 zbuloi të vërtetën. Trupat tona në Ballkan përbënin atë kohë dy të tretat e ushtrisë italiane.

Ne kishim mjaft kohë, duke filluar muaj më parë, kur kishin nisur traktativat e fshehta me aleatët, që të tërhiqeshim gradualisht për në atdhe. Por kjo nuk ndodhi. Sepse duhej shpëtuar kurora mbretërore dhe kapot e mëdhenj në kurriz të ushtrisë, kjo kishte qenë shqetësim më i madh i Komandës së Përgjithshme që nga 25 korriku deri më 8 shtator. Pra nga frika e raprezialjeve nga ana e gjermanëve, Badoglio dhe të tjerët e mbajti sekret planin e tyre për të kaluar në anën e aleatëve.

Familja mbretërore, Badoglio dhe gjeneralët madhorë e braktisën Romën më 9 shtator dhe u strehuan në Pescara. Ndërkohë, komandanti i armatës së nëntë ndodhej në Romë dhe nuk mund të fluturonte dot në Tiranë. Kështu që trupat tona mbetën pa ditur si të vepronin.

Që më 19 gusht, Roozvelti dhe Çurçilli i kishin thënë Stalinit që Italia do kalonte në anën e tyre dhe kishin dhënë porosi që Kombet e Bashkuara të tërhiqnin ushtarët italianë me anie në bregdet për në Itali. Ndërsa Badoglio, “ky ushtar i vërtetë” që pas vdekjes i ngritën edhe monument, i harxhoi 45 ditë pa njoftuar askënd nga frika e vet ndaj gjermanëve.

Në tërë Ballkanin nuk kishte më shumë se tetë divizione gjermane, tre në Dalmaci dhe pesë në Shqipëri dhe Greqi. Pra, gjermanët ndjeheshin të dobët, ata kërkonin në momentet e para një farë kompromisi për zgjidhjen e situatës dhe jo përdorimin e forcës. Ende sot e kësaj ditë nuk është bërë e njohur sa duhet drama e divizioneve italiane në Shqipëri dhe kostua e humbjeve të tyre.

Më 9 shtator gjermanët futën në Shqipëri divizionin e 181 të koracuar që zuri postkomandat tona në Shkodër dhe në Lezhë. Regjimeni 92 i motorizuar u vendos në Durrës dhe Vlorë. Më 10 shtator divizioni 100 i këmbësorisë rrethoi Tiranën, zuri postkomandën e armatës, autoparkun dhe barakat, zyrat dhe magazinat ushtarake. Gjermanët e mbajtën rob komandantin e Gruparmatës së Lindjes, Ezio Rosi që kishte ardhur të bisedonte me ta. Komandanti i armatës së 9 Renzo Dalmazzo u detyrua nga gjermanët të urdhërojë çarmatimn e ushtrisë së vet.

Në këto kushte, shumë ushtarë dhe oficerë italianë nuk pranuan t’i lëshojnë armët dhe kaluan në radhët e partizanëve shqiptarë, të tjerë u kapën dhe u keqtrajtuan nga gjermanët (u vranë në vend, u nisën në kampet e përqëndrimit në Gjermani, apo u vunë në punë të detyruar).

Vetë reparti im i tij u zu rob nga gjermanët dhe u urdhërua të marshonte në drejtim të Vlorës për t’u larguar që andej për Gjermani. Në Mavrovë, duke përfituar nga rrethanat, së bashku me të tjerë u arratisa dhe kalova në malet për rreth ku vepronin forcat partizane, me të cilat u bashkova.

Si mjek u caktova të punoj në spitalin partizan të Cmokthinës.. Kushtet aty ishin jashtëzakonisht të mjera. Të plagosurit i mbanin shtrirë në tokë, në kushte higjienike të vajtueshme dhe në çrregullim të madh. Përveç dy kolegëvë italianë, punonte dr. Ibrahim Dervishi i ndihmuar nga nje studente, e quajtur Lume. (Në fakt emri i saj i vërtetë ishte Drita Kosturi, ish e fejuara e Qemal Stafës). I pyeta ata në se mund t’i shikoja edhe ushtarët italianë të plagosur që i kishin vënë në një çadër. Edhe këta pesë ushtarë të divizionit “Perugia” ishin shtrirë në tokë. Ishin tretur nga uria. Vdiqën natën e parë dhe u varrosën diku pranë lumit Shushica.

Pas pak ditësh u transferuam në malin e Kudrevicës, rreth 2000 m mbi nivelin e detit sepse gjermanët po afroheshin. Aty ndenjëm disa ditë dhe pastaj u kthyem në Cmokthinë pasi vala e raprezaljeve gjermane kaloi.

Një kamp pune për italianët në Punëmirë pranë Voskopojës

Të çarmatosur nga gjermanët në marshim drejt kufirit maqedonas, rreth katërqind ushtarë italianë kapen nga partizanët, zhvishen nga rrobat dhe këpucët dhe çohen në kampin e punës në Punëmirë afër Voskopojës. Komisari i kampit ishte një kriminel sadist i cli sillej me italianët njësoj si nazistët në kampet e tyre të përqëndrimit. Ushtarë dhe oficerë italianë, gjysëm të zhveshur banonin na baraka pa dyer, rreth 1500 m mbi nivelin e detit, ku temperatura ditën shkonte nën zero, ndërsa natën deri në minus 15 gradë Celsius. Ushqeheshin me 300 g bukë misri në ditë e asgjë tjetër. Megjithë këto kushte, ata punonin tërë ditën, pa ndërprerje.. Shpyllëzonin, bënin dru zjarri, bartnin materiale në kurriz nga Voskopoja në Punëmirë. Kush kthehej me vonesë nuk merrte racionin e bukës. Shumë të burgosur vuanin nga ethet malarike, nga kallot në këmbë, pa marrë asnjë mjekim. Disa vdiqën nga dizanteria ose nga rraskapitja. Kush nuk e realizonte normën ndëshkohej rëndë.

Një herë, kur pati një sulm nga gjermanët dhe partizanët ia mbathën, grupi i italianëve u nis në marshim drejt bregdetit me shpresë se mos kapte ndonjë anie për Itali. Shumë pak syresh arritën në bregdet ndërsa të tjerë ose vdiqën rrugës ose u kapën nga fshatarët që i morën në shtëpi për të kryer punë për një copë bukë.

Ndihmesa e italianëve në luftën çlirimtare

Siç thashë, shumë italianë u bashkuan me partizanët dhe luftuan me heroizëm. Ata formuan madje edhe reparte të veçanta si batalioni “Tomorri” dhe “Gramshi”. Këtë e dëshmojnë edhe komandantë partizanë si Riza Kodheli e Mehmet Shehu në përbërje të reparteve të të cilëve vepronin edhe skuadra apo kompani të tëra me artiljerë dhe specialistë ushtarakë italianë. Batalioni “Gramshi” ndonëse mbante emrin e një komunisti të njohur italian, formohej vetëm nga ushtarë italianë me bindje të ndryshme ideologjike, por me ndjenjën e lirisë dhe drejtësisë të përbashkët.

Po përmendim një rast: sulmin ndaj një autokolone gjermane në rrugën Elbasan - Peqin ku u shkatërruan 18 automjete, u hodhën 28 000 kg bomba, u qëlluan dy avionë gjermanë dhe u vranë 54 gjermanë.

Për t’u përmendur janë luftimet në Zagori në janar 1944 ku humbën jetën 11 italianë me Terzilio Cardinalin në krye.

Operacioni gjerman i dimrit 1943-1944

Në këtë operacion gjermanët angazhuan 5 divizione të tyre në Shqipëri, Greqi e Jugosllavi, plus disa reparte speciale dhe forcat kolaboracioniste. Partizanët kishin rreth 20 000 luftëtarë në katër brigada, nëntë grupe dhe 18 batalione, përfshi batalionin “Gramshi”. Këta morën ndihma në armë, veshmbathje dhe ilaçe nga aleatët. Anglezët kishin rreth 30 këshilltarë të tyre pranë brigadave partizane ku përveç të tjerash, kishin edhe 8 stacione radioje. Por ata trajtoheshin nga partizanët si armiq potencialë, të nxitur nga i dërguari jugosllav Svetozar Vukmanoviç Tempo, prandaj mbikëqyreshin rreptë.

Pas katër ditë luftime të forta në zonën e Arbanës pranë Tiranës, partizanët u tërhoqën në zonën e Çermenikës. Pati shumë të vrarë e të plagosur. Rregullat ishin të ashpra, sa që ata që nuk mund ta ndiqnin kolonën në tërheqje vriteshin me një plumb pas qafe. Me këto masa Mehmet Shehu arriti ta ruajë brigadën e vet nga shpërbërja, përkundër brigadës së dytë të Beqir Ballukut psh që u shkatërrua krejt (u vranë ose dezertuan në masë).

Gjermanët ndërmorën një ofensivë të dytë me 7 janar, kur brigada e parë ishte tërhequr poshtë Shkumbinit, e dyta dhe e treta ishte shkatërruar dhe Komanda e Përgjithshme qe izoluar dhe nuk funksiononte dot.

Spitali i Vermikut pranë Cmokthinës

Ishte një shtëpi e qytetarit Riza Luna që u vu në shërbim të të sëmurëve e të plagosurve. Përgjegjëse e spitalit ishte partizania Ylvie. Disa partizanë të brigadës së pestë që vepronte aty pari kujdeseshin për mbrojtjen dhe shërbimet në spital.

Ylvia ishte reth 30 vjeç, e martuar me një partizan të një brigade që vepronte në Dibër, i quajtur Skënder. Vishej me pak elegancë dhe e mbante veten. I urrente italianët por me mua sillej korrekt.. Në shkurt erdhi në Vermik Ibrahim Dervishi dhe i shoqi i Ylvies. Ata sollën një urdhër për transferimin e kolegut tim italian Condrell diku në kufirin maqedon dhe ikën sërish. Disa ditë më pas Ylvija ra shumë në dashuri me Bravo Kuçin, komandantin e rojeve të armatosura të spitalit. Por pak kohë më pas ajo u ftoh me Bravon dhe nisi të bëjë dashuri me cilindo mashkull që kalonte aty pari, edhe me të sëmurët.

Rasti i saj më dha të kuptojë se si shpërthejnë ndjenjat e dashurisë së lirë edhe në kushtet e rrepta të luftës.

Kongresi i Përmetit dhe operacioni i qershorit

Në vigjilje të Kongresit të Përmetit më dërguan atje për shërbim si mjek. Atje më takoi Hysni Kapo që më falënderoi për shërbimet që kisha bërë më parë në Lapardha e gjetkë. Në infermierinë e ngritur përkohësisht vinte çdo ditë Gogo Nushi që edhe na informonte për çfarë do diskutohej në kongres. Ndonëse propaganda komuniste e paraqiste kongresin si një përfaqësim të mbarë popullit shqiptar, në fakt aty përfaqësohej vetëm një e njëzeta e këtij, madje mund të quhej në kongres i partisë komuniste.

U zgjodh një Këshill i Përgjithshëm Nacional- Çlirimtar prej 121 anëtarësh, që nxori një Komitet Drejtues me një kryetar, tre nënkryetarë, dy sekretarë dhe 24 anëtarë. Ky Komitet kishte atribute legjislative dhe ekzekutive. U vunë gradat në ushtri, Enver Hoxha u zgjodh Komandant i Përgjithshëm dhe Spiro Moisiu shef i Shtabit të Përgjithshëm. Kongresi e ndaloi rikthimin e mbretit Zog dhe anuloi marrëveshjet e këtij me të huajt. Vendosi luftën deri në fund me çdo parti tjetër politike në vend.

Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviçi që morën pjesë në kongres u larguan me 28 maj. Të dërguarit jugosllavë kishin drejtuar disa kurse politikë me kuadrot shqiptare. Është për t‘u shënuar servilizmi dhe hipokrizia e tejskajshme që tregonin udhëheqësit shqiptarë ndaj jugosllavëve. Psh Tuk Jakova shkruante se “na latë jetimë, si mund të eci pa ju..”. Mehmet Shehu shkruante se “Pa ju s’kishim për ta krijuar dot partinë tonë, jeni treguar si një nënë për ne”. Letra mbante firmën edhe të Fiqerete Shehut, atëkohë komisare e brigadës I. Nga ana e tyre, Enver Hoxha dhe Nexhmie Xhuglini shkruanin se “partizanët shqiptarë e ndjejnë shumë mungesën e shokëve jugosllavë”. Në këtë frymë shkruanin edhe Koçi Xoxe, Bedri Spahiu, Hysni Kapo dhe Ramadan Çitaku.

Nga ana e tyre, të dërguarit jugosllavë raportonin në udhëheqjen e vet se “komanda e lartë shqiptare përbëhet nga njerëz pa përgatitjen minimale ushtarake, kulturore dhe politike. Prandaj të dërgojmë një ekspert ushtarak dhe politik që ta udhëheqë shtabin e tyre të përgjithshëm”.

Ndërkohë gjermanët nisën ofensivën e dytë të madhe me qëllim që të siguronin rrugët e tërheqjes së tyre nëpër Shqipëri për në Gjermani, edhe të ushtrisë në Greqi. Kjo përkonte me çeljen e Frontit të Dytë në Evropë dhe të ofensivës sovjetike në Rumani. U angazhuan katër divizione dhe një pjesë e divizionit alpin, rreth 70 000 ushtarë. Në ndihmë u erdhën rreth 10 000 kolaboracionistë shqiptarë.

Partizanët kishin krijuar divizionin e parë sulmues. Me që gjermanët ishin rreth 50 km pranë Përmetit, komisari i spitalit Gogo Nushi urdhëroi që ne të bartnim të gjitha materialet sanitare dhe të transferoheshim shpejt. U vunë në punë dhjetëra mushka edhe për të plagosurit e të sëmurët.

Shtabi i Përgjithshëm, spitali dhe partizanët përbënin një kolonë prej 1000 vetësh. Edhe në këtë marshim u përsërit skena e vrasjes së atyre të sëmurëve që nuk mund të vijonin dot marshimin gjë që tregonte kushtet e rënda ku ndodheshin partizanët. Këtë e kuptoje nga të shtënat që dëgjoja herë pas here.

Në afërsi të Tomoricës forcat gjermane që vinin nga Greqia u ndeshën me divizionin e parë. Pas luftimesh të ashpra, ranë robër disa qindra partizanë ndërsa pjesa tjetër ia mbathi nëpër male.

Mbaj mend ç'kemi hequr ato ditë, kur shpesh fshiheshim nëpër pyje ku të ftohtit na bënte të dridheshim si qen. Gjatë operacionit të qershorit u vranë rreth 1500 partizanë. Nuk numërohen dot të plagosurit dhe të sëmurët. Disa brigada humbën nëntë të dhjetat e efektivit, disa u zhdukën krejt, të tjera u shpërndanë në çrregullim të plotë.

Fundi i luftës antinaziste

Ditët e para të gushtit erdhi Vasil Konomi që më komunikoi transferimin pranë brigadës së dytë të rindërtuar që e kishte bazën në Vithkuq, fshat në afërsi të Korçës. U befasova kur e pashë fshatin të ndriçohej nga drita elektrike. Aty takova Beqir Ballukun që përfaqësonte një shqiptar tipik me të gjitha instinktet dhe traditat që nga koha e luftës së gjatë kundër turqve. Para lufte ai kishte mbaruar një shkollë për rreshter. Kur ia vranë një vëlla, u bashkua me partizanët si hakmarrje.

Ca kohë e lamë Vithkuqin sepse gjermanët nisën bombardimet. Më vonë u rikthyem aty.

Në shtator nisi lëvizja e gjermanëve për evakuimin nga Ballkani. Pas Greqisë i erdhi radha Shqipërisë. Në fillim u braktisën Saranda, Gjirokastra, Berati dhe Vlora. Me 24 tetor u çlirua Korça dhe bashkë me të e tërë Shqipëria e Jugut.

Në Korçë nisa punën në spital ku shërbenin ende motrat italiane. Më në fund, gjeta një mjedis për të qenë, çarçafë të bardhë e të pastër, ujë të ngrohtë për të hequr zhulin dhe parazitët nga trupi im.

Por çlirimi i Korçës dhe i qyteteve të tjera u shoqërua me një terror, të panjohur më parë. U arrestuan dhe u vranë në vend shumë qytetarë nën akuzën e bashkëpunimit me pushtuesit dhe të krimeve të luftës. Një pjesë e tyre u dërgua në punë të detyruar. Të tjerë u nxorën nga shtëpitë e veta, për të strehuar në to zyrtarët e rinj të panumërt komunistë, komandantët dhe komisarët partizanët që u derdhën nga malet.

Korça në lartësi rreth 800 metra mbi nivelin e detit ndodhej në kushte të favorshme komunikacioni dhe zhvillimi. Shumë qytetarë patën emigruar në Selanik, Rumani, Turqi, Egjipt, Amerikë, Australi dhe duke u kthyer në atdhe kishin sjellë një farë mirëqenie. Një italian, Umberto Uberti më 1927 ngriti në Korçë një shoqëri për prodhimin e birrës së Korçës, me disa qindra punëtorë.

Në Berat u mbajt një plenum i Komitetit Qëndror të PKSh ku u shfaqën kundërshtimet midis udhëhqësve shqiptarë. Koçi Xoxe, i mbështetur nga jugosllavët, e akuzoi Enver Hoxhën që “në vend që të ndihmojë punëtorët si Tuk Jakovën, Kristo Themelkon dhe Pandi Kriston, flet kundër tyre”. Enveri synonte ta zëvëndësonte Koçi Xoxen me shoqen e tij, Liri Gegën, që i besoi detyrën e ministrit të brendshëm dhe drejtores së Zyrës së Komandës së Përgjithshme. Por në plenum nën trysninë e Velimir Stojniçit, u vendos që Liri Gega të përjashtohej nga KQ, por nuk e pranoi propozimin e Nako Spirut për zëvendësimin e Enver Hoxhës, duke u mjaftuar me një autokritikë ë këtij të fundit.

Beteja për Tiranën dhe ëlirimi i vendit

Me 12 nentor trupat gjermane e braktisën Elbasanin, ku ishin grumbulluar ato të ardhura nga Jugu, nga Greqia dhe Maqedonia.

Por kolona gjermane që vinte për Tiranë u ndesh me një pritë të fuqishme dhe betejë të ashpër. Nga njera anë, një skuadrilje avionësh italianë e sulmoi atë në qafën e Kërrabës në kushte atmosferike të favorshme për gjuajtje, dërguar posaçërisht nga komanda aleate e RAF –it anglez, nënmareshalli Elliot, me kërkesë të misionit britanik këtu dhe Shtabit të Përgjithsëm partizan. Kolona e motorizuar u pakësua dhjetëfish nga aviacioni italian. Mbetën të vrarë në vend 1300 gjermanë. Një pjesë mundi të hyjë në qytet ndërsa pjesa tjetër u sulmua nga partizanët e brigadës së 15 në Mushqeta dhe Bërzhitë.

Dy ditë pas Elbasanit gjermanët e lanë edhe Durrësin. Prandaj beteja për Tiranën po bëhej gati. Plani për çlirimin e Tiranës ishte hartuar nga Velimir Stojniç dhe Vojo Todoroviçi, dy emisarët ushtarakë jugosllavë. Këta transmetonin urdhëra gojarisht për brigadat 1, 4, 18 dhe 10. Dy të fundit erdhën më pak vonesë gjë që u dha mundësi gjermanëve të tërhiqeshin për në Shkodër. Në fund të 30 tetorit gjermanët e kishin lëshuar pjesën lindore të Tiranës, ku hynë brigada 1 dhe 4. Partizanët sulmuan fort në pallatin mbretëror dhe në kazermat “Shkumbini” por gjermanët rezistuan.

Me 15 nëntor gjermanët u larguan masivisht nga kryeqyteti, duke lënë një fortesë të improvizuar në qendër të sheshit “Skënderbe”. Aty ndodhej një ushtar i vetëm, me një mitraloz dhe shumë arka me fishekë. Ky ushtar rezistoi i vetëm 36 orë rresht ndaj sulmeve të brigadës së katërt. Në fund, kur i shteri të gjitha municionet, ai e vrau veten.

Kështu Tirana u çlirua me 17 nëntor.

Në luftën e Tiranës ndihmuan edhe luftëtarët italianë të “Gramshit”, U vranë shumë syresh në përpjekje edhe për të mbrojtur popullsinë civile nga raprezaljet e gjermanëve. Midis tyre ishte edhe majori Massimo De Angelis. Ndër ta ishte edhe prifti jezuit Giovanni Fausti që pas lufte e akuzuan për veprimtari terroristike dhe e pushkatuan.

Për italianët në Shqipëri rënia e kryeqytetit ishte një shpresë për t’u rikthyer në atdheun e tyre. Me 29 nëntor gjermanët e lanë edhe Shkodrën dhe u drejtuan përmes Koplikut për Podgoricë.

Në fund të nëntorit, me kërkesë të jugosllavëve, Komanda e Përgjithëshme partizane e Shqipërisë dërgoi në Jugosllavi divizionin e pestë dhe të gjashtë në kërkim të divizionit gjerman “Gupi E”. Por njësitë gjermane i luftuan ato ashpër. Pjesa që mbeti prej tyre në shkurt 1945 u kthye në Shqipëri. Ndërkohë batalioni “Gramshi” u shndërrua në brigadë me 2000 vetë. Ai dispononte dy bateri 41 mm. Më vonë kjo brigadë u zmadhua në rangun e një divizioni. Në maj 1945 ushtarët e saj u riatdhesuan në Itali nëpërmjet detit.

Sipas komandës partizane, në luftë u vranë 28 000 vetë, u plagosën 63 000 dhe u gjymtuan për jetë 62000 vetë. Këto janë vetëm ushtarakë.

Italianët në luftën çlirimtare shqiptare

Me çlirimin e Shqipërisë, janë riatdhesuar në Itali, në vijë ajrore dhe detare 19 000 ushtarë italianë. Emrat e tyre figurojnë në listat e imbarkimit, bërë të njohura autoriteteve shqiptare dhe britanike. Nuk dihet me saktësi shifra e luftëtarëve dhe e punëtorëve italianë, po ashtu e atyre të vrarë, të zhdukur apo të gjymtuar. Dimë që në fillim italianët përbënin tetë batalione dhe shtatë bateri artilerie.

Përveç 19 000 ushtarëve italianë të riatdhesuar më 1945, janë disa qindra syresh të shpërndarë në Shqipërinë e Jugut dhe që kanë hyrë në Itali në rrugë të rastësishme në nëntor 1944. Në dhjetor u riatdhesuan disa qindra të plagosur e të sëmurë, që rrinin në spitalet partizane. Të tjerë janë riatdhesuar gjatë luftës kur vinin aniet me furnizime dhe ktheheshin sërish në Itali.

Pos të tjerash, theksoj se artileria partizane ishte kryesisht në duart e italianëve. Mortajat, mitralozët e rëndë dhe të lehtë, automjetet dhe gjithë shërbimet duke filluar nga ai shëndetësor deri të riparimet kanë qenë në duart e italianëve. Në spitale, infermieri, depo municionesh, në centrale telefonike, në zyrat e intendencës, në ofiçina të ndryshme, kudo ku nevojitej pak përvojë teknike, ishin italianët. Këta specialistë u mbajtën në Shqipëri edhe pas lufte sepse ishin hë për hë të pazëvendësueshëm.

Shtojmë këtu materialet ushqimore, veshmbathjet dhe enët ushqimore, automjetet ushtarake, stacionet e radios, materialet sanitare, të gjitha burimet që dispononte ushtria partizane në 25 brigadat e saja, janë marrë nga magazinat ushtarake italiane, përjashto materialet e furnizuara nga aleatët në vijë ajrore.

Italianët ushtarakë dhe civilë ndihmuan fuqishëm në riparimin e rrugëve, në ringritjen e urave, centraleve elektrike, ujesjellësve, etj. .Edhe në bujqësi ka shumë për të thënë, po mos të harrojmë ato qindra familje shqiptare që nuk donin t’i lëshonin ushtarët e strehuar te to sepse kishin shumë nevojë për kulturën e tyre. Lidhur me këtë të fundit, krahas rasteve të një sjellje njerëzore të shqiptarëve ndaj italianëve, ka pasur edhe asish që janë sjellur brutalisht, duke i ruajtur ditë natë me armë që ata të punonin në shtëpitë e tyre kundrejt një cope bukë me qepë e hudhra.

Nuk duhet harruar ndihmesa e aviacionit italian që ka kryer 3 132 fluturime në 3 269 orë në qiejt e Shqipërisë duke lëshuar 612 kv bomba mbi objektivat gjermane, duke kryer 618 fluturime rikonjicioni me mitralim dhe 61 aksione me bombardim në pikiatë.

Pas çlirimit, italianët organizuan shërbimin e rregullt të furnizimit Lecce-Tirana. Në kthim avionët italianë kanë marrë një numër të madh shqiptarësh të plagosur, që kishin nevojë sidomos për mjekime ortopedike që nuk mund të kryheshin dot në Shqipëri.

Siç ka thënë vetë Enver Hoxha, “kjo ndihmesë e ushtarëve italianë farkëtoi vëllazërimin e dy popujve tanë”.

Nën qeverinë komuniste

Qeveria e krijuar në Berat u transferua në Tiranë shumë shpejt pas çlirimit. Një nga urdhërat e parë të qeverisë ishte regjistrim i gjithë të huajve në Shqipëri. Ishte fjala në radhë të parë për italianët, nga të cilët vetëm civilët në shtator 1943 arrinin 25 000 vetë.

Menjëherë shumë syresh u caktuan në punë të detyruar në sektorë të ndryshëm të shkatërruar nga lufta.

Në Tiranë e qytete të tjera u shtuan arrestimet. Megjithatë në parakalimin para qeverisë me 28 nëntor ishin edhe luftëtarët e formacioneve italiane “Gramshi” dhe bateria 41 e artilerisë së divizionit “Firenze”.

Si e mori pushtetin Enver Hoxha

Gjatë okupacionit italian në Shqipëri Partia Komuniste nuk ishte e vetmja parti politike. Madje për nga numri i anëtarëve parti të tjera ishin më të mëdha. Por Enver Hoxha e shfrytëzoi luftën kundër nazi-fashizmit për t’i luftuar partitë konkurente dhe për të krijuar bazat e diktaturës së proletariatit. Ai shfrytëzoi këshillat e jugosllavëve dhe përdori stilin e Borgias dhe vuri në zbatim mësimet e Stalinit.

Aleatët perëndimorë kanë bërë një gabim shumë të rëndë duke i konsideruar “dytësore” veprimet e çetave komuniste. Në Shqipëri, sikurse në Jugosllavi, fitorja e komunistëve mund të shmangej. Këtu, sikurse edhe në vende të tjera kishte edhe lëvizje partizane jo-komuniste. Me një drejtim politik të përshtatshëm dhe ndihmë materiale si duhet, ata mund të shërbenin kundër gjermanëve më mirë se komunistët. Një nacionalist shqiptar u pat deklaruar më 1944 misionarëve ushtarakë anglezë: “Në Shqipëri ka tre parti, agjentë nazistë, agjentë komunistë dhe agjentë anglezë.

Gjithë kjo është krejt e natyrshme. Por nuk e kuptojmë përse agjentët komunistë po paguhen me ar anglez.”

Aleatët perëndimorë e lejuan Enver Hoxhën ta fitonte pushtetin, duke shkaktuar një varg pasojash në situatën evropiane edhe dhjetëra vjet më pas.

Karakteri i vërtetë i qeverisë së re shqiptare u duk me 5 ligjet që u shpallën me 15 dhjetor 1944. Ligji i parë e vente tërë industrinë dhe shoqëritë nën kontrollin e shtetit. Ligji i dytë ndalonte eksportimin e metaleve të çmueshme. Për kundravajtësit ishte parashikuar 30 vjet burg deri dënim me vdekje me konfiskim të të gjitha pasurive..Një ligj tjetër ishte kundra sabotatorëve të luftës dhe atyre që i strehonin dhe i fshihnin këta. Edhe për këta gjyqi ushtarak jepte 30 vjet burg ose vdekje. Ligji i katërt fliste për mobilizimin civil të “specialistëve”, shqiptarë e të huaj.

Mjekët, inxhinierët, gjeometrat, sipërmarrësit industrialë, dentistët, infermierët, farmacistët, agronomët, veterinerët etj mobilizoheshin në shërbim të qeverisë, të komandave ushtarake ose këshillave çlirimtare të prefekturave, për nevojat e rindërtimit prej luftës dhe ndërtimit. Ata që kundërshtonin konsideroheshin sabotatorë dhe dënoheshin me heqje të licensës, me burg 30 vjet ose me vdekje.

Ligji i pestë kishte të bënte me rekuizimin e materialeve të ndërtimit (çimento, hekur, gëlqere, gizë), vajra lubrifikantë, produkte farmaceutike, mjete transporti (kuaj, gomarë, biçikleta, motoçikleta, automobila dhe pjesë ndërrimi), ushqime (miell, drithëra, sheqer, yndyrë etj) dhe gjithçka tjetër që mund t’i nevojitej ushtrisë.

Praktikisht rekuizohej gjithçka. Brenda 15 ditësh pronarët shqiptarë e të huaj duhej të denonconin pranë organeve të pushtetit atë që dispononin dhe ta dorëzonin vullnetarisht.

Me 20 dhjetor ministri i ekonomisë Medar Shtylla urdhëroi emërimin e komisarëve dhe kontrollorëve shtetërorë pranë fabrikave industriale.

Ndihmesa e italanëve në rindërtim

Brenda një kohe të shkurtër, të gjitha vijat kryesore të komunikacionit u hapën për trafikun, po ashtu urat. Nga 3200 m ura, 2500 m u riparuan, falë duarve dhe mendjes së italianëve. Prandaj 55 teknikë italianë u dekoruan me Meritën e Punës. Në punë u aktivizuan edhe disa qindra ushtarë italianë në pritje për t’u riatdhesuar. Bedri Spahiu duke përuruar një urë pranë Tiranës deklaroi se “ne kemi luftuar fashizmin italian dhe jo popullin italian”.

Kosova e pushtuar nga titisët

Pas largimit të gjermanëve, Kosova u pushtua nga ushtria e Titos që ushtroi një terror të vërtetë atje. Lëvizja irredentiste shqiptare në Kosovë nën emrin “Besa Kombëtare” nën udhëheqjen e disa patriotëve si Ymer Berisha, Ejup Bunjaku, Haki Taha, Muharrem Bajraktari etj zhvilloi një rezistencë të fuqishme, por edhe u gjakos nga titistët. Prandaj Haki Taha më 1945 vrau në Prishtinë Miladin Popoviçin në zyrën e tij. Shumë nacionalistë u arrestuan, u pushkatuan në vend ose u përndoqën egërsisht. Në korrik 1945 Muharrem Bajraktari shkruante midis të tjerash: “Në fund të luftës, popujt e tërë botës fituan paqen, ndërsa kombi shqiptar, për fat të keq, po vuan nën një terror të pashembullt fitoren e komunistëve. Qeveria e Tiranës e emëruar nga Tito, është një shprehje e vullnetit pan-sllavist. Populli shqiptar është i privuar nga të drejtat e veta dhe po u nënshtrohet masakrave”.

Në spitalin e Korçës

Ditët e para të shërbimit në spitalin e Korçës i kalova duke vizituar ambulatorisht partizanë shqiptarë. Drejtor i spitalit ishte Koço Lubonja, ish mjek i brigadës 20. Ai zëvendësoi doktor Polenën që kish fituar shumë respekt në qytet. Shumë infermiere civile u zëvendësuan me vajza partizane pa asnjë përvojë në këtë fushë. Në qytet takoja kolegë italianë. Atë kohë u krijua në Korçë seksioni i Komitetit “Garibaldi” që mbronte interesat e italianëve, të cilin e kryesonte ish komisari i batalionit Gramshi, Alfredo d’Angelo. Por ky u arrestua disa javë më pas me akuza qesharake. Shkoja edhe në misionin katolik të qytetit, që drejtohej nga prifti Ernesto Cassinari. Nëpërmjet një nëpunësi të UNRRA-s që shpërndante ndihma, arrita të çoj më në fund një letër me lajme për veten në shtëpinë time në Itali.

Ndërkohë po përkeqësohej gjendja e bashkëkombësve të mi në Shqipëri. Sipas ligjit 38 të 1 shkurtit 1945 u anulua marrëveshja me Bankën Kombëtare të Shqipërisë, që u shndërrua në Bankë të Shtetit Shqiptar dhe që përthithi aktivin dhe pasivin e bankës italiane. Personeli italian u pushua pothuaj i tëri.

Në fund të dhjetorit 1944, arrestuan drejtorin administrativ të shoqërisë “Italstrada” Tommaso Leonardi të cilin një gjykatë ushtarake, pa i dhënë mundësi të mbrohej, e dënoi me pushkatim. Në çastin e vrasjes në maj 1945, nuk lejuan as shërbimin e priftit. Disa javë më pas arrestuan inxhinierët Andrea Tarasconin dhe Mario Catin që gjithashtu u pushkatuan, një natë më pas gjyqit dhe u varrosën diku afër Beratit. Kriminelët u morën teshat e shtrenjta, madje kufomave edhe dhëmbët e florinjtë.

Fat të ngjashëm patën inxhinier Simoncini, drejtues i një kantieri në Shijak, vëllezërit Giuseppe dhe Renato Fassina, Mario Grossi dhe Giovanni Cantelli, pronarë të parqeve të transportit.

Kjo situatë nxiti përpjekjet për një zgjidhje, për riatdhesimin e italianëve. Komiteti "Garibaldi" shpejtoi arritjen e një marrëveshje ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj italiane. Me 9 mars 1945, erdhi në Tiranë nënsekretari i Luftës Mario Palermo që nënshkroi me Hoxhën një marrëveshje për riatdhesimin e italianëve. Midis këtyre të fundit do ishin edhe treqind punonjës mjekësorë që hoqën të zitë e ullirit gjithë atë kohë terrori, përndjekjesh dhe dhune nga autoritetet shqiptare. Po ashtu njëzetëmijë ushtarë, që duhej të imbarkoheshin në anije në portet e Durrësit dhe Vlorës. Një grup të sëmurësh, grash dhe fëmijësh u transportuan me anë të ajrit.

Por rreth tetëqind italianë u mbajtën për të shërbyer ende në rindërtimin e vendity, duke punuar pa marrë frymë, me orë të zgjatura edhe ditët e festave, muaj të tërë.

Reforma agrare dhe lufta kundër analfabetizmit

Qeveria konfiskoi tokat e bejlerëve të mëdhenj Vërlaci, Biçaku, Vrioni, Vlora dhe Resuli. Këto toka do jua jepte menjëherë fshatarëve të varfër për t’i shfrytëzuar derisa të bëhej reforma agrare. U anuluan marrëveshjet e vjetra ndërmjet pronarëve dhe argatëve, borxhet e prapambetura. Ligji për reformën doli me 29 gusht 1945. Por toka e dhënë fshatarëve mbeti në pronësi të shtetit., pasi fshatari s’kishte të drejta ta shiste, ta blinte, t’ia jepte tjetër kujt për përdorim.

Ndërkohë qeveria u suall ashpër me kulakët, fshatarët e pasur që tentonin të ngatërronin punët e reformës, duke i quajtur sabotatorë. Dhjetë brigada partizane u muarën me “qetësimin” e situatës, lexo: asgjësimin fizik të 2000 kulakëve. Kuptohet me gjithë nxitjet e qeverisë për punë, rendimenti ra në shkallë ë tillë sa pllakosi uria, prandaj qeveria mori drithë nga Jugosllavia, rreth 25 000 tonë.

Problem tjetër ishte analfabetizmi, që përfshinte 80 % të popullsisë. Në gjithë vendin kishte atë kohë vetëm 643 shkolla fillore dhe 11 të mesme. Më 1946 numri u rrit përkatësisht në 1097. U ndërtuan 512 shkolla të reja “me kontribut vullnetar” nga populli. U përgatitën mësues me kurse të shpejta dhe me korrespondencë.

Kushtet e mësuesve ishin shumë të këqija. Mbaj mend një mësues në Korçë që vuante nga zemra, e detyronin të jepte mësim ditën në Korçë, pasdite në Drenovë dhe në mbrëmje në Boboshticë. Ankesave të mësuesve te ministri ky u kthehej duke i etiketuar si parazitë, simulantë, dembelë. Analfabetizmi u zhduk njëzetë vjet më pas.

Epidemia e tifos ezantemike

Një natë marsi sollën në spital një partizan të divizionit 5 që shërbente në brigjet e liqenit të Ohrit. Kishte ethe të forta dhe reflekse të shuara. Laboratori vërtetoi se ai kishte tifo petekiale. Kjo sëmundje kishte pas shpërthyer shumë kohë më parë në Mal të Zi, Jugosllavi ku kishte vepruar edhe divizioni 5. Pas rastit të parë, u shfaqën edhe shumë raste të tjera në partizanët shqiptarë dhe italianë. Mjeku shqiptar Gaqo Ballauri që u mor me këta të sëmurë u infektua vetë dhe vdiq në mes të prillit. Epidemia u përhap edhe në popullsinë e Korçës. Qeveria kërkoi ndihmë nga aleatët dhe nga jugosllavët. Këta të fundit dërguan disa reparte anti- tifo dhe mjetesh desinfektimi. Disa të rinj shqiptarë u stërvitën fillimisht për këtë punë.

Këshillatarët jugosllavë ngritën institucionet në Shqipëri

Jugosllavët ndikonin në Shtabin e Përgjithshëm të ushtrisë planet e tij operative, taktike dhe sillnin manualët ushtarakë. Një ekip i qeverisjes politike të ushtrisë jugosllave organizoi strukturat partiake në ushtrinë shqiptare. Nëpërmjet Vojo Srzentic jugosllavët organizuan administratën shtetërore, ministritë e ndryshme, financat dhe ekonominë dhe gjithë shërbimet shtetërore sipas modelit jugosllav.

Një ndihmë ata dhanë edhe në ngritjen e gjyqeve ushtarakë dhe civilë. Majori Tominsek u mor me këtë çështje duke sjellë eksperiencën e vet të marrë në gjyqet sovjetike, burgun e Ljubjankës dhe të tjerë moskovitë. Së fundi, jugosllavët ndihmuan në hartimin e kushtetutës dhe përgatitjen e zgjedhjeve.

Si rrjedhojë, qeveria e Hoxhës merrte çdo direktivë, instruksion, plan, program dhe manual nga qeveria jugosllave.

Isha dëshmitar kur në Korçë kaloi një kolonë prej katërqind “armiqsh të popullit” që shkonte të punonte për tharjen e kënetës së Maliqit. Ishin midis tyre ish anëtarë të partive nacionaliste si Balli Kombëtar, Legaliteti etj si dhe një grup ushtarësh gjermanë që nuk mundën të largoheshin dot nga Korça. 6000 vetë të tjerë ishin dërguar për ndërtimin e rrugës Kukës-Peshkopi në veri të vendit.

Përveç të dënuarve politikë, në këto lloj punësh qeveria dërgonte dhe mijëra të rinj si aksionistë.

Lufta ka mbaruar por jo për ne

Natën e 9 majit 1945 dëgjuam për përfundimin e luftës me Gjermaninë. Nga gëzimi u mblodha me dy miq italianë, Bellodin, Costën dhe Fischionin në shtëpinë e këtij të fundit. Shpresa për riatdhesim tani po na dukej më e realizueshme. Por kaloi një muaj dhe asgjë e re. Unë vijoja punën në spital, pa pushim. Një ditë shkova në zyrën e dr. Lubonjës dhe iu luta të më jepte ndonjë ditë leje të shkoja në Tiranë për t’u interesuar pse nuk shkonin letrat e mia në familje. E pashë se nuk i pëlqeu të më jepte leje. Unë këmbëngula dhe ai më në fund, më dha leje duke më paralajmëruar se mund të mos shihesha me sy të mirë. Nga kush? Këtë do ta mësoja shumë shpejt.

Në kryeqytet takova miq të tjerë italianë, profesor Lozzin, majorin Augi, Riccard Masnatën, Moffën, Eugenio Condorellin, Italo Vitin, Sempronin, Armenio Calirin, Domenico Caruson dhe Vincenzo Castiglionen. Biseduam për hallin tonë të përbashkët- rikthimin në atdhe. Takova disa autoritete midis të cilëve edhe drejtorin e shëndetësisë dr. Sherif Klosin që e pata njohur në mars 1944 pranë komandës së Sheperit dhe kolonel Beqir Ballukun, komandantin e brigadës së dytë. Ky ishte bërë zëvendës shef shtabi i përgjithshëm dhe qe mbuluar me yje e dekorata.. Me veshjen që mbante më dukej si portier i një hoteli luksoz në Perëndim.

Pyetjeve të mia të gjithë iu përgjigjeshin në mënyrë të përgjithshme. U ktheva në Korçë zemër thyer.

Për çudi, drejtori më thirri shpejt në zyrë dhe më komunikoi transferimin tim pranë spitalit të Beratit. Të nesërmen shkova në Berat ku takova kolegë të tjerë italianë. Me 20 korrik më kërkuan urgjent në Delvinë ku kishte rënë një epidemi malarie me shumë raste vdekje.

Shpresonim që misioni konsullor italian me Turcatin në krye që erdhi me 28 korrik do bënte diçka për ne. Marrëveshja e Hoxhës me Palermon na kishte lënë neve specialistëve në Shqipëri me punë të detyruar. Të paguar keq, pa mundësi lidhje me familjet me të cilat ishin ndarë shumë vite më parë, pa mundësi për t’u dërguar ndonjë ndihmë financiare. Sapo erdhi ai, u nisën për Itali 800 ushtarë italianë që i patën pezulluar në Vlorë dhe i kishin vënë në punë të detyruar.

Ishte tani radha e civilëve për t’u riatdhesuar. Por autoritetet nxorën qindra pengesa, siç ishin intervistat e shumta me përfaqësues të ministrive të ndryshme, me prokurorinë, drejtorinë e financës, policinë, shtabin madhor të ushtrisë. Ndonëse afatet ligjore ishin dhjetë ose 15 ditë, mjaftonte një gabim në njërën hallkë që çdo gjë të përsëritej nga e para.

Doli edhe një yçkël tjetër. Për specialistët e nevojshëm duhet të sillnin nga Italia një specialist me të njëjtin kualifikim për zëvendësim. Por duke dëgjuar se çfarë po ndodhte në Shqipëri cili italian vinte të punonte në Shqipëri? Kështu rreth një mijë italianë duhet të qëndronin ende në Shqipëri.

Sa i takon atyre italianëve që ishin në burg ose në hetuesi, ishte e vështirë t’i shpëtoje. Avokatët që kërkonin të respektoheshin afatet e gjykimit dhe paraburgimit, kërcënoheshin nga kryetarët e gjykatave me pasoja të pakëndshme për ta. Shumë avokatë u arrestuan dhe u dënuan. Ndërkohë vijuan arrestimet e italianëve të tjerë.

Një ligj i ri për tatimet e luftës 1939-1944 (nr 37 i 13 qershorit 1945) rëndoi fort edhe mbi sipërmarrësit italianë. Taksa ishte 15 % për bizneset më të vogla ose 100 000 franga dhe 80% për bizneset e mëdha ose 4 000 000 franga. Caktimi i llojit të biznesit ishte krejt arbitrar.

Psh vëllezërit Gambardella kishin një agjensi detare. Herën e parë u taksuan me 90 000 franga shqiptare. Njëri vëlla shkoi në Itali që të mbledhë paratë e kërkuara, ndërsa tjetri mbeti peng këtu. Shuma iu arkëtua misionit ushtarak shqiptar në Bari. Por këtë likuidim të shpejtë autoritetet e morën si një mundësi financiare te vëllezërve, prandaj i tatuan sërish me 2 200 000 franga duke e mbajtur ende peng njërin vëlla. Paratë nuk mund të paguheshin dot dhe vëllai mbeti nën arrest.

Zgjedhjet për asamblenë kushtetuese

Siç thashë, shkova në Delvinë ku brigada 15 ishte në gjendje të mjerueshme për shkak të malaries. Pranë Delvinës është Saranda një qytet piktoresk përballë ishullit të Korfuzit. Kur je atje, ke përshtypjen e lirisë, për shkak të afërsisë së tokës greke. Më 1945 mijëra shqiptarë e kanë kaluar detin me not për të ikur në Greqi. Por kur policia kufitare arrinte t’i kapte ata gjykata i dënonte jo si shkelës të kufirit por si agjentë monarko-fashistë grekë. Kjo ishte një mënyrë për të fshehur motivin e vërtetë të arratisjes.

Në jug të Sarandës, apo në rrafshinën e Palit ishte një kamp i punës së detyruar, të cilin e pashë me sytë e mi në fund të tetorit 1945. Duhet të ishin aty rreth tre mijë vetë. Kampi rrethohej me roje me mitraloza. Pas 12 orë pune njerëzit shtriheshin të flinin mbi ca dërrasa pa asnjë mbulojë. Shumë të burgosur vuanin nga skorbuti, uria, dizenteria dhe ezaurimenti i përgjithshëm.

Dua të nënvizoj se që nga viti 1945 kampet e punës do bëheshin një institucion shumë i rëndësishëm i regjimit të Hoxhës. Zbatimi i planeve pesëvjeçare do realizohej me punë prej skllavi të kundërshtarëve politikë të vërtetë ose të shpikur nga regjimi. Me sakrificat e qytetarëve të panumërt u thanë këneta dhe u bonifikuan toka, u hapën miniera dhe u ndërtuan shumë vepra industriale dhe banimi. Ky regjim para syve tanë po kryente po ato krime sikurse dikur në Auswitz, Buchenvald dhe Mauthausen. E pra këtë regjim e lavdëronin disa qarqe politike në botë.

Kryengritja komuniste në Shkodër

Me 12 nëntor më urdhëruan të transferohesha në Gjirokastër. Po atë ditë policia sekuestroi të gjitha mjetet e transportit dhe u vu re një lëvizje e pazakontë. Komisari na mblodhi dhe na njoftoi se “në Shkodër reaksionarët dhe banditët, armiq të popullit, kanë ngritur armët kundër qeverisë, por revolta e tyre është likuiduar brenda pak orësh”.

Ai vazhdoi se “likuidimi i krejt reaksionarëve është problemi ynë sot më i rëndësishëm”. Sikurse morëm vesh më vonë, njerëzit në Shkodër nuk e kishin duruar dot më shtypjen e komunistëve dhe kishin parapëlqyer më mirë një fund të tmerrshëm se sa një tmerr të pafund..

Në Gjirokastër takova miqtë e mi priftërinjtë bazilianë.

Drejtori i spitalit një farë dr. Vasili, gjysmë mjek dhe gjysmë politikan kishte një urrejtje për italianët. Ai denoncoi dy mjekë italianë Varanon dhe Vitin të cilët u arrestuan dhe u mbyllën në kështjellën e qytetit.

Në regjiment u njoha me komandantin Ferik Hado dhe instruktorët jugosllavë që kishin ardhë për të përgatitur kuadrot ushtarakë këtu. Qeveria jugosllave kishte sjellë furnizimet me armë, municione, veshmbathje dhe materiale të tjera të nevojshme.

Farsa e zgjedhjeve

Shtypi vendas, i tëri në anën e komunistëve, çdo ditë bënte propagandë për zgjedhjet që po afronin. Ato konsideroheshin shumë të rëndësishme. Por vetëm sovjetikët dhe satelitët e tyre e njohën qeverinë e Hoxhës. Jugosllavët dërguan në prill ambasadorin Velimir Stojniç, ish shefin e misionit ushtarak jugosllav. Vetëm në fund të 1945 katër fuqitë e mëdha e njohën qeverinë shqiptare, por me një rezervë: marrëdhëniet diplomatike do vendoseshin pasi të sqarohej gjendja në këtë vend.

Zgjedhjet u mbajtën me 2 dhjetor dhe qenë një farsë e vërtetë. Mori pjesë vetëm partia komuniste. Morën pjesë 542 000 votues. Për çdo 10 000 syresh do zgjidhej një deputet. Pothuaj të gjithë votuan për kandidatët komunistë. Madje kishte raste që ata votuan pro 110%! Pse kështu? Sepse quheshin të pavlefshme vetëm skedat e bardha, të pambushura, kurse ato që mbusheshin “gabim” shkonin në favor të kandidatit. Kështu ndodhi në një qendër në Gjirokastër, ku dolën dhjetë skeda të mbushura gabim.

Si rezultat 99.99% e votuesve ishin pro kandidatëve komunistë. Kjo nuk mund të mos sillte zhgënjim te aleatët perëndimorë të cilët nuk e ftuan Shqipërinë në konferencën për reparacionet gjermane. Jugosllavët dhe çekosllovakët ndanë nga pjesa e tyre diçka për Shqipërinë..

Pas zgjedhjeve u liruan dy mjekë italianë Varano dhe Viti që ishin arrestuar më parë. Ata më treguan se çfarë u kishte ndodhur. Një ditë prilli dy oficerë të policisë politike (Sigurimi) kishin shkuar në spital dhe kishin kërkuar dy mjekët. Kur këta ishin paraqitur oficerët ishin sjellur njerëzishëm, por i kishin ftuar ata në kështjellë, ku ishin zyrat e policisë. Aty i kishin kontrolluar dhe u kishin marrë gjithçka (para, orë etj). Pastaj i kishin mbyllur në një qeli, dy javë para se t’i pyesnin. Hetuesi i kishte pyetur veç e veç: emri, mbiemri, atësia etj. Jeta e mëparshme me imtësi, njerëzit që njihnin etj. Në hetuesi ishin thirrur shumë herë, ditën e natën, duke u akuzuar për veprimtari subversive dhe spiunazh. U akuzuan se kishin bashkëpunuar me kolaboracionistët etj. Gjithçka me sa duket bëhej për të krijuar kudo një frymë paniku dhe terrori.

Po afroheshin Krishtlindjet. Shkova e i takova priftërinjtë natën e 24 dhjetorit. Atje gjeta një farë Nesti Papajorgji, një i ri minoritar grek.

Pas Krishtlindjeve ndjeva se një hije dyshimi po hidhesh rreth meje në regjiment..Megjithatë shefi i financës më thirri në zyrë dhe më dorëzoi 250 000 lekë, pagën e dy viteve punë. Kjo shumë i shtohej disa napolonave ar dhe parave të fituara në Korçë dhe Delvinë. Po mendoja t’i dërgoja te familja ime në Itali. Prandaj i shkrova konsullit Turcato. Por ai s’pati kohë të më përgjigjej sepse me 21 janar atë e përzunë nga Shqipëria. Atë kohë arrestuan edhe Nesti Papajorgjin të cilin e mbyllën në kështjellë.

Komisari më thirri në zyrë dhe më pyeti se çfarë kisha bërë natën e Krishtlindjes. “Si ka mundësi një mjek si ju të mashtroheni nga disa djaj siç janë priftërinjtë- vërejti ai”. Pas kësaj shumë nëpunës dhe të njohur të tjerë të mi më kthyen krahët ose më qëndronin ftohtë.

Dëbimi i klerikëve italianë

Pasi u bë kryeministër në Itali zoti De Gasperi, qeveria shqiptare urdhëroi dëbimin e gjithë klerikëve italianë. Këta klerikë vepronin në Shqipëri prej shumë vjetësh. Vetë Krishtërimi ka hyrë këtu që në fillimet e tij. Kuvende dhe kisha paleokristiane i gjen kudo në vend. Të krishterët shqiptarë kundërshtuan të gjithë pushtuesit e huaj, përfshi këtu ata të fundit, otomanët. Në krye të tyre në shekullin XV ishte i famshmi Skënderbe, që kur po vdiste i porositi të afërmit të shkonin në Itali. Por shumica e atyre që nuk e lanë atdheun u konvertuan në myslimanë.Vetëm më 1815, kur Austria vuri në zotërim rajonin Lombardi-Venecie, në Shqipëri erdhi grupi i parë i misionarëve katolikë, që i përkiste Shoqërisë së Jezuit veneto-lombarde.

Pas jezuitëve në Shqipëri erdhën edhe urdhëra të tjerë, françeskanët, etërit e don Oriones, lazaristët dhe vinçestianët, Bazilianët, katolikët e ritit oriental. Klerikë të shquar vendas kanë qenë patër Anton Arapi, patër Gjergj Fishta, Patër Bernardin Palaj, Vincens Prenushi, Pjetër Gjura etj

Në atë kohë katolikët në Shqipëri numëronin 124 000 vetë duke përfaqësuar 11.27% të gjithë popullsisë. Kisha katolike dispononte dy arqiodeza të Durrësit dhe Shkodrës, tre dioqeza të Pulatit, Sapës dhe Lezhës, administratën apostolike për Shqipërinë e Jugut, 131 kisha. Gjithsej ishin 93 priftërinj shekullarë, 94 që u përkisnin urdhërave fetarë dhe 230 motra të kongregacioneve të ndryshme.

Tre muajt e parë të çlirimit vijoi një paqe e heshtur ndërmjet qeverisë dhe klerit. Qeveria e hiqte veten si mbrojtëse e të varfërve, sikurse edhe kleri. Ajo donte të fitonte një farë mbështetje dhe nga kleri, sa kohë e ndjente veten ende të paforcuar. Por ideologjikisht feja ishte një kundërshtare e komunistëve, që e konsideronin atë si pjesë përbërëse e rendit kapitalist. Madje komunistët ndeshën te feja një rezistencë më të madhe se sa e prisnin. Prandaj e konsideruan atë armikun numër një. Nisi një fushatë e pashembullt kundër klerit katolik që quhej “si vegël e Vatikanit dhe e imperializmit amerikan.”

Regjimi sajoi mijëra arsye, fakte vetëm për ta kompromentuar dhe luftuar klerin katolik në veçanti. Në prill 1945 u arrestuan katër priftërinj që u dënuan me vdekje për “veprimtari kundërrevolucionare”. Shumë të tjerë pësuan dhunë fizike. Me 24 maj komunistët i vunë zjarrin selisë apostolike. U mbyllën azilet e fëmijëve që mbaheshin nga motrat dhe shkollat fetare, ose mësuesit e tyre u zëvendësuan me mësues shtetërorë, ndërsa programet u ndryshuan në frymën marksiste leniniste.

Ofensiva komuniste vijoi me dënimin me vdekje të 11 priftërinjve të seminarit të Shkodrës, që u tha se mbahej me “pare të huaja”. Ata u shkuan në plumb me 4 mars 1946. Kufomat e tyre qëndruan tërë ditën ndanë një përroi në periferi të Shkodrës. Anëtarët e tjerë të seminarit u dënuan me nga 15-30 vjet.

Me 18 janar 1946 u dëbuan nga Shqipëria 82 priftërinj italianë. Policia u mori atyre gjithçka që kishin, i hipën në kamionë dhe i shoqëruan me roje për në Durrës deri në ndërtesën e arqidioqezës, nga ku kishin marrë të arrestuar Vinçenso Prenushin. Policia i trajtonte klerikët njësoj si të ishin kriminelë ordinerë. Priftërinjtë italianë duhej të prisnin atje 36 ditë para se të niseshin për Itali.

Vinçensio Prenushi u dënua me 30 vjet burg, vdiq në gusht 1952. Viktima të tjera qenë Françesk Gjini, Gjergj Volaj dhe Kisi. Tregojnë për Gjergj Volan se kur e ëma shkoi ta shohë para se ta pushkatonin, e luti atë që “të qajë jo për të birin , vuajtjet e tij, por për vuajtjet e kishës”.

Shtypi komunist shkruante pasi pushkatoheshin priftërinjtë se “ata kishin pohuar me gojën e tyre krimet e kryera si spiunë të Vatikanit dhe imperializmit”.

Egërsia e komunistëve shqiptarë i kaloi edhe ato që pësuan martirët e parë të krishterë.

Kryeprifti i katedrales së Tiranës dom Kurti dhe ai i Durrësit Jozef Bonati u pushkatuan pa asnjë proces.

Një prift ortodoks papa Pando nga Fieri u pushkatua si spiun e tradhëtar, sepse kishte kaluar në katolicizëm në vitin 1943. Papa Petro Isaku i misionit katolik të Korçës, qe emëruar prift në kolegjin grek të Romës, u dënua me burgim të përjetshëm. Dënime dhe përndjekje pësuan Agostin Spanu, Benardin Shllaku, Laka, Gurakuqi, Papa Josifi.

Papa Pandelejmonin e misionit katolik në Pogradec e masakruan në një pritë. E thirrën nga Fieri me një telegram fallso dhe e qëlluan kur po udhëtonte. Pastaj e copëtuan trupin e tij, e futën në një thes dhe ia dërguan Misionit. Copa më e madhe ishte koka. Në gojë komunistët i futën një biletë ku shkruhej “Përse bëhesh partizan i Papës”.

Shumë priftërinj të tjerë shqiptarë e kanë paguar me kokë besnikërinë e tyre ndaj Kishës.

Në vitin 1948 komunistët nxorën një dekret për krijimin e kishës skismatike shqiptare, me qëllim që ta shkëpusin atë nga ndikimi i Vatikanit dhe ta venë në shërbim të regjimit. Shllaku e disa priftërinj të tjerë u lanë të lirë me kusht që ta pranonin projektin e statutit të ri të kishës. Që atëherë pushuan përndjekjet ndaj kishës.

Ashpërsimi i terrorit kundër italianëve

Me 14 janar 1946 qeveria shqiptare e dëboi misionin konsullor dhe titullarin e saj Turcatin. Madje kur personeli i misionit po priste avionin në aeroport, këta u rrethuan nga ushtarë të armatosur, u kontrolluan valixhet nga ku ju morën gjithçka të çmueshme, si 280 000 lira që kishte pasur arka e misionit, 24 stërlina ari të porositura për një familje italiane nga një qytetar italian në Shqipëri. Me 27 janar një urdhër i ministrit të punëve publike bënte të mundur konfiskimin e të gjithave pasurive të italianëve, kundrejt një fature që s’mbante as firme as vulë zyrtare. Pas largimit të Turcatit rreth një mijë italianë të tjerë mundën të riatdhesohen, por sërish shumë mjekë mbetën ende këtu, “për nevoja të vendit”.

Më 1946 u mbajt plenumi V i KQ të Partisë. Aty sekretari organizativ Koçi Xoxe përjashtoi nga Byroja Politike Sejfulla Malëshovën, nën akuzën e politikës reaksionare në fushën e jashtme, sidomos atë ekonomike. Ky kërkonte që të përmirësoheshin marrëdhëniet me Perëndimin, për tolerancën ndaj klerit katolik, për ekonominë private, lënien të lirë të fushës së aksioneve, për kreditimin e biznesit etj.

Atë kohë u arrestua prof. Venanzio Lozzi, kirurgu i parë i spitalit të Tiranës, nëpunësit mjekësorë Semproni dhe Armeni, ingj Ludovik Patrassi, drejtor i kantierit të naftës në Kuçovë, , dr. Antonio di Marchis, asistent i prof. Lozzit, dr Rummo, mjek civil, ingj Gallo, ingj Agostione dhe industrialisti Masserini. Akuza e përbashkët ishte “veprimtari kundër regjimit” dhe “sabotazh”, etj.

Prof. Lozzi që kishte fituar emër të mirë në popullin e kryeqytetit e më gjere u akuzua për kontrabandë floriri. Në të vërtetë atë e kishin parë të vizitonte legatën amerikanë dhe arqidioqezën e Durrësit (pra e quanin “spiun”). E patën lënë të shkonte të vizitonte familjen në Itali, me kusht që të mos rrinte gjatë atje. Sapo u kthye këtu e arrestuan nën akuzën se “kishte çuar në Itali vlera dhe sende të çmueshme me ndihmën e të shoqes”. Sipas prokurorit, ai kishte futur në barkun e italianëve të operuar sende të çmueshme, si flori, bizhuteri etj. Por në mungesë të provave, atë megjithatë e dënuan me pushkatim.

Shumë italianë vuanin në burgje në kushte tmerrësisht të këqija.

Edhe unë bujtës i burgut politik

Mëngjesin e 10 prillit më thirri komisari. Pa më parë në sy, më dorëzoi një urdhër transferimi dhe një fletë udhëtimi. Destinacioni: spitali ushtarak i Tiranës. Më tha se duhej të nisesha menjëherë. Nuk më dha asnjë shpjegim tjetër. Pas një udhëtimi me një makinë të postës përgjatë më shumë se 150 km arrita në mbrëmje në kryeqytet.. Në hyrje të qytetit na ndalën në një postbllok ku na kontrolluan letërnjoftimet. Atëherë s’mund të qendroje as 24 orë diku pa u paraqitur në polici. Vijuam rrugën për në hotelin Continental. Ende s’kisha zbritur valixhen time kur m’u afruan dy ushtarakë, një kapiten dhe një rreshter të policisë ushtarake. Ende e kujtoj atë moment.

-Doktor, ju lutem të vini në komandë për të plotësuar disa formalitete. Ju shoqëroj unë. Makina na pret jashtë.

-Përse të vij në komandë kur mund të sqaroj që këtu- vërejta unë.

-Jo, s’është e mundur, kemi gjysmë ore që po ju presim për këtë. Lutem vishuni dhe na shoqëroni!- shtoi kapiteni prerë.

Dolëm nga hoteli dhe hipëm në një xhip amerikan që ishte parkuar para hoteli. Pas 10 minutash ndalëm para një ndërtesë njëkatëshe, me dritare me kangjella hekuri. Makina u fut në oborrin e saj. Nëpërmjet një korridori dolëm në një dhomë të madhe, ku qëndronte ulur pranë një tryeze drejtori i Sigurimit i Tiranës.

Më lanë vetëm për vetëm me të, ashtu në këmbë. Pasi më këqyri nga koka te këmbët, më tha:

Ke armë me vete?

Një polic ndërkohë më kontrolloi në trup dhe s’më gjeti gjë, përveç 250 000 lekëve dhe disa monedhave në flori (franga ari) që m’i kishin dhënë si rroga të prapambetura në Gjirokastër kohë më parë. Duke kujtuar se bëri një zbulim të madh, drejtori më pyeti:

-Nga i ke këto para? Mos t’i kanë dhënë priftërinjtë për punën tende prej spiuni?

–S’është e vërtetë,- iu gjegja unë.-I kam fituar me punën time. Mund të pyesni komandën e Gjirokastrës për këtë.

- E dimë ne nga t’i marrim informacionet- më ndërpreu ai.-Por nuk janë vetëm këto, ka gjera më të rëndësishme që duhet të na i sqarosh.

Pastaj ai dha disa porosi për një rreshter, i cili më çoi në një bodrum ku më mori orën, disa sende personale, rripin e pantallonave dhe më mbylli pas një porte me një dry të madh, duke më shtyrë e duke hënë: Futu brenda or kriminel fashist!

Që nga ai çast, pushova së qeni për ta një krijesë njerëzore Qelia më ngjau me një ferr: katër mure prej graniti, dysheme prej çimentoje, dritare me hekura. Asgjë tjetër. Nga dritarja dhe plasat e derës hynte të ftohtit. Ajri ishte plot lagështirë. Truri im nisi të punojë me shpejtësi. Përse u gjenda në këtë burg? Cilat prova ishin kundër meje? Nuk di sa kohë kaloi kështu derisa sa më zuri gjumi.

Të nesërmen hyri në qeli një oficer tjetër që më bëri po ato pyetje si dje. Më vonë e kuptova se policia politike në Shqipëri kishte krijuar një mbikëqyrje të shumëfishtë dhe koncentrike, sipas të cilës çdo roje ruhej vetë nga dikush tjetër e çdo kontrollor kontrollohej nga të tjerë, askujt nuk i besohej, mosbesimi ishte i ndërsjellë, gabimet të pamundura dhe regjimi i pathyeshëm.

Pas ca kohe një polic jevg trupmadh më solli pak bukë misri dhe një supë bizelesh pa yndyrë ku mezi gjeje ndonjë kokërr brenda. Ushqimi vinte dy herë në ditë. Një herë në tri ditë sillnin cigare.

Tërë natën dëgjoja ulërimat shtazarake që vinin nga ana tjetër e korridorit, për shkak ë torturave që kryheshin aty dhe që më mbushnin plot frikë.

Dalëngadalë nisa ta marr veten. Bëja ecejake në dhomë, qëlloja me pëllëmbë e grusht muret, vetëm e vetëm që të ndjeja rrjedhjen e gjakut në trupin tim. Hapat e të burgosurve, tingëllima e çelsave, zërat e rojeve, ishin ato që ndjeja ditë për ditë.

Më në fund, më morën në pyetje të rregullta.

–Emri, mbiemri, atësia, etj. Na trego për jetën tënde, që nga fëmijëria deri sot. Në radhë të parë duam të jesh i sinqertë, konkret, i saktë për veten tende.

Donin të dinin gjithçka: ç'kishte bërë im atë, ku banonte familja ime, si i kishte kushtet ekonomike, përse e zgjodha profesionin e mjekut, ku kisha studiuar etj.etj. Donin të dinin motivin e çdo veprimi timin. Vazhdoi kështu më shumë se tre orë.

-Mjaft, shoqërojeni për në qeli!- urdhëroi hetuesi.

-Më fal një çast zoti kapiten- ndërhyra unë- dua të di për çfarë akuzohem?

-Tani për tani s’mund të të them asgjë. Mund të shkosh.

Kapiteni doli jashtë nga dhoma pa më dëgjuar.

Më thirrën sërish në dy të natës. U përsëriten të njëjtat pyetje. Flisja me njerëzi, ngadalë. Më pyetën se çmendoja për luftën, për kryemnistrin De Gasperi.

-E urrej luftën, i thashë, De Gasperin nuk e njoh.

Hetuesi mbante shënime.

-Zoti kapiten –ngulmova sërish unë- për se ndodhem këtu? Kam dhjetë ditë që përpiqem ta marr vesh. Po më ikën truri!

-Po të ikën truri?! Truri po të ikën nga priftërinjtë dhe reaksionarët. Mund ta quani veten të vdekur, ata s’keni për t’i parë më kurrë. Fliste me duar e shenja, i eksituar. E kuptova akuzën: lidhje me priftërinjtë dhe reaksionin. Kjo do të thonte dënim me vdekje!

Hetimet vazhduan.

Të nesërmen, para se të haja mëngjes, më thirrën në hetuesi.

- Kemi të dhëna të sigurta që je spiun i priftërinjve. Në se nuk do ta rëndosh gjendjen ku je, duhet të flasësh saktë dhe hapur. Na trego emrat e shqiptarëve dhe të huajve që janë të lidhur me reaksionin. Po të dëgjoj.

- S'kam qenë spiun i askujt. Pra s’kam të tregoj ndonjë emër.

-Ashtu?! Nuk dini asgjë. Nuk njihni askënd?

Hetimet u përsëritën gjithnjë e më shpesh. Më merrnin në orën 17 00 dhe më mbanin mbi tre orë së pyeturi.. Me merrnin edhe në dy të natës, jo më pak se dy orë. Bëja të pamundurën për të rezistuar. E kuptova se hetuesit nuk donin të gjenin të vërtetën, por kërkonin të mblidhnin materiale për të më inkriminuar mua patjetër. Më kishin gjetur një fotografi që e mbaja në valixhen time, ku kisha dalë së bashku me patër Raffaele Muccno, që e kisha njohur në Korçë. Po ashtu edhe disa tesha me yje, dhe grada që i mbaja kur isha bashkuar me partizanët. Mezi ia mbusha mendjen hetuesit që nuk bëhej fjalë për emblemën fashiste. Më kërkonin të deklaroja përse isha futur në ushtrinë italiane e cila kishte bërë krime kundër popullit shqiptar. Më kërkonin të dëshmoja për krimet që kishte kryer divizioni im.

Kur më shoqëronin për në qeli më kalonin qëllimisht pranë disa të burgosurve të tjerë që i kishin rrahur paq me hu dhe i kishin bërë tërë gjak, që të kuptoja se i njëjti fat mund të më takonte edhe mua.

Pas dy javëve gjykatësi më bëri të njohur akuzën: spiunazh në favor të Vatikanit dhe lidhje me reaksionin e brendshëm. Për drejtësinë shqiptare çështja i pafajshëm apo fajtor nuk kishte rëndësi. Përkohësisht i pafajshëm do të thotë ende i pa-arrestuar, fajtor po qe se të kanë futur në burg..

Më kërkonin të tregoja emrat e bashkëpunëtorëve që për mua nuk ekzistonin. Më mbyllën në një qeli më të errët, me më shumë lagështirë, me dysheme të lagur, vetëm me bukë e ujë. Dy ditë e dy net kështu.

Simulimi i pushkatimit

Pasi nuk ia dolën edhe me këtë mënyrë, përdorën masën ekstreme: simulimin e pushkatimit. Më zgjuan në orën 2 të natës dhe më dërguan menjëherë të gjykatësi.

-Nuk do të flasësh, nuk do të tregosh veprimtarinë tënde armiqësore kundër pushtetit tonë? Kam këtu urdhërin për t’ju shkuar në plumb. E kuptove? Në çast! Kemi dëshmi që je spiun i Vatikanit. Lexoje!

Ndjeva të më lëvizë gjaku me shpejtësi.

-Jam i sigurt që këto dëshmi janë të pavërteta- kundërshtova.- Në se këta dëshmitarë ekzistojnë, përse nuk më ballafaqoni me ta?

-S’kemi më kohë për të diskutuar. Në se nuk m’i jep tani në çast emrat që të kërkojmë, do të kalosh para skuadrës së pushkatimit!

E shqyrtova në ato çaste gjendjen ku ndodhesha. Në këto çaste që mund të ishin të fundit në jetën time, truri nisi të punojë me një ritëm të përshpejtuar.

-Keni tri minuta koë për t‘u menduar- urdhëroi gjykatësi.

Kaluan tri minutat dhe unë nuk kisha çfarë ë tregoja.

- Atëherë mjaft- tha gjykatësi- do ta shikosh se nuk bëjmë shaka.

Në dhomë hynë disa ushtarë të armatosur. M’i lidhën duart dhe më nxorën jashtë në oborrin e burgut. Aty na priste një makinë. Bashkë me gjykatësin ishin edhe tre oficerë të tjerë. Makina u nis menjëherë. Ishte mbase ora 3 e natës, kur qyteti ishte i shkretë. Pas disa minutash u ndalëm para murit të varrezave. Zbritëm poshtë, përshkuam njëzetë hapa në këmbë, deri në rrëzë të murit. Më mbështetën me shpatulla pas muri. Ushtarët u rreshtuan para meje, rreth 15 m larg. Kaluan kështu disa minuta në heshtje varri. Në trurin tim kaloi vetëtimthi gjithçka që kisha dashur, gjithçka që duhej ta lija pas përgjithmonë. M’ kujtua rinia, ime shoqe, fëmijët e mi.

-Për herë të fundit, po të ftoj të flasësh. Mjafton të na thuash disa emra dhe gjithçka do të zgjidhet.

-Më vjen keq, por s’kam asnjë emër për të treguar, nuk i njoh emrat që doni ju. A nuk e keni kuptuar pas kaq shumë seancash në hetuesi që jam i pafajshëm?

Në këtë çast, erdhi ajo që s’e prisja, ndryshoi krejt skena. Gjykatësi m’u afrua, më kapi dorën dhe ma shtrëngoi duke thënë:

-Tash të besoj, por na u desh të sigurohemi deri në fund, se nuk kishe ndonjë gjë të rëndësishme për të na thënë!.

Komedia mbaroi. Na hipën sërish në makinë dhe na kthyen në burg. Gjykatësi më buzëqeshi miqësisht. Më kthyen në qeli ku më zuri një gjumë i qetë plot me shpresa.

Në mëngjes më thanë se mund të lirohesha shpejt, çështje orësh. Ndërkohë më dërguan të bëja dush të ngrohtë dhe më dhanë tesha të lara. Prisja me padurim të prekja lirinë.

Kalvari i mundimeve vazhdon

Por të nesërmen gjykatësi më thirri dhe më informo se eprorët e tij e kishin urdhëruar të më dërgonin në Gjirokastër ku policia vendore me njihte më mirë. Asgjë nuk bëhej dot pa miratimin e Sigurimit lart!

Dy policë më shoqëruan në një makinë burgu, mbushur plot me thasë me miell. Me sa duket një rrugë e dy punë, bashkë me mua do transportonin edhe ushqime për në rrethin e largët.

Në Gjirokastër makina u ndal para kishës, që ishte kthyer në burg. Që andej kishin hequr pothuaj gjithçka. Më priti një kapiten i policisë ushtarake, që e pata njohur në fund të luftës, Omer Osmani.

Ai më priti me një farë mirësjellje cinike.

-Mirë dita! Më vjen keq që të zotët e shtëpisë nuk janë. Si të gjithë spiunët i kemi dërguar në vendin e tyre.

Pastaj urdhëroi një roje:

- Fute në dhomën numër nëntë!

Në atë dhomë gjeta një mysafir tjetër. Ndenjëm bukur gjatë dhe asnjëri nuk niste të fliste. Ishte e qartë, kishim frikë se tradhtitë në qeli ishin diçka e zakonshme.

Pas disa ditësh më transferuan në një dhomë tjetër me 12 vetë. Siç e kuptova më vonë, këto transferime bëheshin në përputhje me një strategji policore, sipas shkencës së mësuar nga jugosllavët dhe sovjetikët. Aty na sollën këmbë e duar lidhur Nesti Papajorgjin, që e pata njohur në këtë kishë, kohë më parë. Tetë policë po e rrihnin duke e sharë: More dobiç, bir i priftërinjve, nip i Papës! Një ditë më pas e dërguan në burgun e kështjellës së Gjirokastrës. Pak e nga pak mësova nga shokët e dhomës historitë e tyre: arrestime arbitrare, tortura, dëshmi të rreme, dënime pa proces gjyqësor ose procese pa asnjë garanci mbrojtje. Shumë syresh ishin dënuar me vdekje, të tjerët me punë të detyruar.

Një natë, aty nga mesi i qershorit më thërret Osmani dhe kërkon t’i tregoj fill e për pe biografinë time. Në se komunizmi është një lloj feje, kjo çështja e biografisë është një nga ritet e tij.

-Për se keni folur me priftërinjtë e Misionit?

-Nuk e mbaj mend se çfarë kam diskutuar, por jam i sigurt se asgjë të keqe.

-A nuk u ke thënë se ne komunistët e kemi asgjësuar lirinë?

-Jo, jo nuk u kam thënë kështu.

Më zgjati një letër deklaratë nënshkruar nga dy informatorë që dëshmonin se unë i kisha thënë ato fjalë.

-Mos doni ta mohoni edhe këtë? E dimë mirë që je agjent i Vatikanit, je edhe spiun i anglezëve!

-Po fantazoni, më duket- i thashë unë. E kam takuar atë zotërinë anglez sepse ishte i sëmurë. Pasi e vizitova i dhashë një letër për familjen time në Itali, pasi do udhëtonte ato ditë. Nuk jam spiun. Kjo që thoni është çmenduri- vërejta unë.

-Si thatë, çmenduri? Ja ku e ke deklaratën e kamerierit të hotelit. Më mirë pranoje fajin dhe do marrësh një dënim më të vogël.

Vazhduan të më marrin në pyetje çdo natë. Sado që u përpoqa t’i bindja se jam i pafajshëm, ishte pa dobi. Më kërcënuan se do më rrihnin me hu. Më në fund, një natë më dhanë një letër ku duhet të firmosja për bisedat e bëra.

-Kjo që është shkruar këtu s’është e vërtetë –u thashë. Më ballafaqoni me dëshmitarët.

Natën tjetër ma sollën Nesti Papajorgjn. Atë e mbanin për krahësh dy policë, nga që ishte ligështuar pa masë nga torturat.

-A është e vërtetë që doktori ka marrë nga priftërinjtë libra që propagandojnë kundër qeverisë?

-Jo, s’e kam thënë këtë gjë. Kam thënë se ka marrë libra fetarë për lexim. Doktori s’ka bërë asgjë të keqe. Nuk mund të dëshmoj diçka që ai s’e ka bërë- vijoi Nesti edhe pse Osmani e goditi në qafë fort duke e kërcënuar.

Ditët që pasuan Osmani më mbante në zyrë duke më pyetur nga ora nëntë deri gjashtëmbëdhjetë duke shpresuar të nxirrte diçka. Me sa duket kështu e kishin urdhëruar eprorët në Tiranë. Shkoi në Tiranë dhe kur u kthye më tha: merre këtë letër, shkruaj çfarë të duash por veç me sinqeritet dhe firmos.

Pas disa ditësh, më transferuan në burgun e kështjellës. Kjo kishte qenë rindërtuar nga Ali Pasha i Tepelenës. Kishte disa korridore të gjata dhe labirinte si një kullë e Babilonit. Në dhomat që mund të mbanin 10 vetë kishin futur 30 vetë. Ajri ishte ndotur nga tymi duhanit, dhe frymët e njerëzve. Shumica e atyre që pashë aty dukeshin të sëmurë, të dobësuar, të shpërfytyruar nga ato që hiqnin çdo ditë. Ishte diçka e mirë që na nxirrnin gjysmë ore në ditë të thithnim ajrin e pastër në oborr. Isha mysafir në atë kështjellë deri më 12 gusht.

Nuk mund t’i përshkruaj dot të gjitha skenat e dhimbshme që përsëriteshin çdo ditë aty. Midis të burgosurve kishte ish anëtarë të partive balliste e të legalitetit, armike të komunistëve, të ashtuquajtur sabotatorë apo diversantë, kundërshtarë të kolektivizimit në bujqësi. Sollën edhe komunistë që akuzoheshin për ulje të syçeltësisë revolucionare, kishte edhe minoritarë grekë.

Farsat e gjyqeve komuniste

Javën e parë të gushtit na nxorën para gjyqit. Një natë para, njeri prej nesh e humbi arsyen e nisi të lehë si qen. Erdhën dhe e morën e më s’e pamë kurrë.

Gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura. Publik ishin ushtarakët dhe funksionarët e policisë ushtarake.

Thirrën në fillim një kriminel të luftës.

-E pranon fajin?

-Jo, nuk e pranoj!

-Nuk ka rëndësi, të gjitha provat flasin kundër teje.

-Por provat janë false dhe deponimet e mia janë nxjerrë me tortura.

-Qetësi, përgjigju vetëm kur të pyesim.

Më pas prokurori dha dënimin : me vdekje! Këtë e miratoi edhe gjykata.

Kështu brenda 15 minutave, gjykata dënoi me vdekje një njeri pa të drejtë apelimi.

Vijuan me një tjetër që e dënuan me punë të detyruar. Më erdhi radha mua.

 Akuzohesha për spiunazh dhe për lidhje me Vatikanin e propagandë reaksionare..

-I akuzuar, a ke për të thënë diçka përse akuzohesh?

Pasi e kuptova që vendimi për mua ishte marrë tashmë, thashë:

-Faleminderit që ma dhatë fjalën. Ky gjyq injoron elementët universalë dhe që nuk mund të të mos jenë në çdo proces. Asnjë dëshmitar nuk është pyetur, asnjë dëshmi e shkruar nuk na u paraqit, fjalët që u thanë nuk janë provuar, akuzat ngjajnë me trillime të fantazisë së dikujt. Kësaj i thoni gjyq ju? Nuk kam çfarë të them.

Më quajtën si njeri pa respekt për gjykatën, thanë se janë të bindur për fajësinë time dhe më dënuan me një vit punë të detyruar.

Komedia vazhdon

Pasi kisha bërë një vit tashmë në burg, erdhi urdhëri që të më lironin menjëherë.

Por nuk m’i kthyen sendet që m’i kishin marrë kur më arrestuan. Protestës sime nuk ia vunë veshin. Shkova në shtëpinë ku kisha bujtur më parë. E zonja e shtëpisë më shihte me frikë, si një burgaxhi. Rashë të flë menjëherë. Kur u zgjova, pata një befasi. Omar Osmani kishte ardhur të më bënte një vizitë. Me vete kishte sjellë disa paketa me ushqime, mish, proshutë, konserva, sallame, kuti me marmelatë dhe çokollata.

–Janë dhuratë për ty- më tha.-Duhet të hani që ta merrni veten.

Me sa duket, kështu e kishin instruktuar nga lart. Duhet të shërohesha sa më shpejt që të isha në gjendje të punoja. Pasi u largua kapiteni, pata një vizitë tjetër, nga një vajzë më pak se njëzetë vjeçe, e cila më ftoi në një mbrëmje argëtuese.

–Duhet të njohësh edhe anën e mirë të shqiptarëve- më sugjeroi aj.- Hajde të kërcesh këtë mbrëmje me ne. Harroji kujtimet e këqija!

Ndenja dy javë pa bërë asgjë. Autoritetet më kishin lënë një kohë për pushim dhe rilaksim. Gjithësesi policia ushtarake kujdesej për riedukimn tim. Më sillnin materiale propagandistike, ishin gati të më martonin edhe me një vajzë shqiptare! Më ftonin në shumë konferenca politike.

Perseri ne pune

Ditët e fundit të gushtit erdhi urdhëri të transferohesha në Tiranë, pranë brigadës së xhenjos. Aty mora vesh për pushkatimin e prof. Lozzi-t dhe për faktin që shumë italianë gjendeshin nëpër burgje. Komandant ishte një geg, ish luftëtar në Spanjë, martuar me një franceze. Zura vend në hotelin e oficerëve.

Gazetat flisnin atë kohë kundër Fuqive Perëndimore që nuk e kishin lejuar Shqipërinë të merrte pjesë në bisedimet për reparacionet e luftës të Italisë. Flitej për incidentet në kufirin shqiptaro-grek Më 15 maj bateritë detare të Shqipërisë kishin fundosur dy anije britanike në Kanalin e Otrantos dhe vijonin ndihmat ushtarake për partizanët grekë. Jugosllavët kishin nënshkruar një traktat miqësie dhe ushtarak me Shqipërinë që i detyronte ata ta mbronin vendin e vogël në rast agresioni nga Greqia. Po ashtu ishin nënshkruar shumë marrëveshje ekonomike e kulturore.

Në fillim të 1947 u ashpërsua lufta fraksioniste në gjirin e Partisë Komuniste midis grupit Hoxha-Spiru dhe filo-titistëve Xoxe-Pandi Kristo.

Gjatë atyre 14 muajve që kalova në Tiranë u njoha mirë me gjendjen politike të vendit. Regjimi mbështetej në tre shtylla: Partinë, policinë dhe ushtrinë. Socializmi i reklamuar nga komunistët si barazi midis qytetarëve, mohonte të gjitha të drejtat e individit. Ai ishte një diktaturë mbi proletariatin në vend që të ishte diktaturë e proletariatit. Baza e regjimit s’ishin punëtorët dhe fshatarët, por udhëheqësit e lartë të partisë, funksionarët e Sigurimi, aparatçikët e partisë dhe drejtuesit e ekonomisë. Ky bllok përbënte sistemin kockor të regjimit.

Për të bërë ndryshimet, regjimi u mbështet në dhunën. Policia dhe ushtria bënte atë që duhet të bënte koha për ta shoqërizuar popullin shqiptar. Puna e detyruar përfshiu shumë sektorë të industrisë. Qytetari i Shqipërisë së re jetonte për të prodhuar, qëllim kryesor ishte rritja e prodhimit. Nocioni i të drejtave të njeriut ishte jo juridik, por politik.

Policia politike sajonte gjithnjë komplote për të eliminuar udhëheqjen e vjetër dhe për të ndihmuar kupolën e partisë në luftën për pushtet. Njëzëshmëria e konsensusit popullor kishte zanafillë vetëm terrorin. Nuk e mbante regjimin e Hoxhës entuziazmi i popullit por mjetet e dhunës.

Populli duhej të bënte shumë sakrifica. Mijëra kulakë, pronarë të vegjël tokash u masakruan. Niveli i masave ishte tepër i ulët në krahasim me atë të funksionarëve të partisë dhe shtetit. Kështu rroga ishte 4000 lekë për një punëtor të pakualifikuar dhe 50 000 lek për funksionarët. Sa për krahasim një palë këpucë kushtonte 2000 lekë, ndërsa një orë 30000 lekë. Gjithandej kishte parulla, tabela emulacioni, mjete propagandistike. U ndërtuan disa apartamente për funksionarët dhe ushtarakët e lartë, përveç që ishin shpronësuar me mijëra pronarë shtëpish për të futur në to oficerët dhe nëpunësit e regjimit.

Dita e lirise po afrohej

Me 20 tetor 1947 brigada e xhenjos u transferua në Shkodër. Të gjitha materialet për urat, pasarelat etj, vinin nga Jugosllavia. Brigada merrte mjetet, instruksionet, manualet etj nga jugosllavët. Ky ishte haraçi që Hoxha u paguante jugosllavëve për ndihma. Në Korçë jugosllavët ndërtuan një fabrikë sheqeri, në Elbasan një fabrikë marmelate, në Tiranë një central telefonik automati. Por sipas Spirut, këto ndihma ishin të pakta dhe vendi po varfërohej.

Kundër tij u vu fraksioni i Koçi Xoxes, si rezultat Nako Spiru u detyrua të vriste veten në nëntor 1947. Pas kësaj, marrëdhëniet sovjeto-jugosllave nisën të keqësohen. Por ne janar 1948 Stalini ftoi Gjilasin në Moskë dhe tha:

-Jemi dakord që Jugosllavia ta gëlltisë Shqipërinë. Preferojmë më mirë proletarin Koçi se sa intelektualin Hoxha.

Nga ana tjetër, Stalini fshehtas inkurajonte Hoxhën kundër Xoxes dhe jugosllavëve. Kur Tito kërkoi të fuste dy divizione jugosllave në Shqipëri për të mbrojtur atë kundër agresionit të mundshëm grek, Stalini e denoncoi atë në Komintern.

Në mars 1948 Shtabi madhor i ushtrisë vendosi ndërtimin e një rruge automobilistike nga Berati drejt kufirit me Greqinë. Kjo bëhej për një ndeshje eventuale me Greqinë. Brigada jonë u transferua atje, në Vërtop.

Këtu m’u krijua mundësia për të shpëtuar përgjithmonë nga ky vend. Në fillim të qershorit, më sollën një oficer shqiptar i cili pretendonte se ishte i sëmurë, vetëm që të mos luftonte në frontin e jugut. Unë e kuptova që ai simulonte, megjithatë kërkova të shkonte për analiza në spitalin ushtarak në Tiranë. Kur u kthye që andej me analizat negative, ai, në inat e sipër, më qëlloi me pistoletë duke më goditur në këmbë. Ushtarët arritën ta çarmatosin dhe ta lidhin. Por unë isha plagosur keq. Me qenë se nuk mund të mjekohesha në Shqipëri, me urdhër të ministrit Haki Fejzo sipas sugjerimit të kolegëve italianë, më dërguan në Beograd. Pas disa ditësh, atje mësova për prishjen e marrëdhënieve ndërmjet Jugosllavisë e Shqipërise. Kominterni e akuzonte Titon për revizionizëm dhe si agjent të kapitalizmit botëror. Një oficer jugosllav që e kisha pranë krevatit më tha:

- Ne e formuam partinë komuniste shqiptare, i ndihmuam shqiptarët për ta rindërtuar vendin e tyre. Ja si na e shpërblyen ata.-dhe vazhdoi me të shara.

Më tregoi disa gazeta shqiptare ku Tito paraqitej si një qen që e tërhiqte me zinxhir daja Sam.

Rashë në lidhje me konsullin italian dhe, pas një muaji, u nisa për në Territorin e lirë të Triestes. Me 3 gusht mbërrita në shtëpi.

Shtatë vjet vazhdoi ekzili im, kur u nisa isha 28 vjeç, u ktheva 35 vjeç. Ndjeva në damarët e mi bashkë me gjakun, lodhjen e luftës, trysninë e kujtimeve për këto vite të hekurta, plot vuajtje dhe sakrifica, agoni, uri, terror, vuajtje , vuajtje , vuajtje,

Kohët e para s’isha në gjendje të tregoja çfarë kisha hequr. Por më vonë e ndjeva për detyrë që t’i përshkruaj këto vite që kalova këtu, duke bashkuar kujtimet e mia me ato të shumë shokëve të luftës dhe ekzilit dhe vuajtjes atje.

Perktheu nga italishtja Bardhyl Selimi


[1] Ky shkrim eshte botuar vite me pare ne gazeten "Panorama"

[2] Libri eshte botuar edhe ne shqip kohet e fundit



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: