Sabile Basha: Kuvendi i Prizrenit dhe vendimet e tij
| E Hene, 02.11.2015, 11:15 PM |

KUVENDI I PRIZRENIT DHE VENDIMIT E TIJ, 8-10 KORRIK 1945*

Nga Prof.dr. Sabile Keçmezi-Basha

sabile_basha@hotmail.com

Kosova e dërrmuar nga Pushteti i Administrimit ushtarak , do të arrij në Kuvendin e Prizrenit  që u mbajt, me 8-10 korrik 1945, në qytetin e Prizrenit. Ky kuvend, duhet theksuar se  nuk ishte as i pari, e, as i fundit i cili solli vendime, që Kosova të aneksohej nga Serbia e Jugosllavia. Aneksimi nga kjo njësi federale kishte filluar qysh më herët, ndërsa nga ky Kuvend, pushtetarët jugosllav kërkonin formalisht vetëm një “verdikt të popullit”

Në shkurt të vitit 1945, në KQ të Partisë Komuniste Jugosllave, u organizua një mbledhje, ku veç debateve tjera, u fol edhe për Kosovën dhe statusin e ardhshëm të saj. Nga e tërë kjo doli se zgjidhja më e mirë dhe më e drejtë ishte se, citoi “Kosova e Metohija  t’i bashkohen Shqipërisë, kurse Shqipëria  të hyjë në federatën jugosllave, por, meqenëse  rrethanat ndërkombëtare nuk ishin të favorshme  për një hap të tillë,  Kosova e Metohija duhet ti bashkohen Serbisë”. Kishte edhe aso propozime që Kosova ti takojë vetëm Malit të Zi, ngase kishin një “histori të ngjashme” dhe një mentalitet të përafërt me shqiptarët.

Në dokumentet e Kuvendit Antifashist të Çlirimit Kombëtar të Serbisë, që u mbajt me 7-9 prill të vitit 1945, në Beograd, thuhej se nga Kosova merrnin pjesë si mysafirë: Dushan Mugosha dhe Mehmet Hoxha, të cilët në seancë, kishin diskutuar dhe sipas dokumentit thuhej se kishin shprehur “dëshirën” në emër të popullit të Kosovës, që “Kosova të jetë nën Serbinë federale”.

Nga këto diskutime që u bënë në Beograd, mund të konkludohet se Kosova iu bashkua Serbisë në mënyrë arbitrare, në bazë të diskutimeve që u bënë nga dy mysafir, e dihej se në bazë të dokumenteve, se Kosova dhe populli i saj, asnjëherë nuk diskutoi, nuk u pyet dhe nuk votoi që ajo të ngeli në kuadrin e Serbisë federale.

Për të qenë “çdo gjë në rregull dhe e ligjshme”, Serbisë dhe Jugosllavisë iu nevojit edhe ana formale për të marrë “pëlqimin, e popullit në një Kuvend” sado formal që të jetë, meqë para opinionit të gjerë donte që ta justifikojë tradhtinë e menduar  me aq dinakëri.

Kjo gjendje e saj, u legjitimua më 10 korrik 1945, në Kuvendin, që në popull më tepër njihej si Kuvendi i Prizrenit. “Kuvendi i Prizrenit”, ishte një tubim i një trupi jo të zgjedhur nga populli, dhe në të morën pjesë 137 delegat dhe të ftuar të tjerë, nga të cilët vetëm 32 ishin shqiptar. Në të nuk kishin marrë pjesë përfaqësuesit e Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë dhe të aleatëve të tjerë të luftës, që do ishin garantë, se, pas përfundimit  të luftës, çështja e Kosovës do të zgjidhej  në bazë të dëshirës dhe vullnetit të lirë të popullsisë shumicë.

Siç dihej, në këtë tubim u miratua Rezoluta, që në një mënyrë mund të quhej dokumenti i parë zyrtar që legjitimoi aneksimin e saj nga Serbia.  Po citoi :“Kuvendi Popullor Krahinor i Kosovës dhe i Rrafshit të Dukagjinit deklaron, unanimisht, se popullsia e kësaj Krahine , si edhe të gjithë popujt e Jugosllavisë, nuk e kanë pranuar copëtimin e Krahinës së vet, që kanë bërë okupatorët, as copëtimin e Jugosllavisë, dhe shfaq dëshirën e tërë popullsisë së Krahinës, që kjo t’i bashkohet Serbisë Federale si pjesë përbërëse e saj...”.

Sipas të dhënave thuhej se, rreth rezolutës dhe përmbajtjes së saj nuk u hap ndonjë debat. Shumë pak delegat diskutuan në mbledhje. Ata, që ishin dhe shprehen pakënaqësinë dhe kundërshtimin e bashkimit me Serbin, më vonë, patën pasoja të mëdha. Ata, u përcollën nga organet e OZN-es, e më vonë të UDB-së,  u arrestuan, u dënuan me vite të shumta burgu. Bile, disa nga ata, edhe u likuiduan fizikisht.

Më 8-10 korrik 1945, Kosova edhe zyrtarisht do të aneksohej nga Serbia. Me aprovimin e Rezolutës nga Kuvendi Federativ, më 23 korrik 1945, dhe, nga ai serb, më 1 shtator 1945, çështja e Kosovës do të konsiderohej si çështje e mbyllur. Pavarësisht se gjatë Luftës, ishin marrë shumë vendime dhe ishin bërë shumë marrëveshje për vetëvendosjen sipas vullnetit të popullit, ato, më vonë, jo vetëm që nuk u respektuan, por në mënyrën më të vrazhdë u shkelën, dhe u quajtën vendime armiqësore.

Një zgjidhje e tillë e çështjes “me dëshirë të vetë popullsisë së Kosovës” ishte kundër logjikës së karakterit objektiv të strukturës kombëtare të Kosovës dhe të hapësirës së gjerë e, me vazhdimësi të shumicës etnike shqiptare në Ballkan. Kjo, jo vetëm që nuk mbyllte historikisht problemin e Kosovës dhe atë shqiptar, por e rihapte këtë çështje  në mënyrë virtuale në kontekst të ri historik. E tërë kjo që pasoi, ndikoi që forcat nacionaliste në Kosovë të reagojnë ashpër për vendimet që solli kuvendi në mënyrë arbitrare.

Aneksimi i Kosovës nga Serbia, do të shohim më vonë se, ishte vetëm një pjesë e padrejtësive që u bëhej shqiptarëve në Jugosllavinë komuniste. Sepse, çështja e Kosovës nuk ishte krejt çështja shqiptare. Padrejtësia që i bëhej popullit shqiptar në Jugosllavi, e rëndonte edhe më tepër copëtimi i trevave, në të cilat, shqiptarët ishin popullatë e vetme apo shumicë dërmuese në tri republika jugosllave: si në Republikën e Serbisë, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi. Kosova, jo vetëm që u shkëput nga trungu amë, por asaj iu shkoqën, jo, vetëm trevat e banuara kryekëput ose kryesisht me popullatën shqiptare në Maqedoninë Veri-Perëndimore dhe në Mal të Zi, por edhe Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, në të cilat shqiptarët ishin shumicë dërmuese.

Në mbarim të vitit 1945, menjëherë pas mbarimit të luftës, të gjitha problemet, që lidheshin me Kosovën dhe të ardhmen e saj, ato u shtruan dhe u tentuan të zgjidhen në kuadër të Jugosllavisë së Titos. Gjatë luftës, udhëheqësit e PKJ-së kishin premtuar, ishte folur e shkruar se pas saj ( luftës), do të respektohet Deklarata e Moskës, Karta e Atlantikut, Deklarata e Teheranit, Letra e Titos e botuar në gazetën “Proleter”, Rezoluta e Bujanit e, shumë dokumente të tjera me rëndësi historike.

Në Jugosllavi, në fund të luftës, deklarohej se kriteri kombëtar do të vihej në themel të ndarjes territoriale dhe administrative të vendit. Por, pas përfundimit të saj, këto kritere për pushtetin jugosllav, nuk ekzistonin, dhe si të tilla nuk u morën parasysh.

Aneksimi i Kosovës në Serbinë Federale shënon manovrimin më dinak sllavo-komunist, dhe fillimin e një tragjedie të re për shqiptarët këndej kufirit. Shqiptarët e Kosovës edhe për kundër sakrificave të mëdha që bënë në luftën antifashiste, nuk përfituan nga rasti në përmbushjen  e ëndrrës së tyre të çlirimit kombëtar. Ata, pas legalizimit  të ri-pushtimit  në Kuvendin e Prizrenit, u detyruan të ndiqnin një politikë më ndryshe dhe më të pranuar në kohë e hapësirë. Se, lufta për çlirim dhe për të ardhmen e tyre kombëtare nuk do të pushoi, natyrisht me forma të reja, të imponuar nga situatat e krijuara.

Ato forca nacionaliste dhe ata patriotë, që kishin luftuar gjatë tërë kohës për një Shqipëri etnike, pas kësaj që ndodhi, vendosën që në mënyrë të organizuar, legalisht, por edhe ilegalisht të luftojnë dhe të veprojnë për bashkimin e tokave shqiptare. Ata u detyruan që të kërkonin përkrahjen, mbështetjen dhe bashkëpunimin  e forcave demokratike në vendet perëndimore. Ilegalja shqiptare duke e parë se tokat shqiptare po rrëshqitnin në prehrin sllav, filluan organizimet për t’iu kundërvënë qëllimeve gllabëruese të tyre. U formuan shumë organizata patriotike shqiptare, e, që manifestoheshin  sidomos pas vitit 1944 dhe në fillim të vitit 1945. Në këto vite, nga populli i okupuar formohen organizatat më të fuqishme nacionaliste  siç ishin : Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare, Besa Kombëtare, Organizata nr. 2 dhe Këshilli i të Dymbëdhjetëve e disa të tjera më pak të njohura.

Pas aneksimit të Kosovës, për popullin shqiptar filloi një etapë e errët, një kalvar i vërtetë. Filluan përsëri masakrat masive mbi popullatën e pafajshme, dhe likuidoheshin patriotët dhe intelektualët e paktë. Në Drenicë, në Gjilan, në Ferizaj dhe në shumë vende të tjera të Kosovës bëhej gjenocid i vërtet. Fundja, të gjitha  masakrat, që ua bënë shqiptarëve, ishin të legalizuara nga organet shtetërore, që si bazë u shërbenin “Naçertania “ e Garashaninit, elaboratet e I. Andriqit, I . Vukotiqit, të Vasa Çubrilloviqit, të cilat vazhduan  të zbatohen me përpikëri si dhe projekte të tjera gjenocidale të mëvonshme.

Dhe krejt në fund, duhet theksuar se, viti 1945, tek populli shqiptarë do të kujtohet si viti më i përgjakshëm në historinë e Kosovës. Sepse, do të pushkatohen disa dhjetëra mijëra veta; shumë të tjerë do të zhdukën pa gjurmë; mbi 30 mijë do të futën në burgje dhe do të vendosën në kampe; qindra mijëra të tjerë do të marinë botën në sy, e shumë të tjerë do të vriten jashtë Kosovës . Të gjitha këto do të bëhen nën maskën e njëfarë “Vëllazërim-bashkimit” iluzor, dhe të tëra këto padrejtësi, krijuan tek shqiptarët pakënaqësi dhe nën këtë trysni të vazhdueshme në mënyrë të organizuar, populli shqiptar artikuloi qëllimet e kërkesat e veta parësore e supreme të cilat ishin: Çlirimin e Kosovës dhe bashkimin me shtetin amë- Shqipërinë.

*Kumtesë shkencore e lexuar në konferencën “Ripushtimi jugosllav i viseve shqiptare dhe Lufta e Drenicës 1944/45”, organizuar nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, 30 tetor 2015



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: