Vangjush Saro: Pozitë-Opozitë, fyellit në një vrimë
| E Enjte, 29.10.2015, 11:15 PM |

POZITË-OPOZITË, FYELLIT NË NJË VRIMË

Përndryshe: Raporti i Bankës Botërore, një shans më shumë për... sherr

NGA VANGJUSH SARO

Mënyra se si vazhdon të sillet opozita shqiptare, opozitat në tërësi, është e njëjta për gati një çerek shekulli. Le të kujtojmë se në deklaratat për shtyp të drejtuesve të opozitave të çdo kohe, gjithnjë ka qenë në krye të radhës zelli për të mohuar çdolloj arritjeje, çdolloj tentative për arritje, gjithçka të mirë, sadopak të mirë që mund të ketë krijuar pala në pushtet. Kjo është një histori e vjetër, e mërzitshme, tashmë e padurueshme, mund të themi një nga shfaqjet më të papranueshme të tranzicionit. Sjellje të tilla, naïve dhe abuzive njëherësh, flasin për prapambetje politike dhe qytetare, flasin për mosnjohje të rregullave elementare të një shoqërie pluraliste. Doemos, është e dukshme edhe mungesa e përvojës në një sistem demokracie, por përtej kësaj gjenden interesa dhe urrejtje të papërfytyrueshme. (Vështroni se ç’po ndodh me të ashtuquajturën “Laguna Blu”.) Ndërkaq, vetë pozita sillet sikur është në shfaqje, mburret, rreh gjoksin, kurse gabimet në qeverisje po trashen.

Këto ditë, është bërë publik raporti i përvitshëm i Bankës Botërore “Të bësh biznes 2016”, në të cilin analizohen prirje e dukuri ekonomike në shkallë botërore, por jepen të dhëna edhe për vende të veçanta. Duke analizuar raportin e Bankës Botërore, drejtues të Partisë Demokratike kanë nxituar të thonë në publik se ky Raport e ka vizatuar keq e më keq vendin dhe qeverinë që e drejton atë. Sipas opozitarëve të radhës, që japin të njëjtën shfaqje që jepte edhe Partia Socialiste kur ishte në opozitë, Raporti është më se i errët në pjesën e Shqipërisë. Madje sipas ligjëruesve të Partisë Demokratike, raporti “hodhi në kosh të plehrave shpenzimet e mijëra eurove të vizitës së kryeministrit”. (Ishte fjala për vizitën e Edi Ramës në Hong-Kong.) Mandej, sipas deputetit Florion Mima, investitorët (e huaj-V.S) “nuk marrin parasysh fjalimet e kreut të qeverisë, por shohin raportin e kësaj Banke”.

Vizatimi i opozitës, siç edhe pritet, vazhdon gri: “Korrupsioni skandaloz i shtrirë masivisht, klientelizmi dhe fakti që vetëm ndërtuesit e tij punojnë sot, rritja e taksave dhe, nga ana tjetër, kontrabanda e evazioni i stërmadh, represioni dhe dhuna ndaj biznesit që nuk është afër qeverisë, të gjitha këto kanë sjellë këtë rezultat dramatik”. Mima, që si ekspert duhej të ishte më i ekuilibruar, por ja që na qenka e pamundur, tha se ky është “Raporti më negativ që merr një qeveri shqiptare për ekonominë e vendit”. Kjo pasaportë e zezë për Shqipërinë është një pengesë serioze për ardhjen e investitorëve dhe për zhvillimin e ekonomisë. Vendi është në pikiatë, në rënie të lirë. Në rajon, sigurisht të fundit, ku dhe Kosova paraqitet më mirë, më atraktive për biznesin. Të fundit në botë për lejet e ndërtimit. Vendi është në krizë të thellë dhe kjo tashmë u konfirmua dhe nga raporti kryesor i Bankës Botërore.”

Qenkemi të fundit në botë edhe për lejet e ndërtimit (!) Çfarë nuk thurret kur politika është e mbrapshtë. Por megjithatë - “s’ka hak pa larë e borxh pa marrë” - mjafton të kthehemi pak kohë prapa dhe mund të gjejmë të njëjtat deklarata për shtyp, të njëjta komente për harxhimet jashtë shtetit, etj. Këtu ka dy çështje. E para, zbatimi i thënies tjetër popullore “Rri shtrembër, por folë drejt.” Ashtu siç kanë rrëmuar anët e errëta të këtij Raporti, ekspertët e nderuar të opozitës, mund të vinin në dukje, qoftë edhe shkarazi edhe ndonjë arritje, që gjithashtu Raporti e evidenton. Sipas këtij raporti, Shqipëria renditet e 97-ta në 189 ekonomitë e marra në studim, përsa i takon lehtësive të të bërit biznes, me dy reforma të reja që lehtësojnë bërjen e biznesit. Vendi ka humbur 67 pikë në miratimin e lejeve të ndërtimit, (për çka Ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj u shpreh se indikatori përkatës është përkeqësuar për shkak të vendimit për bllokimin e lejeve nga KKT.) Një vit më parë raporti i BB u shpreh se Shqipëria “ka bërë progres në reformat rregullatore të biznesit, duke u ngjitur në vendin e 68 ose me 40 vende më lart krahasuar me një vit më parë. Shqipëria ka kryer përmirësime në tri fusha të reformës rregullatore: hapja e biznesit, procedura e lejeve të ndërtimit dhe regjistrimi i pronave. Hapja e biznesit është bërë më e lehtë përmes uljes së tarifave të regjistrimit.” Etj.

Nuk e vlen të përgjohet çdo ulje-ngritje e “temperaturave”, për t’u hedhur në sulm verbërisht. Është tjetër gjë se ç’peshë mbajnë disa arritje në punën e qeverisë dhe në fatin e ekonomisë shqiptare. Bie fjala, regjistrimi i bizneseve është një “lehtësi”  e një “sukses” që ka filluar qysh në mandatin e shkuar, kur vendin e drejtonin opozitarët e sotëm. Ata e cilësonin këtë “arritje” si shumë të rëndësishme. Por në të vërtetë, ajo ishte dhe është një pesë me hiç. Kushdo që vendos të bëjë biznes, duhet të regjistrohet, të paguajë dhe deri këtu qeverisë i intereson fort kjo gjë; si për informacion (pa le ç’biznes po rritet në vend), por edhe thjesht për të vjelë sa më shumë para. Megjithatë, opozita mund të flasë edhe për hapa që duhen përshëndetur, sikundër ka bërë edhe Raporti. Nuk mund të kërkojmë prej opozitës të jetë më e “ndershme” nga ç’e lypin interesat e saj politike. Por dikur, edhe sistemi politik në Shqipëri duhet të vijë në një drejtpeshim e në një ekuilibër që t’i përqaset sadopak modeleve të Perëndimit. Ndryshe, ku ishim? Asgjëkundi. Çfarë bëmë? Asnjë gjë…

Për pa ndryshuar modelin, mënyrën e sjelljes, korrektësinë në qëmtimin e arritjeve dhe të metave të çdo qeverie apo enti kombëtar e lokal, për pa mësuar qytetarinë dhe rregullat elementare të shoqërisë pluraliste e demokratike, vështirë të shohim pak më shumë dritë në tunelin ku vendi ka hyrë prej një çerek shekulli.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: