Ndue Ukaj: Koha për një gjuhë të qartë
| E Merkure, 28.10.2015, 11:22 PM |

Koha për një gjuhë të qartë

Nga Ndue Ukaj

Përplasjet e pakënaqësitë përbrenda një shoqëri, siç dëftojnë sociologët, ndodhin për arsye të faktorëve politikë, kulturorë, ekonomikë e socialë. Këta faktorë, secili në mënyrën e vetë, kanë peshën e tyre mbi zhvillimet brenda një shoqëri. Përcaktojnë orientimet e saj, sikundër edhe ambiciet për transformim e reformim.

Te ne, këta faktorë, janë ngatërruar dhe s’dihet mbi ç’bazë ndodhin përplasjet e pakënaqësitë. Ndaj, me të drejt shtrohet pyetja: ku ndodhet shoqëria jonë?

Në një qark të mbyllur, pa shtegdalje, pohojnë me gjysmë zëri, ata që janë më skeptikë. Në rrugë për të sendërtuar aspiratën e kahmotëshme për kthim në Familjen Europiane, pohon pala tjetër. Drejt humnerës, pohojnë ata që duan ta përmbysin këtë rend.

E në fakt, realiteti- nëse shikohet vërtet në sy, është diku përtej këtyre kategorizimeve.

Përkundër përplasjeve e sfidave të shumta, me të cilat është ballafaquar vendi ynë tash e sa kohë, ne ende vazhdojmë të flasim me një gjuhë të paqartë për esencën e problemeve tona: të atyre të trashëguara dhe të rejave. Ne vazhdojmë të refuzojmë ta shohim realitetin në sy, dhe për pasojë, sajojmë gjithfarë teorish për problemet tona. Krijojmë probleme, kur ato janë fare të parëndësishme, dhe i fashitim, kur ato vërtet janë esenciale.

Përgjatë viteve të fundit, ne e kemi injoruar atë çka është esenciale për një shoqëri: pushtetin e gjuhës, dhe mundësitë e pakufishme që ka ajo për të formësuar të vërtetat politike, kulturore, ekonomike e sociale. Kemi injoruar mundësitë që ka ajo për të ndikuar te tjerët: te formimi i botëkuptimeve dhe bindjeve për çështje specifike të shoqërisë. Për pasojë, kemi trilluar autoritete të rreme, që bazohen te forca e ndëshkimit, musketarë e individë me të kaluara jo të mira.

Kjo qasje, ka ndihmuar që atmosfera shoqërore të kontaminohet nga gjuha johumane dhe e paqytetëruar; nga një gjuhë që shkelmon dhe njollosë. Kjo qasje mbizotëruese, ka bërë që nga diskursi publik të përjashtohet gjuhë që fisnikëron, ndërton e formëson.

Kur e përmendim pushtetin e fjalës, ne kuptojmë pushtetin e fjalës së shkruar, të mendimit të artikuluar, të politikës, të dijes e të kulturës, që përfaqësohet në media, libra e forma tjera të komunikimit publik.

Si rezultat i kësaj, shoqërisë sonë, viteve të fundit i ka munguar një kauzë që vihen në shërbim të interesit të përbashkët, si alternativë e mirë që rri kundruall së keqes. Një kauzë që promovon kulturën e interesave të përbashkëta dhe që është kundër fragmentimit të shoqërisë. Një kauzë që sforcon armët e humanizmit, përballë murtajës së gjuhës dhe pushtetit të saj helmuese, që përhapë urrejtje, ndarje e persekutim.

Për vite te tëra, kemi lejuar symbyllazi që politika të bëhet instrument i vetëm i formësimit të vërtetave tona. Dhe në këtë pikë, gjithë kemi pohuar me gojën plotë: politika i ka shtrirë duart në universitet, në institucionet e pavarura të dijes, të kulturës, në media- e ku jo tjetër. Kësisoj, e kemi klishetizuar mendimin për politikanët, duke krijuar jo rrallëherë mitologji për ta.

Ne, duke mos treguar kujdes ndaj pushtetit të gjuhës, këtë fuqi të epërme, e kemi lënë në mëshirën e gjithkujt: më së shumti të atyre që gjuhën e keqpërdorin. Ne kemi folur vjedhurazi për pushtetin që ka ajo mbi jetën e njeriut, por asnjëherë s’kemi llogaritur në fuqinë reale të saj. Ndonëse përvoja empirike ka dëshmuar se “gjuha është sa një mijë ushtri.” Dhe se pushteti i saj mundet të ndryshojë botën: për të mirë e për të keq. Njëkohësisht, të formësojë të vërteta e të rrënojë të vërteta.

Derisa përplasjet në shoqërinë tonë vazhdojnë, debati vazhdon të jetë i cektë e sipërfaqësor. I klishetizuar dhe barikaduar. Kjo për faktin se shoqërisë sonë i mungojnë autoritet që mund të qëndrojnë mbi palët që përplasen politikisht, principet e të cilave, ngjet më shumë të jenë personale, sesa kauza të qarta për t’i dhënë formë e përmbajtje tjetër lirisë së Kosovës. Dhe kështu, për të krijuar parakushte për një të nesërme më progresive.

Tanimë, raporti ynë më fjalën-pushtetin e gjuhës, vazhdon të jetë më i përçudnuar dhe më i trazuar se kurrë më parë. Ai shfaqet si një raport aporishe kundërshtish nga më të çuditshmet e më absurdet.

Shoqëria jonë e etur për diçka më ndryshe dhe për një gjuhë më të qartë, pyet e habitur: a ka fjala fuqi të mjaftueshme për ta ndryshuar botën tonë, për t’i dhënë asaj dimension më human, dhe për ta çuar vendin tonë kah lumturia e përsosmëria?

Si shoqëri e re në punët e demokracisë, ne, raportin me fjalën dhe konsekuencën e saj, ende s’e kemi stërvitur sa duhet. Ndaj, fjala, mbetet nyje nevralgjike e keqkuptimeve të shumta. Kjo bën që temat nacionale e ekzistenciale, të bëhen burim për keqkuptime të mëdha. Siç ngjet këto ditë me skenat qyqare në Parlamentin e Kosovës, ku forca e ndëshkimeve, i zë vendin gjuhës dhe argumenteve.

Se jemi shoqëri e brishtë dhe në ndërtim e sipër, kjo është çështje e ditur. Se kemi mungesë të ekuilibrave të qëndrueshëm; mungesë të përvojës e të dijes, po ashtu, është  çështje e ditur. Mu për këto arsye, që s’janë të vetme, krejt çka mund të nxjerrim nga kjo gjendje, është të kemi kujdes për pushtetin e gjuhës. Të mos e helmojmë edhe më tej shoqërinë tonë të rraskapitur.  Ajo nuk ka nevojë për gjuhë të tillë që prodhon tensione, shpall heronj e tradhtarë, sa çel e mbyll  sytë.

Është koha e fundit  që gjithë ata që merren apo pretendojnë të merren me çështje të shoqërisë, shtetit e të republikës, të flasin me një gjuhë të qartë.  Dhe të veprojnë kundrejt logjikës se fajësimit të tjerëve, sepse përvoja universale dëfton se kur prishet konsurciumi shpirtëror dhe gënjeshtra bëhet model shoqëror, “nuk janë aspak “ata” fajtorët për gjithçka, jemi vetë ne, vetëm ne” (Aleksandër Solzhenicini).

Këtë mësim duhet ta kuptojmë dhe njëkohësisht ta jetësojmë. Që të mos përsërisim gabime të njëjta. Që të mos shkojmë nga kriza në krizë. Që të mos pyesim vazhdimisht: a është kthyer humanizmi ynë prapa? Çfarë ngjet me njerëzinë? Me kauza të larta, me idealet e dikurshme?

Për të shpjeguar këtë kontekst, na vjen në ndihmë Umberto Eco, një nga mendjet më të shquara të kohës sonë, i cili, duke trajtuar plagët e bashkëkohësisë, betejën mes kujtesës dhe yshtjes pas imazheve e cektësisë, shkruan:"Fuqia e një etike matet me sjelljen e shenjtorëve dhe jo me sjelljen e të marrëve, "Zoti i të cilëve është barku."

Në fakt, shoqëria jonë e brishtë, mediat tona pa ndonjë traditë, institucione tona të paetabluara, duhet të promovojnë me ngulmë filozofinë që kërkon Eco: që fuqinë e etikës ta masim me etikën e shenjtorëve e jo me sjelljet e të marrëve. Vetëm kështu mund të sendërtojmë Republikën e Ndërgjegjes, për çka gjakon shoqëria jonë.

Pa mëdyshje, për gjitha këto mungesa që e karakterizojnë shoqërinë tonë, mund edhe të gjenden shfajësime. Mirëpo, askush s’na ndalë që tani e tutje të bëjmë hapin tjetër. Të fillojmë një rrugëtim e riorientim të ri të shoqërisë sonë. Nëpërmjet një gjuhe më humane. Duke besuar te mundësitë që ajo ka për të ndikuar në formësimin e një shoqërie me të mirë. Sepse e kemi detyrim moral, t’i kundërvihemi të keqes, jo për shkak të një agjende të fshehët, por për shkak të një kauze të mirë e të drejt.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: