Frank Shkreli: Shpirti human dhe dështimi i shtetit
| E Marte, 06.10.2015, 07:16 PM |

SHPIRTI HUMAN I NJË FRATI GJERMAN NË SHQIPËRI

DHE DËSHTIMI I SHTETIT

Nga Frank Shkreli

Media të ndryshme vizive dhe e shkruara në Shqipëri raportuan gjatë fund javës që kaloi një lajm, që për nga natyra dhe besueshmëria, ishte vështirë për të mos thënë e pamundur që të mos tërhiqte vëmendjen e lexuesit.  Ishte një lajm disi i jashtzakonshëm, sepse njoftohej për një prift gjerman, në të vërtetë për një frat të urdhërit të Shën Françeskut, i cili i shërben grigjës së tij në rrethin e Pukës duke u kujdesur për nevojat  shpirtërore të popullësisë së atyre anëve të varfëra e të izoluara të veriut, një zone kjo e shtypur për pothuaj 50-vjetë nga regjimi komunist dhe një krahinë e lënë pas dore dhe e harruar nga qeveritë e njëpasnjëshme post komuniste të 25 viteve të kaluara.

Fjala është për Fratin gjerman Andreas Walterman i cili siç duket, për të qenë sa më afër popullit që i shërben, ka mësuar dhe e flet shqipen rrjedhëshëm. Nuk besoj se frati gjerman kur erdhi në Shqipëri të kishte pasur në plan ndërtim rrugësh dhe urash. Por i dëshpëruar nga varfëria e skajshme dhe nga mos kokëçarja e shtetit për nevojat bazë dhe për sigurinë e qytetarëve të vet, sipas lajmeve, At Andreas bëri atë që nuk e kishte bërë shteti: ndërton rrugën dhe ngre urën në fshtatin Kavlina të Bashkisë së Pukës.

Banorët e zonës shprehën zemërimin e tyre mbi gjëndjen e përgjithshme në të cilën gjënden duke u shprehur për News 24 dhe duke u ankuar se "jetojnë si në mesjetë", të izoluar dhe të harruar.   Siç duket, ura e vjetër e fshatit mbi lumin Fan ishte aq e rrezikshme për fshatarët, sa që detyroi At Andrean të bënte diçka në lidhje me atë situatë.  At Andreas veproi, sipas News 24, pasi kërkesat dhe lutjet e vendasve ndaj organeve të shtetit shqiptar për ndërtimin e një ure të re kishin rënë vazhdimisht në veshë të shurdhët.  Megjithëse të mospërfillur dhe të zhgënjyer nga shteti, News 24 raportoi se -- falë ndërhyrjes së at Andreas -- ata tani kanë urën e re dhe nuk do të detyrohen më të kalojnë lumin mbi urën e vjetër në këmbë me të sëmurët apo të vdekurit mbi shpinë.  News 24 raporton se tashti banorët  e zones nuk do të detyrohen të rrezikojnë më jetën, pasi "falë kontributeve të At Andreas Walterman   fshati ka tashti rrugën automobilistike dhe urën e re." Media shqiptare ka përmendur edhe në të kaluarën kontributet dhe ndihmat e këtij frati gjerman për zonat më të izoluara të Shqipërisë së veriut të cilat në atë anë, janë të njohura tanimë.  "Ura e Kavlinës është gati", u shpreh shqip ditën e inaugurimit të saj, frati gjerman. "Gjithashtu rruga në fshat është e hapur.  Qoftë rruga, qoftë ura të jenë si një damar i jetës për ju dhe për zhvilimin e fshatit Kavlinës dhe për dobinë e të gjithëve", u tha të pranishëmve të zones, At Andrea.  Fshatarët nuk mund të përmbanin kënaqësinë dhe entuziazmin e tyre duke falenderuar At Andrean për këtë vepër të madhe për ta, ndërsa u shprehën se "më në fund edhe për ne tashti po shëndritë dielli".  Ky në të vërtetë ndërtimi i rrugës dhe i urës duhej të ishte një projekt i shtetit dhe jo i një frati nga Gjermania!

News 24 raportoi se falë përkujdesjes dhe kontributit të At Andreas, fshati Kavlinas nuk do të jetë më i braktisur siç ishte deri tashti, megjithë realitetin e hidhur historik të kësaj zone të shtypur dhe nepërkëmbur.  Banorët e këtij fshati nuk do tu u trembën më ujrave të rrëmbyeshëm të lumit Fan.  Kjo, jo, falë përkujdesjes dhe investimeve të shtetit, por siç raporton edhe  korrespondenti i News 24,  Armir Mehaj,  falë "kontributit dhe shpirtit human të atij (At Andreas) që të varfërit e këtyre anëve i do më shumë se ata për të cilët fatkeqët e Veriut votojnë prej 20 vitesh."

Ata për të cilët “Fatkeqët e Veriut votojnë prej 20-vtesh, janë bërë pjesë e një politike që nuk shikon as nuk e intereson gjë tjetër veç karriga, mbajta e karrigës me çdo kusht.  Politika, si industri kryesore në vend, është në dorë të një grupi, që Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry, para nja dy viteve në Munich të Gjermanisë,  i ka cilësuar si oligarkë, interesat e të cilëve i kanë zënë frymën shoqërisë dhe zhvillimit të saj ekonomik dhe demokratik dhe të cilët kanë helmuar dhe kanë korruptuar klasën politike dhe njëkohsisht edhe median për interes të tyre ekonomik dhe politik. Fatkeqsisht, siç ka thënë At Zef Pllumi, "Shqiptari ende se ka kuptue se politika ashtë shërbim dhe jo fitim".

Dishepujt e urdhërit të Shën Françeskut, ose siç u referohen në Malësi si "Fretnit e maleve tona'' -- shqiptarë dhe të huaj -- ata kanë një histori të gjatë në ato anë, në të vërtetë prej shekujsh -- përkujdesjeje shpirtërore, materiale dhe kulturore ndaj zonave të Malësisë së Veriut, të cilat janë më të varfërat në Shqipëri.  Akti human i fratit gjerman që flet shqip, është një pasqyrim i mirë i veprimtarisë  fetare dhe i traditës atdhetare i françeskanëve shqiptarë -- por edhe të huaj siç është At Andreas -- në ato vise të harruara.   Për të mira dhe për të këqia, françeskanët nuk u ndanë kurrë nga ai popull, madje as në periudhat më të vështira të historisë shqiptare. Ata vuajtën me ta, festuan me ta, vajtuan me ta, madje edhe luftuan krah për krah në mbrojtje të trojeve të veta me malësorët e varfër por krenarë -- që duket se janë përgjithmonë të lënë pas dore, pa marrë parasyshë regjimet dhe autoritetet qëndrore dhe vendore, përfshirë edhe periudhën post komuniste të 25 viteve fundit.

Ndërtimi i rrugës dhe i urës në Kavlinë të Pukës është me të vërtetë një akt human,për faktin se është realizuar me kontributin e një prifti gjerman të urdhërit françeskan, të cilin fati e ka sjellur në ato krahina të varfëra.    Por ama njëkohësisht, ndërtimi i urës në Kavlinë të Pukës me ndihmën e një frati gjerman, duhet të shikohet edhe si një dështim i shtetit, i autoriteteve politike të vendit, i përfaqsuesve të atyre krahinave -- detyra parimore e të cilëve është kujdesi, siguria dhe mirëqenja e shtetasve që ata përfaqësojnë.  As mos të flasim për vlerat  bazë universale dhe të drejtat e njeriut për popullin e këtyre krahinave të harruara -- për dinjitetin njerëzor, për lirinë dhe demokracinë -- të cilat të pakën në sipërfaqe duhet të sjellin njëfarë barazie në  zbatimin e ligjit. Të gjithë duhet të jenë të barabartë dhe të kenë të njëjtat të drejta para ligjit!  Por fhstarët e Kavlinës së Pukës,  janë të kënaqur me pak:  me një urë të re që as ëndërr nuk e kishin parë, siç u shpreh njëri prej tyre, pasi tashti nuk do të detyrohen të mbartin në shpinë të sëmurët dhe të vdekurit mbi urën e vjetër që rrezikonte jetën e tyre. Më në fund edhe për ta “po shëndrit dielli”, falë kontributit dhe punës së një dishepulli të Shën Françeskut!

Frati gjerman, At Andrea pret shiritin me rastin e inaugurimit të urës së re në Kavlinas, Pukë



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: