Mbahen ''Takimet e Gjeçovit 2015''
| E Diel, 04.10.2015, 01:13 PM |

Në Zym të Hasit, komuna e Prizrenit, ditën e shtunë, më 10 tetor 2015, duke filluar nga ora 11, mbahet edicioni i 44-të i manifestimit letrar, kulturor e shkencor "TAKIMET E GJEÇOVIT 2015". Manifestimin e organizon Shoqata e Shkrimtarëve “Shtjefën Gjeçovi” e Zymit në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe të Drejtoratit të Kulturës të komunës së Prizrenit.

Si zakonisht manifestimi përbëhet prej dy pjesëve qendrore: Tribuna që sivjet i kushtohet “VENDIT TË KOSOVËS NË UNESCO”. Për këtë çështje do të mbahen katër kumtesa nga kuadrot më përgjegjëse të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, të Shqipërisë dhe të UNESCO-s.

Në vazhdim do të hapen dy ekspozita: Njëra në temën “FOTOGRAFIA FAMILJARE” e studentëve të etnografisë të Universitetit publik “Hasan Prishtina” të Prishtinës, dhe ekspozita tjetër do të jetë e artistit dhe skulptorit Llesh Biba, nga Tirana, ku do të ekspozohen punime – drugdhendje me motive të ndryshme.

Ndërkaq, pjesa e dytë do të jetë “ORA LETRARE ANTON PASHKU”, në kuadër të së cilës së pari shënohet përvjetori i Pjetër Bogdanit (flet Prend Buzhala), e pastaj 15 poetë nga viset etnike shqiptare dhe diaspora do t’i deklamojnë poezitë e tyre.

Në kuadër të manifestimit letrar, kulturor e shkencor “Takime e Gjeçovit 2015”, sikurse edhe vjetëve të mëparshme, jepen edhe çmimet: “PLAKETA PJEËR BOGDANI”, “PLAKETA SHTJEFËN GJEÇOVI” dhe “PLAKETA ANTON PASHKU”, si dhe çmimi kryesor “UNAZA E KATIT” (Katarina Josipi).

Do përmendur se në kuadër të këtij evenimenti kulturor pritet që të përurohet edhe rruga Zym-Shëngjergj-Mulliri me Erë, asfaltimin e të cilës e kreu ditë më parë komuna e Prizrenit.

Në fund, para të pranishmëve do të shfaqet një program i begatë kulturo-artistik Ansambli etno-kulturor “KATARINA JOSIPI” e Zymit.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: