Elvi Sidheri: Pezë & Enver (si shurrë me liker)
| E Merkure, 16.09.2015, 09:21 PM |

Pezë & Enver (si shurrë me liker)

Nga Elvi Sidheri

Nuk vonoi që edhe këtë vit të na fanepsej sërish nga kujtesa historike e kohës së pushtimit italian “Konferenca e Pezës”, e cila meriton gjithësesi respektin e saj të plotë të rastit, ashtu si edhe vlerësimin e merituar historik; dhe ndërkohë bashkë me të gjitha përshpirtjet e rradhës për këtë eveniment të së kaluarës sonë (gjer në atë pikë; para tradhëtisë së madhe Tito-dashëse dhe antishqiptare të krerëve të PKSH-së pas kësaj konference) antifashiste-nacionalçlirimtare; doli sërish nga guva e gjirizit më të fëlliqur, fotoja e shokut Enver, shallet e kuqe të pir(dh)onjerëve të Enverit, portretet e panumërta të Enverit, e gjithçka tjetër lidhur me... Enverin.

Pyes veten ndërkaq, se si është e mundur vallë që duke njohur edhe faktin se për hir dhe nder (tani, kjo fjala tepër e fisme “nder” dhe emri i këtij (ç)njeriu, sikur nuk venë dot bashkë në të njëjtën fjali, po ec më, ç’t’i bëjmë!)... të shokut Enver, andej nga vitet 80-ë të shekullit të shkuar, në mes të Tiranës çoku ka pasur edhe një alamet muzeu faraonik (fundja, piramidë ishte edhe kjo e yna, njëlloj si ato të Egjiptit para ca mijë vitesh; skllevër të padronit gjakatar dhe shpirtnxirë ishim edhe ne, njëlloj si edhe egjiptasit e lashtë; regjim absolutist tiranik kishim edhe ne, që na e pinte gjakun ditë për ditë, për 45 vite me rradhë, njëlloj si edhe Egjipti i lashtë; kështu që ngjashmëritë i kemi të shumta pra); si nuk u kujtuan pra vallë, që të kishin ruajtur edhe ca brekë të përmjera të shokut Enver ishin që ishin?

T’i kishin ruajtur si “relika të shenjta”, ku të pelegrinohej në çdo datë Enveromane të kalendarit shqiptar, vit pas viti, loti pas loti, qurreje pas qurreje!

Nga ato që ky “trim mbi trimat” ( e leshit), ky që s’la mal e shkrepa të Shqipërisë pa i përgjakur me gjak shqiptarësh, më keq se ç’pati bërë turku, serbi e çdo armik tjetër i këtij populli, nga ato mbathje pra, që shoku në fjalë (se “zotëria” s’e quajmë dot, ngaqë parapëlqente të quhej “shok”, megjithëse në të vërtetë, ndihej dhe vepronte tamam si “Zot” i plotfuqishëm mbi popullin e tij të skamur dhe leqendisur në pikë të hallit prej sundimit të tij mizor)... me siguri i kish mbushur me “merde*”, sa herë që e pati zënë paranoja e rradhës lidhur me ndonjë zbarkim armik borgjezo-revizionist në brigjet tona të “Kështjellës së pamposhtur të komunizmës”, apo ndonjë grup armiqësor të brendshëm.

Dhe t’i kishin nxjerrë në mes të sheshit, e t’i ekspozonin në Pezë, aty ku më pas tërë të currufjasurit Enver-dashës, të dilnin e të fshinin solemnisht qurret me to (bashkë me lotët, sipas një pakete të suksesshme “merr një-paguaj dy”).

Herën tjetër, t'i themi sidoqoftë asaj Merkelkës apo ndonjë lideri tjetër perëndimor, që të kujtohet njëherë për një përkujtim shtetëror, me të gjitha nderimet e rastit, edhe për ato mitingjet "madhështore" të Hitlerit në Nyremberg andej nga agu i nazizmit në vitet 30 të shekullt të kaluar!

Ne vetë ndërkohë, do pranuar se ia kemi marrë dorën kësaj pune (Enver-mitizimit masiv, edhe 25 vite pas rënies së regjimit të themeluar prej tij; 30 vjet pas cofjes së kësaj kërrme mënxyrë-sjellëse), po aq ia kemi marrë në kthesë të gjithë ish të diktatoruarve të tjerë në ish kampin lindor, në anën e gabuar të Perdes së Hekurt, dhe s'na del më imazhi i xhaxhit, as nga trutë, as nga zemra, e as nga prapanica faktikisht, se na ka bërë përjetësisht kaps, dhe s'e zbrazim dot direkt e në vrimë të halesë, aty ku e ka përgjithmonë vendin ai, dhe tërë trashëgimia e lënë pas prej veprës së tij të përbindshme jetësore!

*Kakë, jashtëqitje



(Vota: 13 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: