Entela Binjaku: Stresi pas pushimeve, si ta luftojmë
| E Diel, 13.09.2015, 06:43 PM |

Stresi pas pushimeve, si ta luftojmë duke kombinuar forcat

Nga Anxhela Devole

Sociologia Entela Binjaku ju vjen në ndihmë me disa këshilla si ta kapërceni këtë situatë të detyrueshme, pas ditëve të bukura, pa imenjime.  Në vendin e punës, individi duhet të synojë një nivel optimal të motivimit

Pushimi nënkupton një segment kohe gjatë të cilit individi mund të kryejë njëkohësisht funksionin e të shplodhurit, të shijimit të qetësisë, të rigjallërimit të energjive mendore dhe fizike, të përmbushjes së nevojave për ushqim shpirtëror etj. Pushimi lidhet ngushtë me kohën e lirë, por Gëte thoshte se gjëja më e vështirë për njeriun është të organizojë kohën e lirë.

Rikthimi në punë pas pushimeve është në përgjithësi shumë stresues dhe pjesa më e madhe e individëve e kanë të vështirë të kapin ritmin normal të punës së përditshme pas kësaj shkëputjeje disa ditore. Derisa të kapni ritmin normal të punës, duhet pak kohë ndaj këshillohet që në ditën e parë të punës të merreni kryesisht me organizmin e agjendës suaj për ditët në vazhdim dhe kontrollimin e e-mail-eve apo punëve më kryesore që mund të keni. Sociologia, Entela Binjaku tregon pse përjetohet kjo gjendje gjithmonë pas pushimeve, sa alarmante dhe sa shpejt mund të parandalohet. Ajo, gjithashtu, ju vjen në ndihmë me disa këshilla si ta kapërceni sa më lehtë këtë periudhë për t’ju kthyer normalitetit të punës dhe jetës suaj të përditshme.

Sa i vështirë është rikthimi në punë pas pushimeve?

Rikthimi në punë lidhet me rikthimin në mjedisin e mëparshëm, ku individi duhet të kryejë funksionet në përmbushje të rolit që kryen, por  me një gjendje të atillë fizike, mendore dhe psiko-emocionale që kërkon një farë energjie për t’u riintegruar në po të njëjtin mjedis. Disa persona e përjetojnë pa vështirësi këtë rikthim, disa të tjerë jo edhe aq mirë.

Pse përjetohet kjo gjendje stresuese dhe sa alarmante është sa i përket anës psikologjike?

Mjedisi ku punon mund të krijojë edhe gjendje të pasigurisë, të çekuilibrit apo të mungesës së predispozitës personale për të punuar, e cila mund të shkaktojë edhe turbullime të theksuara. Në këtë rast, individit i duhet të motivohet për rigjetjen, ristabilizimin e ekuilibrit apo mënjanimin e tensionit të brendshëm.

Çfarë e shkakton ankthin dhe stresin?

Ankthi është ajo gjendje e brendshme e karakterizuar nga një ndjesi e paqetësisë, e pasigurisë, e turbulencës së shfaqur si fizikisht ashtu edhe psikologjikisht, në pritje të një rreziku të papërcaktuar në lidhje me të cilin individi ndjehet  i pasigurt në mund t’i bëjë ballë. Më shumë se kaq, ankthi është një lloj reagimi ndaj stresit. Studime të shumta kanë provuar se njeriu provon disa lloje stresesh si atë biologjik, psiqik, psiko-social, organizacional dhe socio-kulturor. Stresi vijon edhe pasi përfundon ndikimi i shkaktarit të tij;  ai nuk duhet evituar për aq kohë sa është karakteristikë  e qënies së gjallë, mungesa e plotë e të cilit sipas Selye është “ekuivalente me vdekjen”.

Si mund të shmanget stresi?

Kënaqësia nga puna dhe jeta, marrëdhëniet e pasura ndër-personale, dashuria e përmbushur, kënaqësia prej  raporteve seksuale sipas Kark Hecht e bën njeriun “rezistent ndaj stresit.”

Pas pushimeve, individët janë të çlodhur. Çfarë i bën të ndihen të lodhur? Ka të bëjë me anën psikologjike apo dembelizmin?

Më shumë mendoj se ka të bëjë me motivimin, pra me atë tërësi faktorësh që japin energji, që nxisin dhe orientojnë veprimet apo sjelljet e një individi. Shpesh herë mjedisi ku punohet nuk është motivues për individin, ose ai sheh që në hierarkinë e nevojave të tij, ato që lidhen me mjedisin ku punon nuk përmbushen. Kjo mund të ulë ritmin e punës, eficiencën, shfaqjen e rezultateve të mira etj. Në nivelin e kuptimit të zakonshëm kjo duket si lodhje ose dembelizëm.

Disa këshilla si mund të parandalohet/përballohet një stres i tillë?

Njerëzit janë të ndryshëm në rezistencën ndaj stresit. Tipat që karakterizohen nga një shkallë e lartë e konkurrencës janë më rezistentë ndaj tij sesa tipat e një  personaliteti të kundërt. Duke parë efektet që ka niveli i rritur i stresit apo i ankthit në paraqitjen e njeriut në vendin e punës janë përpunuar edhe shumë teknika që ndihmojnë kultivimin e mënyrave konstruktive që i bëjnë ballë. Këto lidhen me psikoterapi, me praninë e një këshilluesi karriere, me këshillimet e vazhdueshme tek psikologu etj.

Është vënë re se rritja e motivimit në vendin e punës mund të rrisë edhe gjendjen e ankthit tek individi; po ashtu edhe mungesa e motivimit mund të ulë si  nivelin e angazhimit ashtu edhe atë  të paraqitjes në punë, ndaj  individi në vendin e punës dhe organizata ku është pjesë duhet të synojë një nivel optimal të  motivimit. Kjo mund  të arrihet përmes  rritjes së cilësisë së mjedisit ku punohet,  përmes kombinimit të forcave pozitive dhe negative, të brendshme dhe të jashtme të të gjitha burimeve.


Shekulli.com.al

(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: