Vangjush Saro: Ikja e një prozatori të spikatur
| E Marte, 08.09.2015, 09:01 PM |

Ikja e një prozatori të spikatur

Shënime për jetën dhe krijimtarinë e shkrimtarit Petraq Zoto

Nga Vangjush Saro

Komuniteti i shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë humbi këto ditë një nga prozatorët e spikatur të letërsisë për të rritur dhe të asaj për fëmijë e të rinj, Petraq Zoton. Mes nesh, nuk është më autori i librave “Gjahu i së dielës”, “Verka” dhe “Burimi i drerit”, fituesi i çmimit “Pena e argjendtë” dhe i një sërë çmimeve të tjera kombëtare, një ndër njerëzit më të denjë të Shoqatës Mbarëshqiptare të Letërsisë për Fëmijë e Të rinj.

Petraq Zoto i takon brezit të shkrimtarëve që erdhën në vitet ‘60, pas një periudhe që kishte pak për të shënuar dhe gjatë së cilës letërsia shqiptare dhe lexuesit e saj ishin tejlodhur me patetizëm. Një ndër veprat e tij të para, romani “Verka”, shënoi risi në letërsinë shqiptare për fëmijë e të rinj; në atë roman, Verka vinte si një lajmëtare e krijimeve dhe jetëve të ardhme; një adoleshente, me gjithë botën e saj komplekse, do ta “trazonte” letërsinë për fëmijë e të rinj, që ashtu si e tërë letërsia shqiptare, vuante nga bërtitjet dhe njëlloj ngushtësie tematike. Libri tjetër me tregime, “Gjahu i së dielës”, solli mes lexuesve prozatorin që po mësonte ta vizatonte jetën thjesht por me art dhe që kishte filluar të kërkonte shtigjet e veta letrare, mitin e vet krijues.

Si prozator, Petraq Zoto eci në gjurmët e M. Kutelit, S. Spases, S. Andonit, por duke ndërtuar hap pas hapi, vepër pas vepre, individualitetin e tij krijues. Dhe ky individualitet ishte një pamje tjetër - këtë herë në letra e krijime - i një njeriu të butë, të shtruar, dashamirës. Proza më e mirë e Petraq Zotos është mishërim i një fryme kristiane dhe të mbushur me shpresë, fryt i një mentaliteti human, që i vlerëson dhe i do qëniet dhe botën, ashtu si ajo është, me të gjitha ngjyrat e saj, në një histori dhimbjeje të vazhdueshme dhe gëzimesh që Petraq Zoto dinte t’i vizatonte bukur.

Në vite, krijimtaria letrare e shkrimtarit Petraq Zoto u ngarkua me peshën dhe frymën e kohës, që pillte drama dhe episode të rënda e të vështira, por edhe detyrime tematike. Megjithatë, ai diti të jetojë dhe të krijojë si një shkrimtar profesionist, si një vëzhgues i hollë dhe në dinamikë i jetës njerëzore, i fateve njerëzore, në fshat, në qytet, në pamje të ndryshme të historisë - si ajo e Luftës së Dytë Botërore dhe mandej rindërtimi dhe ndërtimi i një vendi që përtypte vazhdimisht dhimbje e ideologji - për të arritur disa kulme të prozës së vet në dhjetëvjeçarët e fundit, gjatë të cilëve krejt letërsia shqiptare u pasurua, për të mos thënë u ribë. (“Vetja tjetër” “Enigma e një ftese” “Burimi i drerit”)

Pjesa më e mirë e prozës së shkrimtarit Petraq Zoto është një pasqyrë e jetës njerëzore pa zbukurime. Thjeshtësia ishte një nga tiparet e tij njerëzore dhe profesionale, ndërkohë që gjithnjë e gjithnjë kërkonte, në tematikë, në gjuhë, në mënyrën e rrëfimit. Në romanin “Vetja tjetër” dhe në përmbledhjen me tregime “Enigma e një ftese”, Petraq Zoto vjen me një pjekuri të dukshme profesionale dhe me një gjuhë më të pasur e mjete letrare që e bëjnë prozën e tij më të ndjerë dhe më të afërt për lexuesin. Shkrimtari i ndërtonte krijimet e veta mbi episode bindëse dhe jetësore.

Sidomos në letërsinë për fëmijë e të rinj, subjektet dhe prurjet e tij janë dhe do të mbeten të veçanta. (“Mësuesi i parë”, “Kali fluturues”, etj.) Një prurje letrare me shumë interes, pamë në romanin e tij për fëmijë e të rinj “Burimi i drerit”, ku shkrimtari tregoi me mjete artistike se si deformohet, zhbëhet dhe pastaj kërkon forma të tjera pohimi jeta e përditshme e qënieve njerëzore. Shndërrimi në pamje e në shpirt, ikja nga fragmenti i rëndomtë, më në fund hedhja e gjithë kësaj përpëlitjeje në letërsi, vjen si një qasje mjeshtërore ndaj kërkimit. Siç thotë me të drejtë edhe publicisti dhe kritiku Ilir Yzeiri, romanet e tij, sidomos “Kali fluturues”, “Bishti i dhelprës”, “Burimi i drerit” apo “Genta” rrëfejnë botën e njerëzve të dashuruar me natyrën dhe në konflikt me pasionin.

Petraq Zoto ishte një klasik, ndoshta edhe pak konservator në të shkruar. Ai nuk shkonte pas manierave, ai rrëfente ngadalë e shtruar dhe asnjëherë nuk pëlqeu një ritëm fals apo skema letrare të “kamufluara”; ai ndiqte tragën e vështirë të prozatorit epik, por që heraherës aplikon thyerje në stil dhe në rrëfim. (“Burimi i drerit” “Vetja tjetër”) Humanizmi dhe besimi për jetën, kërkimi i së vërtetës, mbështetja në natyrë, mandej gjuha e thjeshtë dhe mjetet artistike tepër bindëse, karakterizojnë gjithë krijimtarinë e tij, nga librat e hershëm tek ata më të fundit. Mendoj dhe besoj që pjesa më e mirë e prozës së Petraq Zotos duhet të jetë në fokusin e institucioneve profesionale, të kritikës letrare dhe të antologjistëve, sa edhe në tekstet shkollore, si një vlerë dhe pasuri letrare mbarëkombëtare.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: