Berisha: Malli dhe dashuria mishërohen përjetshëm
| E Diel, 06.09.2015, 02:14 PM |

Analizë libri

Sejdi BERISHA:

KUR MALLI DHE LUMTURIA MISHËROHEN PËRJETSHËM

(Sherif Bllaca: “Malli i lumturisë”, poezi-Pejë 2015)

Dhembja, pothuaj se në të gjitha kohërat, në të gjitha situatat, por edhe pa dallim moshe, është pjesë e pandarë e jetës së njeriut. Këtë, më së shumti e hasim dhe e ndjejmë tek poezia, e cila gjë, edhe më shumë merr peshë kur njeriu e ka fatin dhe gjendet në kurbet. Andaj, shumë poetë, dot nuk mund ta kalojnë këtë problematikë dhe çështje shpirtërore, e cila, edhe pse duket e paemër, ajo rëndë godet. Këtë e hasim që në fillim të librit, “Malli i lumturisë” të shtruar në tri tërësi ciklike, “Loti sërish m’i lagë faqet,”, “Mall dhe kujtime” dhe “Atje ku më priste Nëna” të Sherif Bllacës, i cili, edhe pse bukur në moshë, ka vendosur të mos pushojë me vargjet dhe poezitë e tij që i shërbejnë edhe si prehje e qetësi shpirti.

_________

Mallin dhe hidhërimin që poeti i kthen në këngë dhe në ngushëllim shpirti

Dhe, pikërisht kjo nismë me poezinë “Sa shumë tronditë”, autori e bën për vete lexuesin që bashkërisht të rrugëtojnë nëpër peshën e dhembjes, e cila sikur asnjëherë nuk ka mëshirë, por që, tërë atë hidhërim të njeriut nganjëherë e shpeshherë e kthen në këngë dhe në ngushëllim shpirti. Autori i këtij libri është i mbushur përplot “mllef” për fatin e tij dhe të të tjerëve prej mërgimtari, dhe pikërisht për këtë arsye e ka shkrumb që gjithnjë të këndojë për atdheun dhe për vendlindjen por edhe për njerëzit e vendit të vet. Kështu, ai, çdo gjë të tokës së vet e madhështon dhe e shenjtëron, siç është rasti tek poezia kushtuar Alpeve Shqiptare, që i konsideron si kurorë historie, të cilat, si thotë, luginave dhe fushave u japin krahë bukurie: “O, bjeshkët e thepisura/Të zemrës sime”.

Krahas kësaj, ai, mallin dhe lumturinë i mishëron me dashurinë ndaj nënës, e cila është nisma dhe mbarimi i moshës jo vetëm rinore të poetit, gjë të cilën shprrallueshëm e shtron dhe e këndon në poezinë “Oj, nënëlokja ime”: “Sa kujtim i trishtë/Moj nëna ime/Tashmë një vit ikje e turfulltë/Shkrumb që mbeti idhëshëm/Dritë e pa fikur duke ecur/Por edhe pikturë e gozhduar/Në retinën e syrit tim qull/Të fundit fjalë të saj...”!

Megjithëkëtë, poeti nuk kënaqet dot pa ligjëruar fundin e fundit të thelbit të ndjenjës, pa e thënë dhe pa e nxjerrë dufin e rrallë, i cili, kur përjetohet fjala dhe poezia, shpërthen pa kontroll: “...Moj dorëbutë/Me plot ndjenja e ledhatime/Mbete shikim i përjetshëm/E unë dritare e hapur e pritjeve”! Andaj, përmes kësaj, mund të kuptohet se në këtë libër, çdo gjë shprehet e përcjellët me peshën e sinqeritetit dhe të dëlirësisë shpirtërore, duke përshkruar ambiente e duke kënduar nëpër ditët më të bukura të stinëve që ndodhin dhe shërbejnë si stoli vetëm në vendlindjen dhe për vendlindjen e për atdheun e poetit, që sot gjenden larg tij, dhe ai larg tyre.

Në këtë largësi, ai e përqafon edhe mesazhin e poetëve të tjerë të kohërave më të hershme, të cilët pikërisht duke vuajtur për atdheun, kanë shfryrë mall përmes dallëndysheve, si zogun më të dashur shtegtarë:”...Dallëndyshet kthehen/Ndërtojnë foletë e tyre/Në dashuri  e harmoni jetën kalojnë”. Dhe, këtë, menjëherë e ndërlidhë me qytetin e Pejës, ku ka kaluar një pjesë më të madhe dhe më karakteristike të jetës: “Moj e bukura ime/Je më e mira në botë/... Pejë, mori/I verbët është ai/Që nuk të adhuron/Çdoherë je më e madhe/Lirë frymon”!

Duke i përjetësuar në vargje të gjitha pjesët e këtij qyteti legjendar, kuvendon edhe për një nga lulishtet më të bukura dhe më me peshë historie, për parkun Karagaç:“Karagaçi  i bukur/Kujtimet na i kthen/Por edhe mallin na rëndon/Sa i ëmbël dhe i dashur je/Historinë e ke në zemër”.

Shih. Ky vargu i fundit provokon për të menduar se autorin, krahas të gjitha ndijimeve shpirtërore dhe mallit që ka, e grishë edhe historia jo vetëm e Pejës dhe e Kosovës, por e të gjitha trojeve shqiptare.

Mirëpo, nganjëherë, për t’u relaksuar, apo pa dashas kalon në fushën e një sfere tjetër që është pjesë e pandarë e jetës së çdo njeriut, e ajo është idilika e poetit, e cila ende është e freskët dhe gjithnjë e pa përgjumur e rrjedhës së moshës dhe të viteve: “...Hëna natën kur ndriçon/Buzët tona i bashkon/Prore je flakë dashurie/Kur mëngjesi agon/Zemrat tona së bashku i takon/Bashkë me yjet i bashkon”!

Një kapitull i veçantë i këtij libri, është ai i cili nga malli poetin e ka detyruar që të evokojë kujtime për traditat kombëtare. Këtë e vërejmë në disa poezi e sidomos te poezia “Mikpritja dhe tradita”, “Të shkojmë me kohën”, “Vizitë nëpër qytete si pelegrin” etj.

Ndërkaq, në kapitullin, “Mall dhe kujtime”, autori shëtitë dhe bën “ditar” jete duke kënduar për bjeshkët, për natyrën dhe për bukuritë e ujëvarave: “...Atë shushurimë magjepse/Kënaqesha duke e dëgjuar/Çfarë akordimi i valëve të jetës”!

Kurbeti plagë e pashëruar dhe shkaktar për ta mundur nganjëherë mendjen, edhe pse, jeta të gjitha i ka në sirtarin e vetë përcëllues

Në vazhdim, autorin e takojmë të “lidhur e përthurur” me vargje edhe në aeroporte e vende të tjera, të cilat kushtimisht ia rëndojnë kujtimet, por ia shtojnë edhe dhembjet që ia shkakton mërgimi: Kështu, poezia, “Takimi pas pesëmbëdhjetë vjetësh (Në aeroportin e një prej qyteteve të Suedisë) dhe poezitë, “Vetëm valixhet më mbeten në dorë” dhe “Në aeroportin Adem Jashari”, janë pasqyra më me dritë të thekshme për “sikletin” që e bartë në zemër e shpirt, poeti: “Prapë aeroport/Shikoj ishte plotë e përplot/Me njerëz që udhëtojnë”. Vargje të thjeshta, por të ngrohta dhe me plotë domethënie!

Krahas të gjitha këtyre që i theksova, në poezinë e thjeshtë por me shumë

zjarrmi të Sherif Bllacës, nganjëherë e hasim edhe dozën e dëshpërimit, e cila duket si një brejtës që padiktueshëm harxhon çdo gjë, ia çrregullon edhe frymën, ia shëmton dëshirat: “Rrugëve monotone/Të gjata pa fund/Loti më shoqëron/Rrugët heshtin/E unë kafshoj vetminë/Lotët e mi i shkeli”. Mirëpo, përkundër tërë kësaj, poeti, assesi nuk dorëzohet. Ai, di të shkruajë e të këshillojë, ai di të qëndrojë pranë dëshirave dhe idealeve të tij: “Mos ma shlyej rrugën/Rrugën e jetës sime/Se rëndë më pushon mbi supe/... Përkëdhele gurin pranë portës/E, ma lë të qëndrojë aty/Dhe thuaj se ai do të kthehet prapë”!

Pra, kjo pjesë e këndimit është refleksion i qëndresës së autorit, i cili përkundër rrugëtimit me përplasje, rënie e ngritje, ai, mërgimin e ka plagë e cila në të njëjtën kohë sikur shëron dhe shton vullnetin e zjarrminë për ta përjetësuar trupin e vet në atdhe, në vendlindje, sepse, kështu e kërkon malli dhe lumturia! Ky qëndrim, duhet të jetë edhe si mesazh për njeriun tonë që ta forcojë dhe ta vetëdijesojë atë, që kurbeti të mos bëhet plagë e pashëruar dhe shkaktar për ta mundur mendjen dhe zemrën, edhe pse, jeta të gjitha i ka në sirtarin e vetë përcëllues.

Në ciklin e tretë, “Atje ku më priste nëna...”, në këtë tërësi poetike, autori me peshën e lotit por edhe të mallit, e përjetëson mesazhin edhe për peshën historike, të luftës për liri jo vetëm asaj të kohës më të re. Ndërsa, duke e parë rrjedhën e rrëmbyeshme të jetës, ai, pothuaj se secilin varg e shndërron në mëlmesë, e kthen në dashuri, por edhe në diçka tjetër që dhemb e shpeshherë nuk mund të shpjegohet as me këndim dhe as me vargëzim.

Kjo është bota e poetit, e cila përbrenda vetvetes ka vullkan por edhe lumturi, që kompozohen por edhe reflektojnë ndijimin e tij poetik për shumë tema të cilat ndërlidhen me vendlindjen dhe me atdheun, e që poetit i tingëllojnë diçka si krismë mendjeje për mallin që ka.

Për këtë arsye, ai, me poezitë dhe vargjet e veta krijon gjerdan jete apo edhe guitë malli me peshë shumëdimensionale. Këtë e hasim sidomos tek poezitë: “Sa e bukur je”, “Atje më priste nëna”, “Kosova”, “Djepi”, “Malli për shtëpinë time, “Bllaca” etj. Ose, ja se si këndon dhe ligjëron: “Ty, dielli im/Ta fali buzëqeshjen/Ty, toka ime/Ta dhuroj trupin tim...”!

Andaj të gjitha poezitë sikur bëhen bashkë, për t’i rrahur kambanat dhe për t’u bërë pasqyrë, ku secili lexues e sheh vetveten, botën dhe jetën...

Vargjet duken të thjeshta, por si të tilla, e kanë fuqinë e shpirtit, ku në të njëjtën kohë, loti, buzëqeshja, ëndrrat dhe e paarritura sikur ecin bashkë në mbrëmjet e pagjumë, ku valëviten ndjenjat dhe zëri i poetit.

Andaj, të gjitha këto, vargjet e Sherif Bllacës i kthejnë në dashuri e mall, në pelegrinazh të çuditshëm duke prekur e përjetuar kohën dhe ikjen e saj...

Kujtoj se poezitë dhe vargjet në këtë vepër, vërtetë e shtojnë mallin dhe lumturinë në të njëjtën kohë si peshë të veçantë për tregimin dhe rrëfimin e njeriut për jetën dhe historinë jo vetëm individuale. Këtu edhe e ka peshën letrare libri “Malli i lumturisë” i Sherif Bllacës.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: