Gani Mehmeti: Shkolla e parë e Sllatinës
| E Diel, 06.09.2015, 07:10 PM |

Nga arsimi në trevën e Llapit

SHKOLLA  E  PARË  E SLLATINËS

Po nuk e njohëm të kaluarën, sa do ta çmojmë të sotmen dhe sa e si do të ndërtohet e nesërmja* .

Sllatina është njëri ndër pesë fshatrat e Mavriqit të Llapit, futur në zonat më të thella malore në veri të Podujevës, që kufizohet me Srbinë e vitit 1912.

Nga Gani Mehmeti

-           Prej moshës trembëdhjetë vjeç jam munduar t’i bëj nder Mavriqit.

Ka nga shqiptarët që janë përpjekur dikujt t’ia humbin edhe emrin prej atyre që kanë lënë zë, emër e vepër për çështjen kombëtare shqiptare. Po, të njëjtit, janë përpjekur që t’i bëjnë emër dikujt që nuk meriton, që nuk ka bërë asgjë për çështjen kombëtare shqiptare.

Kjo është shumë e keqe, kjo nuk na çon përpara. Kjo vetëm tregon se kush sa është njeri dhe kush sa nuk është njeri. – flet Hajdin Ademaj

Hajdin Ademaj është ai i pari që e ka hapur shkollën në Sllatinë. Jo, ky nuk ishte mësues, ky punonte në vend të punëtorit teknik, kurir shkolle, pa të cilët nuk ka punuar asnjë shkollë. Hajdini, i cili aso kohe ishte vetëm me nënën dhe vëllezërit, lokalin shkollor, odën, e ka lëshuar pa pagesë, vetëm për të mësuar e përparuar rinia shqiptare, sepse këtu mësohej vetëm shqip, mbasi nuk kishte serbë fare.

-           E kam lëshuar me qejf, pa më thënë kurrkush, dhe kurrë nuk kam qenë më i kënaqur se kur e kam lëshuar shkollën në punë!

Tek një shtëpi e kam pasur 5x6 metra. E kam pasur nënën, një motër dhe pesë vëllezër. Në këtë shtëpi kemi jetuar të gjithë bashkë.

Odën e kam pasur 13 X7 metra  dhe këtë e kam lëshuar për shkollë, unë si Hajdin e me motër, me nënë e me vëllezër. E kam menduar sikur edhe në oborr të mbesja, mësimi për nxënësit ishte më i rëndësishëm.

Si kurir që isha, ende nuk e kisha moshën për pagesë, dhe, kurrë nuk e di sot a kam marrë rrogë, apo jo. Mund të jenë shënimet në arkiv, ku mund të shihet, por unë nuk e di sot.

Në këtë shkollë kanë mësuar 130 nxënës gjatë një viti shkollor. Këtu kanë ardhur për të mësuar nxënës nga Potoku, Dvorishtae nga Reçica, Uglari e të mos flasim nga Sllatina. Shkolla ka filluar me punë në vitin 1946. Mësues i parë ka qenë  Mehdi Ibrahimi nga Lluzhani. Ka qenë mësues shumë i aftë dhe i mirë, sa nuk ka mundur të ketë pasur më të mirë. Mbas tij ka ardhur Bislim Hazirit nga Pollata, Bislim Latifi.

Kjo shkollë ka funksionuar deri në vitin 1950, pra katër vite. Pa marrë kurrë qëra, por mbeti diskutabile se a ka qenë paguar edhe kuriri, punëtori teknik.

-  Shkolla ishte në shtëpi. Nxënësit rrinin në oborr gjatë pushimit dhe deri sa hynin brenda. Shumë thoshin se si e çfarë bënë këta! Si të pafe, quheshim nga disa fshatarë. Ata na e shihnin për të madhe neve që kishim lëshuar për shkolë odën tonë tradicionale, por edhe ne ua shihnim për të madhe atyre që po flisnin këso fare, por që në dialog nuk hynim me askë, sepse nuk kishm fitim asnjëra palë. Ne shikonim pnën tonë. E keqja më e madhe ka qenë dhe mbeti deri sot, që kurrë kush nuk ka ardhur në derë të thotë: faleminderit dhe u jemi mërinjohës për punën tuaj, sepse ka qenë, besoj, një punë e madhe për atë kohë, kur mentaliteti i popullit ka qenë tjetërfare, ishte zor. I pari, je ti, sot që ke ardhur për këtë punë. - më drejtohet Hajdin Ademaj me kënaqësi që unë isha interesuar dhe kisha arritur pikërisht aty ku duhej, ku e kërkonte nevoja për ta ndriçuar një kohë, hapjen e parë të shkollës në Sllatinë.

Puna bëhej në dy ndërrime dhe me kombinime. Edhe mësuesi punonte tërë ditën – para e pas dite. Mësuesi nuk kishte mundësi të udhëtonte prej këtu e deri në Lluzhan. Ai flinte në odën e Shaban e Rrahim Zenelit, bijtë e Osmanit. Mësuesi flinte nga bujaria e tradita, pa pagesë. Ai këtu edhe hante e pinte. S’kishte ku tjetër. Ai në shtëpi shkonte vetëm ditëve të shtuna. E nderonin shumë mësuesin, sa edhe nuk e linin të hiçte për asgjë. Edhe këta kanë qenë dashamirës të arsimimit. Ne nuk e dinim as atëherë e nuk e dimë as tani se me çfarë përgatitje shkollore ishte mësuesi.

Nxënësit nuk kanë pasur mjete. Libra nuk ka pasur. E di që në Zhiti kanë shkuar dhe i kanë marrë dy libra – dy abetare. Në Zhiti ishte mësues Mulla Bahtir Azemi i Pollatës. Edhe disa fletore i kam marrë unë vetë në Zhiti pa pagesë. Po diku 5-6 fletore i kam marrë krejt, me sa më kujtohet.

Në Brecë ka qenë shitorja e Mujë Sabedin Brecës, te shtëpia e Abdyl Brecës. Këtu kishin ardhur dhjetë dërrasa të zeza të vogla për nxënës. Këto i ka ble me para të veta mësuesi. Edhe shkumsat këtu i ka blerë me para të veta.

Nxënësit rrinin sipas ndërrimeve në shkollë. Ndërrimi i paraditës deri në mesditë e i pasditës, nga mesdita deri në mbrëmje, deri sa errej. Nuk e di nga sa orë i mbanin. Në shkollë nuk ka pasur as zile. Vetë mësuesi ua ka dhënë pushimin nxënësve pa zile fare, po pa zile fare edhe i ka shti brenda për të filluar mësimin pas pushimit.

Unë kam pastruar lokalin shkollor, i kam vënë stufat në klasë, kam siguruar edhe drutë në baza vullnetare. Krejt këto janë bërë me dëshirë.

Nga nxënësit, kush ka dashur ka ardhur në shkollë, kush nuk ka dashur, nuk ka qenë i obliguar. Nuk ka qenë marrë parasysh mosha fare – kanë ardhur edhe të rritur nga ata që kanë dashur.

Më kujtohet se ndër nxënësit e parë kanë qenë: Asllan Xhemajli, Smajl Smajli nga Potoku, Lah Ilazi nga Dvorishta,  Sadik Shaban Zeneli, Sllatinë, Halim Nimon Shabani, Ilaz Fejzullahu, Halim Zuka e Mursel Jaha nga Reçica,  Zekë Ademi, Fetah Bajrami  nga Sllatina.

Objekti i kësaj shkolle ka qenë në gjendje të mirë dhe shumë funksionale deri në vitin 1999, kur e dogjën serbët në luftën e vitit 1998/199. Edhe RRAHIM Zeneli e ka ndihmuar funksionilazimin e kësaj shkolle si në mirëmbajtje, ashtu edhe me bartjen e druve dimrit, si dhe me pastrimin e lokalit. Kanë ndihmuar edhe Isa nga Sllatina  dhe Zeneli nga Dvorishta. ËC-ja ka qenë e ndarë nga shkolla, sepse ajo kishte qenë e odës, që gjithsesi ishin të ndara nga odat atëherë. Furnizimi me ujë ka qenë nga bunari.

Në oborr të odës ka pasur mjaft vend edhe për lojëra sportive, e cila ka qenë e lëshuar nergut për shkollë.

Nxënësit kanë pasur edhe dy sharkia e dy çiftelia, që nga shtëpia ua kemi çuar në shkollë, ku ata kishin mundësi të mësonin  t’u binin veglave muzikore.

Gjinia femërore ka munguar nga shkollimi aso kohe dhe nuk ka qenë përfshirë asnjë vajzë në të.

Do të kishte qenë vështirë të lirohej lokali për shkollë aso kohe sikur të dëgjoheshin fjalët që dilnin nga fshatarë të tjerë, që si shkurt ata thoshin: Si ishte e mundur të hapej shkolla në shtëpi. Bijtë e filanit, që nuk ka pasur burrë më të mirë në katund e familje më e ndershme, si mundën ta lëshojnë odën shkollë! Ndjeheshin edhe si të përbuzur. Ka pasur haptas edhe kundërshtime të forta nga disa kryefamiljarë fshati, por koha ishte e tillë, mentaliteti ishte i tillë e duhej lënë kohës, prandaj Hajdini me vëllezër vetëm punën e tyre e shikonin, sepse këta ishin përparimtarë. Por, të mos lihet anash, se në këtë drejtim ishin përkrahur edhe nga ata që thamë se e ndihmonin mirëmbajtjen e shkollës, pra nga Shaban Zeneli e Rrahim Zeneli, në odën e të cilëve po flinte e po hante e pinte mësuesi nga Lluzhani. Sepse, sikur të mos ndihmohej mësuesi, do ta kishte vështirë të qëndronte në punë, pa pasur edhe mbështetjen e tyre Shaban e Rrahim Zenelit, që edhe kjo familje ishte në zë.

Hajdini kishte përkrahjen e plotë edhe nga vëllezërit e tij: Murseli, Muja, Zeka e Ukshini, që rregullisht ishin në ndihmën e tij.

Me gjeneratën e parë, e ka kryer shkollimin edhe Hajdini vetë deri në klasën e katërt, i cili edhe mësonte edhe kryente punët e kuririt, kur mungonte Hajdini, që më vonë kryen edhe klasët nga e pesta deri në të tetën bashkë edhe me Murselin, vëllain e tij  në Krypimeh.

Nga ky rast, se Hajdini kishte bukurshkrim fort mirë, jep një detaj të tijin: Më ra të nënshkruaja një dokument  në Prishtinë, jo moti, tani si plak. Duke menduar se unë nuk dija as shkrim-lexim, kur e nënshkrova, më thanë:

-           Pse po na thua se nuk ke shkollim, ti? Na trego se çfarë fakulteti ke kryer!

-           Jo, ua ktheva. Unë nuk kam kurrfarë fakulteti të kryer. Kam vetëm shkollën e mesme, po ajo shkollë e jona ka qenë përnjime, jo hajgare si këto shkollat e juaja tani! Ne kemi mësuar atëherë.

-           Ne nuk dimë asnjëri prej nesh të shkruajmë kaq bukur sot! – i ishin kthyer të rinjt zyrtarë në zyre me çfarë shkollash – fakultete a të mesme, nuk e di, thot Hajdini. Por ne e kemi mësuar bukurshkrimin atëherë. Pa bukurshkrim s’ke mundur të marrësh notën kaluese kurrrë.

Shkollën e mesme ekonomike e ka kryer  në kuadër të shkollimit për të rritur  përmes kurseve të organizuara natën, ose pasi kryhej orari i mësimit të rregullt nëpër shkolla.

Hajdin  Ademaj është i lindur në vitin 1931 në Sllatinë. Është Ramocë. Më parë qenë shpërngulur në Repë e tani jeton në Podujevë.

Ndryshe, Shaban Zeneli është babai i patriotit, të plagosurit nga UDB-a jugosllave në Gjermani, i cili edhe sot jeton, por nga atentati, ka mbetur në karrocë.

Rasim Zeneli u mor në shënjestër, në vitin 1981, i cili ka qenë një anëtar udhëheqës i "Besëlidhjes Kombëtare Shqiptare".

*Marrë nga Hajdin Ademaj, punëtori  i parë teknik i shkollës,  që tani jeton në Podujevë



(Vota: 43 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: