Drita Lushi: Pushimet në Shqipëri si dashuritë
| E Hene, 31.08.2015, 08:13 PM |

PUSHIMET NË SHQIPËRI SI DASHURITË…

…Gëzim e trishtim….

-Refleksion-

Nga Drita Lushi

Më tërheq e bukura.

E kë jo në fakt?

Njerëzit e bukur, gjërat e bukura, vendet e bukura.

Më pëlqejnë pushimet, bisedat, njohja me njerëz te rinj;

Më pëlqen të shkruaj për to, madje të shkruaj dhe të gjej të bukurën dhe aty ku ajo është e pakët.

Kisha kursyer një vit të tërë që të pushoja tetë ditë dhe zgjodha Vlorën, Radhimën, bregdetin e Jonit pra;

Dhe kur arrita në brigjet e Tij, u binda për dashurinë që kisha për Detin, për bregun, për diellin në lindje e perëndim, për ujin e kthjellët e të pastër, për dallgët dhe valët e qeta, për pushimet, për ndjesitë që të japin ato…por nuk mund të vazhdoj numurimin kaq bukur kur dhe një rrugë 20 minutëshe, na u desh ta bënim për tre orë në fundjavë, duke pritur  vargun e makinave pafund.

Gjithnjë i dua dhe i gëzohem ditëve jo fort të nxehta dhe jo fort të gjata të gushtit, u gëzohem edhe kur qielli ka re, edhe kur ato rrotullohen në qiell  e formëzojnë startin për shi nuk mërzitem, madje më pëlqejne sepse  edhe kjo ka lezetin e vet në plazh dhe zgjon romantizmin brenda njeriut;

Por,  kur nga ca shkrepëtima, bubullima vetëtima dhe shi gushti të ikin dritat dhe energjia elektrike, trishtimi mbin në qenien tënde dhe fantazitë meken dhe pakohen në errësirat pa drita, të ditëve të gushtit.

Kafja e  mëngjesit buzë detit, bashkë me bisedat për ditën e re është nj  tjetër kënaqësi që të japin pushimet.

Buzëqeshja e kamarierit, sjellja e kulturuar por…

… kur vjen koha e drekës dhe të vjen përpara menyja ..!

Cmimet janë të gjitha të ndryshuara;

Mbi çmimin e parë vihet një copë letër dhe shkruhet çmimi i ri;

Kur u thashë të zotërve të restorantit “Pse i keni kaq të shtrenjta cmimet” ?

Ai më thotë: “punohet vetëm në verë. Dimri është i mbaruar”

Por nëse do ulnin çmimet a nuk do kishin dyfishin apo trefishin e njerëzve në restorant?

Jam e sigurt  që dhe këtë e kanë menduar, se nuk po bëj shpikje idesh unë jo, por zgjedhja është e gjithësecilit…

Ndërsa mëngjesin apo kafenë e paguaje me kupon tatimor, në drekë duhet të paguaje një copë letër me shkrim dore.

I dua vendet e reja dhe të bukura, ti njoh dhe shëtis e pasi ngopem ditën me detin pasditja është për udhëtime.

Ngjitem në “Kuzum Baba” kur dielli ishte në të perënduar. Ia vlente vajtja atje sepse qyteti i Vlorës dukej si në pëllëmbë të dorës, përpos që Karaburuni dhe Sazani të përshëndesnin me diellin e zjarrtë që e merrnin brenda kurmit të tyre çdo natë…për ta rilindur në mëngjes..!

Restoranti nuk kishte thuajse asnjë , dhe bari kishte shumë pak klientë.

Në qytet, çmimet janë normale, po ashtu edhe në Orikum, ndërsa në zonat ku ka turistë dhe plazh ato arrinin dyfish më të shtrenjta.

Duke qenë se Vlora njihet si Qyeti i Flamurit, nuk duhet lënë pa parë Muzeumi i Pavarësisë, Shtëpia ku Ismail Qemali ngriti Flamurin më 1912.

Është dicka e bukur që vlen të vizitohet, dhe vendoset diku afër portit, rrugët e palara të japin një ndjesi vape nga pluhuri që mbajnë ndoshta prej shume ditësh.

Dëshira për të shkuar në Zvërnec  është e madhe.

Këtë ma sugjeroi edhe mikja e kolegia ime Irena, me familjen e së cilës drekuam në Rradhimë.

Kisha dëgjuar për ishullin e vogël të Zvërnecit dhe  manastirin e tij andaj nuk e lashë grishjen të shkonte më tutje, por u nisa pa një e dy. Lëmë pas Vlorën dhe marim rrugën përmes Pyllit të Sodës.

Udhëtimi përmes gjelbërimit dhe syri që të bëhej i gjithi jeshil,dhe rruga e bukur, të  bënin ti harroje minutat deri aty.

Arrijmë afër urës me dërrasa, që të çon në atë ishull të vogël.

Ajo ishte e vjetër, me dërrasa të ngrëna nga koha aq sa herë herë kishe frikë të ecje nëpër të.

Pasi bëje disa hapa kishte një tabelë ku shkruhej: “Ndalohet kalimi. Ura e prishur!”…dhe vërtet ura nuk të çonte deri atje ku doja.

Ishte e këputur diku nga treçereku i saj dhe ekzistonte vetëm një varkëtar, që merrte njerëz dhe i çonte për në ishull dhe nga ishulli në tokë.

Natyrisht, ishte një punë, që të merrte kohë dhe durim andaj nuk e pritëm varkën, që t  shihja Manastirin dhe me shumë keqardhje e trishtim  u kënaqa vetëm duke e parë së largu duke marrë imazhet në foto….

Gëzimi dhe shpresa, që të kënaqesh nga pushimet herë herë zbehet nga të gjitha këto gjëra që të trishtojnë kur i sheh e përjeton.

Natyrisht që nuk është fundi i botës,sepse duke kujtuar vetëm të mirat dhe të bukurat e pushimeve arrij ti mposht dhe kurrë nuk i urrej…

E di që vitin tjetër do jetë më mirë.

Nëse nuk shpreson dhe beson pozitivisht, asgjë nuk arrihet dhe ngelesh në vend. Por nuk është koha për mendime negative.

Duke kaluar e përjetuar kaq gjendje, më vjen natyrshëm krahasimi i Pushimeve me dashuritë…


Drita Lushi, 31 gusht, 2015

(Vota: 15 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: