Reshat Nexhipi: Përmendorja e Skënderbeut në Shkup
| E Premte, 28.08.2015, 08:05 PM |

Përmendorja e Skënderbeut në Shkup, vizavi asaj të Lekës dhe Filipit, duket si lodër fëmijësh dhe denigron emrin e tij

Justinijani, si themelues i Shkupit dhe ,,Nëna,, e tërë botës, e lindur aty, duhej të dominonin në qendrën e qytetit, e jo ato të  Lekës dhe Filipit, të cilët, s kanë shkelur kurrë në këtë qytet.

Nga Reshat Nexhipi

Hyrje

Qendra e Shkupit dhe vendet përreth, posaçërisht anët e urrave, janë mbushur me qindra përmendore, të cilat, nga larg, duken si turmë njerëzish, duke shikuar ,,anijet,, të pakuptimta, vendosur në lumin Vardar. Kur herret, nuk dallohen dot njerëzit nga përmendoret, kështu që,  nëse eventualisht qendron së ecuri, ose ulesh dikund  për t u çlodhur, mund të jesh objekt i ndonjë fotografisti ose kamermani, duke e ditur se je statuë. Nëse shtie sytë  nga objekti i qeverisë dhe shikon përmendoret para saj, do mendosh se ndodhesh  në Athinë, gjë që shkon në favor të Greqisë, sepse ato, posaçërisht ajo e Lekës dhe Filipit, në qendrën e qytetit, konsiderohen për pronë greke, kështu që, një ditë, shteti në fjalë, mund ta shpallë Shkupin për qytet të saj, prandaj dhe, ndoshta, ka preferuar heshtjen. Pjesa dërmuese e përmendoreve të tjera, janë të personaliteve me origjinë iliro-shqiptare dhe bullgare, por  kjo nuk evidentohet, sepse, në atë rast, Shkupi duhet të quhet qytet i shqiptarëve,grekëve dhe bullgarëve.

Pse në qendrën e Shkupit, nuk duhej ta kishin  vendin dominant Leka dhe Filipi

Ja pse. Emrat e tyre janë lidhur ngushtë me historinë e Manastirit dhe, aspak, siç thashë, me atë të Shkupit. Filipi, nënën e ka patur nga  vendlindja e Alfabetit, gjegjësisht nga linkestët e Heraklesë, që do të thotë se  ai  dhe djali i tij-Leka, ishin  nipër të  këtij  qyteti, prandaj dhe vendosja e  përmendores së Filipit të Dytë në Manastir, ishte vepër e qëlluar, gjë që duhej të ndodhte edhe me Lekën e Madh, edhepse themelues i vërtetë i Manastirit të vjetër ishte mbreti ynë i shquar Bardhyli (Ylli i Bardhë). Leka dhe Filipi, nuk kanë mundur të zgjerojnë pushtetin e vet në veri të Manastirit, në drejtim pra të Shkupit, sepse ishin të penguar nga  dardanët tanë, kryeqendra e të cilëve ishte qyteti në fjalë. Objektivi kryesor i tyre ishte Greqia, me qëllim që të pengonin depërtimine Persisë në Ballkan, gjë që edhe ndodhi.Filipi, zaptoi Greqinë, kurse pas vdekjes së tij, i biri-Leka,vazhdoi për në Lindje, duke realizuar plotësisht qëllimin e T et. Shkurt: Filipi dhe Leka, s kanë asnjë lidhje me Shkupin, gjë që nuk vlen për këta dy në vijim.

Pse vendin dominant duhej të zinin  Justinijani dhe Gonxhe Bojaxhiu

Mos harrojmë  se, këta të dy, janë të një race, si dy të parët, pra, të katër të një origjine, por dallimi midis tyre, sa i takon historisë së Shkupit, është diametralisht i kundërt. Siç dihet, Justinijani i Parë, ka themeluar  Shkupin e  ri, prandaj  dhe, përmendorja e tij duhej të zinte vendin më dominant në qendrën e qytetit, kurse pranë tij,në të njëjtën lartësi, të vendosej ajo e ,,Nënës së tërë botës,, për shkak se, është e lindur pikërisht në këtë qytet. Mirëpo, përkatësia e tyre iliro-shqiptare, bëri të veten, gjë të cilën e kam theksuar disa herë përmes shtypit, në shqip dhe maqedonisht, por kot, sepse politikanët tanë,me përjashtime ndoshta fare të vogla, merren me gjëra të cilat u sjellin përfitime materiale, duke anashkaluar krejtësisht çështjet e kësaj natyre.

Edhe disa sugjerime të tjera lidhur me përmendoret

Gjithashtu, disa herë, kam shkruar që, aerodromi i Shkupit, përveç   Aleksandar Makedonski, të emrohet   edhe me fjalët Leka i Madh, ashtu siç e quajmë ne shqiptarët, gjë që përputhet edhe me Marrëveshjen kornizë të Ohrit, lidhur me dygjuhësinë. Meqënëse në tekstin e biografisë të Gonxhe Bojaxhiut,  para përmendores së saj, sa e di unë, nuk  figuron fare fjala shqiptare dhe kontestohet origjina e saj, kushedi sa herë, gojarisht dhe përmes shtypit, kam sugjeruar që,  për t ua mbyllur gojën albanofobëve, duhet në ekranin televiziv, disa herë në javë, të evidentohen fjalët originale të saj, ku vetë ajo, me rastin e shpalljes për nobeliste, në Osllo, ka thënë se me gjak është shqiptare. Mirëpo,edhe ky sugjerim, ka rënë në veshë të shurdhër, ashtu siç ndodhi edhe me ngritjen e përmendores së Bardhylit në Manastir, si themelues i qytetit të vjetër, ose ajo e Mitat Frashërit para objektit të Alfabetit, si kryetar i Kongresit etj., prandaj dhe, i dëshpëruar nga një sjellje e tillë letargjike, vendosa mos merrem më me tekste të kësaj natyre, ashtu dhe veprova, me përjashtim të këti shkrimi, me shpresë se mund të zgjoj ndonjë nga gjumi i thellë dhe përsëri të vazhdoj me sugjerime të mija për çështje të ndryshme kombëtare, të cilat, për fat të keq, sa vjen dhe anashkalohen.

Në vend të përfundimit

Përmendoret e Lekës së Madh dhe babajt të tij, Filipit të Dytë, të ngritura gjer në qiell, me pamje helikopteri, për historianët objektivë janë  qesharake dhe  gazi i botës  të mençëm, kurse ne shqiptarët, na shqetson, ose duhet të na shqetsojë edhe fakti  që, siç thashë, kompromitojnë emrin e heroit tonë kombëtar, i cili, në krahasim me  dy të tjerët, nuk bie fare në sy. Prandaj, është nevojë immediate, përmendorja e tij  dhe e Gonxhe Bojaxhiut, të paktën, të nivelizohen vertikalisht me atë të stërgjyshëve të tyre, gjë që  mund ta bëjnë vetëm  sponzorët tanë, me shpirt patrioti, nga cili do vend qoftë, me çka, emri i tyre,si atdhetarë, do zërë vendin  më të lartë në piedestalin  e historisë tonë kombëtare.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: