Entela Binjaku: Kur pushon duke vëzhguar...
| E Hene, 24.08.2015, 09:29 PM |

Kur pushon duke vëzhguar...

Nga Entela Binjaku

Ka disa  metoda mbi të cilat mund të mbështetesh për të përshkruar zhvillimet e një shoqërie.

Një ndër to është vëzhgimi. I përdorur për të kuptuar një problem apo sjellje në mënyrë të thelluar, vëzhgimi  nuk zhvillohet me intuitë dhe me përafërsi, por kërkon një përgatitje të madhe nga ana e vëzhguesit. E rëndësishme është mbajtja  nën kontroll e ndikimit personal të vëzhguesit  në interpretuarin e realitetit, sepse kjo mund ta çojë në gabime apo në shtrembërime.

Vera konsiderohet si një stinë mundësie për të pushuar, argëtuar, për të njohur vende dhe njerëz të cilat sëbashku ndikojnë në zhvillimin e personalitetit njerëzor.

Sezoni turistik në vendin tonë, i nisur nga dhjetëditëshi i dytë i majit, gjendet në kulmin kalendarik;  nga mediat mësojmë numrin e qytetarëve që duke kaluar kufirin numërohen si pushues në Shqipëri.  Siç opinioni është mësuar të informohet,  çdo vit numri ”është më i larti” se sezoni paraardhës, i pakrahasuar së paku me vendet përreth.

Këtë verë vizitova “Kanionet e Osumit”,  për herë të parë.

Në kthim prej aty, e para dhe ndoshta e vetmja pyetje që më drejtohej ishte: “Bëre rafting?” për një sport që nuk është as në traditë, dhe është pjesë e fjalorit të një pakice urbane ose në urbanizim e sipër.

As fillimisht, e  as më vonë  askush nuk më pyeti se çfarë kanë interesante këto kanione dhe për se është e njohur  ajo zonë?

“Rafting nuk bëra, nuk ka ujë Osumi në këtë periudhë”,  këtë përgjigje kam dhënë zakonisht, duke treguar edhe mungesën e  përbashkët të  informacionit për gjendjen e këtij lumi  në stinën e verës.  Ndërkohë mësova se rafting mund të bëhet në Vjosë.

Shumica e vizitorëve të Kanioneve janë të  vonuar në një peizazh  që gjendet aty prej nuk dihet se kur...  Madje nisjet nga Tirana posaçërisht për t’i parë,  ju krijonin banorëve dhe humor. “Ç’ne tani, kur këto këtu kanë qenë gjithmonë?”.

Ndalesa tek  kantina e verës “Çobo”, ishte si një mësim mbi punën dhe suksesin e asaj familjeje për të cilën mund të shprehësh vetëm respekt dhe admirim. Kantina, shpjegimi i historikut të prodhimit, shtëpia karakteristike beratase, shërbimi me një gotë verë të freskët dhe mikpritja të mbushnin me besimin  për vlerat tradicionale të shqiptarëve.

Nëse  shkon në Berat nuk duhet të  humbësh rastin  të flesh në Kala; banorët janë të gatshëm të të gjejnë një vend dhe shtëpitë janë të stolisura me një kujdes që nuk e sheh kund.

Punimet artizanale të grave beratase janë dëshmi e njerëzve punëtorë, vizitorët e huaj të shumtë që i shihje ngado dhe Muzeu i “Onufrit” që qëndronte hapur deri në orën 19.00 e plotësonin panoramën e një qyteti turistik.

Mësova se këtë vit Muzeu kishte njohur thuajse dyfishin e vizitorëve të vitit të kaluar;  Bashkë me fluksin ndjehej nevoja për shtimin e ciceronëve gjë e cila  do të ndihmonte shpjegimin e pasurisë muzeale dhe përcjelljen e  vlerave të krenarisë kombëtare.

Nevoja për më shumë ciceronë ishte edhe në Krujë, në Muzeun Historik.  Vetë fluksi i turistëve fliste për këtë.  Por nevoja më e dukshme ishte për të ngulitur tek vizitorët shqiptarë informacione dhe  vlerat  muzeale të heroit tonë Kombëtar.

Nga ajo që kam vënë re turistët shqiptarë nuk kërkojnë ciceronë, kanë sigurinë që e dinë historinë, bëjnë fotografi ku të munden, nuk respektojnë as kufizimet e rastit, thuajse nuk e kanë fare mendjen tek ajo që vizitojnë.  Veçanërisht në kohën kur imazhi ka marrë një rëndësi të madhe, një foto “mund të fshehë një mijë fjalë”.

Nëse kultura e shpjegimit nga  ciceroni, i cili nga ana e vetë të jetë i motivuar dhe i duruar  do të nxitej si mënyrë për të ngulitur tek vizitorët atë që ata”thonë se e lexojnë vetë apo janë të bindur se e dinë”, sot do të kishim më shumë shqiptarë turistë me më shumë njohje për vendin.

Rruga drejt Kanioneve pritej të ishte  “shumë e mirë” dhe këdo të pyesje të thoshte madje edhe se arsyen pse ishte e tillë.

Edhe kjo rrugë,  si shumë të tjera në Shqipëri ishte e ndërtuar sipas psikologjisë: “shtroje mirë në fillim...shtroje dhe nga fundi se ato mbahen mend”.

Poliçani dhe Çorovoda të lënë përshtypjen e varianteve në shkatërrim e sipër të trashëgimisë së “kohës së Enverit”, ku dyshoje edhe për aspiratën për ndryshim të qytetarëve të tyre.

Edhe pse Përmeti ishte fare afër, rrugë për të të çuar aty nuk kishte ende. Me përfundimin e peizazhit të kanioneve përfundonte dhe asfalti.  Në kthim dreka në Bogovë,  një oaz i vërtetë ushqimi shumë i mirë dhe uji të freskët.

Ajri i kondicionuar në mjediset e brendshme tek ne ende konsiderohet si pa rëndësi,  mungon ose përdoret pak,  edhe pse temperaturat nga viti në vit po bëhen gjithmonë e më të larta;

Një nga elementët që shqiptarët nuk i kushtojnë thuajse fare rëndësi janë tualetet.  Janë të lëna jashtë vëmendjes,  pavarësisht parave që shpenzohen dhe shqetësimit për të rregulluar mjedisin brenda ose për të ndërtuar mure. Po ashtu shërbimi në restorantet dhe baret tona, është ende larg kujdesit që kërkon një turist.

Komunikimi i mangët me etiketën e rastit, shërbimi i pakujdesshëm, mungesa e estetikës në servirje, flasin  për kulturën e ulët të burimeve njerëzore në shërbime që kërkojnë ende shumë për të qenë në nivelin e kërkuar.

Rrugët e fragmentarizuara,  mungesa e tabelave orientuese në rrugë apo destinacione, kultura minimale e shërbimit,  zhurmat, e folura me zë të lartë në zonat ku pushon, neglizhenca për të pasuruar dijet vetjake, janë  disa nga elementët që të bëjnë të mendohesh, kur pushon ose kur kërkon të pushosh... duke vëzhguar bashkëqytetarët e tu.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: