Shkreli: Historiani i krimeve të komunizmit s'është më!
| E Enjte, 20.08.2015, 06:59 PM |

HISTORIANI I KRIMEVE TË KOMUNIZMIT S'ËSHTË MË!

Nga Frank Shkreli

Në fillim të këtij muaji, ndërsa shumica e njerëzve ishin në pushimet verore, ndërroi jetë në Kaliforni në moshën 98-vjeçare historiani, poeti dhe njëri prej heronjëve intelektualë më të shquar botërorë të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, anglo-amerikani Robert Conquest.  Megjithëse është mbarimi i gushtit dhe lexuesit gjithnjë ndodhen në pushime dhe ndoshta nuk janë aspak të interesuar të mësojnë për vdekjen e një historiani me përmasa botërore i cili për një gjysëm shekulli dokumentoi krimet e komunizmit, e ndjejë për detyrë ta kujtoj këtë historian dhe intelektual të shquar anglo-amerikan.  Ndonëse në median amerikane dhe në atë europiane u komentua vdekja dhe kontributi i tij i çmuar, si njeriu që zbuloi i pari dhe në hollësi krimet e Stalinit, një humbje e tillë meriton të shënohet edhe për lexuesit shqiptarë, të cilët kanë përjetuar krime jo më pak të tmershme se krimet e regjimit komunist të Stalinit, të cilat Robert  Conquest i ka dokumentuar, ndër të tjera, në dy veprat kryesore dhe më të njohura të tij, "Terrori i Madh: Spastrimet e Stalinit në vitet 30-ta", botuar në vitin 1968, dhe ribotuar më 1990, si dhe "Kolektivizimi Sovjetik dhe Uria si Mjet Terrori".

Historiani Robert Conquest ishte shumë dimensional në veprimtarinë e tij dhe ishte i pranishëm në shumë fushë, si diplomat, poet dhe ndër të tjera edhe si humanist.   Personaliteti dhe mendimet e tija kishin ndryshuar gjatë viteve.  Ndonëse ai kishte qenë dikurë komunist, pasi ishte bërë anëtar i Partisë Komuniste të Britanisë së Madhe në vitin 1937. Ndërkohë,  ka qenë mbështetës i Partisë laburiste britanike deri në vitet 70-ta, ndërsa Robert Conquest kishte ndryshuar mendimet politike dhe qëndrimet ideologjike të rinisë së tij, sa që eventualisht kishte vendosur të mbështeste politikën e Kryeministres konservatore britanike, Margareth Thatcher, për të cilën madje shkruante edhe fjalimet e saja.  Thuhet se nuk ka anti-komunist më të fortë se një ish-komunist.  I tillë ishte edhe Robert Conquest!

Përveë konsultimeve politike, ai njëkohësisht ka kontribuar me punën e tij edhe pranë qendrave akademike konservatore më të njohura të Amerikës, kryesisht duke shkruar dhe duke dhënë mësim në fushën e sigurisë kombëtare dhe të marrëdhënjeve ndërkombëtare.  Me dy veprat e lartëpërmendura historike mbi krimet komuniste të Stalinit, ish-komunisti Robert Conquest provoi i pari vrasjet sistematike nga regjimi komunist sovjetik, duke hedhur poshtë njëherë e mirë argumentet komuniste se gjoja ish-Bashkimi Sovjetik dhe ish-vendet komuniste, ishin shoqëri më humane se vendet e tjera, sidomos në krahasim me perëndimin.

Ai dokumentoi në veprta e tija se gjyqet e komunistëve bolshevikë bazoheshin në prova fals, se zhvilloheshin nën tortura, shantazhe, kërcënime dhe gënjeshtra ndaj të akuzuarve.  Ai shpjegoi si asnjëherë më parë dhe në hollësi arrestimet dhe interrogimet komuniste, të mohuarit e ushqimit dhe të gjumit si mjete terrori, si dhe abuzimet fizike dhe psikologjike, gjatë proceseve të gjyqeve komuniste.  Si rezultat i zbulimeve të Robert Conquest, bota nuk mund të pretendonte më se nuk kishte informacion dhe prova mbi krimet komuniste kundër njerëzimit. Në të vërtet, ekspertët i kanë krahasuar veprat e Robert Conquest, të cilat qarkullonin fshehurazi edhe në ish vendet komuniste, me vepra që u btouan më vonë e të cilat vunë në dukje prova mbi krimet komuniste, si "Gulagu Arkipelag" të Aleksandër Solzhenitsyn, libri "Terri në Mesditë" i Arthur Keslerit dhe me vepra me titull "1984", e George Orwell-it -- libra të cilët gjithashtu informuan botën duke pasqyruar dhe dokumentuar natyrën e vërtetë të komunizmit.  Përveçse Robert Conquest kishte dokumentuar krimet komuniste të Stalinit para syve të botës, ai nuk mungoi së kritikuari ashpër edhe disa nga intelektualët e njohur perëndimorë gjatë 1930-ave dhe deri në periudhën e 1960-ave, si vegla të Stalinit dhe mbështetës të regjimit të tij, bazuar në deklaratat që ata kishin bërë për të mohuar krimet e komunizmit, duke i falur ose duke i justifikuar atosi të nevojshme.

Ndonëse, veprat e tija janë lexuar nga miliona veta gjatë dekadave të fundit të shekullit të kaluar, çka ishte më e rëndësishme, ato tërhoqën edhe vëmendjen e udhëheqësve më të lartë të Perëndimit të asaj kohe, sidomos të Presidentit amerikan Ronald Reagan dhe Kryeministres britanike, Margareth Thatcher e cila konsultohej rregullisht me historianin dhe ish-komunistin Robert Conquest në lidhje me ish Bashkimin Sovjetik dhe çështjet e komunizmit.  Ekspertë të ndryshëm kanë shkruar se mund të thuhet se Robert Conquest, jo vetëm ishte njeriu i cili zbuloi natyrën e vërtetë kriminale të komunizmit, por si rrjedhim, ai ndihmoi që të ndryshonte edhe pikëpamjet e Perëndimit mbi komunizmin duke e bërë botën perëndimmore më të vetdijshme se ç’po ndodhte me të vëretët në botën komuniste.

Në vitin 2005, Ish-Presidenti George W. Bush e dekoroi historianin Robert Conquest me Medaljen Presidenciale të Lirisë.  Me atë rast, ish-presidenti Bush u shpreh se:

"Konfliktet e këtij shekulli të ri kërkojnë që dramat dhe tragjeditë e mëdha të shekullit 20-të studiohen dhe të njihen mirë.  Ndoshta si asnjë akdemik tjetër, Robert Conquest ka studiuar atë periudhë me një përkushtim dhe guxim të një intelektuali të vërtetë.  Jeta e tij filloi në vitin 1917, viti i Revolucionit rus, pasojat e tmershme të të cilit, ai do t'i dokumentonte në hollësi në librin "Terrori i Madh", si dhe në shkrime të  tjera të rëndësishme.  Të vërtetat për të cilat ai ka shkruar dhe folur, nuk kanë qenë gjithmonë në modë, por veprat e tija si dhe mësimet dhe këshillat në lidhje me ideologjitë vrasëse si dhe ndaj atyre personave që u shërbyen ideologjive të tilla, do të jenë gjithmonë të përshtatshme dhe me vend.  Sot, perandoria, krimet e së cilës ai zbuloi, ka marrë fund përgjithmonë, ndërsa veprat e Robert Conquest mbeten një testament i përherëshëm ndaj së vërtetës.  Ky burrë i mençur dhe elokuent admirohet nga bashkqytetarët e tij amerikanë dhe nga të gjithë ata që duan lirinë", përfundoi ish-presidenti Bush, duke i dorëzuar atij dekoratën e lartë Presidenciale të Lirisë.

Ndërsa, duke e lidhur kujtimin e Robert Conquest me situatën aktuale në Europë, komentatori i njohur amerikan George Will, shkruan me rastin e vdekjes së  historianit të famëshëm se: “Vepra e Robert Conquest është e lidhur drejtë për drejtë me të kuptuarit sot të Rusisë së Vladimir Putinit. Teza e Robert Conquest  ishte se jo që udhëheqsit sovjetikë kishin studiuar veprat e Leninit, por që ata ishin të zhytur krejtësisht dhe plotësisht në bazat morale të një regjimi të themeluar nga Lenini, i cili prodhoi makineritë shtypëse të atij regjimi që më në fund prodhoi liderë si Putini.”

Si përfundim i Revolucionit rus të vitit 1917 dhe instalimit të regjimit komunist që pasoi në atë vend dhe në ish vendet komuniste të Europës Lindore dhe Qëndrore, për disa dekada, planeti ishte mbërthyer një një luftë midis lirisë dhe tiranisë.  Më në fund, bota po i mëson dalëngadalë tmerret e komunizmit. Por, ndërsa realiteti dhe e vërteta e këtyre krimeve anë e mbanë botës komuniste po zbulohet, është me vend që të kujtojmë njerëz si Robert Conquest, jo vetëm se mbrojtën lirinë, por sepse ata njëkohësisht luajtën gjithashtu një rol të rëndësishëm në zbulimin dhe dokumentimin qyshë heret, të së vërtetës së krimeve të një regjimi që robëroi një pjesë të madhe të kontinentit europian për disa dekada. I përjetëshëm qoftë kujtimi i këtij burri që zbuloi dhe dokuemntoi pët njerëzimin gënjeshtrën e madhe të komunizmit.



(Vota: 1)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: