Sejdi Berisha: Mesazh i veçantë kohe e historie
| E Hene, 17.08.2015, 08:01 PM |

Analizë libri

Ekskluzive nga Sejdi BERISHA:

VEPËR ME REFLEKSION DHE MESAZH TË VEÇANTË KOHE E HISTORIE

(Reshat Nurboja: “Unë, dëshmi kohe”, botoi Lidhja Qytetare e Kosovë-Pejë, 2015)

Veprat e kësaj natyre siç është ky libër, janë të peshës dhe mesazhit të veçantë, në të cilën sikur thurjen dhe zhvillimin e ngjarjeve na detyron në dy palë binarë në të njëjtën kohë.

E para: përmes rrëfimit të autorit na prezantohet rrugëtimi i tij nëpër periudha kohe për të cilën shkruan, dhe e dyta: si në shuplakë dore prezantohen dhe rrahën problemet shoqërore e historike, nga të cilat nxjerrim shumë dëshmi, porosi e mesazhe për të mësuar e kuptuar rrjedhat e kohës dhe të historisë në një vend, në një periudhë. Pra, e gjithë kjo prezantohet dhe mund të kuptohet e komentohet në atë mënyrë, që koha dhe të bëmat e saj të na mësojnë e vetëdijesojnë, që jeta, rrjedha e saj dhe historia të jetë e saktë, e ndritur dhe sa më pak e shtrembëruar dhe e lënduar me gjëra të trilluara, e që, të gjitha këto e lëndojnë dhe e mashtrojnë peshën e të dhënave që historia duhet ta ketë një të vërtetë.

Pra, libri “Unë, dëshmi kohe” i autorit Reshat Nurboja, i cili kapërthehet në 932 faqe, është një almanak i disa rrjedhave dhe i periudhave kohore, i cili, duke rrëfyer për ngjarjet, intrigon shumë për perfeksionimin e mendimit filozofik, sociologjik dhe shkencor e njerëzor jo vetëm për këtë “ngushticë” kohore, por edhe për t’u kthyer pas, e ndërgjegjshëm dhe mirë e mirë për ta shoshitur rrugëtimin historik, i cili, deri me tash sikur nuk është përjetësuar sa duhet me arsyen e drejtë të studimit dhe as të trajtimit shkencor duke u shërbyer me dëshmitë e sakta dhe të drejta.

_________

Damkat dhe shpërputhjet që shkakton koha, shpesh shndërrohen në mallkim jo vetëm të historisë, por edhe të vet jetës së njeriut

Nëse nisemi nga ajo se rrugëtimi i autorit që na fëmijëria dhe rinia ishte e veçantë dhe me peshën e temperamentit të gjendjes faktike, del se ai, në librin “Unë, dëshmi kohe”, ka trokitur në ndërgjegjen dhe në tëmthat e mendjes së njeriut, se koha asnjëherë nuk është e mëshirshme, dhe nëse njeriu gabon në hapa, atëherë, trakullimat dhe boshllëqet, por edhe ngatërrimi të cilin e krijon faktori kohë, shkaktojnë damka dhe shpërputhje, që shpesh shndërrohen edhe në mallkim jo vetëm kohe dhe historie, por edhe në mallkim të vet jetës së njeriut.

Për këtë arsye, në këtë vepër, ai, sikur ka dashur që rrjedhat e jetës dhe të gjitha ndodhitë që e përcjellin, t’i shndërrojë në gjurmë kurrë ta pashlyera dhe në një dokument, i cili do t’u shërbejë gjeneratave që do vijnë por edhe studiuesve, historianëve dhe shkencëtarëve për ta begatuar dhe përjetësuar realitetin-histori, duke filluar nga individi, komuniteti, kombi e gjer ke stadet më të larta të dëshmive të kohës për gjithçka dhe për çdo gjë, që, të gjitha i bën dokument dhe pjesë edhe të kodit shoqëror dhe njerëzor.

Autori, nismë të maratonës së dhembjeve të shpirtit të tij dhe të rrjedhave të ngjarjeve nëpër kohë, e nis me kyçjen e vet në radhët e lëvizjes së rinisë, e cila i takon periudhës 1988-1989, kur edhe gjendej në krye të rinisë pejane.

Kjo pjesë e librit, apo ky kapitull, në detale pasqyron situatën shoqërore por edhe atë politike jo vetëm në një komunë siç ishte Peja, por edhe situatën në tërë Kosovë, e cila ishte shndërruar në rebelim të pashmangshëm shpirtëror jo vetëm të rinisë. Kjo, gjithnjë për të dalë nga prangat e vuajtjeve dhe të okupimit. E këtë gjë dhe këtë zjarrmi, pushteti aktual serb e kishte hetuar, andaj si gjithnjë dhe ndër decenie, e shfrytëzon për të ushtruar dhunë me metodat më jonjerëzore dhe të ndyra.

Dhe, për të mos e elaboruar gjatë këtë periudhë kohore, sepse, autori detalisht dhe me dokumenta-dëshmi e me foto të shumta e pasqyron në libër, por dua të theksoj se mu kjo periudhë, atë, pra autorin, e ka kalitur për të ecur tutje dhe njëherësh edhe për t’u krijuar dhe pjekur kushtet që ai vërtetë të bëhet dëshmi kohe që nga ajo fazë e përplasjes së rinisë mbi baza nacionale e deri tek lëvizjet tjera, që tanimë janë mirë të njohura, e që personazhin e autorin e librit e “nxjerrin” nga binarët e rrugëtimit normal me dhunë, reprezalje, me kushte të rënda robërimi e deri tek përplasjet edhe më të thella politike, të cilat, tashmë ishin objekt edhe i faktorit ndërkombëtar.

Nga këtu nis edhe të zihet brumi i “dëshmi kohe”, e cila vë në pah çdo gjë që popullin shqiptar e ka ndrydhur dhe shtrydhur në të gjitha aspektet. Kështu, autori ka nxjerrë edhe të bëmat dhe dukuritë të shumë njerëzve, të cilët me veprimet e tyre e kanë trazuar dhe idhëcuar mbase edhe demoralizuar mendjen e popullit.

Proceset e diferencimit ideo-politik por edhe ecuritë dhe dukuritë e tjera, u shndërruan në problem karakteristik që forcoi dhe me vete tërhoqi vendosmërinë e popullit me durimin edhe ashtu të shpenzuar, nxorën në pah edhe dilemat dhe dobësitë të cilat pengonin luftimin më me sukses të armikut. Në këtë vorbull karakteristikash, edhe personazhi, ndryshe, autori i librit, gjendet në përplasjet politike, dhe kështu ishte i padëshiruar tek rinia e nacionalitetit serbo-malazez mbase edhe boshnjak, të cilit, jo vetëm që ia kërkonin dorëheqjen nga detyra e kryetarit të rinisë së Pejës, por kërkonin edhe ta dënonin dhe ta burgosnin. Pra, edhe këto, autori i ka bërë mur dëshmie në këtë vepër.

Kështu, lëvizjet që nga themelimi i LDK-së; themelimi i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e veta; themelimi i Partisë Republikane të Kosovës dhe organizimi i shumë aktiviteteve kulturore me peshë kombëtare, autorin, tani e krijojnë në personalitet politik dhe jo vetëm politik, i cili dot nuk ndalet me punën dhe aktivitetin e tij, që edhe më shumë “piqej” për ta kapur dhe arrestuar atë organet e sigurimit serb, dhe veç tjerash për ta burgosur, dhe kështu kombit shqiptar për t’ia ndërprerë një damar të fortë politik dhe ta kauzës kombëtare për të ecur tutje në drejtim të luftës për liri dhe pavarësi.

Edhe këto rrjedha, autori i librit i vë në libër dhe detalisht i trajton si pjesë të ngjarjeve dhe të dëshmisë, që edhe atëherë, edhe tash i nevojitet kombit dhe atdheut për t’i begatuar dhe kompletuar faqet e mos harresës dhe të dokumenteve historik.

Nuk bën të mos theksohet, se Rashat Nurboja, si kryetar i rinisë pejane, i pari ishte ai i cili i dërgoi telegram përkrahjeje dhe mbështetjeje minatorëve të Stan Tërgut, minatorëve të Trepçës, të cilin ishin mbyllur në zgafellë duke kërkuar të drejtat jo vetëm të tyre, por edhe të tërë popullit shqiptar në Kosovë. Nga këtu, edhe më shumë intensifikohet lëvizja masive dhe e pa ndalur për rrënimin e sistemit okupues. Në këtë aspekt, në “Unë, dëshmi kohe”, me shumë dëshmi e dokumente, ndriçon realitetin, që në atëbotë sikur nuk e vërente sa duhet faktori ndërkombëtar.

Ngjarjet që Kosovës i dhanë fuqinë që duhej ta kishte për vetveten

Ngjarjet të cilat ndodhnin në Kosovë ishin sinjal, ishin një lëvizje që do ta shënojnë një epokë të re, unike dhe të përjetshme historike, se populli shqiptar po ecën drejtë një etape të re, dhe se prej këtu tanimë kombi do të jetë përherë i zgjuar dhe i ngritur për ta marrë fortë e fuqishëm në duar të veta fatin dhe lirinë. Në këto ecje të dhembshme por krenare, edhe autori i kësaj vepre ishte pjesë e punës, rebelimit, mospajtimit, e luftës dhe e veprimit kombëtar sikurse edhe shumë të tjerë të mbrumur me kauzën kombëtare.

Ndërsa, njëra prej ngjarjeve më të rënda të kësaj periudhe, ishte heqja e autonomisë së Kosovës, pas së cilës pasojnë veprime edhe më të rënda por të rëndësishme për pavarësi, si helmimi i nxënësve nëpër shkolla, largimi me dhunë nga puna të punëtorëve shqiptarë, pastaj vargu i reprezaljeve, i vrasjeve dhe i burgosjeve, të cilat ngjarje janë ndër më të dhembshmet, por edhe më sublimë që Kosovës i dhanë atë fuqinë që duhej ta kishte për vetveten. Andaj, në këtë rreth vicioz ndodheshin shumë veprimtarë anekënd  Kosovës, pra, edhe Reshat Nurboja, që në libër, këtyre ngjarjeve u jep shpirt e jetë, u jep përjetësi.

Po i shkoqis vetëm disa detale nga periudha kur ai ishte në burgjet serbo-sllave, siç është burgu i Pejës, Mitrovicës, ai i Dubravës, Lypjanit, pastaj “rrugëtimi” nëpër burgjet e Serbisë, si burgu i Nishit, Pozharevcit dhe i Mitrovicës së Sremit. Në këtë kohë, burgjet ishin plot e përplot me shqiptarë, kurse atje, Reshat Nurboja, nuk i përjetonte vetëm vuajtjet dhe dhembjet për familjen e vet, por barrë në shpirt i kishte edhe vuajtjet dhe dhembjet e të gjithë të tjerëve që ndodheshin në burgje por edhe të popullit të djegur, përvëluar, të vrarë e të dëbuar nga trojet e veta. Dhe, ma thotë mendja se kjo kohë i ngjate një testi shpirtëror të të gjithë atyre që gjendeshin në burgje, të cilën gjë, autori, arsyeshëm përpiqet t’i jap një pasqyrë të realitetit të hidhur në kahe shumë drejtimesh.

Duke mos qenë në gjendje të veprojë brenda qelive, atje, tani ai, edhe përmes vargut dhe këndimit poetik, përmes letrave këmbyese me bashkëshorten e tij, shpalosë tërë atë mallin që ka për familjen dhe për gjithçka që frymon në Pejën e tij të dashur dhe në Kosovë.

Të theksojmë se derisa ai ishte në burg, i lind edhe djali i dytë i tij, Liri, që ishte gëzimi dhe krenaria më karakteristike e një njeriut që në rrethana të tilla gjendet prapa grilave në burgjet e armikut. Dhe, padyshim se ky gëzim  dhe kjo krenari ishin të përziera me vuajtjet, dhembjet dhe me ëndrrat, ndoshta më të panatyrshme. Edhe këto rrjedha kohe, autori i ilustron me faksimile, letra e dokumente të tjerë, që e bëjnë edhe më me peshë librin.

Pesha e librit si regjistër i veçantë i kohës

Pas kësaj, personazhi dhe autori i kësaj vepre, pjesën më të madhe të luftës e përjeton në burg, gjë e cila e “detyron” të krijojë, të shkruajë rrëfejza e tregime të trishta për Pejën, Kosovën dhe për vetveten e familjen. Dhe, kur lirohet nga burgu, ai në Pejën e djegur dhe rrënuar, kuptohet, pritet me zemër e dashuri nga bashkëqytetarët, miqtë dhe shokët e vet.

Ndoshta kështu fillon, dhe mu kështu fillon një etapë e re e jetës, e cila edhe kjo nuk është aspak e lehtë, dhe ndoshta edhe më e papranueshme për autorin, i cili me siguri se kishte menduar se do të jetë më ndryshe, më mirë, më ndërgjegjshëm dhe më njerëzishëm e me vetëdijesim.

Luftën e UÇK-së, e cila është e shenjtë dhe si të tillë e konsideronte, Reshat Nurboja, lartëson dhe e identifikon me dritën e pashuar, me peshën dhe madhështinë e lirisë së kombit dhe të Kosovës. Dhe, gjatë tërë rrjedhave të përjetësuara edhe në librin “Unë, dëshmi kohe”, Nurboja përpiqet që këto, opinionit dhe lexuesit të ia ofrojë edhe si dokument por edhe si një këshillë, që rrugëtimi i njeriut dhe fati i kombit dhe i atdheut të mos jetë vetëm si formë apo ngjarje për tërheqjen e interesimit për karakteristikat e lëvizjeve dhe të historisë së këtij nënqielli, nga shtete dhe popujt tjerë, siç ka qenë praktikë nëpër periudhat e kaluara kohore dhe historike.

Kështu, pas lirimit nga kazamatet serbo-sllave dhe pas përfundimit të luftës në Kosovë, Reshat Nurbojën e shohim të kyçur në aktivitetet tjera, të cilat, atëherë duhej ndërmarrë për sanimin e gjendjes dhe për shërimin e plagëve të luftës. Ai, duke pasur parasysh rëndësinë dhe respektin ndaj të burgosurve politik, me disa shokë, në hyrje të Burgut të Dubravës i organizon grevat për lirimin e të gjithë të burgosurve shqiptarë të cilët ende ndodheshin në burgjet dhe kazamatet serbe.

Kështu, nga këtu bëri jehonë por edhe filloi edhe një proces tjetër për rregullimin e jetës dhe të fillimit të proceseve shtetërore dhe demokratike në Kosovën e dëmtuar në të gjitha aspektet. Filluan hapat e parë të synimeve për themelimin e shtetit të pavarur më të ri.

Edhe kjo periudhë kohe, në libër është e shoqëruar me dokumente dhe fotografi të shumta.

Duke u inkuadruar në rrjedhat shoqërore dhe politike, pra, në kohën e pasluftës, dëshmitë e kohës bëhen gjithnjë e më interesante dhe me peshë të veçantë, që reflektojnë edhe ecjet por edhe dobësitë në konsolidimin e kushteve dhe të rrethanave për bërjen e shoqërisë së organizuar dhe të shtetit e të mëvetësisë së tij me angazhimin e të gjitha forcave demokratike por edhe të faktorit ndërkombëtar. Në këtë kontekst, autori duke shpresuar e besuar për angazhimin më të mirë të rrjedhave të përgjithshme, vëren e sheh edhe shumë dobësi e gjëra të cilat ai i konsideron si të dëmshme dhe që si të tilla që ngadalësojnë ngritjen e vetëdijes dhe të ndërgjegjësimit individual por edhe kolektiv. E kjo përputhet edhe me thënien e popullit, se: “Të kalosh nëpër vështirësitë e jetës, do të thotë se i ke njohur mirë disa njerëz”!

Duke pasur për bazë angazhimin dhe sakrificën e tij, që si i ri dhe i kyçur në jetën politike në sistemin e atëhershëm  komunist, pastaj përjetimet, vuajtjet dhe përvojat me të cilat ishte kalitur në burgje, e më pastaj rrjedhat e pasluftës, autorin e librit “Unë, dëshmi kohe”, sikur e bëjnë edhe më të sertë kundër të gjitha dobësive dhe lëshimeve, andaj edhe rrugëtimi i tij me kohën bëhet i veçantë dhe karakteristik, i cili, të gjitha rrjedhat i vë në libër ashtu siç i ka parë dhe i ka përjetuar.

Edhe në këtë aspekt, ai përherë flet me gjuhën e argumenteve dhe të dëshmive të radhitura në mbi 450 dokumente, foto dhe faksimile dhe mbi 350 emra që “defilojnë” në “Unë dëshmi kohe”, që këtë libër, ndoshta e bëjnë regjistër të veçantë të kohës, kushteve dhe të rrethanave në të cilat është ndodhur Kosova dhe shqiptarët. Andaj, për të qenë regjistrues i këtyre gjërave, të cilat kur shkruhen, ato në çdo kohë e përherë janë të ndjeshme, si njeriu, krijuesi dhe studiuesi duhet të janë gërmues të thellë në vetveten e tyre, për ta kapur e gjetur mesazhin e drejtë dhe pse jo edhe të domosdoshëm për të ndriçuar dhe përjetësuar diçka me peshë me mendjen dhe arsyen, me elementin thelbësor të njerëzores, të kodit historik dhe shkencor.

Andaj, libri “Unë, dëshmi kohe”, nuk është i rëndomtë, por është një dokument i cili nuk mund të konsiderohet se në te autori dëshiron të nxjerrë në shesh vetëm vetveten dhe rrjedhat e jetës së tij, por, ai na servir provokimin për ta zgjeruar analizën edhe për rrjedhat e përgjithshme shoqërore dhe politike nëpër etapa e periudha, e të cilat, sikur këto janë të veçanta vetëm dhe veçmas tek kombi ynë, shumë prej të cilave ende janë të pathëna apo edhe të pasqaruara, të patrajtuara e të pandriçuara sa duhet. Prandaj, kujtoj se në këtë kontekst, puthitet mirë edhe mendimi i Napoleon Bonapartes, se: “Bota vuan shumë, jo për shkak të dhunës së njerëzve të këqij, por për shkak të heshtjes së njerëzve të mirë”!

Do theksuar, se Reshat Nurbojën, pas luftës e takojmë me angazhime, si në NDI me shumë projekte e programe, pastaj si Koordinator për marrëdhënie me publik dhe promovim të qytetit, drejtor të Teatrit të Qytetit të Pejës, drejtor të Drejtorisë së Administratës dhe Personelit të Pejës dhe si profesor i angazhuar në Universitetin Publik “Haxhi Zeka” në Pejë dhe në krye të angazhimit për realizimin e regjistrimin e popullatës në Pejë. Andaj, kur i vëmë në peshojë të gjitha këto angazhime dhe “pelegrinazhin” e tij nëpër kohë, ai e merr atë zërin e personalitetit ndoshta historik, krijues, studiues dhe analizues të jetës dhe të të gjitha atyre angazhimeve për lirinë e kombit dhe të atdheut dhe për lumturinë e njeriut, të cilat rrjedha dhe ngjarje, historikisht i kanë përcjellë, dhe, edhe tash i përcjellin shumë dobësi e gjëra negative, që numër jo i vogël prej tyre u ngjajnë paradokseve më të unike që mund të janë pjesë e jetës normale. Mirëpo, siç thotë Ismail Qemali: “Fati i popujve të vegjël kalon nëpër dyert e tragjedive të mëdha”!

Kështu, libri i Reshat Nurbojës “Unë, dëshmi kohe”, është një copëz historie që padyshim i ka vlerat e një dokumenti me peshë dhe me mesazhin njerëzor, e që duhet të jetë në shërbim të njeriut, të kombit, atdheut dhe të njerëzores.



(Vota: 15 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: