Lutfi Alia: Dy ngjarje me Prof Dr Pёllumb Bitri
| E Premte, 07.08.2015, 09:00 PM |

DY NGJARJE ME Prof Dr PËLLUMB BITRI.

Nga Prof. Dr. Lutfi ALIA

1.

Nё vitin 1996, kur punoja nё Institutin e Anatomisё Patologjike tё Universitetit tё Sienёs, pata fatin ta njoh dhe tё bashkёpunoj me Prof Hans Cottier, njё ndёr personalitet botёrore tё anatomisё patologjike, shkencёtar i shquar, autor i shumё teksteve, monografive dhe studimeve shkencore; drejtor pёr disa dekada i Institutit tё Anatomisё Patologjike tё Universitetit nё Bern tё Zvicrёs.

Nё institutin, qё kishte drejtuar me vite, ishin specializuar shumё mjekё nga vende tё ndryshme tё Europёs, mes tyre dhe pedagogё tё Sienёs, pra ishte i mirёnjohur, i nderuar dhe i respektuar nga tё gjithё kolegёt e mi.

Edhe pse i kishte kaluar te 80-tat, Prof Cottier vazhdonte tё punonte, drejtonte kёrkimet shkencore nё fushёn e onkologjisё nё institutin e Bern-ёs dhe tё shumё vendeve tё tjera europiane.

Nё Siena, vinte çdo vit dhe qëndronte njё muaj. Gjatё kёsaj kohe hartonte dhe koordinonte programet e studimeve shkencore nё fushёn e onkologjisё tё institutit. Ditët e para, i takonte me rradhё tё gjithё pedagogёt dhe me pas impenjohej krahas tyre nё kërkime dhe nё interpretimin e rezultateve.

Takimet me Prof Cottier ishin mbresёlёnёse. Pas pёrshёndetjeve tё zakonёshme e tepёr miqёsore, fillonte diskutimet, shkёmbente mendime, sugjeronte pёrmirësimin e metodikave të kёrkimeve shkencore, duke ndihmuar nё pёrmirёsimin dhe rritjen e nivelit tё studimeve.

Kur hyri nё dhomen time mё pershendeti shqip: “Mirёdita skipetari, si jeni”. U befasova nga ky prezantim i rrallё e miqёsor, qё tё impononte nderim dhe respekt. Biseduam gjatё rreth punimeve tё mia, mё dha shumё kёshilla e sugjerime tё vlefeshme, qё mё ndihmuan ta pёrmirёsoj dhe tё rris nivelin e studimit tim. Sugjerimet e atij burri tё madh e tё mençur, me lehtёsuan punёn dhe me ndihmuan tё pёrmirёsoj metodikat e tё thelloj studimet morfologjike.

Kisha kuriozitet tё dija si dhe ku kishte mёsuar pёrshendetjen nё gjuhёn shqipe, por ndruhesha ta pyesja, pasi takimi ishte zyrtar e tepёr profesional dhe nuk mund ta kaloja ne aspekte personale e pёr me tepёr nuk mund ta shndёrroja nё bisedё konfidenciale. Sa mё shumё ditё kalonin, aq mё shumё shtohej kureshtia ime.

Pёrgjithesisht, unё dhe kolegёt e mi tё institutit, çdo mёngjez , para fillimit tё punёs, pinim kafè nё barin e madh tё spitalit. Shumica e pinin kafenё shpejt, nё këmbё te banaku dhe shkonin direkt nё punё, ndёrsa unë me kolegun Dr Lizart Hako, e pinim allashqiptarçe, pra pinim kafè, tymosnim njё cigare, bёnim njё bisedё tё shkurtёr dhe fiks nё orёn 09.00 fillonim punёn.

Njё ditё, ndёrsa po pija kafè vetёm dhe po tymosja njё cigare nё rehatine time, erdhi Prof Cottier e pasi kёrkoi leje nё se mund tё rrinim sё bashku, u ul dhe filloj bisedёn.

- Mua mё pelqen tё pi kafè si ju shqiptarёt. Ështё bukur tё pihet kafè nё shoqёri, tё bisedojmё, të shkёmbejmë mendime dhe tё tymosim, - tha duke qeshur dhe pasi ndezi llullёn mё pyeti.

- Dёshiroj tё pyes, a e njeh Profesor Bitri?

Pёr njё çast u shtanga nga kjo pyetje e pa pritur, por shpejt e mora veten, i bindur se po mё pyeste pёr profesorin tim, andaj iu pёrgjigjia me entusiazёm:

- Natyrisht e njoh, ёshtё profesori im i anatomisё patologjike, madje kam pas fatin tё punojmё sё bashku pёr disa vite. Jemi miq tё vjetёr. Po ju profesor ku e keni njohur Profesor Bitrin? – e pyeta me kuriozitet dhe me padurim tё zbuloja lidhjet mes dy profesorave.

- Personalisht nuk e kam njohur, por kam librin e tij. Ma ka dhuruar njё student nga Kosova, qё studionte mjekёsi nё Bern.

- Interesante, - shtova unё sa pёr tё nxitur bisedёn.

Prof Cottier, me qetёsine e tij tipike, filloi tё më tregojë si e kishte njohur Prof Pёllumb Bitrin.

- Shumё vite me parё, gjatё seminareve nё lendёn e anatomisё patologjike, njё student kosovar, pyetjeve tё mia iu pёrgjigjej saktё, por ndryshe nga teksti, qё përdornin studentët, jo vetёm kaq por fliste me koncepte mё tё avancuara pёr njё student – vazhdoi tё rrёfente Prof Cottier.

- Njё ditё, e pyeta se me çfarё teksti studionte dhe ai nxorri nga çanta njё libёr voluminoz, me kopertinё tё trashё ngjyrё okёr dhe mё tregoi se ishte nё gjuhёn shqipe, me autor Pёllumb Bitri. Ishte hera e parё qё shihja njё tekst dhe dёgjoja pёr njё autor shqiptar. Nga titulli “Patologjia mor-fologjike” kuptohej se ishte tekst i specialitetit tonё. I shtyrё nga kurioziteti, i kёrkova studentit tё mё pёrkthente dy paragrafe tё shkurtёr tё tekstit. Mё pëlqyen shumё, nga mёnyra e strukturimit tё koncepteve morfologjike, pasi ishin shkruar me stil sintetik dhe tё kompletuar. Kёto rredhana mё nxitёn te njihem mё shumё me pёrmbajtjen e tekstit, andaj herё pas here, kur mё rastiste pak kohё e lirё, e ftoja në studion time studentin kosovar. Nga ai mësova disa përshëndetje nё gjuhёn shqipe e sa herё takoheshim pёrshёndeteshim “Tung”. Studenti kosovar vinte me dëshirё dhe vazhdonte tё mё përkthente në gjermanisht, ato qё i sugjeroja unë, pra pjesët kardinale të një teksti universitar. Kështu fillova tё “lexoja” kёtё tekst dhe njëkohësisht njoha njё shkencёtar shqiptar dinjitoz.

- Mё gëzove shumё, që Ju keni njohur vlerat profesionale dhe shkencore tё Prof Pёllumb Bitri. Studentёt e kanё idhull, e admirojnё. Nё leksionet e tij, auditori mbushej plot dhe ligjeratat e tij i ndiqnin jo vetëm studentët, por dhe mjekёt që kryenin specializimin. Ështё pedagog me kulturё tё kompletuar, erudit dhe zotёrues i disa gjuhёve tё huaja. Ai shquhet pёr metodikёn e zhvillimit tё leksioneve dhe tё mёsimeve praktike, - shtova unё me krenari, pёr të plotesuar sado pak figurёn e Prof. Pёllumb Bitrit.

- Prof Bitri ka shkruar njё tekst me strukturё dhe pёrmbajtje moderne pёr kohёn. Kapitujt janё tё kompletuar dhe nё vazhdimёsi harmonike, dëmtimet e mirfillta dhe proçeset patologjike trajtohen me nivel shkencor, - vazhdoi Prof Cottier, duke evidencuar vlerat e librit.

Komentet e Prof Cottier, me çliruan nga ndrojtja dhe fillova t’i tregoj disa hollёsi, pёr t’i dёshmuar atij, se unё isha njё ndёr nxёnёsit dhe miqtë e Prof Pëllumb Bitri.

- Patologjia Morfologjike, ёshtё teksti i parё historik i Fakultetit tё Mjekёsisё. Prof Bitri ishte 38 vjeç, kur e botoi kёtё libёr voluminoz, ishte i ri nё moshё, por me formim dhe përvojё tё pasur profeinale e shkencore. Nё ato vite tё vёshtira, lёndёt e tjera ne i studionim me dispensa, qё ishin pёrshtatje dhe pёrkthime jo cilёsore tё teksteve tё autoreve sovjetikё, madje biblioteka e fakultetit ishte e mbingarkuar me libra nё gjuhёn ruse, - vazhdova t’i tregoj.

- Pikёrisht, - vazhdoi Prof Cottier, - kur ai djali kosovar mё tha se autori ishte njё profesor shqiptar, imagjinoja njё libёr tё shkruar me stil alla-sovjetikshe, por nё fakt me rezultoi ndryshe.

- Pёr vlerat didaktike dhe shkencore tё tekstit dhe pёr botimet shkencore, Prof Bitri ёshtё nderuar me Çmimin e Republikёs, - shtova unё me nxitim, pёr tё konfirmuar mendimet e Prof Cottier.

- Vlerёsim i merituar, - u shpreh me entusiazёm prof Cottier, - por jam kurioz tё di, Prof Bitri ka diplomuar nё Shqipëri, apo ёshtё i shkollёs sovjetike, se ju keni qenё tё lidhur me rusёt, apo ka studiuar nё shkollat perëndimore? – pyeti Prof Cottier.

- Prof Pёllumb Bitri ёshtё i shkollёs ruse, ka studiuar nё Fakultetin e Mjekёsise tё Universitetit nё Gorki, madje ka studiuar dhe nё Fakultetin e Filozofise. Pasi u kthye nga studimet, nё vitin 1954 hapi dhe drejtoi katedrёn e Anatomisё Patologjike nё Fakultetin e Mjekёsisё nё Tiranё. Ka merita, se themeloi shkollёn shqiptare tё morfologjisё. Nё vitet e mё pasme ka botuar shumë tekste dhe monografi shkencore, ёshtё ndёr pedagogёt me krijimtari tё lartё shkencore.

- Interesante, - tha prof Cottier, - kam lexuar shumё libra dhe artikuj tё autorёve rusё, por ato kanё tjetёr strukturё, tjetёr stil shkrimi, frazat janё tё gjata, pёrshkrimet bёhen tёrkuzë e tё lodhshёm, madje duhet t’i rilexosh pёr tё nxjerr konceptin themelor, ndёrsa Prof Bitri shkruan nё mёnyrё elegante, me stil lakonik dhe tё qartё, duke shprehur thelbin e proçeseve patologjike. Kuptohet se nuk imitoi shkollёn ku u formua si mjek dhe si specialist, por ndoqi njё rrugё tё re, prandaj dhe une pasi u njoha me tekstin e tij, e vlerёsova pёrfaqёsues i shkollёs shqiptare tё anatomisё patologjike.

Kёshtu duke biseduar sё bashku, pa e kuptuar kaloi shumё kohё dhe u vonuam pёr nё punё, por mua nuk mё bёhej ta ndёrprisja, kisha dёshirё tё dёgjoja opinionet e njё shkencёtari tё madh, pёr pedagoun tim tё shquar e tё zjarrtё, Prof Pёllumb Bitri.

Biseda kishte arritur nё njё pikё, sa nuk mund tё ndёrpritej. Ndёrsa mendoja tё trajtoj njё tjetёr argument, Prof Cottier vazhdoi tё shprehej rreth tekstit, qё e kishte analizuar deri nё hollёsi.

- Duke e krahasuar me tekstet ruse dhe me tekstet e tjera perёndimore, konstatova se libri i Prof Bitri, ka vlera të veçanta, ai sjell risi, qё ia rrisin meritat autorit, ёshtё teksti i parё, qё i trajton sёmundjet e kolagenit nё një kapitull me vete. Vetëm vitet mё pas, autorёt perёndimorë dhe ata rusё filluan t’i trajtojnё kёto sёmundje nё tekstet mёsimore universitare, - shtoi Prof Cottier.

Kёto ishin fjalё tё bukura e tё sinqerta, ishin vlerёsime të dhëna nga njё profesor i shquar zviceran, pёr njё profesor tё shquar shqiptar, ishin tё vёrteta tё pakontestueshme, por opinioni shqiptar nuk pati kurajo ta vlerësonte publikisht, ose me saktё, nuk donte tё tregonte vlerat e profesorit tё vet.

- Aktualisht, ku punon Prof Bitri? - mё pyeti Prof Cottier.

- Pёr ironi tё jetёs e tё shkencёs, Prof Bitri ёshtё nё pension dhe nga viti 1992 jeton nё Spanjё, ne qytetin Bilbao. Atje ia vlerёsuan aftësitë pedagogjike dhe shkencore, andaj e morën pedagog të anatomisë patologjike në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Pùblik De Paìs Vasco, ku vazhdon të japë leksione, madje ёshtё dhe anёtar i kёshillit shkencor tё Fakultetit.

- Kaq e pasur ёshtё Shqipёria me shkencёtarё, sa i nxjerr nё pension dhe i le tё largohen, - pyeti me ironi Prof Cottier dhe pasi pa orёn, duke qeshur u ngrit e tha, - shkojmё se do tё na kritikojnё pёr vonesёn dhe do tё na nxjerrin nё pension dhe ne tё dy.

Dolёm nga bari duke qeshur dhe shkuam nё institut. Natyrisht u prezantova me 20 minuta vonesё, qё do t’i zёvendёsoja. Nuk kisha asnjё preokupim se rrija mё gjatё nё punё, perkundrazi, e vlente kjo sakrificё. Pёr mua ajo kohё nё shoqëri me Prof Cottier, kaloi e mbushur me fjalё tё bukura për profesorin tim Pёllumb Bitri dhe kafeja qё piva, ishte mё e shijëshme se kurrё ndonjёherё.

Isha i pushtuar nga gëzimi dhe kënaqёsia, qё krijoi biseda e bukur me njё personalitet si Prof Hans Cottier, i cili shprehu mendime, konsiderata dhe vlerёsime pёr profesorin tim Pёllumb Bitri, njё ndёr pёrfaqёsuesit mё tё shquar tё pedagogjisё dhe shkencёs mjekёsore shqiptare.

Mbresat e kёsaj ngjarje ia tregova kolegeve tё mi si dhe Dr Ana Lito, qё kishte ardhur nga Imola pёr tё mё takuar dhe Dr Lizart Hako, qё kryente specializimin pasuniversitar nё institutin e Sienёs. Tё dy ish-studenta dhe admirues tё Prof Pёllumb Bitrit. Sapo dëgjuan rrëfimin tim, të përfshirë nga entusiazmi, shkuan e takuan Prof Cottier, e falenderuan dhe i shprehёn mirёnjohjen pёr vlerёsimet pёr profesorin tonё.

Kanё kaluar pothuajse 20 vjet dhe kjo bisedё ka mbetur e pashlyer nё kujtesen time, e kujtoj dhe e pёrjetoj si një takim real tё Prof Hans Cottier me Prof Pëllumb Bitri, si takim i dy burrave, i dy shkencёtarёve, i dy profesorave, i dy intelektualëve të shquar.

2.

Nё vitin 1973, Prof Pёllumb Bitrin e qarkulluan nё Elbasan. Pёr disa vite punuam  sё bashku dhe gjatё asaj kohe, mёsova shumë prej tij dhe ai ma pasuroi me shkencё formimin tim profesional.

Prof Bitri ishte pedagogu qё me kishte mësuar, por kurrё nuk mbajti distancё me mua, pёrkundrazi bashkpunimi dhe miqёsia jonё rritej nga dita në ditë e kishim krijuar konfidencё e besim mes nesh. Miqёsia e jonë ishte dhe është si vena e vjetёr, sa mё shumё vite kalojnë, aq mё e fortё e mё e qёndrueshme bёhet, pavarёsisht se disa mendje shtjerrakeqe ishin pёrpjekur me tё gjitha mёnyrat pёr ta prishur.

Sё bashku i kemi ndarё tё mirat, sё bashku i kemi pёsuar tё kёqiat e politikёs absurde tё asaj kohe tё mbrapshtё, së bashku i vuajtёm pasojat e krijuara nga prapaskenat e mendjeve shtjerrakeqe dhe sulmet e mediokërve  e të karieristave, që drejtuan deri në rrënim vendin tonë.

Nga raportet e miqësisë me Prof Bitri, kam arshivuar shumë ngjarje të bukura, por në këtë shkrim do të tregoj një ndodhi të rrallë, një nga ato tё voglat dhe konfidencialet, por që shpreh kulturё, vlera shpirtёrore dhe respekt, ngjarje që të mbush me gëzim, me humor dhe me emocione pozitive.

Punonim sё bashku ne Spitalin e Elbasanit. Ishte një ditë e ftohtë dhjetori e vitit 1976. Prof Bitri dhe unë ishim impenjuar në ekzaminimin mikroskopik të biopsive, aq sa harruam të pinim kafenё e mëngjesit. Zakonisht kafenë e pinim në dhomën e Prof Pёllumbit, nuk na pёlqente tё shkonim në bar, qё ndodhej jashtë teritorit të spitalit dhe ishte një mjedis i ngushtë, i errët, i rrëmujshëm, ku shërbehej vetëm kafe allaturke, ndërsa ne preferonim kafè ekspres.

Prof Pëllumbi kishte një makinetë ekspresi napolitane dhe para se të fillonim punën, i përgatiste vetë kafetë, madje më “shërbente” dhe mua. Nga një herë vinte dhe doktor Niko Papajani dhe së bashku kalonim disa minuta në biseda miqësore e plot humor.

Atё ditё dimri, pasi i përfundoi biopsitë, Prof Bitri erdhi në dhomën time dhe duke qeshur mё tha:

- Ooo Luti, si harruam të pimë kafenë sot? Tani kemi dhe një problem tjetër, më është mbaruar kafeja e bluar, si do të bëjmë? Me këtë kohë të keqe nuk shkohet në bar dhe për më tepër ne nuk na pëlqen kafeja turke.

- Dhe unë, sot e dëshiroj shumë një kafè, - iu përgjigja për të aprovuar kerkesёn e profesorit.

Pasi u mendova pak, mё erdhi ndër mend një zgjidhje praktike. Në repartin e rrobaqepësisë të spitalit punonin Rabia dhe Lefteria. Te gjithe e dinin se shefja e kuadrit e spitalit, çdo mëngjez e vizitonte rrobaqepsinё dhe pinte kafè qyl e fshehurazi. Këtë sekret e rrethanë qesharake ia kisha treguar dhe Prof Pëllumbit, andaj me këtë rast, mendova ta shfrytëzonim edhe ne.

- Profesor, a shkojmë te Rabia dhe Lefteria, pasi me siguri shefja e kuadrit tani e ka kryer misionin.

Qeshi me gjithë shpirt dhe e aprovoi propozimin tim. Kur po dilnim, pamë sse po vine Dr Niko Papajani, i cili sapo u afrua na pyeti:

- Ku po shkoni, unë erdha të pi një kafè me ju të dy?

- Na është mbaruar kafeja dhe po shkojmë në një vend “sekret”, dëshiron të vish dhe ti me ne, - i tha Prof Pëllumbi.

Dr Niko pasi bëri një shenjë habie për këtë vend misterioz, u bashkua me ne. Trokitёm në portën e dhomës ku punonin ato dy gra fisnike dhe duke hyrë i përshëndetёm:

- Mirëdita, a pranoni miq?

- Mirëdita dhe mirëserdhët, - u përgjigjën të dyja njëzëri.

Pasi u ulëm dhe u rehatuam në atë mjedis të ngrohtë, iu drejtova Rabies.

- Rabie, kemi ardhur të tre, për të pirë kafè, ashtu të mirë, si di ta bëjsh vetëm ti.

- Me shumë kënaqësi, - tha Rabia dhe u ngrit të përgatiste kafetë. Hapi një sirtar e nxorri paisjet, makinetën, filxhanat madje dhe një tabaka të vogël.

Prof Bitri, që shquhej për komunikimin me shumë kulturë dhe me kortezi të admirueshme, filloi t’iu spjegoi motivet, që na kishin detyruar të kërkonim kafè nga ato dy zonja dhe njëkohesisht iu kërkoi ndjesë, për shqetësimin që iu krijuam nga ky “invazion” në orarin e punës.

- Profesor, për ne është kënaqësi dhe nder t’iu ofrojmë një kafè, - iu përgjigjën të dyja.

Ndërsa Rabia dhe Lefteria po përgatisnin kafetë, Prof Bitri rrinte i heshtur, çka nuk kishte ndodhur herë të tjera, pasi zakonisht ai mbante të ndezura bisedat, i bënte shumë të këndëshme dhe shpesh i shoqëronte me humor të lezetshëm. Dukej se kishte rënë në mendime të thella, por nuk po e kuptoja motivin. Vështronte nga dyshemeja, si të kërkonte diçka që fshihej mes pllakave. Herë pas here ngrinte sytë dhe shikonte Rabien dhe si i ndjer “në faj” për këtë vështrim kurioz, përsëri ulte kokën. U kuptova se prapa ketij qendrimi fshihej nje mister. Fillimisht mendova se preokupohej, se u kishim ndërprerë punën Rabies dhe Leftit, apo se u kishim kërkuar kafè personave që nuk kishim konfidencë. Me mendjen time u pёrpoqa shumё tё zbuloja sekretin e kёtij qёndrimi, por e vёrteta ishte e padeshifrueshme dhe misterin e kesaj heshtje duhej tё na e zbulonte vetё Prof Pёllumbi.

Dr Niko më bëri një shenjë, si të me pyeste: “Çfarë ka Prof Bitri, që rri mendueshëm?” dhe unë iu përgjigjia me një shprehje mimike, se nuk po e kuptoja, çfarë po e prokupon.

Ndejtëm pak çaste në heshtje, deri sa morëm filxhanat me kafè plot aromё. Sapo mori filxhanin e kafesë, prof Bitri më kërkoi një cingare, një veprim i pazakontë dhe i çuditshëm, pasi ai jo vetëm nuk tymoste, por ishte armiku i duhanit. Me këtë kërkesë, kuptova se kishte diçka që e turbullonte. Edhe Dr Niko, i habitur me këtë veprim e pyeti:

- Çfarë ka ndodhur sot me ty profesor, qё po tymos duhan?

Prof Bitri nuk iu përgjigj. Kafetë i pimë në heshtje sureale dhe pasi i lëshuam filxhanat mbi tabakà, njëri pas tjetrit, falenderuam Rabien dhe Lefterien pёr kёtё mikërpritje fisnike.

Pasi kryem ritualet e kafesë, prof Bitri me shumë dashamirësi iu drejtua Rabies.

- Rabie, a më mban mend mua?

Ne tё tre vështruam njëri tjetrin me habi, për këtë pyetje të çuditëshme.

- Po Pëllumb të kujtoj shumë mirë, madje të njoha, që ditën e parë kur erdhe në spitalin tonë, - iu përgjigj buzagaz Rabia.

U befasuam me këtë përgjigjie, pasi nuk kishte ndodhur kurrë, që Rabia t’iu drejtohej në emër mjekëve e për më tepër t’i fliste nё kёtё mёnyrё konfidenciale. Në kёtё bashkëbisedim mes tyre fshihej një enigëm, një e panjohur. Të dy i drejtoheshin njeri tjetrit si dy miq tё vjetёr.

Prof Pellumbi buzëqeshi dhe vazhdoi.

- Sapo u takuam, të njoha menjëherë edhe pse kanё kaluar 40 vjet.

- Po zbulohet misteri, - nderhyra une si pёr tё nxitur rrёfimin e tё dyve.

- Kemi qenë në një klasë në shkollën fillore, - filloi tё na tregoi Prof Bitri.

- Ҫliroje ndёrgjegjien nga pengu, - ndёrhyra unё duke vazhduar humorin.

Qeshёm tё gjithe edhe pse ende nuk po kuptonim sekretin e kesaj bisede.

- Ti rrije në bangë para meje, - vazhdoi bisedёn Prof Pёllumbi, duke iu drejtua Rabies. – Atë kohё nuk kisha kurajo ta thoja, por po ta them sot.

Ne heshtёm e po prisnim zgjidhjen e kёsaj enigme.

- Rabie, të kam dashur shumë, - deklaroi Prof Pёllumbi dhe pas nje pauze vazhdoi:- Në se nuk ke harruar, nga një here përfitoja e t’i përkedhelja flokët dhe ti vetëm ktheje kokën, buzëqeshje e nuk më thoje asgjë.

- Po Pëllumb, më kujtohet shumë mirë dhe unë të kam dashur shumë, - konfirmoi Rabia buzagaz, - por si e di dhe ti, në ato vite tё vёshtira erdhi lufta, jetët tona morën drejtime të ndryshme. Im atë mё hoqi nga shkolla e mё mori në dyqanin e tij, pёr tё më mësuar zanatin e rrobaqepses, ndërsa ti vazhdove shkollën, studiove, u bëre doktor dhe profesor i famshëm. Unë u fejova me shkuesi dhe më martuan herët. Fëmijët janë rritur e janë martuar, madje para dy vitesh jam bërë gjyshe.

Për një çast u stepëm nga kjo bisedë dhe po i vështronim të hutuar të dy, por shpejt shpërthyem me të qeshura me shpirt. Dr Niko, që nuk dëgjonte mirë, më pyeti:

- Çfarë po thonё se nuk e kuptova mirë?

Duke përfituar nga atmosfera gazmore e krijuar, shpejtova t’ia tregoj Dr Nikos këtë bisedë, por natyrisht duke shtuar dhe pak humor nga ana ime.

- Prof Pёllumbi dhe Rabia, të inspiruar nga kjo kafè e shijëshme dhe nga kjo atmosfere miqesore, bënë dy deklarata dashurie, të një dashurie të largët, që kishte mbetur e fshehur mes tyre prej 40 vitesh.

Të gjithё qeshnim me lot me këtë ngjarje të bukur, tё treguar nga tё dy me shumё sinqeritet.

Pas komentit tim, Prof Pёllumbi, shpejtoi t’i spjegoi Dr Nikos thelbin e bisedës me Rabien.

- Dr Niko, mos i keqkupto ato që tha Luti, nuk ishte deklaratë dashurie, por i tregova Rabies, se 40 vjet të shkuara, pra në vitin 1936, kur ishim në klasën e dytë të shkollës fillore, unë kisha simpati për shoqen e klasës, Rabien e bukur si atëhere dhe sot dhe Rabia mё konfirmoi se dhe ajo ka pasur simpati për mua. Ishim kalamaj inoçenta. Sot kujtuam ato sentimente miqёsie fёminore, pra nuk ishin ndjenja dashurie dhe as deklarata dashurie, si i interpreton Luti.

Qeshëm të gjithë me këtë histori të bukur, të rrëfyer me sinqeritet dhe me pastërti shpirtërore, që meritonte nderim dhe respekte për të dy.

Si për ta plotësuar këtë atmosferë gazmore, Rabia i tha Prof Pёllumbit.

- Pëllumb, ti ke një familje të mrekullueshme, ke njё grua të bukur dhe zonjë të vërtetë, grua fisnike dhe tё sjellёshme. Dr Fina gëzon respekt të veçantë si nga personeli dhe nga prindërit e fëmijeve, që e takojnë gjatë vizitave mjekësore. Ajo komunikon me shumë kulturë dhe ka krijuar besimin dhe admirimin e prindërve. E kam njohur mirë dhe jemi miqesuar. Dr. Fina ka ardhur disa herë këtu te ne, për të pirë kafè, pra ka ardh para teje. Mё ka prezantuar dhe vajzat tuaja dhe djalin. Janë fëmijë te bukur, shumë të edukuar, të thjeshtë dhe shumë të sjellshëm.

- Faleminderit Rabie, për këto fjalë të bukura e të përzemërta, që më gëzuan dhe me lumturuan, - iu përgjigj Prof Pёllumbi, me një të folur, që tregonte se ishte i pushtuar nga emocionet.

Me kёto fjalë të bukura e mbyllёm këtё takim me mikёpritje shembullore, te mbushur me kujtime te bukura feminore, te nje miqesie feminore te 40 viteve te shkuara.

I përshëndetëm dhe i falenderuam ato dy gra fisnike dhe te gjithё u kthyem në punët tona.



(Vota: 20 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: