Elvi Sidheri: Kurdët janë shënjestra e vërtetë e ofensivës ushtarake turke
| E Enjte, 06.08.2015, 08:20 PM |

Kurdët janë shënjestra e vërtetë e ofensivës ushtarake turke

Nga Elvi Sidheri

Përmes një fushate imazh-ndreqëse që vështirësisht se do të mund t’i shërbejë dot si “makiazh” për të mbuluar synimet e saj reale, qeveria turke po rreket që t’i paraqesë bombardimet e njëkohëshme kundër Shtetit Islamik dhe Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) në Irak (dhe po ashtu edhe në Siri, siç pretendohet me dëshmi dhe plot fakte të tjera, nga burimet kurde), si dhe valën e arrestimeve brenda Turqisë, siçnjë përgjigje të detyruar që po ndodh si pasojë e “provokimeve” (çdo lëvizje demokratike anti-Erdogan në Turqi, cilësohet prej vitesh si “provokim” nga sistemi erdoganist), që e kanë shtyrë Turqinë drejt të vepruarit në mënyrë të drejtpërdrejtë për të mbaruar punë njëherë e mirë me kërcënimin terrorist, ngado që ky të vijë, qoftë nga kurdët, e qoftë nga ISIS-i.

Sigurisht që gjithësesi përbën një risi madhore reagimi i autoriteteve turke kundrejt xhihadistëve meqënëse Turqia është përmendur në formë të përsëritur për shkak të mbështetjes së saj, direkte, apo indirekte ndaj Shtetit Islamik. Dhe, faktikisht, këto janë herët e para që aviacioni turk po sulmon shënjestra xhihadiste, pavarësisht faktit se përgjatë dy viteve të fundit Shteti Islamik ka qenë përgjegjës për shumë incidente të armatosura në kufirin turk, për disa atentate që ua patën marrë jetën dhjetëra qytetarëve turq dhe për shkak se, gjithashtu, patën kërcënuar të pushtonin dhe rrënonin varrin e shenjtë të Shah Sulejmanit, njërit nga etërit e lashtë të kombit osman, i cili u pat varrosur në shekullin XIII në një vend të ndodhur brenda kufijve të Sirisë së sotme, që ligjërisht, sipas të drejtës ndërkombëtare, vijon të quhet si territor sovran turk.

Sjellja e qeverisë së Ankarasë nuk ka qenë e njëjtë ndërkohë përsa i përket çështjes kurde. As përpara e as pas armëpushimit të shpallur nga PKK-ja, dhe as para e as pas zgjedhjeve të fundit parlamentare në Turqi, ku HDP-ja, e vlerësuar si “krahu politik” i guerriljes kurde, pati fituar miliona vota dhe 81 deputetë, as ushtria dhe as policia turke nuk patën reshtur së përndjekuri, brenda dhe jashtë vendit, militantët dhe simpatizuesit e PKK-së, duke ndaluar qindra njerëz, sulmuar bazat e guerriljes dhe selitë e HDP-së dhe duke nxitur kundër kurdëve lëvizjet islamiste radikale, si partinë Huda Par, Frontin Al Nusra, ose edhe vetë Shtetin Islamik, duke mëtuar që të frenojnë rritjen e pandalshme të mbështetjes popullore që po i shtohet dita-ditës PKK-së.

Gjithashtu pak është e mundur që pas këtyre bombardimeve, kjo organizatë (PKK-ja) ta ketë thyer vërtetë armëpushimin e vetëshpallur prej saj. Drejtuesit e saj tashmë e patën quajtur armëpushimin të përfunduar qysh para një muaji, pasiqë disa komando xhihadiste, dhe së paku njëra syresh e organizuar dhe stërvitur brenda Turqisë, patën depërtuar në Kobane, dhe patën vrarë aty me gjakftohtësi gati 300 civilë kurdë të pambrojtur. Që atëherë, përplasjet ndërmjet PKK-së dhe Ushtrisë turke nuk kanë reshtur më.

Vërtetë ka pasur njëfarë ndryshimi të qendrimit kundrejt Shtetit Islamik, por jo përsa u përket kurdëve, dhe as në lidhje me përdorimin e xhihadizmit për të luftuar PKK-në, sepse, në fund të fundit, Ankaraja zyrtare tanimë po e shfrytëzon ofensivën e saj kundër ISIS-it për të intensifikuar politikën e vet anti-kurde.

Por me qëllim që të bëhet më i kuptueshëm ky ndryshim, duhen patur parasysh disa deklarata të “kalifit” Al Bagdadi, udhëheqësit madhor të Shtetit Islamik, në të cilat ai kërcënon, për herë të parë, Turqinë për shkak të bashkëpunimit të saj me Uashingtonin. Përmbledhtazi, mund të thuhet se ai pohonte se nëse Turqia do të shkelte disa kufij të caktuar, atëherë ithtarët e tij do të mund të kryenin sulme edhe brenda territorit turk. Kjo gjë thuhej në një qarkore që, sipas ditores turke Zaman, u qe shpërndarë disa shtabeve policore disa ditë para ofensivës aktuale. Këto kërcënime u patën shfaqur gjithashtu edhe në portalin web “Konstantiniyye” (emri i mëparshëm osman i Stambollit), një portal ky, me orientim të qartë xhihadist, që e akuzonte qeverinë e Erdoganit si “tagut”, term arab që sipas vizionit konservator shërben për t’i akuzuar ata që tradhëtojnë doktrinën e profetit Muhamet.

Paskëtaj do të vinin edhe tridhjetë të rinjtë kurdë të vdekur në atentatin e Suruçit dhe shkëmbimi kufitar i zjarrit në të cilin para pak ditësh pati mbetur i vrarë një ushtar turk si pasojë e të shtënave të xhihadistëve. Të dyja ngjarjet kanë nxjerrë në pah para gjithë shoqërisë turke një qeveri seriozisht të dobësuar për shkak të dështimit të freskët elektoral.

Erdogani nuk kishte zgjidhje tjetër veç të përgjigjurit ndaj sfidës dhe dhënies së një prove të forcës së tij, megjithëse, në realitet dhe siç ka ndodhur përherë, veprimet e tij lënë gjithmonë përshtypjen se shënjestra e tij kryesore mbeten kurdët dhe jo Shteti Islamik, pavarësisht faktit se, ashtu siç edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e pranojnë vetë, kurdët, dhe veçanëtisht PKK-ja, po luajnë një rol kyç në luftën për ta mundur ISIS-in në terren, si në Siri, ashtu edhe në Irak.



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: