Frank Shkreli: Grabitqarët u turren trojeve arbërore
| E Enjte, 16.07.2015, 08:25 PM |

GRABITQARËT ANTI-SHQIPTARË PËRSËRI U TURREN TROJEVE ARBËRORE

Nga Frank Shkreli

Nga lindja në perëndim dhe nga veriu në jug, duket se hienat shekullore anti-shqiptare vazhdojnë me lakmi tua mësyjnë trojeve shqiptare, me qëllim për t'i çkombëtarizuar ato. Për pasqyrim të kësaj situate, dy raste të ditëve të fundit kanë tërhequr vëmendjen e medias në trojet shqiptare.  Njëra ka të bëjë me vizitën e Kryeministrit turk, Ahmet Davutogllu në Maqedoni ku ai deklaroi nga Shkupi se vendi i tij, "po punon për të rilindur kulturën turke në Kosovë, në Shqipëri dhe në Maqedoni".  Ai u citua të ketë thënë gjithashtu se, “Ne do të dërgojmë nga një fjalor turqisht në çdo familje të Shkupit." Kjo nuk është një deklaratë as politikë e re, por kjo është një politikë, konstante, e llogaritur mirë nga Turqia, e cila prej disa vitesh tani ka vepruar në fushën politike, diplomatike, ekonomike dhe fetare për të shtuar influencën e saj në Ballkan, e sidomos në trojet shqiptare.  Kjo vjen pas deklaratave të mëparshëme nga zyrtarët më të lartë të Ankarasë, të cilët, ndër të tjera, kanë kërkuar edhe rishikimin e teksteve shkollore, sidomos në Kosovë të historisë së shqiptarëve, me qëllim për ta ndryshuar atë .

Rasti tjetër ndodhi disa ditë më parë në rrethin e Ulqinit.  Portali "Ulqini Online" njofton se popi i Kishës Ortodokse sllave në Ulqin, Radojica Bozhoviç paska shkuar në Shas për të bërë një shërbim liturgjik të fesë ortodokse.  Problemi është se Shasi dhe as historia e tij nuk kanë të bëjnë aspak me fenë ortodokse serbe as me kulturën dhe historinë sllave.  Shasi që gjëndet midis Shkodrës  dhe Ulqinit, sipas historianëve, ka qenë dikur një prej katër "qyteteve satellitë" të Shkodrës, me shekuj qëndër me rëndësi e Kishës Katolike Shqiptare dhe e kulturës iliro-arbërore.

Gjatë sundimit të regjimit komunist jugosllav nuk flitej asgjë për historinë e lashtë të këtij qyteti. E mbajë mend si fëmij, pasi jam lind e rritur jo larg qytetit të vjetër të Shasit, kur të moshuarit na thonin se sipas gojdhanave Shasi ka patur dikur 365 kisha, secila e pagëzuar pas një shënjti ose shënjtëreshe të Kishës Katolike, një kishë për çdo ditë të vitit. Megjithëse për çdo ditë kalonim aty afër gërmadhave të qytetit të vjetër të Shasit, askush nuk fliste për historinë mijëra vjeçare të tij,  madje as mësuesit e shkollës fillore që frekuentonim aty afër në Katërkollë.

Tashti mësohet se, politika komuniste sllave i kishte dhënë urdhër historianëve dhe  arkeologëve të saj që të mos bënin hulumtime por ta lënë në heshtje pa e zbuluar historinë e Shasit, “Qytetit ilir që u fsheh nga sllavët”, duke mos dashur dhe duke mos lejuar, për arsye etnike dhe politike, të zbulohej historia e tij e vërtetë iliro-arbërore.

Fatbardhësisht viteve të fundit vihet re një interesim i ri për Shasin dhe historinë e këtij të qyteti të lashtë iliro-arbëror  nga banorët shqiptarë të atyre viseve por edhe nga intelektualët shqiptarë tëmbledhur rreth organizatës jo-qeveritare Ora dhe të tjera, të cilët disa vjetë më parë në Ulqin organizuan një simpozium shkencor i titulluar: “Shasi i lashtë – Monument i Kulturës”, ku u përfshinë kumtesat e 13 studiuesve mbi historinë e Shasit, këtij thesari të pa çmueshëm të trashëgimisë iliro-arbërore.

Si qëndër fetare me rëndësi, historianët përfshirë edhe ata shqiptarë si Prof Ruzhdi Ushaku, Prof Luan Maltezi, dhe Prof. Shaban Sinani, kanë shkruar se Shasi në bazë zë zbulimeve arkeologjike të deritanishme, “prekë Krishtërimin dhe periudhën ilire” dhe përveç rolit fetar,  Shasi antik është njohur në kohërat e lashta edhe si qytet me rëndësi, me një tregti dhe zhvillim urban të dalluar për ato zona.    Është një kulturë dhe histori që përputhet me atë të Komanit, kulturë e cila sipas historianëve i dallon bartësit e saj -- shqiptarët --nga fqinjtë e tyre të ardhur shumë vonë në ato zona sllavët dhe grekët e vjetër.  Prandaj, zbulimi dhe studimi i historisë së Shasit ka rëndësi natyrisht për hir të së vërtetës në përgjithësi, por për më tepër ka një rëndësi të veçantë për historinë e rajonit të rrethit të Ulqinit, si pjesë e pandarë e historisë së trojeve shqiptare dhe e historisë dhe të gjeografisë së kombit shqiptar në përgjithësi.

Prandaj lindë pyetja, ç'lypë popi Bozhoviç i kishës ortodokse sllave të Ulqinit, në gërmadhat e kishave katolike shqiptare të stilit romak në Shas, ku deri pak para disa viteve, historiografia sllave i kishte lënë në heshtje dhe si rrjedhim në shkatërrim e sipër ato monumente duke mos dashur të zbulonte origjinën e vërtetë iliro-arbërore të tyre. Tashti, popi Bozhoviç dhe kushdo qoftë pas tij – që siç duket është Kisha Ortodokse Serbe – duan të vjedhin historinë iliro-arbërore në trojet shekullore shqiptare, duke pretenduar se tashti ky monument i trashëgimisë iliro-arbërore na qenka  për tu përdorur për ceremoni liturgjike të ortodoksizmit serb.

Ky rast nuk është i vetmi i përpjekjeve të Kishës Ortodokse për të përvetësuar objektet dhe vendet me rëndësi historike për fenë, kulturën dhe historinë e shqiptarëve.  Në maje të malit të Rumisë, ku nuk ka pasur kurrë kishë sllave, është vendosur kohët e fundit një kishë ortodokse megjithë kundërshtimet e ashpëra të vendorëve.  Në Shas janë raportuar raste të tilla  edhe më heret ku njerëz të pa identifikuar, si hajdutë janë futur  në gërmadhat e kishave të vjetëra të Shasit për të venë simbole të ortodoksizmit sllav, në përpjekje për të ndërruar identitetin e këtij monumenti historik fetar dhe kulturor iliro-arbëror -- një përpjekje kjo e shëmtuar nga ana e përfaqsuesve të ortodoksizmit sllav që në këtë proces, duke ndryshuar simbolet fetare aty, mendojnë se do të ndryshohet edhe historia e mjedisit gjeografik iliro-arbërore të asaj zone në favor të asaj sllave.

Ulqinionline njofton se në festën e Lindjes së të ashtuquajturit, “Svetog Jovana Preteçe” (siç thuhet) prifti i kishës ortodokse të Ulqinit Radojica Bozhoviç këtë vit shërbeu Liturgjinë mbi rrënojat e Kishës së Shën Gjonit në Shas. (Shiko foto më poshtë).  Portali në fjalë komenton se zonat historike të shqiptarëve nën Mal të Zi, vazhdojnë të jenë në shënjestren e ”Pravoslavna Mitropolija Crnogosrko primorska”, e cila është e lidhur ngushtë me Kishën ortodokse serbe.

Këto dukuri, natyrisht kanë shkaktuar shqetësime të mëdha në radhët e popullësisë shqiptare të asaj zone.  Fatbardhësisht, përpjekjeve të këtyre hienave grabitqare antishqiptare për të vjedhur ose për të ndryshuar historinë e shqiptarëve në trojet e veta, u janë kundërvenë banorët e Shasit dhe të Anës së Malit.  Meritë të veçantë në këtë mes ka Shoqata Ora, e cila për disa vite ka punuar dhe punon për të ruajtur, sipas saj "këtë vend të shënjtë për shqiptarët e kësaj zone", si dhe Bashkësia lokale e Katërkollës e cila ka kundërshtuar për një kohë të gjatë tani paraqitjen e këtyre personave dhe simboleve të huaja fetare në Shas, duke u bërë thirrje autoriteteve vendore që tu dalin zot këtyre monumenteve kombëtare. Ata kanë kundrshtuar vazhdimisht përpjekjet e këtyre personave prej hajdutësh, për të vjedhur historinë kombëtare, kulturore dhe fetare të shqiptarëve të atyre trojeve, duke mbajtur ceremony fetare ortodokse dhe vendosur simbolet e tyre fetare të ortodoksizmit sllavo-serb aty ku nuk duhet dhe ku nuk përkasin, as për nga kultura, as për nga feja as për nga historia, as për nga kombësia.

Sipas medias vendore, në të kaluarën, një numër organizatash jo-qeveritare të shqiptarëve të asaj zone, përveç shoqatës Ora, përfshirë Art Club, Illyricum dhe Gjon Buzuku, kanë promovuar dhe kanë mbrojtur trashëgiminë kulturore dhe fetare iliro-arbërore të objekteve të Shasit. Ato njëkohsisht kanë kërkuar nga autoritetet kompetente vendore dhe shtetërore që të  zbardhen  qëllimet e dukurive të tilla të pautorizuara dhe që të ndalohen përpjekje të tilla në të ardhmen, me qëllim që të mënjanohen edhe incidentet e mundëshme, pasi qytetarët janë tepër të shqetësuar dhe të zemëruar nga përpjekje të tilla të personave dhe institucioneve që fshihen pas tyre, të panjohur dhe të pa autorizuar, për të zhvilluar ceremoni të tilla në mjedisin e qytetit të lashtë të Shasit.

Në të kaluarën, organizata Ora dhe Bashkësia Katërkollë u kanë drejtuar thirrje Komunës së Ulqinit, Kryeipeshkvit të Tivarit, Ministrisë së Kulturës të Malit të Zi, Ministrisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Pjesëtarëve të Grupeve Etnike dhe Nacionale, Qendrës për Kulturë Ulqin, Ministrisë së Punëve të Brendshme – Sektorit të Sigurisë Ulqin dhe Entit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturo-Historike që të ndërhynin për të ndaluar aktivitetete të tilla.  Por, përveç këtyre enteve, hulumtimet dhe mbrojta e së vërtetës së zbulimeve shkencore të historisë së Shasit është jo vetëm detyrë e autoriteteve vendore shqiptare, por nevojitë edhe mbështetjen e qarqeve politike dhe shkencore të Tiranës dhe Prishtinës, pasi ajo është një histori e pandarë dhe thesar i çmueshëm i trashëgimisë dhe identitetit kulturo-fetar të mbarë kombit shqiptar.

Në reagimin e fundit ndaj ceremonisë së liturgjisë ortodokse sllave nga popi I kishës së Ulqinit tek gërmadhat e kishave të Shasit, Organizata Ora dhe Bashkësia Katërkollë bëjnë thirrje që tu thuhet JO veprimtarive dhe dukurive të tilla qëllim këqia sllave, të cilat thuhet në reagimin e më poshtëm janë, "në kundërshtim me rrjedhën historike" të qytetit të vjetër të Shasit.

__________

Pason reagimi i plotë i Bashkisë së katërkollës dhe i organizatës Ora, për ata që janë të interesuar.

 

Opština Ulcinj

Komuna e Ulqinit                                                                                               OJQ ‘’ORA’’

Mjesna Zajednica- Vladimir                                                                               Nr. 40/15

Bashkësia Lokale- Vladimir                                                                               Ulqin, 12.07.2015

Br./Nr. 04-07/15

Vladimir/Vlladimir, 12.07.2015

REAGIM

BL Vlladimir dhe shoqata Ora reagojnë në lidhje më organizimet e ceremonive fetare në objektet kulturore-historike që gjenden në Qytetin e Vjetër të Shasit të cilat janë publikuar në disa media të shkruara.

Qyteti i Shasit me shtresat kulturore arkeologjike që njihen deri më sot dëshmojnë rrjedhën e  jetës në një periudhë prej rreth 8000 viteve. Me këtë rrjedhë historike trashëgimia kulturore e Shasit përfaqëson: historinë e kulturës neolitike (6000 – 3300 të eres së hershme) me të cilën zën fill historia e vendbanimit të Shasit, trashëgiminë kulturore të kohës së metaleve (3300 – 400 të eres së hershme) e cila fillon me kohën e bakrit (3300-2100) dhe vazhdon me kohen e bronzit (2100-1200 të eres së hershme) dhe te hekurit (1200-500 të eres së hershme) që është periudha kur vendbanimi i hershem i Shasit ishte i fortifikuar me mure ilire; trashëgiminë kulturore ilire të periudhës së Shtetit Ilir , kur Ana e Malit me qendren e saj të Shasit si trevë qendrore e hapsires ku merr vrullë zhvillimi i qyteteve ilire që fillon nga koha e dinastisë së Bardhylit (400 – 335 të eres së hershme) e vazhdon gjatë periudhës së dinastisë së Glaukut e dinastisë së Agronit zën një vend te rendesishem njëjtë si dhe gjatë gjithë periudhes antike kur dhe është e deshmuar rruga Ulqin-Shas-Shkoder; trashëgiminë kulturore të shekullit VI që përkon me periudhën e mbretërimit të perandorit ilir Justinianit, kur  Ana e Malit është pjesë integrale e teritorit që administrohej prej kryeqendrës ilire – Justinianës; trashëgiminë kulturore arbnore apo të komanit; trashëgiminë kulturore të periudhës së Balshajve; trashëgiminë kulturore të kohës së re; trashëgiminë e kohës bashkëkohore e plot momente e ngjarje të rëndësishme të historisë sonë, shumë prej të cilave popullësia e Anës së Malit i ka ruajtur në legjenda e tregime.

Me këtë rrjedhë historike lokaliteti arkeologjik i Shasit perfaqëson rrjedhen e plotë të historisë së Anës së Malit dhe dëshmon identitetin shqiptarë të trevës sonë prej zanafillës e deri në ditët e sotme.

BL. Vlladimir dhe Shoqata Ora do të kërkojnë nga institucionet kompetente të mos lejojnë mbajtjen e aktiviteteve që bien  në kundershtim më rrjedhen historike që është argumentuar në mënyr shkencore në lokalitetit arkeologjik të Shasit, me statusin që ka dhe që duhet të ketë lokaliteti arkeologjik i Shasit i cili është në procesin e hulumtimit shkencor së bashku më të gjitha objektet kulturo-hitorike që gjenden në këtë lokalitet i cili  është në procesin e hulumtimit shkencor.

BL. Vlladimir dhe Shoqata Ora në bashkëpunim më institucionet kompetente do të finalizojë:

– Vënies në administrim e të gjithë lokalitetit arkeologjik të Shasit ashtu siç  obligon  ligji për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore  (“Fl. zyr.”, nr. 49/10 e dates  13. 08. 2010);

– Revitalizimit të  trashëgimisë kulturore të Shasit në harmoni më legjislacionin e Malit të Zi dhe konventave ndërkombëtare duke i venë të gjitha objektet kulturore hitorike në funksion të vlerave muzeale duke mos cenuar asnjë moment të rrjedhes historike të monumenteve kulturoro-historike dhe të lokalitetit.

– Vendosjes së eksponatave arkeologjike të Shasit në objektet kulturore-historike të këtij lokaliteti.

Në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit, Organizatën Turistike, Qendrën për Kulturë si dhe institucionet qëndrore kompetente do të vendosim qendrën turistike-informative, rojen e lokalitetit ,  si dhe vendosjen e zonës arkeologjike të Shasit nën mbikëqyrjen e kamerave.

Kryetari i Këshillit të BL Vlladimir       Kryetari i Shoqatës  “Ora

Sabri Salaj                                Bajram Mehmeti

Fotografitë e botuara në Ulqinionline nga pjesëmarrja në shërbimin fetar të popit ortodoks, Bozhoviç në gërmadhat e Shasit



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: