Drita Lushi: Ti duhet të kesh një libër të bardhë…
| E Shtune, 04.07.2015, 05:03 PM |

Ti Duhet të kesh një libër të bardhë…

Bijës sime në 13 vjetor…

Esse nga Drita Lushi

Që në lindje, ti je një shëmbëlltyrë e bukur e babait tënd bija ime.….Dhe ishte mëngjes si tani…ishte  ora 9.15 minuta.

Qysh atëherë,kam parë  Zotin të qeshë njerëzisht.

Ti tashmë je, as e vogël, as e madhe, paçka se për mua Je  dhe do Mbetesh e Vogla Ime;

Tani s’mund të të tregoj përralla si dikur.

Ndonse me zemër dhe në heshtje të uroj: “e paç jetën si një përrallë”, “të veçantë si një ëndërr”, “të bukur si një poezi”, mos harro, që këto janë urime nëne, që shkruan edhe ndonjë poezi dhe s’mund të lë jashtë ëndërrimet e heshtura për ty. Këto janë gjëra të mrekullueshme, por më shume se për to, ke nevojë të dish ca të vërteta;

Unë të dua shumë, dhe Dashuria ime nis nga Ty.

Ndërsa Dashuria Jote, duhet të nisë nga Vetja.

Duhet ta duash çdo gjë tënden,që nga trupi, shpirti, tiparet dhe ta pranosh veten siç je.

Bota është e bukur e parë me sytë e moshës tënde;

Andaj Shijoje dhe Gëzoju ndijimeve, perceptimeve dhe përjetimeve që të japin vitet e tua të bukura!

Por, përtej asaj ç’ka Ti sheh, bota është edhe e egër,dhe Ty do të duhet të ecësh në rrugë të panjohura dhe të pashkelura,të bukura por dhe të vështira… Ti duhet të besosh fort tek vetja, tek aftësitë e tua, tek përpjekjet, tek mendja jote,tek vullneti yt.

Duhet  të jesh mirënjohëse ndaj të gjithë njerëzve, që të duan, që të ndihmojnë, sidomos në momentet e vështira dhe në çastet delikate.

Që të mos i harrosh, duhet ti shënosh në një libër të bardhë.

Ndoshta ai libër nis me emra dhe vazhdon me ngjarje, ndodhi dhe njerëz që do lënë gjurmë në jetën tënde.

Mos i harro kurrë njerzit e gjakut tënd;

Duaji si të një gjaku, por s’është gjithmonë gjaku ai që të ofron dashurinë e vërtetë,motrën ose vëllain që të mungon;

Motër dhe vëlla mund të bëhet edhe dikush, që të do , kush të gjendet dhe që është çdo çast me ty, në gëzime dhe shqetësime.

Ti je aq e brishtë Bijë…

E rritur si një lule e vetme e bukur e me përkujdesje …andaj,  s’duhet të besosh se çdo njeri është si ty, mendon si ty, beson si ty…

Do takosh njerëz të ndryshëm në jetë, do zhgënjehesh, do mërzitesh…por duhet të vazhdosh, të mos ndalesh në gjëra që nuk ia vlejnë, që s’të vlejnë, që s’janë si ty, që janë larg botës tënde…

Por asesi s’duhet të urresh.

Urrejtja, nuk duhet të përdoret, as si fjalë tek ti, ajo është gjuha dhe veprimi i të paaftëve,i njerëzve të dobët dhe të pazot.

Zemra dhe sytë e tu duhet të jenë të mbushur vetëm me dashuri.

Ji e ndershme me veten dhe pasi të jesh në paqe me të do arrish të jesh dhe me të tjerët;

Shpesh sillem si fëmijë, mundohem të të ngjaj në sjellje, veprime e fjalë,sepse  dua të jem sa më gjatë afër teje.

Jam pikënisja, deri diku do të jem etaloni yt, por ti do rritesh dhe do te  kesh kutin tënd dhe do ndihesha e qetë nëse këtë letër do ta lexoje ndonjëherë.

Çdo prind është më i mirë se fëmija, deri në çastin që nuk ka lindur akoma pasardhësin e tij.

Do të dëshiroja që Ti të marrësh nga unë sinqeritetin, vullnetin pasionin dhe nga babai korrektësinë dhe zotësinë.

Asnjëherë s’mund t’i themi dot të gjitha që duam, ashtu edhe unë sot,kam lënë ende gjëra pa të thënë, me shpresën që do te kem ende për të thënë çdo vit, por edhe me besimin që do ti mësosh vetë dhe do të dish( jo vetem) ti shkruash  në librin tënd.

Asnjë nga ne s’e di rrjedhën  dhe ndodhitë në jetën tonë, dhe kjo është gjë e mire sepse kështu do jetojme me shpresë,ëndërrim dhe besim për çdo ditë që do lindë.

Por gjëja më e sigurtë që do të ndodhë në jetën tënde, është, që unë do të dua deri në  frymën e fundit të jetës time.

Dhe e di që kjo është shumë pak.

Andaj, Unë do të të dua përtej frymës dhe përtej jetës, pa asnjë kusht mbi Tokë dhe në Qiell.

Per Ty Bijë.

Me dashuri përtej infinitit,

Drita Lushi 

4 korrik 2015.



(Vota: 13 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: