Elvi Sidheri: Besa e blasfemuar e shqiptarit
| E Shtune, 04.07.2015, 05:04 PM |

Besa e blasfemuar e shqiptarit

Nga Elvi Sidheri

Kur dëgjova për ndodhinë e fundit me protagonistë disa turistë të pafatë çekë në malet e veriut të Shqipërisë, si fillim pandeha (fort gabim) se bëhej fjalë për aksidentin e zakonshëm, me protagonistë turistët nga ky vend, që shpeshherë kanë mbetur viktima të majava të thepisura të alpeve tona të hijshme.

Por nuk ishte e thënë që gjërat të kishin vajtur pikërisht kështu!

Nuk kishte ndodhur asnjë aksident tragjik, dy të rinjtë e ngratë çekë, nuk patën rrëshqitur si pasojë e rastësisë  në ndonjë hon apo greminë malore, nuk e patën humbur rrugën për mungesë orientimi apo të ndonjë udhërrëfyesi përkatës shqiptar, por qenë vrarë me gjakftohtësinë më të ligë të imagjinueshme nga disa banorë vendas të zonës.

Buke e kripë e zemër të bardhë pra (ajo që dikur me krenari dhe ngazëllim e quanim “mikpritja shqiptare”)..., shoqëruar dhe gërshetuar në mënyrën më perverse në të cilën është përditësuar në këtë aktualitetin mesjetar modern shqiptar, i gjori kod i lashtë zakonor i nderit të shqiptarit, me ca krisma automatiku që ua patën marrë jetën të rinjve nga Çekia!

Kush e ka kryer këtë krim ogurzi, këtë vepër që i tejkalon edhe kufijtë më të skajshëm të përfytyrimit apokaliptik, ka përdhunuar njëherë e mirë çdo nocion të “BESËS” shqiptare, dhe i ka vënë gurin përsipër varrit ku tanimë dergjet kufoma e nderit tonë, aty ku putrifikohet dhe konsumohet nga krimbat e tokës, mishi, kockat dhe karkasa e turpëruar që personifikon qenien “shqiptar”!

Ndihem dhe provoj një ndjesi të fuqishme pështirosjeje teksa shkruaj këto rradhë, meqënëse besoj se si çdo banor tjetër i këtij vendi, kurrë s’do të kisha menduar se do të vinte një ditë kur do të ndodheshim para këtyre monstruoziteteve, këtyre gjëmave të kobshme gjakatare që ndyjnë e fyejnë gjer në palcë e qelizat më të imta, çdo shqiptar që gjallon mbi faqen e tokës, duke përdhosur në mënyrën më të ulët imazhin e një kombi të tërë.

Është pikërisht një ndër ato raste të rralla, kur kombësia yte − ajo ndienjë që të bashkëshoqëron krenarisht qysh në lindje e gjer në frymën e fundit, që të fal identitet dhe t’i formëson idetë, idealet dhe qëllimet në jetë, që të bën të jesh pjesë e diçkaje sa të madhe, aq edhe të veçantë (e kombit tënd pra) në këtë botën e stërmadhe në të cilën frymojmë globalizueshëm −, të bëhet e rëndë, mbytëse, si diçka që të ther fort në kraharor, si një sëmundje kronike para së cilës je krejtësisht, fatalisht, i pafuqishëm.

-“Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin Shqiptar!”, thuhej njëherë e një kohë, po sot, a mos kanë ndryshuar gjërat vallë?!

A mos po na shndërrohen vallë këto ngjarje, këto fenomene bukëshkale, të pabesa e vrastare, këto shkelje të çdo kodi të lashtë (të “leshtë” do përkufizohej më mirë në këtë kontekst)... në një sëmundje kronike, me të cilën zemra jonë e përbashkët gjithëshqiptare duhet tashmë të bashkëjetojë pa shërim?!

Ky është një kancer që po e gërryen dita-ditës organizmin e “shqiptarësisë” dhe që rrezikon ta vdesë përfundimisht çdo grimë të mbetur fisnikërie, nderi dhe pikërisht e mbi të gjitha, edhe vetë thelbin e asaj çfarë na ka dalluar dhe lartësuar në sytë e botës nëpër shekuj, pra vetë “BESËN” tonë të pashkelshme.

BESA e shqiptarit nuk është as institucion moral, as kult, as fantazi, dhe as thjesht një trashëgimi e të parëve tanë që na është përcjellë prej brezave të shkuar përgjatë rrjedhës së trazuar të kohës mijëravjeçare në të cilën ka jetuar dhe lënë gjurmë shqiptarësia.

BESA nuk mund të përkufizohet me fjalë, ajo mundet vetëm që të jetësohet, të zbatohet, të respektohet, të trashëgohet, të shenjtërohet, të ruhet dhe vlerësohet si aspekti më shndritës dhe unikisht trajtësues i qenësisë shqiptare.

BESA është fari që ndriçon (ende, fatmirësisht) në detin e stuhishëm ku kombi ynë noton qysh nga nata e kohërave, ajo është orientimi ynë i përhershëm, shkëmbi ku ajo qendron kryeneçe, që përballon çdo valë e tallaz të motit dhe epokës, aty anija që ne shqiptarët na shëtit nëpër faqet e historisë, gjithmonë ka pasur dhe do të ketë fatin të hedhi spirancën e të prehet mes një furtune dhe tjetrës.

Prandaj, nuk është e mundur, është e pafalshme, e dënueshme me ligjin e shtetit, të Zotit dhe të njeriut, me Kanun apo traditë mijëvjeçare, që BESËN ndokush të mundet ta cënojë, ta prekë apo ta nëpërkëmbë kaq përdhunshëm si në këtë rast.

Pak ditë më parë, në një plazh të Tunizisë, një terrorist trushpëlarë, me një automatik në duar, vrau gjakftohtësisht 39 turistë të huaj...

Ky, për një kapriço të mënxyrshme të fatit ose rrethanave, është i vetmi paralelizëm i mundshëm me gjëmën e maleve që ndodhi në bjeshkët tona, ku viktima po aq të pafajshme sa turistët perëndimorë të vrarë në Tunizi, ishin dy të rinjtë çekë që ranë pre e marrëzisë kriminale bashkëkohore të disa shqiptarëve gjakprishur.

BESA e shqiptarit, mënjanë që ngahera na ka përkufizuar mrekullisht si popull, gjithnjë është ndërlidhur me malet tona, me bjeshkët shqiptare, aty ku esenca e shqiptarësisë, pati ditur në vijimësi të pandërprerë të mbetet e paprekur, e dëlirë dhe thelbësisht “besnike” ndaj vlerave të kulluara të mikpritjes, nderit, bujtjes, respektit dhe mbrojtjes së pakufizuar për “mikun”, që shqiptarët historikisht kanë dëshmuar pandalur.

Ato male ku këta dy të rinj humbën jetën aq pabesisht pra, do të jenë të parët që do t’i gjykojnë njerëzit që kaq rëndë e shkelën çdo normë të BESËS së shqiptarit!

Falini o male e bjeshkë, se s’dinë se ç’bëjnë!



(Vota: 20 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: