Vangjush Saro: Përtej një pikniku tradicional
| E Premte, 03.07.2015, 07:05 PM |

Përtej një pikniku tradicional

Shoqata "Eagles Land" BC (Provinca British Columbia - Kanada) shtëpia e dytë e shqiptarëve të Metro-Vankuver

Nga Vangjush Saro

Në kulturën dhe traditat shqiptare, sidomos të shqiptarëve që jetojnë e punojnë në diasporë, koncepti i piknikut nuk është thjesht ai i një shëtitjeje në natyrë, ndonjë sofër e shtruar, pak muzikë, e kështu më tej. Pikniku, si koncept dhe si akt, vjen nga kohë të largëta, pse jo të vështira, kur njerëzit nuk mundnin të shpreheshin dot në vende publike, kur organizatat e ndryshme, pavarësisht përbërjes dhe qëllimeve të tyre, kërkonin si të thuash një pakt me natyrën, për të qenë larg përndjekjes dhe syve a veshëve të ndokujt që i mungonte dashamirësia. Në ditët tona, një piknik sigurisht që interpretohet ndryshe; por thelbi i tij, që është bashkimi, përkujtimi i një ngjarjeje të rëndësishme, vështrimi në të ardhmen, dalja në një program më të mirë për komunitetin, të gjitha këto, nuk kanë ndryshuar, përkundrazi kanë marrë dhe marrin çdo ditë rëndësi më të madhe.

Edhe pikniku i përvitshëm që organizon Shoqata Shqiptare "Eagles Land" BC (Provinca British Columbia - Kanada) vjen si një përmbledhje e përjetimeve, dëshirave dhe mandej, vështrimeve në të ardhmen. Ky piknik, edhe këtë herë përkoi me një sërë ngjarje të tjera. Fillimi i verës. Afrimi i Ditës Kombëtare të Kanadasë. Konsolidimi i komunitetit shqiptar në Vankuver dhe në British Columbia (BC), etj. Ishte një ditë e bukur, krejt e veçantë, që filloi dhe mbaroi me aktivitete sportive e shoqërore dhe ku shqiptarët e Vankuverit, si përherë shkëmbyen me njëri-tjetrin përvojat e jetës në këtë vend të madh, ngjarjet e rëndësishme familjare dhe modelet e përshtatjes, që pak ndryshojnë.

Pikniku u zhvillua në Cresent Park, pranë qytetit të bukur turistik White Rock, (Greater Vancouver Area). Si përherë, drejtuesit e Shoqatës dhe aktivistët e saj ndërtuan një "dekor" festiv, që nuk konsistonte thjesht në disa mjete të thata, por të tilla që do të ndërtonin episode funksionale. Mandej, është e njohur tashmë "menuja" e kësaj feste në natyrë: Më së pari, gatime karakteristike të vendit nga ne vijmë. Një nga dukuritë e reja të festës, ishte përfshirja e shumë fëmijëve dhe të rinjve në lojërat dhe aktivitetet e piknikut. Shumë argëtues ishte vrapimi me thes, një lojë tepër e njohur, që këtë herë e aplikuan fëmijë të moshave të ndryshme, ndër të cilët, fituesit u shpërblyen me dhurata simbolike. Më të rriturit ndanë lëndinën e pamatë për minifutboll dhe volejboll. Ndër argëtimet më masive, ishte tërheqja e litarit, ku pati disa "ekipe" konkurruese dhe u desh pak kohë për të nxjerrë një skuadër fituese. Të përkushtuar në këto episode interesante, trajnerët Xhet Burnaci dhe Xhep Zebi.

E ndërkaq, një pjesë e mirë e kohës kalon me biseda për jetën e përditshme, për zgjedhjet e fundit vendore në Shqipëri, për situatën në Ballkan e veçmas në Greqi. Për shkak të mjedisit (me rregulla) të vendit ku jetojnë, shqiptarët e Kanadasë vlerësojnë ndjeshmërinë ndaj taksave, si detyrim qytetar, që mandej krijon mundësi për qarkullimin e vlerave monetare dhe vënien e tyre në efiçensë. Më tej, pa doreza, si gjithnjë, pjestarë të këtij komuniteti shpalosin edhe rezervat e tyre për indiferencën e të gjitha qeverive shqiptare, pothuaj të shurdhëta ndaj diasporës.

Në këtë parashtrim, që filloi nga episodet e një pikniku të thjeshtë, roli i Shoqatës është - siç jemi shprehur edhe herë tjetër - ai i promotorit të kujtesës dhe dinamikës në jetën e shqiptarëve të këtushëm. Shoqata "Eagles Land" BC (Provinca British Columbia - Kanada), e drejtuar nga Edison Heba, me përfshirjen e vazhdueshme të Estref Resulit, si dhe të palodhurve Ardian Lagji, Ardita Fishta, Eglantina Ferro, gjithaq Dritan Muka, Blenard Cenolli e Leonard Burnaci, etj., si dhe shumë pjestarë të komunitetit, ia doli sërish të krijonte çaste të paharruara, ndërkohë që po punon me mjetet e pakta që ka në dorë, për të mbajtur gjallë frymën e dashurisë për vendlindjen, interesimin për të gjitha sa kanë të bëjnë me Shqipërinë dhe shqiptarët, kudo që ata ndodhen.

Në këtë kuptim, duke riardhur në argumentin se çfarë do të thotë një piknik, dita që përshkruam më lart, është me të vërtetë për t’u vlerësuar, ndërkohë që Shoqata duhet përkrahur dhe inkurajuar në çdo aktivitet e program. Më në fund, kjo është edhe dëshira e gjithë komunitetit. Sa i takon vëmendjes së institucioneve, në atdhe, pse jo andej dhe këtej, kjo është prej shumë kohe në rendin e ditës, më mirë një apel i përsëritur, mesazh e detyra pezull…



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: