Sejdo Harka: Femra, forcë e madhe krijuese
| E Shtune, 27.06.2015, 01:56 PM |

FEMRA, FORCË E MADHE KRIJUESE E SHOQËRORE

(Shënime  për librin  “Për ju krijuese “, me autor prof.Murat Gecaj)

Nga Sejdo Harka

Të shkruash për femrat, do të thotë të shkruash për gjysmën më të mirë të shoqërisë njerëzore.Ajo është  bërë simbol i bukurisë dhe i dashurisë,i gjenerimit të jetës dhe shoqërisë,i ëndrrave të bukura  dhe besnikërisë…Gruaja  është fytyra e vërtetë e shoqërisë.Si të jetë ajo ,ashtu është dhe shoqëria.Sa më  e lirë, e ditur dhe krijuese të jetë, aq më e  zhvilluar është shoqëria. Dijet e  thella,mendja  krijuese dhe virtytet e larta morale e shpirtërore të grave dhe vajzave ,e shtyjnë shoqërinë  përpara .Ato kanë bukurinë e natyrës së virgjër,ëmbëlsinë  dhe shijen e  mushtit,shkathtësinë e bletës puntore  dhe freskinë e vesës së mëngjesit.Ëndrra e tyre ka  hapësirat e gjithësisë dhe kthjelltësinë e qiellit.Zemra e tyre ka bardhësinë e borës dhe ngrohtësinë e diellit,shpirti i tyre ka ëmbëlsinë e mjaltit dhe krahët e pëllumbit. Me duart e tyre  ato  ndërtojnë e zbukurojnë,me mendjen e tyre krijojnë,me shpirtin e tyre të pastër ngrohin dhe shërojnë. Çajupi ynë ka shkruar: ”Më se rriten foshnjet,/ç’i rritë  çiliminjtë? /Dashuri e nënës dhe përkëdhelitë”.

Janë këto disa nga arsyet që prof.Murat Gecaj,librin e tij të ri , me titull kuptimplotë,”Për ju, krijuese”,ua  kushton grave dhe vajzave krijuese, artiste dhe veprimtare shoqërore. Ai është një apel i fuqishëm, drejtuar  shoqërisë ,politikës dhe gjithë lexuesëve:”Duajini  e respektojini, ndihmojini e nxitini, në të gjitha fushat e jetës,  gratë,nënat dhe vajzat tuaja,sepse pa to s’ka jetë e dashuri,s’ka  progres dhe zhvillim!” Kush  i pengon ato, ka dhunuar lirinë,ndërsa kush dhunon gruan, ka” vrarë” shoqërinë.

Ky libër, për vetë  tematikën,këndvështrimin dhe stilin e tij,shënon një risi  letrare.Objekt  i këtyre shkrimeve   është bërë krijimtaria dhe veprimtaria shoqërore e 62 poeteve  e  shkrimtareve  dhe e 29 artisteve e veprimtareve  shqiptare , të cilat punojnë dhe jetojnë brenda  dhe tej kufijve të Atdheut,deri në Amerikën e largët .Në këtë libër,  vend të rëndësishëm zënë bisedat e lira me krijuese e artiste, ndër më të njohurat e vendit,diskutime e analiza për krijmtarinë dhe tematikën e librave të tyre,shkrime për përurim librash  e dokumentarësh , për  jetën dhe vlerat e krijimtarisë e të artit të tyre. Siç  shkruan dhe vetë autori,femrat krijuese kanë një botë të madhe e të pasur shpirtërore, të mbushur me mirësi e frymëzim. Në krijimtarinë e tyre lexuesi gjen bukurinë e shpirtit dhe sinqeritetin e ëndrrës,guximin e kohës dhe ëmbëlsinë e këngës. Ato lëvrojnë të gjitha gjinitë ,llojet dhe nënllojet letrare.Krijueset tona i këndojnë Atdheut dhe dashurisë,luftës dhe lirisë ,punës dhe ëndrrës, jetës dhe zemrës.Me veprat e tyre, ato fshikullojnë e satirizojë plagët e shoqërisë së sotshme  ,që e detyrojnë femrën të dhunohet e të gjunjëzohet,të shitet si plaçkë tregu  e të prostituohet.Në krijimtarinë  e tyre ato qortojnë dhe fshikullojnë edhe vetëveten,për heshtjen dhe mungesën e guximit e besimit ,për divorcet pa shkak thelbësor dhe për luftën e pamjaftueshme për vetëemancipim,të bindura se liria  e vërtetë,nuk dhurohet ,por fitohet me punë e talent, me përpjekje e dinjitet.

Krijimtaria e vajzave dhe grave shqiptare  ka fytyrën e letërsisë moderne të kohës.Ajo dallohet për frymën njerëzore dhe sinqeritetin e rrallë,për stilin e zhdërvjelltë dhe gjuhën e gjallë.për mesazhet e bukura dhe frymëzimin  spontan.Për të kuptuar më mirë ndihmesën, që jep femra shqiptare për modernizimin e letërsisë dhe artit tonë ,po ndalemi te disa nga krijueset  dhe artistet më të spikatura që autori i  këtij libri,prof.M.Gecaj i ka bërë objekt dhe personazhe   të shkrimeve të tij.

Libri  çelet  me shkrimin –bisedë, që autori bën me krijuesen Liljana Kristuli,jo vetëm se ajo është një poete e talentuar dhe mjeke e njohur,por edhe sepse, bashkë me disa  krijuese të tjera si L.Vladi, R.Çoba,E.Kame, T.Halilaj, S.Pllana e M.Agalliu, e kanë  mbështetur botimin e këtij libri. Liljana ka botuar pesë libra dhe po përgatit librin e gjashtë.Poezitë e saj më të bukura  i ka përmbledhur në librin “Pemë  dhe gjethe”. Ndërsa  në novelën “Gra të e harruara”,autorja fshikullon ata, që me cinizmin dhe  papërgjegjshmërinë e tyre, kanë bërë që gruaja  të nënvleftësohet,përbuzet dhe të harrohet.Krijimtaria  poetike e  kësaj krijuese  dallohet për thjeshtësinë e vargut, qartësinë e mendimit  dhe siqeritetin e ndjenjës.Liljana është dhe mjeke e pasionuar. Fryt i  punës së saj studimore është dhe libri, “Unë dhe dializa”.Për shpirt të gjallë poetik dallohet edhe krijuesja Angjelina  Krasniqi-Bardhaj.Kur ajo ndodhet pranë  valëve të Drinit të Bardhë,”Buzët  i lyen me mjaltin e bletës”,ndërsa “Sytë  i lan me vesën e mëngjesit” ..Ganimete Thaçi,ose siç quhet ndryshe, “ Çika Hasjane”, nga që e ka përjetuar thellë dhimbjen e  kurbetit,shkruan vargje të tillë emocionalë :”Këtu, në kurbet edhe sytë më janë tharë”.Në krijimtarinë e saj nuk mungojnë  as poezitë erotike për dashurinë.Nga  puthjet e sinqerta,shkruan ajo,”Ma mori flaka buzën” .

Për të na njohur me jetën dhe veprimtarinë krijuese të poetes Ilirjana Sulkuqi,e cila jeton në Amerikë,autori merr shkas nga dokumentari”Lirikë shpirti”,me skenar të K.Traboinit.Në krijimtarinë e saj të bollshme,përveç  të tjerave,trajton temën e mbrojtjes së dinjitetit të gruas dhe të dashurisë njërëzore. Ndërsa Kozeta Zylo,vjen që nga përtej Atllantikut, në Tiranë,  për të përuruar dy librat e rinj. Nëpërmjet  librit,“Një fjongo dielli nga Nju Jorku”,ajo sjell  te  lexuesi shqiptar  “diellin “ e lirisë së vërtetë të gruas amerikane. Edhe Majlinda  Nana  Rama , dallohet për krijimtarinë e gjerë e të larmishme letrare dhe veprimtare shoqërore, si brenda e jashtë vendit.Dy nga librat e saj më të lexuar janë”Hënë e qiellit  tim” dhe romani ”Perandorët”.Për përurimin e librit më të mirë shqiptar, ajo ka organizuar  edhe panaire libri,jo vetëm në Fier, ku jeton, por dhe jashtë Shqipërisë, si në Kosovë,Maqedoni,Greqi,Francë,Austri,Hollandë,Belgjikë.etj.Mësuesja dhe poetja Merita Gjoni shquhet për gjuhën e gjallë dhe vargun e zhdërvellët.Përmes magjisë së fjalës ,ajo kërkon të shkallmojë çdo pengesë, që  kërkon të zbehë syrin e saj të mprehtë.Poezia e vajzës së talentuar Nafie Salhiaj,vjen te lexuesi e kthjellët dhe tepër emocionale,me ngjyrime të thella  metaforike ,si dhe me mesazhe të fuqishme  për jetën,dashurinë ,Atdheun dhe për tërë shoqërinë.Me guximin e një vajze të emancipuar,nëpërmjet vargut”Mos ma trembni dashurinë”,ajo sfidon dhunimin dhe skllavërinë e femrës shqiptare.Rajmonda  Meleçka,ose siç quhet ndryshe “Shota e dytë”,është jo vetëm  krijuese e talentuar,por dhe një luftëtare trime për liri dhe drejtësi kombëtare .Ajo ka marrë pjesë, me armë në dorë, për çlirimin e Kosovës dhe në Maqedoni,pa iu trembur syri, as nga burgjet e torturat dhe e as nga plumbat. Një nga 13 librat e saj më të mirë është ai  me titull”Mbollëm gjak dhe hodhëm rrënj”,me ngjyrime të thella popullore,që tingëllojnë si një himn i bukur për atdhedashurinë.Poetja Reshida  Çoba,e cila  edhe pse jeton në Los Anxhelos  të Kalifornisë,mendjen dhe shpirtin e ka  te vendlindja e dashur.Poezia e saj  është tepër e çiltër, me ngjyrime të thella moderne,që të mbush me emocione  dhe dëshirë për ta lexuar me një frymë. Vëmendjen e lexuesëve  ka tërhequr edhe krijuesja vlonjate Vilheme Vranari ,sidomos me romanin “Dritëhijet  e medaljes enigmë”, të redaktuar nga Fatmir Tereziu.Ndërsa publicistja  Vjollca Spaho,pëveç librit studimor “Tej kufijëve të fjalës”,kohët e fundit ka dalë me vëllimin poetik elegjiak,”Po të shkruaj”.Poetja Zyba Hysa e ndjen veten si pulbardhë, që fluturon në hapësira të pafundme.

Fjalët mëtë mira mund të shkruanim edhe për shumë krijuese të tjera, që janë bërë pjesë  e kësaj antologjie,por nga pamundësia për t’i pasqyruar këto vlerësime brenda kontureve  të këtyre shënimeve ,po u permendim vetëm emrin.Ato janë:Vojsava Nelo, Lida Lazaj Eli Kanina, Zyrafete Manaj, Ermira Jusufi, Lumturi Ymeri, Mimoza Agalliu, Seli Murati,Vera Istrefi, Vitore Stefa, Vjollca Pasku, Enkelejda Tahiri etj.

Pjesën e dytë të librit,  autori M.Gecaj  ua kushton jetës dhe veprimtarisë së gjerë, interpertuese e  kulturore të disa nga artisteve tona. Me punën dhe talentin e tyre të rrallë, ato  e kanë ngritur lart dinjitetin  e Kombit dhe të femrës shqiptare.Në ballë të këtyre shkrimeve qendron” Artistja e Popullit “dhe “Nderi i Kombit”, Vaçe Zela.Zëri  rrallë i kësaj këngëtareje,i ngjan një ujvare të pandalshme mali,që zbret rrëmbyshëm për t’i dhënë frymëmarrje  Himnit tonë Kombëtar. Shqiptarët,kudo që ndodhen,s’kanë për t’i harruar kurrë disa nga këngët e saj më të bukura, si ”Fëmija e parë”,”Gonxhe në pemën e lirisë”,”Nëno, moj, do pres gërshetën”,”Valsi i lumturisë”…,të cilat janë bërë model dhe hit i  bukurisë së këngës shqiptare. Një zë  i paarritshëm i këngës shqiptare, është dhe  ai i Nexhmije Pagarushës, për të cilën flitet me nderim në këtë libër.Kënga e saj duket sikur buron nga thellësitë e tokës shqiptare ,si një melhem për të shëruar plagët e mahisura  të Kombit Shqiptar, në shekuj. Gjithashtu, e papërsëritshme, për  interpertimin e bukur dhe llojin e këngëve që  këndon,mbetet dhe artistja dhe “Mjeshtrja e madhe”, Fatime Sokoli”,e cila është thirrur  me epitetin më  kuptimplot,“Bilbilja tropojane”.

Një vend të rëndësishëm, në shkrimet e këtij libri, zënë edhe disa nga emrat më të njohura të teatrit dhe kinematografisë shqiptare .E tillë është artistja e madhe, Tinka Kurti ,e cila ka luajtur 120 role  të suksesshme, në teatër e kinematografi. Me respekt të veçantë shkruhet në këtë libër edhe për “Artisten e merituar”,  Besa Imami. Për aftësitë e larta interpertuese ,ajo është vlerësuar me titullin e lartë,”Nderi i Skenës Shqiptare”.

Ashtu siç është nënvizuar, në të gjithë shkrimet e këtij libri , me autor prof.Murat Gecaj, femra shqiptare është jo vetëm krijuese e talentuar ,por dhe interpertuese e rrallë .Edhe kur e pengojnë dhe rrëzojnë,ajo lufton  të ringrihet me forcën dhe dinjitetin e saj. Edhe ata, që pëpiqen ta vrasin e dhunojnë, ajo i “vret” me dashurinë dhe mirësinë e saj.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: