Elvi Sidheri: Të votosh një grua (qoftë larg!!!)
| E Merkure, 24.06.2015, 09:00 PM |

Të votosh një grua (qoftë larg!!!)

Nga Elvi Sidheri

Kur pak muaj më parë, teksa përvijoheshin më qartazi kandidaturat për zgjedhjet e pritshme dhe të afërta lokale (apo “vendore”, quajini si të doni), mes shumë emrave që plasën sheshit−si të bëhej fjalë për një ankand publik arturinash, dhe jo për administratorë të ardhshëm të superbashkive (qytetaro-fshatare) shqiptare−, më bëri përshtypje ndër të tjera ajo e zonjës Grida Duma.

Dhe ky fenomen nuk ndodhi ngaqë ushqej ndonjë preferencë të theksuar lidhur me të për motiv specifik, as për arsye ithtarizmi të purifikuar politik, por ndoshta thjesht për shkak të faktit se kisha vërejtur tek kjo grua në shndëritjen rrëzëllitëse të moshës së saj më aktive, një karakter të prerë, një gjuhë të rrjedhshme dhe një mendje plotësisht në sintoni me kohën që jetojmë dhe idetë më adekuate që do të duhej të shpinin drejt përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe banorëve jo vetëm të bashkisë së Durrësit, por edhe më gjerë në Shqipëri.

Për këtë shkak, pandeha−besoj edhe si shumë të tjerë−, se zonja Duma çoç do të bënte edhe “elektoralisht” në këto zgjedhje, që do të thotë pra, se ekzistonte mundësia që ajo dhe oferta e ndërthurur me filozofinë e saj pragmatiste për Durrësin, kjo risi për politikën e vakët dhe “të tharë në tymin e shterpësisë” shqiptare, do të funksiononte.

Që me fjalë të tjera, e gjitha do të përkthehej në një fitore të zonjës Duma në bashkinë e madhe dhe të pasur e plot potenciale turistike e ekonomike, ku ajo kandidonte.

Gjë që me përpikmëri, nuk ndodhi në fakt!

Sepse që në Shqipëri “të shpresosh”, shumë shpesh është diçka e barasvlefshme me një mefshtësi “out of space and time” (jashtë kohës dhe hapësirës specifike “shqiptare”), që rrallëherë përputhet me realitetin tonë vendor, i cili ngahera vijon të mbetet kokëfortësisht i ngërthyer në kthetrat e një mendësie thellësisht çifligaro-monisto-kooperativiste, që në vazhdimësi piqet e skuqet “anadollakshëm” në prushin e pashuar të një orientalizmi dhe bizantinizmi ligësisht tinëzar.

Por mendësia monisto-orientale në fjalë, me të gjitha nuancat e saj ndonëse fort “të përhimta”, gjithësesi prapëseprapë të përditësuara sipas tendencave “moderne” të aktualitetit kohor dhe zhvillimor ku “homo albanensis” gjithnjë e gjen mënyrën sesi t’i përthyejë sipas nevojave të veta të përfitimit të ngushtë personal, përshtatjet e saj me shekullin ku jetojmë dhe kohën−frytet e së cilës shumëkush i korr “me thasë”, teksa të tjerë kruajnë xhepat dhe ndiejnë kërcitjet e zorrëve të zbrazura dhe stomaqeve të thata−, triumfoi sërish, dhe humbja do njohur e pranuar fundja sipas rregullave të mirësjelljes demokratike perëndimore.

Fitorja potenciale (e mbetur në tentativë) e zonjës Duma në Durrës, sigurisht që do të kishte prurë një fllad ringjalljeje për opozitën shqiptare, por ajo sidoqoftë do të kish mundur të shërbente për shumë më tepër se kaq.

Në këto zgjedhje që do të kujtohen për një fushatë elektorale pafundësisht “fantazi-munguar”, ku qytetari vendor, pikërisht ai për të cilin thelbësisht duhej menduar pra−me apo pa qëllim−, rëndom u shpërfill dhe u vu në funksion të realizimit të synimit më të madh, pra të “sulmit ndaj” ose “mbrojtjes” së pushtetit qendror në Tiranë, zonja Duma Tiranën e la, dhe iu kthye qytetit të origjinës, drejtimin e bashkisë së të cilit u përçap të fitonte.

Ajo−së paku nga këndvështrimi i dikujt që nuk është banor i bashkisë Durrës−, diti t’u ofronte durrësakëve të vjetër (nga Bashkia e mëparshme dhe qyteti i Durrësit) dhe durrësakëve të rinj të porsapagëzuar me vendim “hyjnor” qeveritar si të tillë nga “bekimi” i ndarjes së re territoriale (banorët e Sukthit, Rrashbulllit, Ishmit etj), një alternativë të qenësishme, me synime konkrete zhvillimore dhe një prirje të qartë ndryshimi nga modeli ekzistues i menaxhimit të këtij qyteti ku betoni dhe deti (fort i ndotur nga batërdia e njeriut mbi ujërat e tij dikur të kthjellta), bëjnë ligjin anembanë në kurriz të lashtësisë, gjelbërimit dhe hapësirave urbane.

Çfarë ishte që konkretitisht nuk funksionoi, mbetet megjithatë për t’u analizuar dhe zbuluar e hulumtuar nga “chi di dovere” siç thonë italianët (personat përgjegjës).

Nuk është ky fokusi i këtij shkrimi që rreket të përqendrohet në një tjetër anë të medaljes që mishëron tek zgjedhjet vendore në Durrës zonjën e sipërpërmendur.

Durrësakët janë të lirë të zgjedhin kë të duan, sa kohë që e bëjnë këtë gjë me zgjedhje të lirë, dhe fituesi nuk gjykohet “a posteriori” (pas pilafit), por ajo që nuk shkon, dhe do vërejtur, është mëtimi për t’i mveshur tashmë që edhe përfundimisht u vulos rezultati dhe kur dihet botërisht se: “la Frittata è fatta” (u menderos muhabeti), fajin e humbjes kandidates Duma, në një përpjekje të ulët tipike shqiptare, për të gjetur “turkun” e rradhës, “kokën” e të cilit (“të cilës” në fakt), t’ia servirim altarit të pafytyrësisë kërrmangrënëse shqiptare.

Zonja Duma, do të kishte përbërë asgjë më pak, se gurin e çmuar në kurorën e femrave që “Faleminderit Zotit”, të shumta në numër do të drejtojnë bashki të ndryshme pas këtyre zgjedhjeve.

Që nga Gjirokastra, duke kaluar nëpër qyteza periferike si Patosi e Përrenjasi, e gjer në Shkodrën e madhe−ku sërish tradita dhe bindjet e mirërrënjosura pastërtisht qytetare, i mbajtën velat e anijes shkodrane të hapura andej nga duhet në këto votime, duke i lejuar shoqërisë shqiptare që për të shumtën herë (nga 1944-a e deri më sot), ta gjejë praninë dhe frymën opozitare të formësuar sipas votës vërtetë “sovrane” të shkodranëve−, gjithësesi do pranuar se kapitulli më i vlerësueshëm i këtyre zgjedhjeve ishte prania e shtuar femërore, që kulmoi me zgjedhjen e 8 grave si kryetare bashkish.

Megjithë respektin e kuptueshëm për zonjat socialiste që drejtojnë 7 bashki tanimë, do pranuar fakti se pikërisht ajo “opozitarja”, zonja Voltana Ademi, do të drejtojë bashkinë më të madhe e të rëndësishme, si për nga trashëgimia e pamatë kulturore dhe historike, ashtu edhe për nga resurset e panumërta natyrore dhe turistike, burimet njerëzore, kapaciteti zhvillimor, për numrin e banorëve e shumëçka tjetër.

Shkodra pra edhe njëherë e dha mesazhin e saj modernizues dhe mirëfilltazi “përparimtar” (sadoqë këtë fjalë e përdor përherë me njëfarë ngurrimi, duke e pasur parasysh se sa krime moniste qenë kryer në Shqipëri nën “moton” e luftës “përparimtare” të kllasave të shokut Enver dhe 200 petritëve të tij gjakatarë)... për Shqipërinë dhe shqiptarët, duke zgjedhur për kryetare bashkie, për herë të parë një femër në një bashki të rëndësishme në vendin tonë.

Prania−dashtë Perëndia−, e shtuar e femrës në këtë arenë toreadorësh (ku populli vijon të luajë rolin e demit të verbër kurriz tejshpuar nga heshtat e të zgjedhurve të vet), vetëm të mira do i sjelli Shqipërisë, sidoqë ajo të përvijohet.

Larg shablloneve të shpëlara, femra dhe aftësia e saj për dhënë dashuri përtej çdo smire, zilie makute apo urrejtjeje mizore, është ndoshta mjekimi dhe kura më e volitshme dhe e duhur për ambientin e sotëm dhe të ardhshëm politik shqiptar.

Ai me shumë gjasa do të jetë ndryshimi i vërtetë për këtë vend dhe politikën e tij ku ende pasqyrohen dhe rrezatojnë pandalur në mënyrë të pashmangshme reminishencat e së kaluarës sonë të errët shumëshekullore, nga e cila jemi ndarë vetëm 25 vite më parë pas afro 550 vitesh thuajse të pandërprera osmano-moniste.

Ndryshimi për këtë vend do të duhet që të vijë pra në trajtën e tij “femërore”, dhe do të nevojitet ndoshta domosdoshmërisht që ky ndryshim i gjithanshëm dhe rrënjësor të jetë dhe ngjizet kështu veçse sipas frymës dhe gërmave të fjalës kuptimplotë “AJO”, kushdoqoftë kjo apo këto femra e gra, që do ta ftillojnë njëherë e mirë këtë vend e këtë shoqëri që akoma heziton vajtueshëm që të ndahet nga mesjeta e vonë mendësore, në sjellje dhe vepra.

Fitorja e parealizuar e zonjës Duma në Durrës, do të përbënte veçse një ngritje të mëtejshme vendimtare cilësore në këtë tendencë të re emancipuese që në Shqipëri po u jep femrave vendin e tyre të merituar dhe të munguar edhe në katet më të larta të vendimarrjes politike, qendrore dhe vendore.

Tek zonja Duma, ashtu si edhe tek zonja Ademi në Shkodër, apo edhe tek shumë kolege të tyre të së majtës qeverisëse, në fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale, apo në parlament, vërej më kënaqësi, tiparet e tyre femërore, sjelljen dhe gjestet, forcën e tyre të pashtershme që mbështet aq fuqishëm askund tjetër, përveçse tek finesa e tyre e pathyeshme, sa edhe delikate femërore, mendjet dhe diskursin e tyre të mprehtë e aspak konfliktual, larg mendësisë luftarako-asgjësuese që breza të tëra meshkujsh shqiptarë politikëbërës gjoks-rrahës, dëngla-thënës e asgjë-bërës, kanë thurur e jetësuar prej dhjetëra vitesh me rradhë.

Zonja Duma nuk do të fitonte në Durrës (e as në Tiranë apo ndokund tjetër) për shkak të hijeshisë së linjave të fytyrës së saj të pashme, as për shkëlqimin e lëkurës së saj të lëmuar, as për shijen e hollë me të cilën ajo i përzgjedh veshjet e saj, as ondulimin e përkryer të flokëve të saj e aq më pak për mënyrën sesi ajo i hidhte hapat plot ritëm duke e shkelur me elegancë çdo pëllëmbë toke durrsake me takat e saj të larta.

Shqipëria ka patur dhe ka femra e gra të bukura në politikë, që mënjanë të qënit plot hir fizik, kanë qenë dhe janë femra të mençura, me karakter të fortë, të zgjuara e të vendosura për të çarë përpara në një botë ujqish dhëmbëmprehur, ku gruaja (sipas mendësisë maskilisto-orientale shqiptare) në mos në “kuzhinë” dhe brenda katër mureve shtëpiake, e ka vendin vetëm tek këndi i stolive të shtrenjta që një burrë herë pas here ia tregon krenarisht shokëve të tij.

Për vite të tëra Jozefina Topallin shkodranët nuk e patën zgjedhur disa herë rradhazi që t’i përfaqësonte në parlamentin e Tiranës, vetëm për shkak të hireve, bukurisë së pakrahasueshme, klasit dhe trashëgimisë së saj gjenetike dhe familjare borgjeze thellësisht dhe tipikisht shkodrane, por mbi të gjitha për arsye se tek ajo grua fisnike, ata gjenin të mishëruara më së miri vlerat dhe aspiratat e tyre qytetare.

Prandaj edhe sulmet e drejtpërdrejta apo të tërthorta kundër saj pas 23 qershorit të dy viteve më parë, që përpiqeshin ta ngarkonin këtë grua me një thuajse-shpartallim madhor zgjedhor të partisë së saj, tingëllonin si një maskilizëm grotesk gjysëm taleban që vazhdon të mendojë sipas parimit injorant “Cherchez la femme” ose “Gruaja e ka futur djallin në shishe”, ku faji i mbetet gjithnjë në derë femrës!

Grida Duma në këto zgjedhje luftoi dhe (nuk)fitoi plot dinjitet, si grua zonjë, me kokën lart!



(Vota: 8 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: