Elvi Sidheri: Kurdët e shuajnë ëndrrën e “sulltanatit” të Erdoganit
| E Marte, 09.06.2015, 09:12 PM |

Kurdët e shuajnë ëndrrën e “sulltanatit” të Erdoganit

Nga Elvi Sidheri

Ëndrra më e makthshme e presidentit të Turqisë, u mishërua në emrat e miliona kurdëve në natën e së dielës. Njëri syresh, i quajtur Semo, ishte ndër ata mijëra njerëz që pasi patën votuar masivisht, dolën të ngazëllyer në rrugët e qytetit kurd të Dijarbakirit për të kremtuar futjen në parlament të Partisë Demokratike të Popujve (HDP). “Kjo është një fitore e kurdëve, por gjithashtu edhe e vetë turqve,e  alevitëve, e armenëve, e lazëve dhe e çirkasianëve. Populli është ai që sot ka triumfuar”, thoshte Semo.

Një amalgamë majtistësh kurdë dhe turq, në aleancë me ekologjistët, lëvizjet feministe dhe pakicat fetare (ku të krishterët për të parën herë do të jenë të pranishëm në parlamentin turk me plot 4 deputetë kësaj here), bëri të mundur dhe kontribuoi këtë të dielë për dërrmën më të fortë të pësuar ndonjëherë nga fondamentalizmi fetar partiak turk në 12 vjetët e fundit. Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit (AKP) humbi në mënyrë spektakolare shumicën absolute që mbante që prej vitit 2002. Dhe si pasojë e kësaj, për të arritur të qeverisi, tani e tutje partia e presidentit Erdogan dhe kryeministrit Davutogllu është e detyruar që të rreket të negociojë me të njëjtat formacione politike rivale (dhe përgjithësisht laike) të cilat i pati sulmuar në mënyrë të tërbuar gjatë fushatës zgjedhore.

Kështu ndërkohë, shuhet njëherë e përgjithmonë edhe ëndrra e presidentit Erdogan për të instaluar në Turqi një presidencë ekzekutive. 330 deputetët që Erdogani pati kërkuar të fitonte nga vota popullore, në mitingje ku presidenti “apartiak” ndërhynte tinzash në fushatën elektorale duke shkelur kështu neutralitetin e presupozuar të funksionit të tij shtetëror, gjithësesi mbetën veçse një mirazh i paarritshëm dhe u reduktuan në shifrën e frikshme për ambiciet “sulltanore” erdoganiste prej vetëm 258 deputetësh. Një kataklizëm e mirëfilltë zgjedhore të cilës kryeministri Davutogllu iu përgjigj thatë nga qyteti i tij i lindjes, Konya:”Mos u shqetësoni. Me lejen e Zotit, ky është vendimi i popullit”.

Katër vjet pas zgjedhjeve të fundit AKP-ja e Erdoganit tashmë ka humbur më tepër se 65 deputetë ndërkohë. Gjatë kësaj periudhe rritja “e mrekullueshme” ekonomike turke, e shtyrë përpara nga politikat islamo-kalviniste të Erdoganit si kryeministër, tashmë e ka humbur ritmin dhe nuk njeh më shifrat marramendëse të pak viteve më parë. Vendi ka hyrë në një periudhë turbullirash sociale të ndezura nga ligje të reja që godasin liritë themelore, nga represioni nëpër sheshe protestash dhe rrugë, dhe nga fjalimet përherë e më polarizuese të presidentit dhe kryeministrit.

Por të dielën, gjithësesi, rrugën për në parlamentin e Ankarasë e morën pakthim, ata që AKP-ja erdoganiste i pat quajtur si “kryengritës”, duke iu referuar kështu HDP-së opozitare gjatë fushatës, dhe i ndryshuan gjërat njëherë e mirë. Kjo parti arriti të fitojë mbi 12% të votave dhe rreth 80 mandate deputetësh  pas numërimit të votave, duke ia dalë kështu mbanë që të kalojë edhe pragun tejet të lartë dhe të rrallë prej 10% që parashikon ligji zgjedhor dhe kushtetuta turke qysh në vitet 1980 të shekullit të kaluar (në kohën e regjimit ushtarak) për të hyrë në Asamblenë Kombëtare, një pengesë kjo e ngritur në atë kohë me qëllim që t’u pamundësohej pikërisht kurdëve futja në parlament.

Do theksuar këtu, se përgjatë këtyre 12 viteve në pushtet, regjimi erdoganist, ushtarakët i ka luftuar me të gjitha mënyrat, duke i sulmuar ata pikërisht për faktin themelor, se ata kanë përfaqësuar ngahera bastionin e fundit të “laicitetit” në Turqi, dhe si pasojë dhjetëra ushtarakë të lartë karriere kanë përfunduar burgjeve në këto vite, por, sidoqoftë, këtë ligj zgjedhor të përgatitur dikur po nga dora e këtyre ushtarakëve, AKP-ja dhe Erdogani, kurrë nuk e ndryshuan!

Arsyet përse, janë lehtësisht të kuptueshme.

HDP-ja është trashëgimtare e siglave të tjera të mëparshme indipendetiste kurde që, duke paraqitur kandidatë të pavarur, ia pati dalë në vitin 2011 të merrte 6% të votave në rang kombëtar. Por kësaj rradhe lëvizja kurde, pas një propozimi të themeluesit të guerriljes kurde Abdullah Oçalan−i cili është i burgosur prej vitit 1999−, zgjodhi (duke rrezikuar fort kështu) që të paraqitet në zgjedhje me kandidatë partiakë, dhe jo të pavarur. Për të arritur të kalojë pragun prej 10% kjo parti bëri aleancë me parti të tjera të ndryshme majtiste turke, me pakicat fetare dhe organizata të tjera të shoqërisë civile si për shembull feministet, ekologjistët etj. HDP-ja po ashtu hoqi dorë nga synimi për të arritur pavarësinë dhe vendosi të kërkojë hapësirë të vetëqeverisur territoriale për kurdët, brenda Turqisë, nën një qeverisje qendrore progresiste.

Basti i rrezikshëm i HDP-së të bashkë-udhëhequr nga avokati kurd Selahettin Demirtash dhe nga editorja socialiste turke Figen Jyksedag, doli edhe më i suksesshëm se ç’pritej. Nëse në Dijarbakir, një bastion kurd ky, partia në fjalë arriti një rezultat madhështor prej 78.3% të votave, ai që gjithësesi u konsiderua si befasues për këdo, ishte fakti se kjo parti u kthye në forcën e tretë politike në Stamboll, një qytet metropol dy-kontinentësh ky, që gjendet larg juglindjes kurde të Turqisë. 12.45% të votave të fituara në kryeqytetin tregtar dhe kulturor turk e bëjnë edhe më të dukshëm shtytjen që e majta jo-kurde i ka dhënë në këtë rast kësaj partie dhe kauzës së saj anti-erdoganiste. Në total, koalicioni i larmishëm i mishëruar brenda kësaj partie fitoi anembanë Turqisë tre milionë vota më shumë se ç’kishin marrë kandidatët e pavarur kurdë të mbështetur nga kjo parti në vitin 2011.

Të premten e kaluar dy mjete shpërthyese me origjinë të paqartë patën shpërthyer në mes të një mitingu masiv zgjedhor të HDP-së. Si pasojë pati katër të vdekur dhe shumë të plagosur rëndë. Për këtë arsye, të dielën hyrja e koalicionit të HDP-së në parlament festohej me dhimbje. “Dhimbja jonë është tejet e madhe”, ankohej Xhemili, një qytetar ithtar i kësaj partie, në festime e sipër. “Pas kaq vuajtjesh, shtypjeje dhe të plagosurish, e meritonim këtë fitore”, shtonte Hasani, krah Xhemilit.

Aq e madhe ishte mbështetja për sipërmarrjen e jashtëzakonshme dhe suksesin e pritshëm të HDP-së saqë me paterica, karroca me rrota ose me barrela, edhe vetë të plagosurit e atentatit të së premtes së kaluar iu patën drejtuar qendrave të votimit. “Do të fitojmë përkundër tërë presioneve”, thoshte me bindje Selahettini, i cili e kalonte i qetë mëngjesin e ditës së votimeve në qendrën e votimit Ziya Gökalp. “Votoj për të bërë të mundur që kurrë më të mos ketë përleshje dhe luftëra”, deklamonte haptazi Axhari, njëra nga ato që e pranonte, në dalje nga qendra e votimit, se kish votuar për HDP-në për herë të parë.

Gjatë fushatës zgjedhore HDP-ja pati qenë më tepër se 60 herë objektiv i sulmeve të ndryshme. Shpërthime kishin ndodhur në zyrat e kësaj partie në Adana dhe Mersin. Në Bingöl, e patën bërë shosh me plumba një shofer të një makine në shërbim të koalicionit të HDP-së. Në Erzurum, një turmë ultranacionaliste turke kish sulmuar një miting të partisë në fjalë dhe qe përpjekur të digjte të gjallë një tjetër shofer të HDP-së. Gjithë kësaj, i ishte shtuar edhe dhuna verbale ndërkohë. Në mënyrë përçmuese, qeveria dhe Erdogani e patën shënjestruar dhe quajtur HDP-në si një parti “armenësh, ateistësh dhe homoseksualësh”.

Suksesi i arritur me aq mund nga HDP-ja përbën gjithashtu një kristalizim të politikës së ngjizur gjatë protestave antiqeveritare të Gezit në vitin 2013. Para fiks dy vjetësh, policia pati sulmuar brutalisht një kamp proteste që përpiqej paqësisht të shmangte prerjen e pemëve të Gezit, në qendër të Stambollit. Përgjigja popullore ndaj represionit qeveritar qe shprehur nëpërmjet një lëvizjeje ku qenë shkrirë gjithëfarëlloj fraksionesh ideologjike, etnike dhe fetare, në kundërshtinë e përbashkët ndaj AKP-së dhe Erdoganit.

Përgjatë 10 ditëve, derisa manifestimet u patën shtypur me forcë, më tepër se tre milionë njerëz kishin marrë pjesë në protestat pro-Gezi në 80 qytete të Turqisë. “HDP-ja e ka në thelbin e vet shpirtin e Gezit”, thuhej gjerësisht nëpër mitingjet e kësaj partie gjatë fushatës zgjedhore.

Selahettin Demirtash, ia pati kushtuar fjalët e tij të para nga ballkoni i selisë së partisë së tij, në Stamboll, urimit “për të gjithë ata njerëz që i mbrojnë liritë, të shtypurit, punëtorët, femrat dhe të gjitha pakicat”. Bashkë-presidenti tha se rezultatet në zgjedhje përbëjnë “një fitore të mrekullueshme”, një “fitore të së majtës” dhe i shigjetoi humbësit e mëdhenj të këtyre zgjedhjeve, të AKP-së, të cilët i quajti “arrogantë”.

Partia nacionaliste dhe socialdemokrate republikane (CHP), partia më e madhe opozitare, humbi një përqindje të vogël votash dhe disa deputetë krahasuar me zgjedhjet e fundit, duke mbetur me rreth 133 deputetë, ndoshta si pasojë e kalimit të votave të saj drejt HDP-së. Aty nga ora 10 e natës e ditës së diel, lideri provincial i CHP-së në Stamboll, Murat Karayalçin, i kërkoi Erdoganit nëpërmjet mediave që ta shtynte partinë e tij që të formonte një qeveri koalicioni.

Duke nisur nga kjo e hënë Turqinë e pret një skenar i paqartë. Pa një shumicë absolute, apriori, edhe pa ndonjë koalicion të pamundur të tre partive opozitare (për shkak të diferencave të thella politike midis tyre), AKP-së erdoganiste nuk i mbetet gjë tjetër veç të negociuarit. Një partner i mundshëm në këtë kontekst, mund të jetë partia islamo-nacionaliste MHP (Partia e Aksionit Nacionalist), që pati rritje të votave në këto zgjedhje duke marrë rreth 82 mandate. Zëvendëspresidenti i saj, Oktay Vural, nënvizoi  të dielën për Agjencinë Reuters se “do të ishte diçka korrekte që kryesia jonë ta peshonte mundësinë e një koalicioni të mundshëm (me AKP-në)”.

Sinan Ülgen, drejtor i Qendrës së Studimeve për Ekonominë dhe Politikën e Jashtme (EDAM), beson se opsioni i një qeverie koalicioni është më i miri për t’i “detyruar të gjithë që t’i moderojnë sjelljet e tyre”. Për më tepër, ai sjell po ashtu në vëmendje faktin se një qeverisje koalicioni “do t’i heqi pushtet nga duart Erdoganit”. Si rrallëherë, në mbyllje të ditës së votimeve Presidenti nuk u pat shprehur fare publikisht. Ai në fakt është humbësi i madh, pavarësisht analizave që ish partia e tij, AKP-ja, përçapet të bëjë për t’u përpjekur të shpjegojë mosarritjen totale të objektivave të saj në këto zgjedhje.

I zgjedhur si Kryetar Shteti për herë të parë me votë popullore në gusht të 2014-ës, Erdogani fshihej pas asaj fitoreje elektorale për të justifikuar praninë e tij ndikimplotë në mbledhjet e këshillit të ministrave, ashtu edhe gjestet e tij prej drejtuesi dhe politikani autoritar, pro-otomanist individualist. Por “Sulltani”, për momentin, mbeti pa “sulltanat”.



(Vota: 11 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: