Kujtim Mateli: Dëshnicari që rrezaton mirësi
| E Premte, 05.06.2015, 09:01 PM |

Nga e majta ne te djathte: Nuredin Nurce, Sadik Murraj, Kujtim Mateli, Maliq Vrekaj

Dëshnicari që rrezaton përkushtim, sinqeritet dhe mirësi

Nga Kujtim Mateli

Është fjala për z. Nuredin Nurçe, një prej njerëzve më të spikatur të Dëshnicës, që me punën dhe dashurinë e tij për njerëzit, ka lënë gjurmë tek cilido që e ka njohur nga afër. Është shembulli i njeriut të devotshëm që e do vendlindjen dhe krahinën e Dëshnicës, që lufton për të nxjerrë në dritë historinë e saj, sidomos të dy shekujve të fundit .

U lind më 3 maj të vitit 1939 dhe u rrit në fshatin Goricë të krahinës së Dëshnicës. Në Sukë  kryeu  shkollën fillore dhe  atë shtatëvjeçare.  U largua  nga fshati, në moshën  14-vjeçare për të kryer   shkollën e mesme për specialist pyjesh në Tiranë e Kavajë. Në vitet 1959-1975 ka drejtuar Zyrën Pyjore të rrethit të Përmetit dhe më pas Sektorin Pyjor të Këlcyrës.

Ka qenë drejtues në ish-kooperativat bujqësore: Këlcyrë dhe Sukë, si dhe ish-Divizionin Ushtarak të Përmetit deri në vitin 1999, ku edhe doli në pension.

Ka përfunduar me sukses shkollën 3- vjeçare për filozofi.

1-Vepra studimore që i bëjnë nder krahinës së Dëshnicës.

Nuredin Nurçe nuk është vetëm një punëtor i palodhur, por edhe një studiues i mirëfilltë për krahinën e Dëshnicës.    vitin  2004, botoi  librin  monografik  me titull  “Me Fizarmonikën e Shyqyri Selimit”,  ku  pasqyrohet  puna plot talent  e këtij mjeshtri,  jo vetëm në krahinën e  Dëshnicës, por edhe krahinën e  Malshovës e në gjithë rrethin e Përmetit. Paralelisht me jetën personale të këtij mjeshtri të kulturës përmetare, tregohet dhe ai zhvillim i pamatë që mori kultura në trevën e Dëshnicës e në rrethin e Përmetit. Janë skalitur disa nga këngëtarët dhe grupet folklorike që i dhanë zë dhe hov jetës kulturore në Dëshnicë si: grupi i Harkëve në Vinokash, grupet e Sukës, Mërtinjit, Këlcyrës, Brezhdanit, Malëshovës, Pacomitit etj. Në libër gjejmë të pasqyruara vlerat e këngës përmetare të krijuara në shekuj, por dhe ato që u krijuan në ato vite e që mjeshtërisht i përcolli firzamonika e Shyqyri Selimit në festivalet e majit në Përmetit, e në festivalet kombëtare si në Gjirokastër e Elbasan.

Në vitin 2007, me rastin e 60-vjetorit të çeljes  së shkollës  fillore për herë të parë  në Sukë, botoi me bashkautor Et’hem Kason, librin me titull  “Etja për dije e kulturë në trevën e  Sukës”. Një libër që ia vlen të lexohet e të studiohet jo vetëm nga banorët e fshatrave të Sukës, por edhe më gjerë, nga të gjithë banorët e trevës së Përmetit. Aty gjen të mishëruar, vit pas viti, punën e palodhur të mësuesve që shërbyen në shkollat e kësaj zone. Gjen aty, atë brez të shkëlqyer të fëmijëve sukiotë që me dijet e tyre rrezatuan në të gjithë Shqipërinë. Historia e zhvillimit të arsimit është vetë historia e zhvillimit të shoqërisë për të dalë nga errësira mesjetare e shekujve nën të cilën na la perandoria osmane, në dritën e dijes dhe të zgjimit tonë kombëtar.

Në vitin  2013, u botua  libri  “Nderim dhe mall për nënë Neslijen”, një libër monografik,  me temën për nënën, njeriun më të dashur. Në epiqendër të monografisë është nënë Neslija, rreth së cilës nuk pasqyrohet vetëm jeta e një fisi, por aty është Dëshnica e shekullit që kaloi, me tradita e zakone të moçme sa vetë historia dëshnicare. Libri aq sa ka një vlerë dokumentare për të mos harruar rrënjët e fisit tonë stërgjyshor, aq ka dhe një vlerë artistike. Personazhet e kësaj monografie janë skalitur artistikisht dhe mbeten gjatë në kujtesë, ata janë ai banori i Dëshicës i shekullit XX që luftoi për pavarësinë e Shqipërisë dhe lirinë e vendit nga pushtuesit e huaj. Aty gjejmë dëshnicarin e matur e të mençur, por edhe luftëtarin që shkon drejt vdekjes... Aty është ai banori që nuk e braktisi asnjëherë vendlindjen, por edhe nizami e kurbetlliu që shkuan e s`u kthyen më. Nga ky libër ka se çfarë të mësojë shkrimtari për mënyrën e skalitjes së personazheve dhe folkloristi që kërkon thesaret e popullit tonë; historianit do t`i duket se ndodhet brenda një arkive dhe etnografit se ka marrë në dorë çelësin për të hapur portën e Mijëvjeçarit të Dytë të erës sonë.

Nuredin Nurçe ka përfunduar librin me titull : “Njerëz që përjetësojnë identitetin e krahinës së Dëshnicës  dhe ai tashmë, i printuar në pak kopje, ndodhet në duart e disa miqve të tij. Aty përfshihet një periudhë  gati  dyqindvjeçare që mbrin deri në ditët tona. Jepen të dhëna  për njerëzit e shquar të krahinës së Dëshnicës që nga fillimet e shekullit të kaluar e deri në ditët tona; patriotë  e  luftëtarë,  kuadro  drejtues gjatë periudhës  së LANÇ, si dhe  mbas  Çlirimit,  me kontribute e vlera, heronj e dëshmorë të Atdheut, elita  intelektuale dhe akademike dëshnicare, talente në krijimtarinë  letrare  dhe artistike, figura të shquara në kulturë dhe në sport me origjinë  nga krahina jonë. Krahas punës së tij studimore, ka botuar shkrime publicistike si në  gazetën “Dëshnica”, “Përmeti”, “Kushtrin Brezash”, revista “Pavdekësia” etj. ku pasqyrohen problemet e ndryshme me të cilat përballet shoqëria shqiptare në ditët e sotme.

2 Pyjet-mushkria e jetës në tokë

I rëndësishëm për opinionin publik ka qenë dhe puna dhe përkushtimi i tij si specialist i pyjeve në rrethin e Përmetit. Shoqëria është e interesuar për mjedisin e veçanërisht për pyjet, sepse ata janë  një  pasuri e madhe  dhe  një sektor jetik  për njerëzimin dhe gjallesat  në tërësi, sepse ato   përbëjnë mushkrinë  gjigande  për  filtrimin   e  ajrit  nga  gazi  karbonik.  Nëpërmjet tij kryhet proçesi i fotosintesës. Nëse nuk do të ekzistonin pyjet,  nuk do kishte jetë, sepse bota do të ishte mbytur nga helmet e  ndryshme    gjenden  në rruzullin tokësor. Jo vetëm kaq, por edhe  lënda e drurit që  shërben për ndërtime të ndryshme, është e pazëvëndësueshme nga   produktet e  tjera.

Nga pyjet  prodhohen  medikamenteve  farmaceutike  e  shumë  nënprodukte të tjera. Pylli në vetvete përbën  një organizëm të gjallë, që kërkon  trajtim shkencor. Ai duhet mbrojtur dhe trajtuar, sepse ndryshe  vjen duke u pakësuar. Prandaj, që  ai të ketë jetëgjatësi, duhet shërbyer, pra kërkon edhe kujdesin e dorës  e të  mëndjes së njeriut.  Dhe këtë mision e kryejnë specialistët e pyjeve.  Në këtë armatë u rreshtua edhe Nuredin Nurçe, i cili  u specializua në shkollën e mesme, teknikumin bujqësor, në vitet 1955- 1959

Në vitet ’60-të, ka qënë  një ndër specialistët  e parë  për pyje    rrethin e  Përmetit.  Kur e filloi punën, gjeti një ekonomi pyjore  që vazhdonte të shkatërrohej. Me qindra ha. pyje ishin  shpyllëzuar  për t’u  kthyer në toka buke, me mijëra  filiza të  rinj  ishin  prerë  për shtylla miniere,  sipërfaqe    konsiderueshme,  që nga Kiçoku e deri te Tri Urat,  ishin  prerë  për dru zjarri,  por edhe  për qereste  vend e pa vend, sidomos pas ngritjes të kooperativave bujqësore,  për ndërtim  ngrehinash për gjënë e gjallë,  dhe sa më afër rrugëve të komunikacionit.     Gjithashtu, gjeti  dhe  një personel pyjor  me  nivel    ulët   professional. Por megjithatë,  ata  me ato dije e energji që kishin,  punonin  me  përkushtim për t`i mbrojtur  pyjet  nga prerjet  abuzive, aq sa mundeshin. Përvoja e tyre i shërbeu  shumë teknikut të ri të pyjeve, z. Nuredin Nurçe.  Së bashku luftonin për të bërë më të mirën. Ata janë shumë, disa janë ndarë nga kjo jetë si:  Spiro Tole, Fadil Jaçe, Vangjel Duka, Ilia Nase, Lefter Kreci, Musa Musallari, Hajredin Xheli,  Agron Kalaja, Novrus Muharremi, Hajro Çaushi, Jaçe Yzeiri, Viron Naqe etj, por edhe ata që rrojnë sot si: Thanas Çiçolli, Pali Pecollari, Selim Bejko,  e  shumë të tjerë.   Ata që nuk kishin  arsimin përkatës dhe që ishin në moshë të re,  pas  vitit 1961,  u dërguan  për t’u  kualifikuar në shkollën dy vjeçare    Shkodrër, më pas  u  përgatitën teknikë të mesëm  dhe inxhinier pyjesh.   Në rrethin e  Përmetit, në  vitin 1967,  numëroheshin mbi  12  teknikë të ulët, shtatë   të mesëm dhe tre inxhinier pyjesh si : Lliko Londo, Jorgo Thomollari  e  Fuat Aliu, me të cilët punoi disa vjet.  Pas  vitit  1961, sektorit të pyjeve iu kushtua kujdes i veçantë nga shteti  i atyre viteve.  U akorduan  fonde të veçanta  për krijimin  e  pyjeve    reja,  nëpërmjet  pyllëzimeve  e   përmirësimin e pyjeve  të degraduar, pastrimin  e mirëmbajtjen  e  kullotave dhe sigurimin e ujit të pijshëm në to, sistemime  malore (prita) etj. Njëherazi  nxori ligjin e ri  “Mbi  Pyjet dhe Gjuetinë”, duke përcaktuar e miratuar udhëzime e rregullore    veçanta.  Pra, edhe  personelit  pyjor iu dhanë kompetenca më të plota  ligjore.  Koha kërkonte ndryshime dhe kthesa filloi të bëhet qoftë në mentalitet,  qoftë  në mënyrën e drejtimit  dhe administrimit  të pyjeve duke e vënë këtë pasuri mbi  baza shkencore. Pikërisht, pas këtij  viti,  filloi  kthesa rrenjësore.  U mbollën me  mijëra fidana pyjorë  me  aksione    rinisë  shkollore dhe fshatarësisë kooperativiste, por edhe me   fonde  nga shteti.  U ngritën  fidanishtet  pyjore: në Përmet, Këlcyrë, Bredhi  Hotovës e në disa kooperativa bujqësore për sigurimin  e  fidanave  pyjor  brenda rrethit,  sepse më parë merreshin  nga Korça, Elbasani, Berati, Lushnja etj.  Për herë të parë, në ato vite, u mbuallën fidana të llojeve  halor si: pisha e zezë e egër dhe pisha  e  butë etj.  Mbi këtë bazë   u  krijuan  blloqe  të reja  pyjesh, siç mund të përmendim:   Seden dhe Rrëzën e Lipës mbi Përmet, Morenën përballë  Përmetit,  Bredhin  e  Çarshovës, kodrat për rreth  qytetit Këlcyrë, Gryka e  Këlcyrës, masivi pyjor përreth rezervuarit të Vinokashit, Përrenjasin , Shullërin e Komorakut,  çeltirat e Matërgovës dhe të Malit të Ogrenit, që  të gjitha të marra së bashku kapnin një sipërfaqe mbi 1600 ha. pyllëzime  të reja në ato vite. Njëherazi, u  kryen  përmirësime   në pyjet ekzistues,   kryesisht me  bredh e  lisa.  Përmendim  Pyllin e  Bredhit Hotovë, ku me ndërhyrjen e sektorit pyjor u pastruan   mbi 1200 ha. duke nxjerrë  mbi 25.000 m3   lëndë druri  nga pemët e rrëzuara e degët  e thata. Në gjithë masivin e Bredhit Hotovë, u ndalua kullota e gjësë së gjallë, nga ku u sigurua  ripërtëritja natyrore  e  tij  me farë. U përmirësuan masive    tëra me lisa  si:  Qarrishta  e  Fratarit, Korijet    fshatrat e  Ballabanit, Bubësit, Tënda e  Qypit,  në Kosovë, Gosnishtit, Lupckë, Lajthishte  e Ogrenit etj, duke  u ricunguar apo  me  prerje  rralluese, ku  këto  sipërfaqe  llogariten  mbi  3-4 mijë ha. Në ato vite u ngritën edhe dy godina për stacione pyjore: njëra në  Bredhin e Hotovës dhe tjetra  në Këlcyrë, ku u zgjidh  problemi  i  strehimit të personelit pyjor për kohën që shërbenin. Po kështu, u punua edhe për përmirësimin e kullotave dimërore dhe  malore si  dhe  për sigurimin e ujit të pijshëm, duke  ndërtuar  lera moderne dhe të thjeshta. U forcua edhe mbrojtja nga prerjet  abuzive  si dhe  sektori i gjuetisë u vu nën kontrollin e  plotë të personelit  pyjor.  Për të përmëndur e vlerësuar  janë evitimi i plotë  i zjarreve    pyje, me përjashtim të ndonjë rasti të veçantë. Arritjet ishin të papara ndonjëherë  në ato vite,  që flisnin  për punën  këmbëngulëse e pasionante    personelit  pyjor, e në vecanti, të teknikut të talentuar e të apasionuar pas profesionit, të përgjegjësit të Zyrës Pyjore për rrethin e Përmetit z. Nuredin Nurçe.

3-Vështirësi e pengesa në zbatim të ligjeve.

Shkelësit e ligjeve u përballën me guximin e z. Nuredin Nurçe për t`u ndëshkuar pavarësisht lidhjeve që kishin me kupolën e partisë dhe të pushtetit në rrethin e Përmetit.  Mirëpo guxime të tilla nuk janë pa pasoja, sepse strukturat e shtetit dhe të pushtetit nganjëherë, në vend që të viheshin në mbrojtje të zbatuesve të ligjit, vepronin në të kundërtën, mbështetnin shkelësit. Po japim dy raste:

1- U proçedua  Komandanti  i  Brigadës të Reparit Ushtarak  Përmet, në vitin 1962, sepse urdhëroi prerjen  e  lëndës  së ndërtimit    Bredhin e  Hotovës,  për nevojat e repartit,  pa lejen e Organeve Pyjore. Proçesverbali  u  dërgua  në Prokurorinë  Ushtarake të Qarkut Gjirokastër, por  u  pezullua   me urdhërin  e   Kryetarit të  Komitetit Ekzekutiv  të rrethit.   Pezullimi u bë   pa  asnjë    motiv   ligjor, vetëm  sepse  ai  ishte komandant   dhe i zgjedhur në Byronë e Partisë së rrethit, kur   dëmi  llogaritej mbi  200.000 lekë të atyre viteve, që përbënte  vepër penale….prandaj edhe duhej  të ndiqej  e dënohej  konform ligjeve në fuqi.

2- Rasti   tjetër  ishte,  kur z. Nuredin Nurçe kundërshtoi zbatimin  e  një  vendimi     Komitetit  Ekzekutiv,  për djegien e  2000 ha pyjeve në zonën e Vinjahut etj., me pretendimin për t’i  kthyer    kullota  për  blektorinë apo  për të  hapur shtigje për   gjuetinë   e  derrave    egër.  Këtë  kundërshtim, z. Nurçe e bazonte në ligj dhe udhëzimet   përkatëse, sepse  nuk lejohej djegia e pyjeve, kur sipërfaqja ka veshje bimore mbi 30 për qind të saj. Kushdo i njeh  këto  pyje massive.  Ky  veprim i përgjegjësit të Zyrës Pyjore Përmet, z. Nuredin Nurçe,  u  konsiderua: “Tendencë  për  moszbatim    vendimeve  e    porosive     pushtetit në  rreth, të cilat flasin për papjekuri dhe mëndjemadhësi   të drejtuesit  të Zyrës Pyjore”.

Po cfarë ndodhi?

Kur ai kishte fituar një përvojë të mirë në punën e tij drejtuese dhe rezultatet ishin mjaft të dukshme, organet e Hetuesisë dhe Prokurorisë së rrethit Përmet, në shtator të vitit 1966, duke u bazuar mbi thashethemnajën dhe intrigat e kurdisura nga ata njerëz që kishin vënë dorë mbi pasurinë pyjore, i ngrejnë një akuzë absurde duke e akuzuar se në pyllin e Bredhit Hotovë "ishin bërë prerje masive"

Do të gjykohej për shpërdorim të postit zyrtar dhe pakujdesi në detyrë.  Gjyqet  filluan  dhe  vazhduan disa muaj me  radhë. Vendimi i parë : dënim me  gjashtë muaj  privim lirie,  po kështu edhe vendimi kur gjyqi u përsërit për të dytën herë pas ankimimit…

Z. Nuredin Nurçe bën ankimim në organet më të larta të drejtësisë, në Gjykatën e shkallës së Parë të  Qarkut Gjirokastër. “Peri” i  akuzave erdhi  duke u holluar… Rrëzohet  akuza për  shpërdorimin e postit zyrtar dhe mbetet ajo  e pakujdesisë në detyrë.  Duke parë  se  akuzat  që ata ngrinin  ndaj z. Nurçe po binin një e nga një, Prokuroria e  rrethit Përmet kërkoi  verifikimin  e  fondeve të  planifikuara  nga shteti që  ishin  përdorur   për mbjelljet dhe  objektet e reja në  pyllëzime, përmirësimin e  pyjeve, ndërtimin e lerave, të pritave malore etj.

Tre kontrolle financiare u  dërguan  për verifikim:  i pari nga Ministria e Bujqësisë, i dyti nga Komiteti Ekzekutiv i rrethit  dhe i treti nga Drejtoria e Pyjeve Gjirokastër nga ku  kishin vartësi direkte. Nga të tre këto kontrolle nuk rezultoi asnjë shkelje financiare…. . Atëhere  mbeti të përdornin  gurin  e  fundit. U vu në lëvizje përsëri prokuroria e rrethit Përmet. “Të  verifikohen   edhe një herë dëmet e shkaktuara  në Bredhin e  Hotovës” , por këtë radhë  nga  një komision i përbërë nga specialistë pyjesh… !? Kështu vendosi Hetuesia dhe Prokuroria e rrethit. U  caktuan  në këtë komision  inxhinierë pyjesh të cilët,  të rekurtuar dhe të udhëzuar  nga Prokuroria e rrethit, përgatitën një raport vlerësimi për dëmtimin në Bredhin e Hotovës, në zyrën e këtij institucioni, pa e shkelur pyllin e Bredhit,  me një vlerë  dëmi prej 300.000 lekë. E gjithë kjo vlerë, ngarkonte me përgjegjësi z. Nurçe  dhe teknikun e  sektorit të Bredhit Hotovë.  Por edhe ky  vlerësim…., u zhvlerësua. Në gjyqin  që u zhvillua  nga   Gjykata  e  Qarkut Gjirokastër,  me  fakte dhe argumente  u   hodh poshtë  ky  raport  teknikësh, duke e konsideruar si një dokument të manipuluar,  pa fakte dhe argumente

Historia e gjyqeve  vazhdoi mbi shtatë muaj  Përfundimisht  ajo u mbyll me një masë, me kusht… Të gjitha këto përpjekje djallëzore kishin synimin që të gjunjëzonin z. Nurçe në përpjekjet e tij për zbatimin e ligjit. Por ndodhi e kundërta.

4- Një kthesë e re në jetën e z. Nurçe.

Maj 1967. Emërohet Përgjegjës i Sektorit të Pyjeve Këlcyrë.

Me ardhjen  në Këlcyrë, për z. Nurçe fryu  një  erë  e  ngrohtë.  Këtu njerëzit  ishin më miqësor dhe  të respektueshëm. Ndoshta një pjesë  e tyre ishin dëshnicarë, por edhe me  ata të përtej Vjosës, u miqësua shumë shpejt. Punoi me  të njëjtin pasion dhe energji  për të bërë më të mirën edhe këtu. Dhe rezultatet nuk munguan…U pyllëzuan objekte me radhë, duke u ardhur në ndihmë edhe qytetarëve për zënien e tyre me punë, për çdo vit rreth 60-70 forca punonin në sektorin pyjor. U pyllëzuan kodrat përrreth qytetit të Këlcyrës. Të gjitha ato pisha janë mbjellë në ato vite. Gryka e Këlcyrës, nga një vend tepër i zhveshur,  u kthye në një vend me bukuri të rrallë.  Kjo Grykë, tashmë është mbushur me lokale  shërbimi  ku njerëzit gjejnë prehje në këtë natyrë tepër të mrekullueshme, ku  fidanat  e  pishave luajnë me errërat e grykës dhe vizitorëve e udhëtarëve u mbush mushkritë ajri i pastër i këtyre anëve.  Në këtë  mjedis  të mbushur me jeshillëk është ngritur edhe fabrika e ujit të pijshëm, me emrin “Trebeshina’’.

Më pas, për shtatë vite rresht, punon si drejtues në kooperativën bujqësore të Këlcyrës ku shfaqi cilësitë e tij si orgazizator e drejtues i aftë. Aty iu dha edhe mundësia të përfundoj arsimin e lartë 3-vjeçar, në fushën e filozofisë. Më pas shkoi  në Sukë, në vendlindjen e tij. Për  dy  vjet rresht  1982-1983 e gjejmë si drejtues në koooperativën bujqësore të Sukës. Këtu  së bashku me kuadrin drejtues  të kësaj ekonomie  bëri  përpjekje  që të bëhej më e mira. Për  t`u  përmendur është puna që u bë për vendosjen e ndërtimit  të një rezervuari    territorin e fshatit  Goricë,  i  cili  pas përfundimit të punimeve,  shtoi sipërfaqen e ujitjes në fshatin  Goricë  me rreth 80 ha., ndërsa në  zonën e  Luginës  mbi 16 ha. Në  fushën ekonomike  pati rritje  të rendimenteve në drithrat e bukës, grurë e misër, kurse    sektorin e  blektorisë u eksperimentua për herë të parë që, nga  një  tufë  me  dele  prej  100  krerësh,  të merrej  një  rendimenti mesatar 100 kg qumsht  për dele, etj.

Në vijim punoi në aparatin e drejtues të Divizionit në Përmet, për gati dhjetë vjet. Në këtë hapsirë kohore, u dekorua me Medalje dhe Urdhra Pune.

Në vitet e tranzicionit punoi përsëri në sektorin e pyjeve. Iu kthye  zanatit. Ishte një kënaqësi e veçantë për të. Punoi për gati gjashtë vjet deri sa doli në pension.  Në këto vite punoi në sektorin e pyjeve  Petran -Çarshovë, por edhe dy vjet në Qendër.

Si njeri i punës pasionante, edhe kur doli në pension, nuk mund ta "vriste" kohën e lirë duke mos u aktivizuar me detyra shoqërore. Me krijimin e shoqatës atdhetare-kulturore "Dëshnica" aktivizohet për ngritjen e degës së saj në qytetin e Përmetit, duke u zgjedhur kryetar i saj. Në vitin 2008, kur erdhi me banim në Tiranë dhe deri më sot,  është aktivizuar maksimalisht për mbarëvajtjen e punëve të shoqatës "Dëshnica", duke u zgjedhur dhe nënkryetar i kësaj shoqate. Në kuadrin e 10-vjetorit të krijimit të saj është shpallur : " Nderi i Shoqatës Dëshnica". Është zgjedhur dhe në forumet drejtuese të Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve të Shqipërisë për qytetin e Tiranës dhe kryetar i saj në njësinë Bashkiake nr. 6 të zonës së Kombinatit. Për punë të mirë është shpallur dhe nderi i kësaj organizate nga Kryesia e Përgjithshme e Familjeve të Dëshmorëve të Atdheut, në kuadër të 70-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashistë.

5-Një ngjarje e shënuar.

Në kuadrin e 70-vjetorit të Çlirimit të Atdheut, 29 nëntorit 1944-2014 që  mbetet  një  datë historike për popullin tonë, mblidhet Këshillit i Komunës  Sukë  për të vlerësuar disa nga bijtë e saj më të spikatur për vlerat dhe kontributin e dhënë  gjatë Luftës dhe më pas saj. Z. Nuredin Nurçe, një nga bijtë e shquar të kësaj treve, nderua me titullin "Qytetar Nderi i Komunës Sukë" dhe u vlerësua me motivacionin: “Një ndër kuadrot më të devotshëm të zonës së Sukës, i cili punoi me përkushtim kudo që e caktuan, duke qënë model i njeriut të ndershëm, të urtë e korrektë e që u shqua për ndërtimin e mardhënive të sinqerta e të besueshme me njerëzit dhe respektin e dashurinë për vendlindjen’’ .

Ja se si e ka karakterizuar portretin e tij, z.  Qazim Delilaj, sekretar i Komunës  Sukë :

“Nuredini nuk diferencon njeri, ai  i  do dhe i respekton të gjithë njëlloj, ndaj edhe ata e respektojnë  dhe e nderojnë    gjithë. Ai ështe një  njeri që kurrë nuk ka krijuar probleme, por ka zgjidhur probleme.  Është një njeri që karakterizohet  vetëm nga virtyti miqësor e dashamirës.  I mëson dhe i orienton njerëzit në  nevojë se si t`i zgjidhin problemet që kanë. Nuredin Nurçja, ka  një  karakter  universal  dhe është  shumë dimensional. Karakteri i tij, sjellja e tij, mënyra  se  si komunikon me të gjithë, përbën një model që ta imponon që, kur je me atë,    jesh  si  ai. Si  i  tillë ai  e meriton një respekt dhe nderim të tillë si ky i sotmi.  Biles, Ai,  meriton më shumë”.

6- Në vazhdim të punës së tij studimore.

Nuredin Nurçe vazhdon të punojë e të krijojë. Ka përgatitur  historikun e trevës së Sukës (Sukë, Goricë, Dervishas). Vazhdon të konsultohet me banorët e këtij fshati që të mundet të arrihet një botim që të ketë miratimin e të gjithë banorëve

Ka gjithashtu në dorëshkrim  librin  me  titull: “Bashkëkrahinas”,  për tre figura të spikatura dëshnicare:  Ramadan Ismaili, Abaz Demaj dhe Et’hem Selfo. Po z.Nuredin Nurçe  vazhdon  të studiojë e të shkruaj për krahinën e tij. Të tjerë libra ka projektuar në ditët në vijim.

Kelcyra, fotografuar nga kalaja antike



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: