Dorëzohet flamuri, Shqipëria gati për Olimpiadën
| E Enjte, 24.07.2008, 03:34 PM |

"Mijëra zemra shqiptarësh do të jenë kurdoherë me ju për t‘ju dhënë kurajë"

Shqipëria është gati për Lojërat Olimpike Pekin 2008, eveniment që do të nisë pas 15 ditësh në Kinë. Akti i fundit ishte ceremonia e zhvilluar dje në Pallatin e Brigadave, ku Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ka dorëzuar ekipit olimpik, më saktësisht mundësit Sahit Prizreni, flamurin kombëtar. 26-vjeçari i lindur në Kukës do të kryesojë delegacionin kuqezi në Olimpiadë. Në ceremoninë e zhvilluar, pas fjalës përshëndetëse të rastit të ministrit të Sporteve, Ylli Pango, dhe presidentit të KOKSH, Hysen Domi, Presidenti Topi i ka uruar sportistëve një përfaqësim sa më dinjitoz. "Jam i lumtur që, si President i Republikës, më jepet rasti sot t‘i dorëzoj flamurin Ekipit Olimpik shqiptar, i cili do të konkurrojë në Lojërat e Pekin 2008", tha ai përpara pjesëmarrësve të shumtë. "Kjo nuk është një ceremoni e thjeshtë zyrtare, por një ngjarje e veçantë sa simbolike dhe domethënëse. ‘Një botë, një ëndërr‘, ky është slogani i këtyre Lojërave. Dhe ne, si të gjitha shtetet, jemi pjesë e kësaj bote dhe kemi të njëjtën ëndërr. Ky slogan fton mbarë botën që t‘i bashkohet shpirtit olimpik për një të ardhme më të mirë për njerëzimin. Vajzat dhe djemtë sportistë olimpikë të Shqipërisë, bashkë me flamurin dhe krenarinë, do të marrin sot mbi supet e tyre përgjegjësinë e madhe morale për të përfaqësuar sa më denjësisht atdheun e tyre, Republikën e Shqipërisë në Lojërat e 29-a Olimpike". Më tej, kreu i shtetit vazhdoi: "Ky flamur, që do të shpaloset hijshëm në ceremoninë e hapjes, për t‘i dëshmuar botës praninë e një populli të vogël, por me një shpirt të madh gare. Do të jetë ky flamur, i cili gjatë gjithë ditëve të Olimpiadës me valëvitjen e tij, do t‘ju kujtojë se mijëra e mijëra sy, mijëra e mijëra zemra do të jenë kurdoherë me ju për t‘ju dhënë kurajë, për t‘ju kujtuar se ju jeni në gjendje të bëni më të mirën tuaj. Besoj se ju do të dini t‘ia shpërbleni popullit tuaj. Natyrisht medaljet kanë vlerën e tyre të veçantë, por më e rëndësishme se sa një ose disa medalje, është përfaqësimi me dinjitet, është shpirti i garës, është krenaria që bart secili prej jush në përfaqësimin e Shqipërisë. Merreni këtë simbol të krenarisë sonë dhe bashkë me të, në emër të popullit shqiptar, më lejoni t‘ju jap urimin: Dalshi faqebardhë!".

Nga ana e tij, mundësi Prizreni e falënderoi Presidentin për nderin që iu bë, dhe në emër të sportistëve të tjerë pjesëmarrës në Pekin 2008 premtoi se do të bëjnë maksimumin për ta ngritur sa më lartë flamurin shqiptar. "Është mjaft emocionuese që do të mbaj flamurin në ceremoninë e hapjes", ishin fjalët e tij të para. "Ndjehem gati për këtë përgjegjësi, edhe pse e kam të qartë se ky nder mund t‘i ishte rezervuar kujtdo prej sportistëve të ekipit. Do të bëjmë më të mirën që të ngremë lart emrin dhe flamurin tonë". Rreth objektivave personalë, Prizreni tha se do të luftojë të hyjë në zonën e medaljeve: "Shkoj në këtë eveniment si fituesi i medaljes së bronzit në Botëror dhe natyrisht që do të synoj medalje. Një tjetër bronz? Objektivi kryesor është të marr medalje, nëse do të fitoja argjend ose ar, ky do të ishte një rezultat i jashtëzakonshëm". Në zonën e medaljeve synon të futet edhe qitësja Lindita Kodra, e cila shkon në Lojërat Olimpike si kampione e Evropës.


Delegacioni Olimpik shqiptar në Pekin 2008

1. Fidel Ylli Shef Misioni

2. Kliton Muça Staf

3. Muhamet Ostreni Mjek

4. Klodiana Shala Atletikë

5. Dorian Çollaku Flakje çekiçi

6. Vaso Selenica Trajner

7. Taulant Stërmasi Trajner

8. Rovena Marku Not

9. Sidni Hoxha Not

10. Dashamir Bregu Trajner

11. Sahit Prizreni Mundje

12. Elis Guri Mundje

13. Besnik Shehu Trajner

14. Sylejman Shala Trajner

15. Viron Bezhani Teknik

16. Romela Begaj Peshëngritje

17. Gert Trasha Peshëngritje

18. Erkand Qerimaj Peshëngritje

19. Genc Barkiçi Trajner

20. Hektor Shaqiri Trajner

21. Ilir Çelaj Trajner

22. Lindita Kodra Qitje

23. Diana Nallbani Trajnere

24. Edmond Topalli Xhudo

25. Labo Capo Trajner

26. Ornela Çuko Kampi Rinor

27. Albi Sorra Kampi rinor


G. Shqip

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: