Faik Konica: Maqedonia u krijua në kurriz të kombit shqiptar
| E Enjte, 21.05.2015, 08:21 PM |

Rubrika: Faik Konica – Histori dhe aktualitet

Maqedonia u krijua në kurriz të kombit shqiptar

Fillimi i shekullit XX, karakterizuar nga vdekja graduale e "të sëmurit të Bosforit" dhe nga shpërbërja e perandorisë osmane, po nxirrte në pah, krahas luftës së popujve të shtypur prej saj, edhe një aktivizim të ethshëm të diplomacisë europiane për të vepruar sipas interesave dhe aleancave klasike e koniunkturale të Fuqive të kohës. Faik Konica, nga të parët rilindas shqiptarë, që ndjek nga afër zhvillimet ballkanike, me objektivitet dhe patriotizëm të rrallë, shprehet thjesht dhe qartë se Maqedonia sllave, inekzistente në histori, po krijohej falë pafuqisë dhe paaftësisë turke për të vepruar, por sidomos e në radhë të parë, falë veprimesh kriminale të dhunshme, me atentate e bomba, me çetnikë të tipit Sarafov, duke shkaktuar turbullira politike në rajonin e Ballkanit, mbështetur gjithçka nga një zhurmë e ethshme propagandistike e mediatike në rrafsh europian. Dhe e gjitha në dhe mbi kurriz të kombit autokton shqiptar.

Treqind shqiptarë në Mitrovicë venë e vriten si pa të keq drejtpërdrejt me urdhër të konsullit rus Scherbina në kuadrin e aleancës së ngushtë ruso-sllave që ka synuar, thekson Konica, asimilimin racor deri në zhdukje të shqiptarëve dhe vendosjen e epërsisë fetare apo të teokracisë ortodokse në rajonin juglindor të Ballkanit. Dymijë e dyqind artikuj të shtypit europian të kohës i shkojnë në duar Konicës, si një "bombë" mediatike, ku flitet e nxitet intriga dhe urrejtja midis popujve ballkanikë. Me qetësi, ai di t'i seleksionojë apo t'u heqë fitilin, për t'u ndalur e për të komentuar me logjikë largpamëse vetëm njërën ide të një artikulli: rreziku në lindje i shtetit teokratik ortodoks (greko-sllav) në Ballkan, i përngjashëm me Turqinë teokratike myslimane, që po venitej. Sakaq – vë në dukje Konica –, në Shqipëri sundon harmonia fetare dhe shqiptari i thotë vetes në radhë të parë shqiptar, dhe jo mysliman, ortodoks apo i krishter. Nga ku do lindte dhe lindi pikërisht shqiptaria e shqiptarizmi si një lëvizje rilindase emancipuese, shpirtërore e shoqërore, krejt e ndryshme nga çdo lëvizje fetare që ka në themel, edhe sot e kësaj dite, fanatizmin fetar, këtë burim konfliktesh midis popujve që ushqen vetëm urrejtjet racore e etnike.

Një tjetër ide madhore del në pah në "Shënimet politike" të mëposhtme të Konicës: misioni fisnik i një partie drejtuese kombëtare shqiptare, unike në Ballkan (të cilën ai e quan "nacionale" sipas terminologjisë së kohës). Dhe përcakton si program të saj: 1. përparim intelektual të shoqërisë (nëpërmjet ngritjes së nivelit kulturor e arsimor); 2. përparim politik (me synime të qarta e largpamëse për zhvillimin kombëtar); 3. përparim ekonomik; 4. respektim të të drejtave

njerëzore; 5. ndërtim të shoqërisë civile (të qytetëruar e laike) me drejtësi të paanshme (që me terminologjinë e sotme quhet shteti i së drejtës dhe shteti ligjor). Këtë "parti nacionale shqiptare", krejt e ndryshme nga partitë me karakter fetar në Ballkan, Faik Konica njëzet e një vjeçar e krijoi që më 1896 (flet te nr.1 i Albania-s, flet edhe më pas rrallë, por flet qartë) me një program të tillë që do t'i bënte nder edhe sot e kësaj dite çdo partie që frymëzohet e punon për interesat madhore të popullit dhe kombit shqiptar.

Më në fund, nuk mund të rrimë pa thënë një fjalë edhe për diplomacinë e sotme shqiptare që në disa drejtime, sidomos në diplomacinë shumëpalëshe, na duket e vakët, kur nuk ndihet si duhet e sa duhet zëri i Shqipërisë në mbrojtje të vëllezërve tanë në Maqedoni. Konica i mbrojti dhe diti t'i mbrojë fuqimisht nga tërë persekutimet morale, sidomos nga ndalesat policeske për gjuhën, librin, kulturën shqipe. Sot, po ata shqiptarë në të thënën "Maqedoni" njohin po atë gjendje të egër të nën-njeriut (sous-homme), si dikur shqiptarët e Kosovës nën Serbinë. Ata po derdhin gjakun dhe po martirizohen për të drejtat e tyre mohuar kokë e këmbë nga autoritetet e sotme serbo-maqedone. Ata duhen mbrojtur. Por diplomacia nuk ka si bëhet me zogj e biba (blancs-becs – thotë frëngu), që na kanë nga një diplomë - të sapodalë nga bankat e shkollës - dhe shko tutje! Apo, më keq, nga "hijerëndët" e "seriozët" diplomatë "karriere" që e mbajnë veten me të madh, por nuk janë në gjendje të lidhin dy fjalë, pa ide e bagazh kulturor e historik. Dhe ashtu vuv, memecë, kaushë e karabushë na japin nga një buzëqeshje, krekosen, na hedhin "me kompetencë partiake" firmë, pa iu dridhur dora, për të shitur edhe detin shqiptar, lakmuar historikisht aq shumë nga Fuqitë, nga serbët, siç e pasqyron edhe kjo gravurë e rrallë e fillimit të shek. XX që po e japim këtu më poshtë për botim./ Monet Maneshi.

 

Nga Faik Konica

Shënime politike -

Rreziku i teokracisë ortodokse

Tri ngjarje të njëfarë rëndësie janë zhvilluar që prej botimit të fashikullit tonë të fundit. Le t’i kujtojmë shkurtimisht.

Më 31 mars një grup shqiptarësh rrethuan Mitrovicën. Z. Scherbina, duke dalë – nëpërmjet harresës më të çuditshme të vetvetes që kurrë ndonjëherë nuk mbahet mend të jetë shënuar në analet diplomatike – jashtë funksioneve të tij si konsull rus për t’i zëvendësuar me ato të një oficeri turk! shkon dhe “nxit ushtarët”, siç pohon hapur shtypi zyrtar rus, “për të bërë detyrën e tyre kundër shqiptarëve”. Gazeta Le Temps shton: Është pikërisht Z. Scherbina që ka hapur zjarr kundër shqiptarëve. Rezultati:300 shqiptarë të mitraluar në dyert e Mitrovicës.

Të nesërmen, Z. Scherbina – duke ripërsëritur ndërhyrjen e tij kriminale në administratën ushtarake të një shteti të huaj – “po inspektonte majë kalit pozicionin e baterive”, pohon sërish shtypi rus aq pak i djallëzuar, “dhe ngrinte lart moralin e ushtarëve”. Pikërisht aty mori njëgoditje me dyfek, nga e cila vdiq pas tetë ditësh. Autori i kësaj hakmarrjeje të qortueshme është një ushtar shqiptar i quajtur Ibrahim.

Së fundi, ngjarja e tretë që lypset të kujtojmë është atentati bullgar me dinamit më 28 prill në Selanik. Numri i bombave të hedhura ndryshon sipas varianteve të dhëna, nga 50 në 100, po ashtu edhe numri i të vrarëve nga 100 në 900 vetë.

Kalorës të pararojës serbe në Durrës duke thirrur : Rroftë deti serb.

Korrespondenti i posaçëm i Standard mendon se përgjegjësia për këto akte egërsie i takon në radhë të parë komiteteve bullgare dhe në radhë të dytë Fuqive “që e kanë penguar Turqinë të marrë masa shtypëse që ato vetë do duhej të merrnin në rrethana të tilla të ngjashme”. Ka këtu diçka të vërtetë: e sigurt është që i është imponuar qeverisë turke çështja disi e vështirë për shtypjen e protestave pa dredhje gjaku. Sepse, me të drejtë Fuqitë kishin frikë se mos Turqia bënte veprime të tepruara dhe duhet pranuar që kjo frikë ishte e përligjur: Turqia, për fat të keq të saj, shumë herë ka provuar se nuk e ka ndjenjën e masës së duhur, kur shtypja shndërrohet në masakër.

 

Shqiptarë në mbrojtje të trojeve tona, ilustrim fillimi i shek. XX..

Vetë Turqia nga ana tjetër duket që e kupton se kjo ndjenjë e masës i mungon: duke u trembur se mos shkojë përtej masës, ajo ngelet atëherë tëhu masës. Revista Saturday Review (9 maj, f. 578) shprehet në këtë drejtim me një fjali të goditur: “Qëndrimi i turqve, thotë ajo, ka qenë i mrekullueshëm. Gati mund të thuhet se ata kanë treguar një durim të krishterë”.

* * *

Jo më pak e vërtetë është se përgjegjësia për turbullirat e sotme, dhe sidomos për atentatet e Selanikut bie fillimisht mbi qeverinë turke. Që para shtatë vjetësh, në një artikull shqip të kësaj reviste, ne kemi thënë se bullgarët po i shtonin në Turqi depot e fshehta të armëve dhe të lëndëve plasëse. Nuk po mburremi se kemi dhënë një informacion të jashtëzakonshëm. Fakti është i njohur publikisht në Manastir, dhe të gjithë aty e dinë se funksionarët turq, të çarmatosur nga ryshfetet, kanë mbyllur sytë që prej dhjetë vjetësh para organizmit të komiteteve bullgare.

Pra, turqit le të shohin njëherë vetveten për gjithë sa po ndodh sot.

* * *

 

Ngjarjet në Maqedoni në fillim të shek. XX. Vogëlushe shqiptare në Shkup.

E kemi pasur të pamundur të flisnim për seancën tashmë të harruar të 10 marsit në Parlamentin francez, seancë kushtuar çështjeve turke.

Ja se si Z. Georges Berry, deputet, e gjykon popullin më të lashtë të Ballkanit dhe ndoshta të Evropës, më i lidhur pas tokës së tij të lindjes dhe pas traditave, fryma shtëpiake e të cilit gati kthehet në monomani: “Shqiptarët, thotë ai, formojnë një popull nomad”. Vetë kjo fjalë zbulon në mënyrë të çuditshme shkallën e njohjes së disa anëtarëve të Parlamentit francez. Po le të shkojmë më tej.

Z. Francis de Pressensé mbajti një fjalim të madh, që shquhej njëkohësisht si për gjerësinë e pikëpamjeve, ashtu dhe për merakun se mos plagoste ndjenjat e ndonjë populli, se mos tregohej i padrejtë ndaj ndonjë kauze.

“Shqiptarët, tha Z. De Pressensé, janë një racë sigurisht tepër interesante, tepër e denjë për vëmendje, madje edhe për të gëzuar simpatitë e Evropës, një racë e shëndoshë, e fuqishme, e aftë për përparim; për fat të keq, e ka ndalur në njëfarë mënyre zhvillimin e saj në periudhën feudale. Shqiptarët iu kthyen Islamit me qëllim që të ruajnë armët e tyre, çifligjet dhe epërsinë e tyre; janë ende highlande, cateran [banditë, cuba] të Skocisë, si në epokën e Rob-Roy-t dhe të romaneve të Walter Scott-it”.

Është e vërtetë që shqiptarët kanë ngelur prapa. Por së pari, pavarësisht nga dukja, janë shumë më pak nga sllavo-tartarët që simpatizohen prej Z. De Pressensé. Së dyti, e si mund të shënojnë përparime shqiptarët kur Turqia, sa e këshilluar, aq edhe e terrorizuar nga politika sllave, ua ndalon çeljen e shkollave dhe të arsimimit, e drejtë kjo që u rezervohet vetëm sllavëve në Shqipëri. Shqiptarëve u ndalohet, në kuptimin administrativ e policor të fjalës, të përparojnë. Kjo padrejtësi që u është bërë, duke qenë e natyrës morale, nuk gjen kurrfarë pike të përbashkët - në retorikën profesionale të gazetarëve -, me persekutimet materiale të egra që ngjallin vetë sllavët: një fjalë goje është të thuash masakra pak a shumë të fantazuara, apo plaçkitje. Por padrejtësia nga e cila vuajnë shqiptarët është shumë më e madhe në veta pasojat që ajo shkakton: priret në fakt, as më shumë e as më pak, vetëm drejt asimilimit të racës së tyre, drejt skllavërimit të ardhshëm nga ana e batakçinjve që i thonë vetes sllavë e të krishterë dhe që pandehin se janë të qytetëruar. Një padrejtësi e tillë s’ka si t’i shpëtojë vëmendjes të një njeriu si Z. De Pressensé, me vlerë intelektuale aq të lartë dhe gjykim aq të mprehtë.

Sa për aktet e dhunës së shqiptarëve kundër bullgarëve, Z. De Pressensé le të më lejojë të vë buzën në gaz. Nëse shqiptarët do kishin shtypur bullgarët në mënyrë aq sistematike sa duan të thonë, prej kohësh nuk do kish mbetur tek ne as edhe një specie tartarësh që pushtuan vendin tonë para njëmijë e dyqind vjetësh, emigrimi i fundit i të cilëve daton vetëm në mbarim të shekullit XVIII. Në realitet, acarimi i shqiptarëve kundër bullgarëve është shkaktuar nga intrigat plot urrejtje, nga paturpësitë tinëzare dhe komploti i fshehtë dhe mbytës i fqinjëve tanë që prej pesëmbëdhjetë vjetësh.

Dhunimet e shqiptarëve, në ka vërtet dhunime, nuk janë veçse rezultat i njerëzve që kanë humbur durimin në lokalitetet kufitare; nuk mund të gjykohen dy milionë shqiptarë, nga Parga në Shkodër, thjesht mbi bazën e qëndrimit të disa qindrave shqiptarëve të Lindjes së skajshme dhe të Veriut të skajshëm të vendit. Kemi të bëjmë këtu me një përgjithësim trashanik që i shkon për shtat dredhisë ngalakaqe të tartarëve, por që nuk mund të pranohet nga mendjet serioze dhe të pavarura.

* * *

Dy agjenci prerje artikujsh na kanë dërguar që prej katër muajsh rreth dy mijë e dyqind ekstrakte të gazetave nga tërë gjuhët, që trajtojnë çështje të Shqipërisë e të “Maqedonisë”. Në këtë grumbull fletushkash nuk ka në të vërtetë veçse një rresht që bie në sy: është e një korrespondenti të gazetës Le Temps. Dhe ja: të bësh reforma në Turqi, thotë ai, do të thotë të shndërrosh një shtet fetar në një shtet laik.

Në fakt, kjo është vetë dhe vetëm e vërteta. Turqia është një teokraci; feja myslimane është feja shtetërore; gjithë jeta politike, shoqërore dhe intelektuale e Perandorisë varet nga parimet e kësaj feje, dhe gjithë veprimtaria e qeverisë priret të sigurojë ngadhënjimin e saj. Në këto kushte, të kërkosh reforma, qëllimi përfundimtar i të cilave është zëvendësimi i një shoqërie fetare nga një shoqëri civile, është si t’i kërkosh Turqisë një diçka shumë të vështirë.

Këtë çështje e kemi trajtuar po këtu vitin e shkuar. Duke bërë kazuistikë politike, nëse ju kujtohet, sugjeruam, në një Turqi të transformuar, rastin e një kryeministri armen duke urdhëruar arrestimin apo vënin nën akuzë të një Sheik-ul-Islami, ose për përvetësim fondesh publike, ose për çdo arsye tjetër të bazuar. Për cilindo që e njeh Turqinë, ja tek e sheh veten përpara një revolucioni të mahnitshëm.

Por çka është edhe më e habitshme: turqit nuk janë të vetmit që e konceptojnë organizimin e shtetit nga një pikëpamje tërësisht fetare. Elementë të tjerë të Perandorisë, për shembull bullgarët, kanë një konceptim të ngjashëm. Kemi mundur të vëzhgojmë se edhe të ashtuquajturit “maqedonë” po ngrejnë krye e po kërkojnë me ngulm përmirësime, dhe jo në cilësinë e viktimës, si të shtypur, por si të krishterë. Nuanca është tepër domethënëse dhe ata që nuk e kuptojnë janë bërë t’u qahet halli. Bullgarët revoltohen, siç e shihni, si të krishterë që na qenkan; dhe as që bëhet fjalë këtu për të drejta njerëzore. Jemi pra përballë një lëvizjeje që ka për qëllim vendosjen e epërsisë fetare.

Në ato vite kur Shqipëria shkelej nga trupat e huaja, kartolinë e vjetër.

* * *

Dhe kjo na çon në një konstatim që, siç e dimë, nuk mungon t’i çudisë ndoca gazetarë të shkretë: I vetmi element progresi në Perandorinë osmane është partia nacional shqiptare.

Në fakt, ne shqiptarët, nuk e shohim kurrë veten nga pikëpamja fetare. I respektojmë tërë besimet e sinqerta, por mendojmë se ato janë çështje të ndërgjegjes. Partia jonë – madje edhe vetë redaksia e kësaj reviste – ka në gjirin e saj laikë dhe priftërinj të të gjitha besimeve, anëtarë të klerit katolik, të klerit muhamedan dhe të klerit ortodoks. Të gjithë e ndjejnë se teologjia as që hyn në këtë mes, non est hic locus [nuk është vendi i saj]. Të bashkuar nga një dëshirë e vetme përparimi intelektual, përmirësimi politik dhe ekonomik, të gjithë këta shqiptarë kërkojnë vetëm të drejtat e tyre nga ana njerëzore.

Dhe mund ta themi me gojën plot, pa iu trembur kurrfarë përgënjeshtrimi: shqiptari më i thjeshtë i partisë nacionale, për shembull një xhandar apo një fshatar është më i aftë për ta konceptuar si duhet një shoqëri civile krahasuar me tërë ata teologë bullgarë, që me sa duket nuk shohin arsye tjetër për të qenë të lirë veç faktit se janë “të krishterë”.

Shqiptarët, cilësdo fe që t’i përkasin, i thonë vetes shqiptarë, e asgjë më tepër. Dhe të mos pandehin aspak se kjo ndjenjë është e re tek ne. Ja, merrni një in-folio botuar në anglisht në fillim të shekullit të kaluar[shek. XIX] nga Hobhouse, miku që shoqëroi Lord Bajronin gjatë udhëtimit të tij të parë në Shqipëri; është relacioni i këtij udhëtimi: e pra, në faqet e para do lexoni se që në atë kohë tashmë, shqiptarët ishin të vetmit në Perandorinë turke që, myslimanë a të krishterë, të pyetur se çfarë ishin, e quanin veten thjesht shqiptarë, në të kundërt të popujve të tjerë që e klasifikonin veten nëpërmjet fesë.

Dhe nëse kjo ndjenjë është errësuar tek shqiptarët e disa lokaliteteve, kjo ndodh për shkak të fanatizmit të importuar nga turqit, bullgarët, serbët dhe të tjerë të prapambetur ejusdem farinœ [të të njëjtit brum].

Në përfundim, shqiptarët, pavarësisht nga të metat e tyre, janë në Turqinë europiane të vetmit që janë në gjendje të konceptojnë një shoqëri, në të cilën pushteti civil asnjanës do t’u jepte të gjithëve një drejtësi të paanshme.

Lëvizja shqiptare është pra një parti moderne përparimi të vërtetë. Lëvizjet e tjera, cilado qoftë emërtesa e tyre, nuk janë veçse simotrat e saj fetare.

Do donim të përfundonim, por na duhet më parë të përshëndesim ndershmërisht politikën miqësore, dhe do thoshim gati bujare, të një Fuqie, ndikimin e së cilës në Shqipëri e kemi luftuar shpesh këtu, mes këtyre faqeve. Italia, duke marrë zyrtarisht në mbrojtje një grup shqiptarësh të persekutuar pa arsye, me sa duket ka dhënë tërthorazi një përgjigje fisnike për shtatë vitet e polemikave. I kushtojmë vëmendje përgjigjes, ndoshta me njëfarë habie, por pa zemëratë, pa mërzi. Pa dyshim, Austria ka bërë shumë për zhvillimin moral të popullit shqiptar dhe shqiptarët duhet t’i jenë asaj para së gjithash mirënjohës; por nëse Italia mbështet kauzën tonë, është e drejtë t’i falim edhe asaj një ndjenjë të çiltër mirënjohjeje.

Ja me dy fjalë faktet:

Sllavët, duke dashur medoemos ta shtyjnë sundimin e tyre të ardhshëm gjer në brigjet e Adriatikut bezdisen në këtë marshim përpara të tyren nga shqiptarët, të cilët i shohin si një grup etnik. Dhe për të sllavizuar shqiptarët, është e domosdoshme fillimisht që gjuha e tyre të mbetet në gjendjen e dialektit të palëvruar. Kështu në praktikë, ata organizojnë gjuetinë e shqiptarëve që kultivojnë gjuhën e tyre. Armët e zakonshme të kundërshtarëve tanë janë akuzat dhe shpifjet dhe për këtë arsye burgjet turke janë të mbushura me njerëz të pafajshëm, krimi i vetëm i të cilëve është se janë kapur kush me një aritmetikë, kush me një gramatikë, kush me një poemë, dhe rrallë me ndonjë gazetë, veçse këto në gjuhën shqipe. [...]

F.B.K.

Albania, Viti 7, Prill 1903, nr. 4.

Përgatiti për shtyp e përktheu nga frëngjishtja M. Maneshi.

 



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: