Elvi Sidheri: Kur “miku” (Erdogan) vjen të të provokojë dhe urdhërojë në shtëpinë tënde!
| E Marte, 19.05.2015, 09:00 PM |

Kur “miku” (Erdogan) vjen të të provokojë dhe urdhërojë në shtëpinë tënde!

Nga Elvi Sidheri

Vizita e presidentit turk Erdogan në Tiranë para rreth një jave, përsa më përket mua personalisht, por edhe shumë të tjerëve besoj, nuk do të kish paraqitur asnjë interes të veçantë, nëse nuk do ta kishim njohur qysh më parë personazhin atipik (amorf, anormal, anjerëzor, parapolitikan) në fjalë.

Por, meqë “1+1=2”, atëherë edhe “vizita e Erdgoanit=hapja rrugën tufanit dhe uraganit” (të budallallëqeve pafund, pa sens, pa llogjikë, pa kuptim, dhe pavend, mbi të gjitha)!

Dhe padyshim që zotëria në fjalë, nuk ngurroi aspak që të na i plotësonte tërë pritshmëritë që ia patëm ndërlidhur ardhjes së tij në kryeqytetin tonë të hijshëm shqiptar.

Për të mos thënë që Erdua, i tejkaloi si zakonisht edhe parashikimet më të skajshme ogurzeza të limiteve të babëzisë së tij të pakufijshme e të papërfytyrueshme  osmano-file, shqiptarofobe, laikofobe, multifetaro-fobinë e tij ekstreme dhe skajshmërisht të rrezikshme, sidomos për ambientin multifetar shqiptar.

Ai na tregoi hapur në çdo fjalim të tij−teksa rendte si maratonomaku dërdëllitës mufkathënës i itinerarit Namazgja-Kalaja e Prezës−ndjesinë në të cilën ai kridhet 24/24 orë, që e bën të ndihet si padishahu i një perandorie inekzistente prej mëse një shekulli (ku sipas dënglave të tij megallomane, Shqipëria ende duhej të bëjë pjesë),

Paskëtaj, si pati urdhëruar “senza se, e senza ma” (“pa nëqoftëse, e pa por” thonë italianët), që të mbyllim një dorë shkollash që kanë 25 vite që janë hapur nëpër Shqipëri−në të cilat, ndër të tjera, nxënësit dhe studentët shqiptarë, prej më tepër se dy dhjetëvjeçarësh mësojnë gjuhën turke, kulturën turke dhe osmane etj (pra bëhet fjalë për institucione arsimore, që gjithësesi, megjithë profesionalizmin dhe laicitetin e tyre të dëshmuar në këtë fushë, sidoqoftë përçojnë prej kohësh tek nxënësit shqiptarë, afrimitetin me kulturën dhe popullin turk)−, Erdua e mbajti vrapin për në Prezë, e aty breshëri i thagmave erdoganiste, u shndërrua papritmas në një përmbytje universale mufkash neo-otomane pafund.

Sigurisht që maja e diamantit, apo qershia mbi tortën që Erdua & bashkëshorte (më lot krokodilësh në sy të dy, pashmangshmërisht, sipas një skenari të mirëpërcaktuar qysh më parë) mishërohej më së miri tek ajo poezia përdëllyese e recituar në Prezë.

Atë poezi e patën rezevervuar Erdua dhe shpura e vet posaçërisht për audiencën vendase shqiptare, dhe kryesisht për ithtarët e tyre anti-laikë, anti-perëndimorë, anti-kemalistë, dhe shpesh ISIS-mbështetës në Turqi (se kohë fushate elektorale andej, ku AK Partia e Erdos & kryemendimtarit të ringjalljes së kërrmës së pakallur neo-otomane, zotit Davutogllu, synon jo vetëm që të triumfojë në zgjedhjet e tanishme parlamentare në Turqi, po mbi të gjitha, edhe të fitojë aq shumë vota, saqë ta ketë të mundur ta ndryshojë kushtetutën turke, në mënyrë që fronëzimi si “sulltan” i Erdoganit, të bëhet edhe “De jure”, mënjanë “De facto” siç tashmë është bërë gjithësesi).

Poezia në fjalë, thoshte shumëçka, por ajo e arrinte pikun në momentin kur recitohej: “Na jep fuqi, mos e lër pa luftëtarë sheshin e Xhihadit...”!

“Xhihad”?

“Luftë të shenjtë” po kërkuaka ky vallë pak kilometra larg kryeqytetit shqiptar, kryeqytetit të një vendi thellësisht laik, të një shteti ku ka plot pesë fe zyrtare (myslimanë, ortodoksë, katolikë, bektashinj, protestantë)?

Me kë do bëjë “Xhihadin” e nisur në Prezë ky humbameno provokator?

Me shqiptarët që nuk e njohin Erdoganin si “krye-imam” të tyrin?

Se mesa dihet publikisht, Komuniteti i fort-respektuar Mysliman Shqiptar, e ka kreun e vet, të zgjedhur në atë post nga vota e lirë e imamëve të tjerë të Shqipërisë (zotin Bruçaj), kështu që Erdogani nuk mund ta shpifi veten si “krye-imam” e aq më pak si “padishah” të shqiptarëve, qoftë edhe vetëm të atyre që besojnë dhe praktikojnë fenë e nderuar myslimane.

Apo, mos do vijë të na bëjë “luftë të shenjtë” ky klloun cirku mediatik, merde-ngrënës, neve shqiptarëve të tjerë që ndihemi laikë, që nuk besojmë fare, që mund të jemi ateistë, apo që praktikojmë laikisht fe të tjera, jemi të krishterë ortodoksë, katolikë, protestantë, apo vlerësojmë Imam Aliun dhe ndjekim ritet e bektashinjve?

Sepse që të shpallësh botërisht dëshirën tënde thellësisht kriminale për “Luftë të Shenjtë” në mes të një vendi multifetar, dhe laik, siç është Shqipëria−në një vend ku gjuha, kombësia, historia e lashtë e përbashkët, pikësëpari, dhe paskëtaj fetë e ndryshme, kanë formësuar qenësinë e mëvetësuar dhe të bashkuar ndërshqiptare−, do të thotë që të kesh ardhur me një qëllim unik, atë të nisjes së rrënimit të kësaj forme të patjetërsueshme dhe të pazëvendësueshme të ekzistencës së Shqipërisë si shtet funksional dhe i pavarur, dhe të shqiptarëve si një komb i bashkuar, nga gjaku dhe gjuha, që ngahera kanë bërë të mundur shkrirjen dhe mishërimin tonë si shqiptarë në një trup të vetëm kombëtar, përtej çdo dallimi fetar, rajonal apo ideologjik!

Lëre pastaj, që po ky i njëjti njeri, para se t’ia mallarte për në Prezë, kish guxuar me një përçmim thuajse patologjik për autoritetin dhe mëvetësinë e institucioneve tona vendase shqiptare, që të urdhëronte mbylljen e një rrjeti shkollash dhe universitetesh që sipas tij mund të përkufizoheshin me termin “Terroriste”!

Të tjerë janë marrë këto ditë me këtë temë, dhe sidomos me analizimin e vizionit erdoganist, që shkollat dhe arsimin i shikon si diçka që mund të përkufizohet si “terroriste”, kështu që këtë aspekt po e kapërcej, dhe po dal diku tjetër.

Atëherë, pra, terroriste ishin “Kolegjet turke” nëpër Shqipëri, kurse më pas, si Erdua vajti në Prezë, aty shpalli “Xhihadin”!

Ç’e dallon këtë njeri nga “kalifi” i ISIS-it atëherë?

Edhe ai “Luftën e Shenjtë” ka shpallur fundja!

Dhe me anë të kësaj shpalljeje, ka bërë të mundur që drejt Sirisë, Irakut dhe Libisë, por edhe Nigerisë, Kenias, Somalisë etj, të vërshojë tërë llumi i njerëzimit, dhe të theren civilë, të përdhunohen masivisht gra e vajza të mitura, të digjen gjindja të gjallë në transmetim “Live” nga Raqqa apo Mosuli, të lapidohen femrat me gurë, të hidhen njerëzit të gjallë nga pullazet e pallateve të larta, të shiten fëmijët si skllevër, të shkatërrohet trashëgimia botërore arkeologjike e gjithçka tjetër që këta të marrë, që fyejnë dhe keqpërdorin fenë e tyre, bëjnë.

Erdogani, në vend që të vijë dhe të na e ndyjë tokën tonë shqiptare, me shpallje xhihadësh, të na e fëlliqë një monument të bukur dhe të vjetër kulture−si Kalanë e Prezës, me shfaqje të pështira si ajo që na ofroi të mërkurën e kaluar, mes një turme të gjerë turkomanësh të çartur−le të niset për në Mosul, dhe aty të dali para popullit krah për krah me Al Bagdadin, e luftën e shenjtë ta shpallin bashkë, gjithmonë nëse ndonjë raketë amerikanë nuk i bën copash në predikim (terrorist) e sipër!

Por dyshoj fort që Al Bagdadi ta lejojë Erdon që të vejë në territoret e Kalifatit, për shkak se edhe shpallja e luftës së shenjtë, ka të drejta autori fundja, dhe pas Bin Ladenit, tanimë të drejtën ekskluzive për xhihad, e ka “Kalifi” i ISIS-it, me të cilin së paku gojëtarisht, ka hyrë në konkurrencë të ethshme Erdogani së fundi!

Për të vijuar me ngjarjet e shpifura të Prezës, do vënë në dukje se restaurimin e saj, e ka bërë agjencia qeveritare turke TIKA, e cila gjerësisht është e dyshuar botërisht për financim të terrorizimit po ashtu (lexoni këtë shkrim të agjencisë Reuters për shembull: http://www.reuters.com/article/2014/10/01/us-kosovo-islamist-usa-idUSKCN0HQ3LZ20141001).

Pastaj, nuk mund të mos vërehej edhe skenografia e përgatitur dhe përcaktuar apostafat sipas dhe në shërbim të shijes anadollake dhe dallkauke të padishah (wanna be) Erdoganit.

Thënë kjo, pasiqë në sfond, prapa Erdos që çirrej dhe llapariste si “gore” apo “llazoricë lagjeje”, gomarllëqe nga më të ndryshmet, dhe më injoranto-debilet që janë dëgjuar ndonjëherë të thuhen në truallin shqiptar në histori, qe shkruar me shkronja të mëdhaja: “E NJËJTA FIRMË NË GJEOGRAFI TË NDRYSHME”!

“Firmë, ku firmë, si firmë”?

Çfarë firme kishte parasysh autori me këtë frazë të pakuptueshme, të kodifikuar, apo edhe sinjal-përçuese?

Unë deduktoj, supozoj, hamendësoj, përfytyroj dhe pandeh, se ndoshta autori (Erdua, Davutogllu, apo kushdo nga ithtarët e tyre që e kish përgatitur gjithë çorbën e derrit të evenimentit në Kalanë e Prezës), se me atë frazë, ish dashur të jepej në mënyrë shumë të shkathët dhe tinëzare, një mesazh rrënues për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Që: “Shqipëria dhe shqiptarët, përbëjnë mallin e të njëjtës firmë (asaj Erdogan, Davutogllu, AK Parti, Neo Ottomanism & CO Limited)”!

Neve pra, na qenkemi produkte, pasoja, rrjedhoja, mall i firmës së madhe që për president (edhe në të vërtetë fundja) ka Erdoganin, dhe për shef ekzekutiv apo menaxher të përgjithshëm, na paska Davutogllun.

Një firmë me drejtim familjar kjo, e themeluar rreth 700 vite më parë, nga një njeri me emrin “Osman”, të parët e të cilit patën ardhur majë kuajve të stepave të Azisë Qendrore, duke e mbajtur turravrapin e pandalur qysh nga Mongolia e origjinës, e gjer në Adriatik, aty ku gjithësesi firma në fjalë−kompania tregtare pra, që për produkt primar dhe unik, ka vetëm shitjen e pordhëve dhe diarresë otomaniste−pati hasur në një konkurrencë të egër nga një biznes i fuqishëm arbëror autokton, kompania e ashtëquajtur “Gjergj Kastrioti, Besëlidhja e Lezhës & Partners Limited.”

Përtej metaforave dhe nënkuptimeve pra, firmën e vet personale−atë të panturqizmit masiv, apo më keq, firmën e pështirë të neo-otomanizmit antishqiptar, anti-multifetarist dhe anti-perëndimor−Erdua mund ta vërë ku t’ia dojë shpirti i tij i kalbur autoritar, por jo në Shqipëri!

Në Shqipëri, në tokën tonë të lashtë amtare, firmën mund ta vëmë vetëm ne shqiptarët vetë, apo miqtë tanë, ata që na kanë ndihmuar dhe vijojnë të na mbështesin, pa kërkuar shkëmbime favoresh nga ne, pa na i cilësuar shkollat si terroriste, pa na shpallur xhihadin e qëllimshëm, ne mes të një shoqërie dhe populli thelbësisht shumë-fetar harmonik siç jemi dhe kemi qenë përherë.

Erdua t’ia mbathi dhe të shkojë të firmosi aty ku ia durojnë dhe lejojnë pordhët tij erëqelbura plot fyerje dhe ekstremizëm që urren dhe përçmon çdo liri (të mendimit, të shprehjes, fetare etj) të sanksionuar me ligj jo vetëm në kushtetutën tonë shqiptare, por ende edhe në atë turke, që akoma Erdogani s’ka arritur dot që ta ndryshojë sipas vizionit të vet obskurantist prapanik.

E kuptoj që vizita e tij, që nga ana e autoriteteve tona shqiptare−ish organizuar më së miri, pikërisht në atë mënyrë siç ne si shqiptarë, gjithmonë kemi ditur të presim me të gjithë përkujdesjen e nevojshme një mik−synonte nga ana e Erdoganit, të vinte në hije, apo thënë më qartë, të kopjonte në mënyrë tejet vulgare dhe të cekët, vizitën madhështore të Papa Françeskut 21 shtatorin e shkuar.

Por, për fat, ndryshimi u duk fare hapur midis dy rasteve sidoqoftë.

Nëse Erdua ia krisi për në Prezë, ku sipas një plani dashakeq, dhe me një paramendim të padyshimtë, mbajti fjalimin e tij zjarrvënës, kuftënxitës dhe provokues−i ngjashëm fort me megallomaninë diktatoriale të Millosheviçit në Fushë Kosovë ca dekada më parë−ku u prit nga një turmë filoturqish të ekzaltuar trushpëlarë, Papa Françesku ndërkohë (i cili lider më i madh fetar i gjithë globit, është me të vërtetë, ndaj dhe, ka gjithë të drejtën e mundur që të flasi si i tillë; ndryshe nga Erdogani, që llapariti mbarë e prapë, lart e poshtë, si të ishte “krye-imam”, ndërkohë që ushtron një funksion laik, si president republike e asgjë më tepër), mbajti meshë dhe foli në mes të Tiranës; para qindra-mijëra shqiptarëve të të gjitha feve.

Teksa Erdogani deliroi në Prezë, për një “qytetërim” turk, që gjasme niste (në ëndrrat e tij) nga Muri Kinez, e mbaronte në Adriatik; Papa Françesku ndërkohë, foli gjerë e gjatë për historinë, lashtësinë, kombësinë e spiktatur dhe unicitetin e veçantë kombëtar të shqiptarëve, duke nisur që nga stërgjyshërit tanë ilirë e përgjatë tërë shekujve me rradhë deri në ditët e sotme.

Citoj disa nga broçkullat më të spikatura që rrodhën si pusetë e shpërthyer fekalesh kutërbuese nga goja erdoganiste në Prezë: “Ne jemi të bashkuar me anë të fesë si vëllezër.... Ne si dy popuj duke qenë të bashkuar do të ecim gjithmonë përpara.... Nuk ka rëndësi nëse jeni shqiptar, turk, boshnjak apo rom, por jini të bashkuar me njëri-tjetrin. Podgorica, Tirana, Sarajeva, Shkupi, zemrat e tyre duhet të rrahin në islam. “

Tani, ky njeri ose është i marrë, ose shtihet pikësëpari!

Neve si shqiptarë, unë personalisht si njeri me kombësi (dhe krenari për këtë fakt) shqiptare, vëllezër, maksimumi jemi njëri me tjetrin, shqiptari me shqiptarin, por kurrësesi kurrë me ndonjë nga popujt që fjalimi i përçartur i Erdoganit, rradhit më sipër si “të vëllazërueshëm” sipas mendjes së tij të pjerdhur tërësisht.

Neve si shqiptarë, nuk na bashkon kurrësesi feja njëri me tjetrin, por gjuha, kombi dhe dheu ynë atëror, asgjë më tepër!

Besoj, jam i bindur për këtë fakt themelor, se edhe një shqiptar mysliman, vëlla është me shqiptarin, qoftë ky mysliman si ai, i krishterë apo ateist, dhe jo me turkun sidoqoftë!

Unë po ashtu, si shqiptar, si njeri thellësisht laik në bindje, por edhe si i krishterë, vëlla jam vetëm me shqiptarin, qoftë ai mysliman, apo ortodoks, apo katolik, apo bektashi, apo ateist, apo budist qoftë, por me turkun vëlla s’jam kurrë, sadoqë e di shumë mirë, se mes 75 milionë banorëve të Turqisë së sotme, ka shumë njerëz të mirë që nuk i bashkon asgjë me këtë “Dëngla-shitës me shumicë”, që vjen të na shpalli vëllazëri fetare të paqena në vendin më multifetar dhe laik të Europës!

Nuk dua të merrem me “rrahjet e zemrave” të kryeqyteteve të tjera ballkanike që pati përmendur ky krye-imam i munguar, që nuk ndan asgjë me vlerat e larta dhe të respektuara të fesë që pretendon se praktikon ethshëm,  por gjithësesi Erdua nevojitet që të dijë, se zemrat e Tiranës sonë të dashur, nuk rrahin as në “islam”, as në “krishtërim”, as në “socializëm” e as në “djathtizëm”, sepse zemrat e Tiranës, ashtu si edhe ato të shqiptarëve, rrahin në “LIRI”, rrahin “SHQIPTARISHT”, jo “erdoganisht”, “osmanisht”, apo “anadollakisht” siç deklamon ky predikues injorant që e turpëron vendin e vet, dhe funksionin tejet të lartë shtetëror që ai mbulon.

Ne jemi vëllezër gjaku vetëm mes shqiptarësh more sharlatan, dhe “GJAKU S’BËHET UJË”!



(Vota: 16 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: