Besnik Dizdari: Lufta futbollistike e pafituar për Evropën
| E Hene, 21.07.2008, 11:23 PM |

Besnik Dizdari
Besnik Dizdari
Lufta futbollistike e pafituar për Evropën

Nga Besnik Dizdari

Ditët e fundit, mbas eliminimit të Besës së Kavajës në raundin e dytë të Kupës Intertoto, për tre skuadrat eprore të stinës që shkoi, Dinamos, Partizanit dhe Vllaznisë, në një mënyrë disi të rrufeshme u dhanë tre vendime jo përfundimtare për fatin e tyre në edicionin 2008-09 në Kupat e Evropës. Në tanësi, duke krahasuar me ato se çfarë ka ngjarë gjithë vitet e mbas rënies së regjimit komunist në Shqipëri, çka përmbledhin e pakta 16 vjet pjesëmarrje të Shqipërisë në Kupat e Evropës me klubet, në thelb është një fillim që ngjall diskutime. Eshtë mundur në fushën e vet kampionia Dinamo. Mirëpo, ka fituar jashtë fushës së vet Vllaznia e Shkodrës dhe ka barazuar po jashtë fushës së vet nënkampionia Partizani. Kësisoji, në tanësi, nuk të duket edhe fort keq.

Prej të tri këtyre ndeshjeve nuk ka dyshim se një lloj befasie shqiptare përmblidhet te ajo e fitueses së Kupës së Shqipërisë, Vllaznia e Shkodrës. Jo vetëm për faktin se u arrit fitore ndaj skuadrës nënkampione të Sllovenisë, NK Koper, por sepse është disi historike ngaqë është një fitore e arritur jashtë fushës, tejet e rrallë për Shqipërinë, dukuri që do ta shtjellojmë pak më poshtë. Mandej Partizani me barazimin e tij po aq të bukur përballë nënkampiones së Bosnje Hercegovinës, Siroki Brijeg, në të vërtetë dy herë kampione e Bosnje – Hercegovinës. Edhe ky një barazim i jashtë fushës, gjithashtu i rrallë për klubet shqiptare në Evropë.

Nuk është për t’u hedhur përpjetë prej gëzimit i gjithë ky fillim deri diku joshës, qoftë edhe për faktin e fillimit të keq të skuadrës më përfaqësuese për ne si për çdo vend, që dihet se është kampionia kombëtare pjesëmarrëse në Ligën e Kampioneve, në këte rast Dinamo. E aq më tepër kur dihet se si rezultat i politikës së pashmirshme të UEFA-s, madje diskriminuese, Kupat e Evropës sot kanë një organizim krejt komercial përderisa janë ndarë të fortat me më të dobtat. Dhe kurrnjiherë, për vendet me një futboll modest, nuk mund të ndodhë që në turet e para ata të ndeshen me klube të shteteve me futboll të rangut më të lartë. Çka do të thotë se kalime turesh apo dhe rrëmbime fitoresh kësisoji nuk të ngjallin asesi entusiazmin e dikurshëm

Për Shqipërinë e vogël edhe në futboll, ky gjysmëshekullor pjesëmarrjeje në Kupat e Evropës sa herë që na jep rastin të përshkohemi në këte rrugë për ne të gjatë, për të hyrë sado pak në një histori krahasuese, por dhe të gjeopolitikës sonë të futbollit në raport me Evropën, kujtimet janë krejt tjera në karahasim me të sotmen.

E filluar më 26 gusht 1962 në qytetin Norrköping (Norçeping) të Suedisë me ndeshjen IFK Norrköping – Partizani 2-0 për Kupën e Kampioneve të Evropës, dhe e mbyllur përkohësisht në këte rang me humbjen 0-2 të kampiones Dinamo me Modricën e Bosnje – Hercegovinës, natyrisht aspak dinjitoz, të këtij viti 2008, aventura evropiane e klubeve shqiptare përmbledh një histori sa të madhe në të rrallë, po aq dhe të vogël, sa nderuese, po aq turpëruese, sa zhvilluese po aq vendnumruese, sa krenare po aq kryeulëse.

Në atë të 26 gushtit 1962 (dhe kjo është dita përururese e futbollit shqiptar në arenën e klubeve të Evropës) në Norrköping deri në të 55’, Partizani i Loro Boriçit kishte mbajtur në ankth “Idrottsparken” kur ndeshja e kthimit në Tiranë, një 1-1 i paharrueshëm, kishte befasuar Evropën e futbollit. Për këte të fundit nuk merrej fort vesht se si kishte qenë e mundur që Shqipëria të kishte vonuar asisoji të merrte pjesë në garat e klubeve! Tre kombëtaras të shquar të Suedisë, Nyhol, Bild dhe Johansson, shto këty dy kombëtarasit e tjerë të një talenti të madh që sapo mbërrinin siç ishin 20-vjeçari Nordqvist dhe 19-vjeçari Kindvall, të drejtuar nga trajneri hungarez Vilmos Varszegi i përvijonin kampiones së Suedisë një skuadër të mrekullueshme, çka bënte që të ngriheshin edhe më lart kuotat e paraqitjes së kampiones shqiptare. Nuk ka asnjë dyshim, se jo vetëm në të dhënat e shifrave, por sidomos 1-1 i Tiranës (gol i Kolec Krajës) për ne që kemi qenë të pranishëm në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, përbën një nga mrekullitë e futbollit shqiptar, madje të një ndeshje tejet taktike, që vetëm një Loro Boriç i mbështetur edhe te të rinj të tillë si Janku, Frashëri, Shllaku, Gjoka e Pano, ia kishte arritur të shpaloste.

Dhe ka ngjarë 46 vjet më parë! Mos kemi shkuar 43 vjet mbrapa në ndeshjet me klubet në Evropë, siç kemi pyetur kështu edhe here të tjera?

Tre vjet më parë, më 2005, Sportklub Tirana, mbasi i është dorëzuar në mënyrën më të padenjë 0-2 një skuadre të panjohur siç ishte Nova Gorica e një qyteze të Sllovenisë, mbasi ka përmbysur shifrat dhe ka marrë kualifikimin mbrenda 10 minutave më të bujëshme të historisë së saj në Kupat e Evropës falë një 3-0 spektakolar për të cilin kanë mjaftuar pra, vetëm dhjetë minuta futboll i vërtetë, mbasi ka zhvilluar një ndeshje pikërisht të denjë me CSKA-në e Sofjes dhe është dorëzuar si një fëmijë në tre minutat e fundit, mbasi ka udhëtuar për në Sofje dhe nuk ka treguar asesi vlera futbolli duke u mundur 0-2 në një mënyrë prap të padenjë, mbasi ka shkarkuar befasisht në një mënyrë edhe në këte rast të padenjë, dhe natyrisht jobindëse, trajnerin Starova, dhe ka përjashtuar katër lojtarë, për një çast na bënte të mendonim qysh atë 2005 se me klubet në Evropë ne kishim shkuar 46 vjet mbrapa qysh nga ndeshjet e mëdha me IFK Norrköping-un e Suedisë.

A ka bazë të qëndrojë ky mohim i mohimit, duke i shtuar vitit 2005 të shembullit të SK Tiranës, edhe shembujt e këtyre tre vjetëve të tjera që pasojnë? Sepse del që bilanci i Shqipërisë të jetë tejet i varfër: në dy kupat e rëndësishme vetëm dy kualifikime: SK Tirana ndaj Varteks më 2006-07 dhe Besa ndaj FK Bezanija të Beogradit më 2007-08. Dhe vetëm dy kualifikime në Intertoto të Vllaznisë me NK Zagreb dhe të Besës pak më parë me Ethnikos të Qipros. Po më shumë se sa numri i pakët i kualifikimeve, ajo që ka më tepër rëndësi është niveli modest i kundërshtarëve edhe pse ata janë përfaqësues të shteteve me futboll më të zhvilluar se i Shqipërisë. Kjo mbase të bën të mendosh se nuk është dhe fort keq, ndonëse në gjithë këte përballim “jugosllav” që bartë ky short disi artificial fqinjësh, nuk bëhet fjalë as për Partizan apo për Crvena Zvezdë të Beogradit, as për një Hajduk të Splitit, dhe madje as edhe për një Olimpia të Ljubjanës apo Zhelezniçar të Sarajevës, të cilët dihen se çka kanë qenë në futbollin e Jugosllavisë së dikurshme tashmâ. Fjala është për shumë më modestë se këta.

Mendojmë se përimtimi (analiza) duhet bërë në këte këndvështrim.

XXX

Shqipëria nuk do ta gjejë kurr më vitin 1964, që në Tiranë të vijë Kampionia e parë e Bundesligës, Köln i Gjermanisë, me në krye kapitenin e Kombëtares së Gjermanisë, Kampionin e Botës (1954) Schafer dhe Kampionin e ardhshëm të Botës, Owerath, po dhe dy nënkampionët e ardhshëm të Botës, Weber e Löhr, e të ndodhë Partizani – Köln 0-0 para 25.000 shikuesve të shtrënguar në tribunat e gurta të Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”. Madje nuk ka ku e gjen as stinën 1965-66 kur Shqipëria paraqitet për herë të parë në Kupën e Kampioneve me 17 Nëntorin e Tiranës, (SK Tirana) e cila ndërroi rrjedhën epokale të PartizanDinamos në kreun e Kampionatit Shqiptar, dhe vetëm 1 gol e ndan ate nga Kilmarnock e Skocisë: 0-0 në Tiranë dhe 0-1 në Kilmarnock. Në vazhdimësi nuk ke ku e gjen më mbas as 17 Nëntorin e Kupës së Kampioneve në stinën 1969-70 përballë kampiones së Belgjikës, me një skuadër mbretërore belge Standard i Liezhit me emrin kuptimplotë origjinal “Royal Standard Club Liegeois”, dhe 1-1 i Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa’ – një përfundim mëse i pranueshëm, kur mendon se në 11-shin belg kishte firma të mëdha si Piot, Thissen, apo dhe dy kombëtarasit e mëdhenj të Jugosllavisë, Galic dhe Takac.

E, aq më fort nuk do ta gjesh më ngjarjen që i përket 18 shtatorit 1968, atë të Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” të Tiranës. Kupa e Kupave të Evropës. Partizani – Torino e Italisë 1-0! Kjo është fitorja e parë e madhe e futbollit të Shqipërisë në një garë evropiane. Kësisoji, edhe fitorja e parë e Shqipërisë kundër një skuadre perëndimore në ndeshjet e Kupave të Evropës, e për nderin e futbollit tonë, ajo është fitore ndaj një prej skuadrave më të lavdishme të vetë Evropës, siç ishte Torino – legjendar i viteve '40, i shuar prej katastrofës së Superga-s - deri asokohe 6 herë Kampion i Italisë dhe 3 herë fitues i Kupës Kombëtare. Prej këtu patëm mbërritur te 17 Nëntori – Ajax i Amsterdamit 2-2 që është perla e dytë e kësaj historie që gjithashtu nuk ke ku e gjen më. Ajo daton më 16 shtator 1970 po në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”. Dhe është për Kupën e Kampioneve. Konomi, Habibi, Frashëri, Dhales, Kasmi, Çela, G.Xhafa, Çeço, A.Mema, Hyka, Zhega, Xhaçka, Kazanxhi të trajnerit M.Alla në 2-2 ndaj Stuy, Vasovic, Suurbier, Hulshoff, Krol, Neeskens. Rijnders, Swart, Van Dijk. G.Muhren, Keizer të trajnerit R.Michels.

Këto ngjarje epokale për ne nuk mund t’i ëndërrojmë më. Kësisoji nuk mund të përsërisim më as 2 shtatorin 1970, ditë kur kishte ndodhur kualifikimi i parë i Shqipërisë në Kupat e Evropës në pamjen e një ndeshje po aq të jashtëzakonshme: Partizani – Advidaberg e Suedisë 2-0 dhe 1-1. Kualifkim i bujshëm i Partizanit të Loro Boriçit: Muhedini, Seferi, Berisha, Ziu, Cani, Shllaku, Balluku, Thaka, R.Ragami, Bizi, P.Pano, A.Janku. Kualifikimi i parë i një klubi shqiptar në Kupat e Evropës, në këte rast në Kupën e Kupave,

Mandej vetpërjashtimi i madh i Shqipërisë me mospjesëmarrje, vepër e PPSH, për të shkuar më 1978 te një tjetër që nuk kemi për ta gjetur kurr më. Mbërrinte mbas vetizolimit shtatëvjeçar. 13 shtator 1978. Shkodër. Stadiumi “Vojo Kushi”. Kupa e kampioneve të Evropës. Vllaznia – Austria e Vjenës 2-0. Jani Kaçi, Zyhdi Basha, Seit Çanga, Safet Berisha, Suat Duraj, Luan Vukatana, Astrit Hafizi, Sabah Bizi, Fatmir Axhani, Medin Zhega, Shyqyri Ballgjini të trajnerëve Xhevdet Shaqiri dhe Ramazan Ragami 2-0 ndaj Baumgartner, R.Sara, Obermayer, Pospichil, Horvath, Weis, Baumayster, Prohaska, Paritz, Gaselich, Schahner të Austria e Vjenës të trajnerit Herman Stesl.

Prej këtu shkojmë te një tjetër që nuk kemi për ta gjetur po ashtu kurr më: 17 shtator 1979. Kupa e Kampioneve të Evropës dhe Partizani - Celtic e Gllaskout 1-0! Ky është i vetmi rast deri më sot e kësaj dite që një klub shqiptar fiton një ndeshje me një Kampione të Evropës. Ngjet me skuadrën legjendare të Skocisë së Mbretërisë së Bashkuar, Celtic Gllaskou, e cila më 1967 kishte fituar Kupën e Kampioneve mbas fitores 1-0 me Real të Madridit. Dhe Musta, Baçi, Berisha, Hysi, F.Ragami, Lame, Breca, Sh.Ballgjini, Braho, Murati, S.Çuri, Ahmetaj të trajnerit B.Birçe përballë Lachford, Snedon, McGrein, Eitken, Mccaden, Konry, Provn, Davidson, Mclloid, McCllaski, Lenox të trajnerit : McNeill.

Për fat nuk mbaron këtu. Sepse aq më pak do të mund t’i përsërisisim vitet 1986 dhe 1987.

E, para se të mbërrijmë këtu futbolli shqiptar i klubeve prodhon disa ndeshje të tjera të mëdha, të paharrueshme: Partizani – Austria e Vjenës 1-0 (Kupa e Kampioneve), Dinamo - Karl Zajs Jena 1-0 (debutim i Shqipërisë në Kupën UEFA), Dinamo – Aberdin 0-0 (Kupa e Kupave) dhe Dinamo – Sporting e Lisbonës 0-0 (UEFA). Edhe këto vështirë t’i gjesh më.

Në këte çast vjen 1986-ta, fatmadhe, “fatale”, evropiane. 16. 09.1986. Vlorë. Stadiumi “Flamurtari”. Dhe Flamurtari – Barcelona 1-1. Kupa e UEFA-s. Mandej 01.10.1986. Barcelonë. “Nou Camp”: Barcelona – Flamurtari 0-0. Eliminim i vlonjatëve për shkak të golit në fushën kundërshtare. Emrat janë të rrallë: Lekbello, P.Ruci, Taho, K.Çipi, Iljadhi, Ferko, Zijaji, Ziu, Sh.Muça,Gjondeda, V.Ruci, Bubeqi, Lushaj, Trajner L.Çuri. Zubizarreta, Herardo, Miguel, Manolo, Viktor, Esteban, Moratalja, Markos, Pedroso, Urban, Lineker, Hjuxh. Trajner T.Venables. Dhe rrufeshëm Kupa e Kupave. 17.09.1986. Tiranë. Stadiumi Kombëtar “Q.Stafa”: 17 Nëntori – Dinamo Bukuresht 1-0 e mbas pak 2-1 edhe në kryeqytetin rumun. Dy fitore! Mersini, Baçi, Hodja, Lekbello, Bimo, Liti, Josa, Omuri, Muça, Minga, Kola të trajnerit E.Shehu përballë Moraru, Varga, Nikolae, Movlla, Stanesku, Rednic, Andone, Mihaesku. Damaskin, Balaci, Camataru të trajnerit M.Luçesku.

Natyrisht nuk mund t’i gjejmë më dhe s’ka pse të mëtojmë për t’i gjetur më këto shkëlqime me dhe pa kualifikime

Sidomos kryeveprat e tjera të Flamurtarit e stërtreguar dhe stërgjykuar prej nesh: Flamurtari – Partizan i Beogradit 2-0 e 1-2. Kupa e UEFA-s. Gjithçka sigurohet në ndeshjen e Vlorës më 16.09.1987. Arapi, P.Ruci, Iljadhi, Taho, K.Çipi, Ferko, Zijaj, Memushi, Gjondeda, V.Ruci, Daullja, Kushta, Bubeqi të trajnerit L.Çuri. Ndërsa përtej Omerovic, Gjorgjevic, Vermezovic, M.Bajovic, Smajic, Klincarski, Radanovic, Katanec, Stefanovic, Vucicevic, Vokrri të trajnerit F.Jusufi. Dhe kur fati e çon në turin tjetër prap për te Barcelona dhe kemi humbje 4-1 të Flamurtarit në “Nou Camp”, arrin fitorja 1-0 në Vlorë në kthim. Çka do të thotë se mbas Austria të Vjenës, Celtic të Gllaskout, kjo fitore edhe pse jokualifikuese përbënte brilantin e tretë famëmadh të një fitoreje shqiptare në Evropë. Trajneri spanjol ka këte emër: Luis Aragones, asokohe 50 vjeç, sot trajneri 70 vjeçar i kampiones së sapo shpallur të Evropës, Spanjës 2008. Kshtu jemi përzier asokohe. E kam parasysh si tashti “të panjohurin” Luis Aragones tek largohej pa folur asnjë fjalë nga Vlora. Ishte Kupa e UEFA-s. 09.12.1987. Vlorë. Stadiumi “Flamurtari”: Ishte Flamurtari – Barcelona 1-0. Arapi, P.Ruci, Iljadhi, Taho, K.Çip, Ferko, Daullja, Ziu, Memushi, Kushta, V.Ruci të trajnerit L.Çuri përballë Zubizarreta, Herrdo, Miguel, Manolo, Moratalja, Roberto, Cartasco, Shuster, Kaldere, Urbano, Lineker të trajnerit L.Aragones.

Çështje historie. Dhe çështjet e historisë vlejnë fort për të kuptuar një ecuri ose një mosecuri. Aq më tepër në futbollin modest shqiptar ku ende historia vlen pak. Në të vërtetë ashtu siç ngjet në të gjitha sferat dhe kahet e jetës shqiptare…

XXX

Po! Këto që i ritreguam kështu shpejt e shpejt, nuk mund t’i mbërrijmë më, natyrisht. Dhe në rradhë të parë nuk mund t’i mbërrijmë edhe për shkak të diskriminimit të UEFA-s, rregull i pamshirshëm i saj, të vegjëlit e Evropës kurr më nuk do të ndeshen me të mëdhenjtë. Vetëm nëqoftëse këta të vegjël mbrenda një stine do të mund të shndërroheshin në të mëdhenj. E pamundur. Nuk mund të ndodhë që një klub shqiptar të përshkohet, bie fjala, në tre ture të Ligës së Kampioneve për të mbërritur prap te një Barcelonë apo qoftë dhe te një Celtic i sotëm. Kjo me sa duket, ka marrë fund një herë e mirë.

Atëherë, lufta e jonë futbollistike për Evropën, mbetet një luftë e pafituar përgjithmonë?

Nuk e dimë. Dimë vetëm se tash për tash na duhet të përpiqemi që të bëhemi pjesë e luftës së vogël me Evropën, këtu përreth nesh. Bie fjala, që Vllaznia e Shkodrës dhe Partizani i Tiranës të kalojnë turet e para që ne të kënaqemi me ndezjen e një shkëndije.

Dhe nëse Vllaznia eliminon NK Koper të Sllovenisë, një qytet ngjitur me Triesten e Italisë, të mund të themi se në fund të fundit ajo ka eliminuar një klub të Sllovenisë që vjen prej futbollit të Jugosllavisë së dikurshme dhe që sot renditet 19 shkallë (e 81-ta) mbi Shqipërinë (100) në Renditjen e FIFA-s. Po kështu, nëse Partizani eliminon Siroki Brijeg të Bosnje Hercegovinës, të mund të themi se ai në fund të fundit, ka eliminuar një klub të Bosnnje Hercegovinës e cila sot renditet 26 shkallë (e 74-tra) mbi Shqipërinë (100) në Renditjen e FIFA-s. Nuk mund të themi diçka më tepër se kaq vërtet në këte kah të gjykimit tonë.

Po ndërkaq nëse do të vështrojmë në një kah tjetër, ndoshta mund të themi diçka më tepër. Sidomos kur dijmë se ka dhe një renditje tjetër, e cila në Shqipëri nuk përmendet gati kurr. Eshtë Renditja e UEFA-s për nivelin e arritjeve të shteteve të Evropës në garat e Kupave të Evropës. Dhe për ne kjo është një renditje tronditëse. Midis 53 shteteve anëtarë të UEFA-s, Shqipëria renditet 41-ta. Kaq keq është paraqitur ajo në Kupat e e Evropës gjithë këto vitet e fundit. Kështu që, nëse Vllaznia e Partizani kalojnë kësaj rradhe, do të themi se dy klubet tonë eliminuan klube të Sllovenisë dhe të Bosnje Hercegovinës, të cilët në Renditjen e UEFA-s për Kupat e Evropës renditen e 29-ta dhe e 30-ta, që do të thotë 11-12 shkallë më lart se Shqipëria. E cila lë mbrapa saj, pra në 12 vendet e fundit, Estoninë. Armeninë, Azerbaixhanin, Kazakistanin, Irlandën e Veriut, Uellsin, Faroe, Luskemburgun, Maltën, Andorën, San Marinon, Malin e Zi. Këte të fundit thjesht për shkak të vetëm një vit pjesëmarrje në Kupat e Evropës.

Atëherë? Na mbetet të kërkojmë kualifikimin e Vllaznisë dhe të Partizanit. Të dy kundërshtarët e tyre përfaqësojnë klube “të rinj”, të themeluar Mbasluftës. NK Koper është themeluar më 1950 dhe Siroki Brijeg është themeluar më 1947 me emërtime të shoqërisë komuniste jugsollave: Borac dhe Mlladost. Të dyja me një bilanc modest në Kupat e Evropës. Përjashto Kupën Intertoto që është një ndër krjimet më të dështuara të UEFA-s, NK Koper deri më sot ka luajtur 5 ndeshje në Kupën e UEFA-s dhe i ka humbur të pesta. Diçka më ndryshe është Siroki Brijeg, i cili ka luajtur 6 ndeshje në Ligën e Kampioneve (3 fitore, 1 barazime dhe 2 humbje), por plot 14 në Kupën UEFA (7 fitore dhe 7 humbje) – një bilanc që vetvetiu e shqetëson dhe deri diku e nderon Partizanin nëse kualifikohet. Nga ana e tyre për Vllazninë e Partizanin ndonëse me bilanc pasiv në pjesëmarrjen e tyre tejet më të pasur në Kupat e Evropës, kjo nuk do të thotë asgjë.

Problemi është tjetërkund: a mund të shpresojmë për një kthesë të klubeve shqiptare në Kupat Evropës duke filluar nga kjo stinë 2008-09, teksa merret vesht se të dy klubet shqiptare kanëzhvilluar ndeshje të mira në veri të Sllovenisë dhe në perëndim të Bosnje Hercegovinës?

Barazimi i Partizanit në Siroki Brijeg ishte i 12-ti që kanë arritur jashtë fushës së tyre klubet shqiptare në gjithë këto 46 vjet pjesëmarrjeje në Kupat e Evropës! Nuk ka ku shkon më pak. Fitorja e Vllaznisë thamë që është 7-ta e jashtëfushës, gjithnjë në krejt këto 46 vjet pjesëmarrjeje! Ky ndoshta është bilanci më i varfër që mund të ketë një prej 32 anëtarëve të vjetër të UEFA-s, sepse 53 anëtarë i ka bërë thjesht rënia e Murit të Berlinit.

Ndonëse kjo shifër “7” kaq e rrallë, vetvetiu e bën fitoren e Vllaznisë të cilësohet historike. Eshtë një bilanc i varfër që nuk të merr shumë rradhë. Tek është:

1986-87 Dinamo Bukuresht - 17 Nëntori 1-2 * KKU

1987-88 Sliema – Vllaznia 0-4 * KKU

2002 La Valletta – Teuta 1-2 * INT

2002-03 Kaunas Dinamo 2-3 * LKA

2004-05 Gomes – SK Tirana 0-2 * LKA

2004-05 Ferencvarosh – SK Tirana 0-1 * LKA

2008-09 NK Koper – Vllaznia 1-2 * UEFA

Interesnte është se në këto shtatë raste të fitoreve të jashtë fushës, në 5 prej tyre skuadrat shqiptare e kanë kaluar turin. Fati statistikor me sa duket është me Vllazninë e Partizanin. Të shohim. Dhe mandej të përimtojmë nëse do të kemi një kthesë apo jo. Dhe nëse Lufta futbollistike për Evropën mund të fitohet edhe prej nesh, natyrisht në rangun tonë modest. Pa menduar se mund të mbërrijmë historitë për ne të mëdha që sunduan këte shkrim nxitës tonin.

Ndërkaq, problemet dihet se janë të pafund. Përshembull, duke iu kthyer vendit të 41-të që zë Shqipëria me klubet në Evropë, vetvetiu shifra “41” në fund të fundit nënkupton se në këto shkallë të ulta është vetë niveli i Kampionatit Shqiptar në Evropë: i 41-ti! Kjo është dhe rënia jonë. Ai që ka rënë dhe që nuk po mund ta ngrejmë është Kampionati. Për njëqind arësye që dihen dhe që i kemi parashtruar njëqind herë.

Edhe këte rënie çuditërisht e solli rënia e Murit të Berlinit që shpalosi shitjen e futbollistëve më të mirë jashtë vendit edhe për Shqipërinë e Ballkanit – shteti i vetëm që nuk shiste lojëtarë deri më 1991! Dhe me të drejtë sot ngjet që të gjithë futbollistët më të mirë edhe të këtij turi të pare, Sukaj me shokë, mendjen ta kanë për t’u shitur jashtë, më fort se sa për të luftuar për një kualifikim evropian. Kjo të frikëson. Ndonëse gjithçka është normale përderisa kemi Kampionatin e 41-të në Evropë.

Një trajner kroat në tribunën e nderit të Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” gjatë gjithë kohës së ndeshjes së Dinamos me Modricën mbante shënime. Dinamo humbi 2-0. Vetëm disa orë më mbas ky trajner zëvendësoi trajnerin argjentinas të Dinamos. Kjo ishte hera e parë që një trajner i një klubi shqiptar vihej dhe hiqej mbrenda 90 minuateve të një ndeshjeje të vetme shqiptare të Kupave të Evropës. E shihni se ka edhe plot arësye të tjera të dështimit shqiptar vitet e fundit në Evropën e klubeve.

Atë ditë që luante kampionia jonë ndeshjen e saj për Ligën e Kampioneve, e pakta tre televizionet më të rëndësishme të vendit, përfshi edhe atë publik, në lajmet e tyre të një një apo dy orë para të ndeshjes, as nuk thanë se mbas dy orëve në Tiranë kampionia e Shqipërisë do të zhvillonte ndeshjen e saj të parë për Ligën e Kampioneve 2008-09. Dhe në ndeshje do të vinin vetëm 800 spektatorë. Ndërkaq, si asnjëherë tjetër dy ndeshjet e mira të Vllaznisë dhe të Partizanit paten në shtyp paraqitjen më të varfër në 46 vjet histori të pjesëmarrjeve shqiptare në Evropë. Të lind pyetja: a jemi shqiptarë apo çka jemi?

Duket se në mbrapambetjen tonë ka edhe një shkak që vjen prej “qetësisë së paqortueshme” të mjeteve të informacionit, të cilat nuk përkrahin përsëmbari klubet shqiptare. Madje shtypi prej kohësh lë të kuptohet gjithnjë për mundësi të shitjeve të ndeshjeve edhe në Evropë. Edhe kjo është një arësye doemos. Dhe të duket sikur Shqipëria ka hequr dorë prej Kupave të Evropës edhe në vetë shpirtin e ndjenjën e përgjegjësisë kombëtare të saj.

Mba dhjetë ditëve Vllaznia e Partizani kanë ndër mundësi për një përgenjështrim. E pse jo, ndoshta edhe Dinamo për të na dhuruar “të paktën” fitoren e 8-të të jashtë fushës në 46 vjet pjesëmarrje të futbollit shqiptar në Evropën e klubeve. Nuk kërkojmë shumë apo jo? Sepse për një Köln, Torino, Ajax, Austria, Celtic apo Barcelonë as që na shkon nëpër mend. Kërkesa është shumë e thjeshtë dhe krejt e vogël: sikur të kishim një Kampionat Kombëtar përsëmbari. Me siguri do të ishim ndryshe edhe në Kupat e Evropës dhe protagonisti i ri i pjesëmarrjes sonë në Kupat e Evropës 2008-09, Xhevahir Sukaj, nuk do ta ndalte vrapin në Turqi a s’di se ku për të gjetë një skuadër të huaj kur ende nuk i është shuar gëzimi i dy golave të tij evropianë në veri të Sllovenisë në kufi me Italinë…


Tema

(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: