Sejdi Berisha: Tropoja lidh damarët e gjakut shqiptar
| E Hene, 11.05.2015, 08:00 PM |

R e f l e k s i v e

Sejdi BERISHA:

TROPOJA ËSHTË HALLKË QË LIDHË DAMARËT E TOKËS SË SHQIPONJAVE DHE DAMARËT E GJAKUT SHQIPTAR...!

(Të premten e kaluar (08 maj 2015), në qytetin Bajram Curri, ishte festë karakteristike dhe historike: komuna Lekbibaj, posmortum e nderoi me mirënjohjen “Qytetar nderi” i Nikaj-Mertur, burrin e kësaj ane, birin e fshatit Gri, z. Sadik Selman Lushajn, për bujari, nderë e sofër gjithmonë të shtruar për njeriun dhe mikun...)

Se Tropoja është krahina, pjesa e atdheut, e bujarisë dhe e historisë madhështore, dëshmoi edhe manifestimi i organizuar me rastin e ndarjes së mirënjohjes “Qytetar nderi” nga komuna Lekbibaj, për sofër buke gjithmonë të shtruar dhe për bujari e miqësi të paparë, të nderuarit z. Sadik Selman Lushaj nga fshati Gri, të cilën, në mënyrë solemne ia dorëzoi birit të tij, Zeqir Lushajt, kryetari i kësaj komune, z. Gëzim Meshaj.

Ky njeri, ky bir i fshatit Gri, ky burrë i Tropojës dhe shtëpia e familja e tij u shqua, për traditën e lartë për mikpritjen dhe bujarinë e treguar dhe të dëshmuar ndaj komunitetit Nikaj-Mertur, por edhe si një shtëpi dhe derë gjithmonë e hapur e me sofër të shtruar e plot dashuri njerëzore.

__________

Nuk është edhe lehtë të ngritët madhështia dhe bujaria në rrugëtimin historik

Para se të fillonte manifestimi dhe festa e kësaj dite, meditoja dhe krenohesha se kjo anë e atdheut, kjo krahinë, Tropoja, ka një histori aq të veçantë, aq madhështore, aq krenare por edhe aq të dhimbshme, sa që njeriu dhe krijuesi apo historiani e shkencëtari nuk e ka edhe aq të lehtë ta shkoqisë thelbin e rrugëtimit historik të këtyre trojeve, por edhe as peshën e sinqeritetit, të besnikërisë, të dashurisë dhe të zemërgjerësisë ndaj njeriut. Dhe, gjithnjë para më del historia edhe e largët, edhe ajo e djeshme por edhe rrugëtimi i sotëm i Tropojës, që janë pjesë e frymëmarrjes së kombit dhe e atdheut.

Në mes, Lulzim Logu, kryetar i Shkrimtarëve të Tropojës, djathas, kryetari i komunës Lekbibaj,  Gëzim Meshaj, kurse majtas, krijuesi, Gjon Neçaj

Pra, si të mos mendosh për madhështinë dhe burrërinë e bijve dhe bijave të kësaj treve, si të mos e kujtosh dhe përjetosh qëndrueshmërinë dhe heroizmin e bijve të kësaj ane. Dhe, kur fillon t’i numërosh, të dalin shumë e shumë dhe zemra të bëhet mal, shpirti bëhet dritë dhe lapidar, që të detyron të flasësh e të tregosh për begatin dhe karakterin e veçantë të njeriut të këtij dheu. Listë e gjatë emrash, libër i madh historie...! Kështu,... meditoja: kjo është ajo Tropoja për të cilën më shpjegonte dhe më rrëfente babai im, kurse unë atëbotë nuk mund ta kapja këtë rrëfim plot dritë të babait tim, i cili edhe pse isha i ri, nga pak dëshironte të më “ngarkonte” me historinë e atdheut, me qëndresën, trimërinë dhe me vuajtjet e kombit. Ngase, kishte dëshirë të më begatojë me atë që edhe vet e kishte shkrumb, për ta ditur rrjedhën e lumit të historisë, e cila ishte dhe është edhe sot plot krenari, por edhe plot përplasje e çarje, por që këto kanë bërë që shqiptarët e kësaj ane të ndritshme të tokës së shqiponjave, që gjithmonë të janë brumosur me vetinë dhe zemërgjerësinë e bujarisë, mikpritjes, bukëdhënies mysafirit dhe të çdo kalimtari të mirëfilltë që shkelte dheun e kësaj ane.

Nga manifestimi me rastin e nderimit të Sadik Selman Lushajt “Qytetar nderi” i Lekbibajt

Por, çfarë reflekton nga e gjithë kjo bujari dhe bukëdhënie. Gjithsesi se reflekton shpirtin e madh të njeriut, zemërbardhësinë dhe shpirtmadhësinë, të cilat veti gjithsesi janë të mishëruara dhe të ndërlidhura fortë edhe me vendosmërinë dhe trimërinë e bijve tropojanë për ruajtjen dhe mbrojtjen e atdheut, për lirinë dhe për mos përkuljen nga askush që cenon gjërat e shenjta të vendlindjes dhe të atdheut. Kështu, më parakalojnë në mendje shumë figura historike: Bajram Curri, Mic Sokoli, Konferenca e Bujanit, Kullat, Shpella e Dragobisë, Shkëlzeni me tregimet dhe rrëfimet e veta të thëna e të pathëna, Valbona me ujin e kaltërsive të nënqiellit tropopjanë dhe ushtimën e valëve që sikur gjithnjë shndërrohen në libra rrëfimesh që nuk janë hapur as shkruar e lexuar sa duhet... Të gjitha këto më ndërlidhen me fisnikërinë, bujarinë, me sofrën gjithmonë të shtruar, me pushkën për mbrojtjen e nderit dhe të atdheut, të cilat kësaj radhe nuk po i pedati as nuk po i tarashkati...!

Mysafirët anekënd vendit duke përcjellë me kujdes manifestimin

Bujaria thesar i rrallë njerëzor...

Kthemi tek manifestimi. Pranë restorantit kishin filluar të mblidhen miqtë dhe mysafirët, të cilët kishin ardhur pothuaj se nga të gjitha anët e Shqipërisë. Kishin ardhur edhe nga Kosova. Kishin ardhur nga Shkodra, Dibra, Tepelena por edhe nga shumë vise të tjera, kurse nga Tropoja po se po. E, të gjithë këta mysafirë e kishin një shkak dhe një histori të veçantë për ardhjen në këtë dasmë nderi e kujtimi, sepse, lidhej jeta e së kaluarës me shtëpinë, bujarin dhe sofrën gjithmonë të shtruar për mikun të Sadik Selman Lushajt.

Djathtas: Nue Deda nga Shkodra me të birin e Sadikut, Zeqir Lushajn

Nga Shkodra kishte ardhur, Nue Deda, kumar i kësaj familje, i cili më rrëfen se gjyshi e tij, Zef Preka nga Currajeti, Sadik Selmanin, kur i kishte pasur jo më shumë se pesë vjet, e kishte strehuar në shtëpinë e tij dhe e kishte bërë si anëtar familje. Tash ky rrëfim më provokoi mendjen për t’u shndërruar si pelegrin në historinë e kombit tim... Ndoshta e dini se çfarë dua të them?! Por po e tregoj vetëm një cep mendimi: shih se çfarë madhështie ka njeriu i kësaj toke, kombi im... Kurrë nuk ka qenë problem përcaktimi fetar. Njerëzit e kësaj toke të sertë kanë qenë dhe e duan njëri-tjetrin pa dallim feje. Kjo është dëshmuar dhe treguar me decenie e shekuj, edhe pse shpeshherë armiqtë kanë tentuar të shkaktojnë përçarje e ndarje ndërfetare. Pra, edhe këtu qëndron një lapidar madhështie dhe e veçantisë shpirtërore e shqiptarëve, që të tjerët nuk e kanë pasur dhe as nuk mund ta kanë.

Ndërsa, kthehem sërish tek manifestimi. Kishin ardhur siç thashë nga shumë vise, nga shumë qytete e vendbanime, të cilat lidhen me historinë e familjes së Sadik Selman Lushajt, lidhen edhe miqësinë shpirtërore edhe të djalit të tij, z. Zeqir Lushaj, por jo vetëm të tij, sepse, kjo familje është e gjanë dhe e respektuar me vëllezër, motra, xhaxhallarë edhe më të gjithë bijtë e kësaj toke. Sepse, Tropoja kështu e ka, është hallkë e fortë e historisë, e vlerave shpirtërore, kulturore dhe arsimore të Shqipërisë.

Zeqir Lushaj duke e pranuar mirënjohjen për babain e tij, Sadik Selman Lushaj

Tash, në sallën solemne shoh shumë mysafirë, aty është edhe z. Lulzim Logu, krijues, edhe kryetari i komunës Lekbibaj, z. Gëzim Meshaj, pastaj krijuesit, z. Gjon Neçaj, z. Ibrahim Kadri Mala, z. Haki Zllami, z. Asllan Osmanaj, z. Hysen Zogaj e shumë e shumë të tjerë.  Aty janë vëllezërit Shatri nga Istogu i Kosovës, krijuesi nga Gjakova, z. Tahir Bezhani dhe autori i këtij shkrimi, është edhe z. Zeqir Lushaj, djali i Sadik Selman Lushajtt, i cili një kohë të gjatë ka jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është krijues letrar dhe regjistrues i shumë e shumë dokeve e zakoneve të kësaj treve dhe të shqiptarizmës, aty janë të gjithë, edhe bija e Sadik Selmanit që jeton në Tiranë, edhe nipi Arif Hoti, dhe lista do të bëhej e madhe po t’i numëronim të gjithë...

Respektimi i figurave historike lartëson historinë e Tropojës dhe të Malësisë së Gjakovës

Në sallën përplot, në fillim nga ngriti në këmbë këndimi i himnit kombëtar, pastaj këtë eveniment me rëndësi të shumëfishtë e hap, krijuesi dhe kryetari i Shkrimtarëve të Tropojës, z. Lulzim Logu. Ai foli për rëndësinë e nderimit dhe të respektimit të figurave historike të të gjitha fushave, të cilat figura duhet të lartësohen në librin-almanakun e Malësisë së Gjakovës dhe gjithandej vlerave shqiptare. Pastaj, kryetari i komunës Lekbibaj, z. Gëzim Meshaj, foli për figurën e Sadik Selmanit, për bujarinë e familjes së tij dhe për sofrën gjithmonë të shtruar për mikun e mysafirin e zemrës e të shpirtit por edhe për komunitetin. Të gjithë e dëgjonim me respekt e vëmendje, fjalët e të cilit sikur na sollën këtu e mbi gjysmë shekulli pas, duke na sjellë madhështinë dhe bujarinë e familjeve shqiptare në atë kohë kur ishte edhe rëndë edhe vështirë në të gjitha aspektet, atëherë, kur skamja besa e kishte edhe derën prej çeliku!

 

Mirënjohja “Qytetar Nderi”- Sadik Selman Lushaj nga fshati Gri

Ishte ky një falënderim për rikujtimin e veprave dhe madhështive të tilla. Pas këtij momenti, pason fjala e avokatit, Ramë Muja, i cili i forcon vulën bujarisë së familjes të Sadik Selmanit. Kurse, krijuesi i mirëfilltë dhe kronisti, Gjon Neçaj, duke folur për sofrën përherë të shtruar, për bujarin dhe dashurinë njerëzore të Sadik Selmanit dhe familjes së tij, i dha një vështrim pothuaj studiues e historik të rrugëtimit kombëtar më theks të veçantë në qëndresën dhe tolerancën ndërfetare, e cila është thesar i paparë dhe shembull unik tek popujt dhe kombet. E në vazhdim, peshën e kësaj dite e begatoi edhe fjala e krijuesit, Ibrahim Kadri Mala.

Kjo ngjarje ishte e begatuar edhe një program kulturor, me ç’rast shumë poezi i lexuan nxënësit e shkollave nga qyteti Bajram Curri, u hedh vallja dhe u kënduan shumë këngë kushtuar bujarisë dhe trimërisë se bijve të kësaj ane dhe jo vetëm të kësaj ane. Ndërsa, këtë eveniment i përjetësuan në foto shumë pjesëmarrës.

Zeqir Lushaj, i biri i Sadik Selman Lushajt së bashku me bashkëshorten, znj. Sabrije

Është me rëndësi të theksohet se pas ndarjes solemne të mirënjohjes “Qytetar Nderi” i komunës Lekbibaj, Sadik Selman Lushajt të fshatit Gri, të cilën gjë e bëri kryetari, Gëzim Meshaj, e që me ndijim të thellë shpirti e me emocione e mori i biri i Sadikut, z. Zeqir Lushaj, pastaj, në bisedat e lira u shpalos një pjesë e mirë e historisë së Tropopjës dhe e Malësisë së Gjakovës, të cilën e rrëfenin mbase edhe e komentonin secili në mënyrën e vet shumë burra të kësaj ane, në mesin e të cilëve kishte edhe të moshuar, mbi supet e të cilëve peshonin edhe mbi nëntëdhjetë vite.

Ishte kjo një kënaqësi, ishte ky një mesazh për të vazhduar traditën, për t’i nderuar, kujtuar dhe përjetësuar të gjitha figurat e rrugëtimit historik të Tropojës dhe të Malësisë së Gjakovës. Sepse, jo vetëm kjo pjesë e atdheut, ka nevojë për një punë të tillë për ta bërë me peshë dhe të begatë e të pavdekshme historinë tonë. Sepse, siç theksova në fjalën time përshëndetëse: Edhe sot komuna Lekbibaj, bashkia Bajram Curri, Tropoja... po dëshmojnë se janë pjesë e rëndësishme e historisë së kombit dhe e Shqipërisë. Se, kurrë nuk i harrojnë bijtë dhe as bijat e veta, se nuk e harrojnë të kaluarën duke e quar përpara të sotmen.

Se Tropoja është hallkë e fortë që lidhë të gjithë damarët e tokës së shqiponjave, që lidhë damarët e gjakut shqiptar.

Këtë e dëshmon edhe kjo ngjarje e sotme, e cila është edhe një mesazh se ne mund të ecim madhështorë nëse bashkojmë mendjen dhe punën, nëse flakim hasmëritë dhe hapim zemra për dashurinë ndaj njëri tjetrit.

Pra, kjo është Tropopja, kjo është komuna Lekbibaj.



(Vota: 40 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti: