Prend Buzhala: Homazh për rapsodin Augustin Ukaj
| E Marte, 12.05.2015, 06:33 PM |

Homazh për rapsodin Augustin Ukaj: Gjithë jetën ia kushtoi këngës

Nga Prend Buzhala

Kënga “Me shpatë në dorë kush priu i pari, Skënderbeu ai burrë shqiptari”, këndohet që nga viti 1969 e këndej, si testament kombëtar. Fondi i tij i iniçzimeve përfshin qindra këngë në mijëra ekzemplarë. Një fond prej treqind këngësh i ruan një ithar i Augustin Ukajt. Që nga mesi i viteve ‘50 të shekullit që e lamë pas e këndej, zëri i rapsodit Augustin Ukaj (26 gusht 1939 – 6 gusht 2004), në krye me këngën e tij të njohur “Me shpatë në dorë kush priu i pari, Skënderbeu ai burrë shqiptari”; ka marrë udhë që këtu e deri Prishtinë, Pejë, Tetovë, Preshevë, gjithandej nëpër të gjitha trojet etnike. Ka udhëtuar tutje deri në SHBA (dy herë), nëpër Evropë e ku jo tjetër. Aty ku është kënduar gjithmonë shqip e aty ku ka jetuar shqiptari i mërguar, i etur për ta ruajtur mallin përvëlues dhe përfytrimin mallëngjyes për Atdheun, për Kosovën, për vendlindjen. Mandej zërin e tij rapsodik e përhapnin valët e radiove e të stacioneve televizive, të festivaleve e të koncerteve të pafund publike. Janë edhe shumë këngë tjera që i këndonte më shpesh, si “Dedë Gjo Luli”, “Kanga e Mrikës”, “Kanga e Ramë Sadrisë”, “Kanga e Fratit” kushtuar Atë Shtjefën Gjeçovit etj.

Inçizimi i fundit është ai para vdekjes, i një kasete me shtatë këngë e një valle, me titullin e përbashkët : “Në mbarë botën ju doli zani, Skënderbeu Adem Jashari”. Hyjnë aty edhe këngët “Toka e Kosovës”, “”Ju më qani për së gjalli”, “Pjetër Bogdani”, “Isa begu”, Thanë prej Zotit ka ardhë një letër” dhe “Brez pas brezi”, një si testament rapsodik. Në to iu bën jehonë figurave legjendare të trimërisë shqiptare, që nga Skënderbeu e deri te Adem Jashari, tek dallohen për interpretimin e nuancuar, vokalin tejet të qartë dhe me tekste përmbajtësore. Te këto këngë, si në gjithë krijimtarinë e tij foklorike, Augustin Ukaj shpalosi vlerat më të mira të thesarit tonë shpirtëror, që na karakterizojnë si komb me identitet të veçantë dhe që na kanë mbajtur gjallë. Në sofrën e këngës ai i bashkonte të gjithë. Ai i dinte cilat janë vlerat sublime e lavdia e këtij kombi dhe ato vlera e lavdi i përjetësonte në këngë.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: