Linda Mala: Dea Halimi - ''Yjtë farfuritës''
| E Enjte, 07.05.2015, 07:45 PM |

Botime të reja

Yjtë farfuritës

(Boto SHB “Fad”, Prishtinë. 2015)

Nga Linda Mala

Dea Halimi, nxënëse e shkollës fillore, shkruan poezi e tregime. Në librin e sapo botuar “Yjtë farfuritës”, ajo,  për secilën shkronjë të Alfabetit të Gjuhës Shqipe, me ngjarje të veçanta, ka krijuar me pasion nga një tregim, ka shkruar  një ditar të mësonjëtores së vet, nga ku shikojnë në horizonte të reja tridhjetegjashtë nxënës, të prirë nga mësuesja  Xake, e cila u tregon nga vjen drita në rrugën e tyre të jetës. Në këtë mënyrë, autorja e re, e fut lexuesin e vogël në botën magjike të  shkrimit; në fshehtësitë dhe thellësitë e  të përditshmes, në kënaqësitë që i krijon mësimi i secilës shkronjë të re, nga A-ja deri te Zh-ja.   Për secilën shkronjë Dea ka zgjedhur nga një ngjarje të lehtë e mbresëlënëse nga ditët e shkollës; shkronjën A e shpjegon me “Arkën prej abanozi”,  e cila është realizuar  me mjeshtri lidhur me drurin e çmuar të abanozit, me të cilin është punuar një arkë shumë e vlefshme. Aty përveç gjërave të dashura të vogëlushes- nxënëse e klasës së parë, vendoset shkronja A. Shkronjën B autorja e shpjegon me lojën e Baletit, shkronjën C me qenushin Cufoja, shkronjën Ç me Çafkat e lumit,  e kështu me radhë deri te tregimi për shkronjën  Zh, në të cilin bëhet fjalë për vajzat Zhulieta, Zheriana, të cilat duan ta kalojnë një urë, të ruajtur nga Xhuxhi Zhabzhyrr, i cili  nuk lejon ta kalojnë urën po të mos ia dilnin të jepnin përgjigje të saktë në pyetjet e gjëegjëzat e vështira që ua shtronte udhëtarëve. Ky udhëtim i bukur  dhe jo gjithherë i lehtë jashtë e brenda vetes nëpër vargun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, shndërrohet në një përvojë të re, të mrekullueshme dhe shumë të pasur në udhën e shkrim-leximit, pa të cilin nuk përjetohet asgjë  nga historia as gjeografia, asgjë nga fizika as kimia... Kështu, Dea Halimi,  me një imagjinatë të bujshme thur ngjarje të veçanta për ëndrrat, lojërat dhe mësimin, për të përditshmen, në të cilën personazhet-nxënës e nxënëse nga rrethi i vet,  nga lagjja e vet,   nga banka e shkollës, nga mësonjëtorja e vet, lëvizin, luajnë, mësojnë dhe ecin më të pasur për nga një tregim të bukur, të cilin e krijojnë vet me buzëqeshjet e çiltëria, me ëndrrat, lojërat e mësimin. E tërë kjo krijon një atmosferë të pakufishme, një ngashërim, një botë të afërt, të qartë e të lehtë, një dashuri,  të cilën  lexuesit  do ta ndiejnë nga tregimi në tregim, nga shkronja në shkronjë.  Autorja, hetohet lehtë kjo, për qëllim ka pasur që secilën shkronjë, duke e përjetuar fuqishëm, ta ngrit në sfera të shenjta e të përjetshme dhe synimin e vet e ka arritur plotësisht, ia ka dalë t`ia dhurojë lexuesit jo vetëm të vogël një libër  të mirë.

Libri ka tridhjetegjashtë  tregime dhe secili e  ka dhe ilustrimin e vet.

Libri ka 104 faqe dhe e botoi ShB “Fad” nga Prishtina më 2015



(Vota: 61 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: