Meri Lalaj: Kur të këndon shpirti
| E Hene, 04.05.2015, 06:55 PM |

Kur të këndon shpirti nën drejtimin e Suzana Turkut

Nga Meri Lalaj

Artistja e Merituar Suzana Turku-Kashara, është njëra ndër dirigjentet shqiptare, por në vitet që po jetojmë ajo është shumë e suksesshme midis gjithë dirigjentëve të tjerë. E kemi ndjekur Suzanën dikur dirigjente me korin e Teatrit të Operës dhe Baletit dhe veçanërisht me korin “PAX DEI”, që mbushi 22 vite jetë. Dhe sërish kjo artiste e palodhur që punon plot pasion e këmbëngulje, nuk i ndahet asaj që di ta bëjë më mirë në jetën e vet, korit. Kësaj here Suzana iu përvesh një pune edhe më të mundishme duke krijuar një kor me  të rinj që nuk shikojnë. Duart e artistes që vazhdimisht duket sikur shpërndajnë tinguj, madje dhe teksa jemi duke pirë kafe, por duart e Suzanës këtë radhë jo vetëm që do të lëviznin për të drejtuar korin, por ajo do të drejtonte korin e të rinjve që nuk shikojnë duke përplasur lehtë shuplakat dhe duke kërcitur paksa gishtërinjtë që salla të kumbonte nga zërat e bukur të atij kori.

Në një ditë të fundprillit në sallën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” u dha  koncerti “Joy of Singing” (Gëzimi i të kënduarit), i cili solli shumë aq emocione për dëgjuesit. Përveç dirigjentes së palodhur Suzana Turku, koncerti u mundësua nën regjinë e Milto Kutalit dhe koncertmaestrit Robert Radoja. Në hapjen e koncertit, vajza truphedhur Doljana Veliu, recitoi vargjet e këngës “Ai sheh muzikën”, që u pritën me duartrokitje të fuqishme. Kori hapi programin me këngën “Lule borë” të Simon Gjonit, vijoi me këngën e mrekullueshme “Dua më shumë Shqipërinë”dhe më tej kënga “Cuca e Radomirës”. Baritoni Besmir Sulaj këndoi këngën “Mu në baçën tënde” dhe soprano Doljana Veliu këndoi “Zare trëndafile”. Vajza flokartë Sofia Kolgjini me buzëqeshjen e bukur interpretoi në piano për spektatorët nga F. Chopin “Vals nr. 15” dhe nga Pergolesi këndoi duke shoqëruar veten e vet në piano romancën “Ah, përse nuk jam livadh”. Gjithashtu Sofia Kolgjini shoqëroi në piano tenorin simpatik Artur Demiri që këndoi një material nga L. V. Beethoven.

Në këtë koncert ishin të ftuar dhe nxënës të Institutit të Fëmijëve që nuk shikojnë “Ramazan Kabashi”, kështu Silvana Caka interpretoi në piano nga L. V. Beethoven pjesën “Për Elizën”, ndërsa Klevia Saka dhe Diego Zelka kënduan duetin “Qëndro”.

Në skenë vijnë pjesëtarë të korit “PAX DEI” si edhe studentë të Universitetit të Arteve, që këndojnë bashkë me të rinjtë këngën polifonike “Janinës ç’i panë sytë” dhe “Shko mendim” nga G. Verdi. Kori këndon këngë korçare të përpunuara nga Milto Vako. Këngën “Hallelujah” të Leonard Kohen e kënduan solistët Ada Hajrullah, Donika Caca, Artur Demiri dhe Besmir Sulaj dhe në mbyllje kumboi fuqishëm “Nuk mund të ndihmoni të bie në dashuri”.

Kështu di të punojë Suzana Turku me një skenë të mbushur plot me zëra të rinj që këndojnë me shpirt duke ngritur peshë krejt spektatorët në sale.



(Vota: 0)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: