Elvi Sidheri: Mos të dekoroftë Rusia!
| E Diel, 03.05.2015, 09:00 PM |

Mos të dekoroftë Rusia!

Nga Elvi Sidheri

Një lajm i thagmtë sapo çau mespërmes qiellin pranveror të këtij maji të porsa filluar shqiptar!

Të ketë vallë të bëjë me zgjedhjet lokale që afrohen pandalur?

Të jetë gjë ndonjë ndodhi nga “ndërmarrja” (gjegjësisht-fushata elektorale)?!

Nepali dhe tragjedia e paimagjinueshme njerëzore që po ndodh në atë vend dhe me atë popull të paqtë?

Jo, kurrësesi, aspak, fare, asgjë prej gjëje nga ç’u përmend hamendshëm më sipër nuk është; ose e thënë rusisht: “Ничего”!

Kështu që, rrini të qeta moj laraska, harabelë, trumcakë, shpendë të çdollojshëm pranverorë; moj pulëbardha, mjelma liqenore, bilbilenj melodiozë e kumrie që ku ju ka lala!

Nga qielli i kaltër i majit; tani që ndër të tjera sapo e lamë pas edhe festën e puntorëve (asaj që cilësohej dikur pikërisht si “kllasa punëtore”; që i kundërvihej përherë me Partinë në ballë “të përmbisurve kulakë etj”), po bien vetëm lajme aspak katastrofike, që vijnë direkt e nga Moska, nga Kremlini hijerëndë, nga ambasada ruse në kryeqytetin tonë të bukur...!

Ato na thonë se rubinetat e mirënjohjes së pafundme të Moskës dhe të presidentit Putin; drejtpërdrejt nga Putinistani ruso-muzhik, janë hapur kanat më kanat, dhe nuk reshtin së rrjedhuri (se aty në Kremlin, faktikisht, do pranuar haptazi, se gjindja udhëheqëse e Rusisë së sotme, kanë “rrjedhur” në të gjitha kuptimet e përfytyrueshme) lëvdatat; vlerësimet dhe mishërimi i tyre final; dekoratat për ish partizanët tanë të kohës së Luftës së Dytë Botërore.

Të paçim more miku ynë i madh Putin dhe ju o njerëz dëshirëmirë të Kremlinit, që nga aq larg në Sheshin e Kuq, diku pranë mauzoleut të mumjes së ballsamosur të Leninit revolucionar; edhe tanimë pas plot 70 viteve nga fundi i luftës tuaj “të madhe patriotike”, dhe asaj tonës “içik civile”, përveçse patjetër edhe çlirimtare, ku përballë—në shkallë dhe situata diametralisht të kundërta—patëm të njëjtin armik nazist; na kujtoni me respekt, dhe denjoni të na nisni pako postale edhe do dekorata për ne.

Megjithatë, kur i hedh një sy përciptazi, listës së ofruar me emrat e ish partizanëve tanë që do dekorohen nga Rusia këto ditë; nuk më rezulton ndonjë kundërshti me ata që figurojnë atypari.

Nuk është këtu që fshihet lepuri, e që qëndron puna në realitet.

Por, për të ndenjur tek figuratizimet me lepuj; edhe në këtë rast, tek ferra e vockël fort, fshihet lepuri i madh.

I cili konsiston në vetë idenë e këtij dekorimi masiv, që prej Moske, synon dhe mësyn Tiranën e 2015-ës.

Sepse, një pyetje endet vërtetë mistershëm në kërkim të përgjigjes në qiejt shqiptarë qysh nga momenti kur ky lajm i habitshëm mori dhenë.

Po me dekoratat për partizanët shqiptarë ç’patën xhanëm këta rusët aman?!

Ç’i zuri?

Ç’i shtyu?

Nuk kishte Putini mjaftueshëm ish partizanë rusë, bjellorusë, kazakë, turkmenë, tartarë, azerë, apo ukrainas (apo..., Ups, i dolën duarsh ukrainasit tani Putinit, se i janë bërë armiq të betuar qëkur u pushtoi Krimenë dhe Donjeckun me Luganskun të gjorëve—dhe pasiqë i shpalli ukrainasit që mbronin dheun e tyre—botërisht si fashistë; për të justifikuar në mënyrë groteske veprimet e tij tipike prej regjimi ekspansionist dhe shovinist fashist ky dekorata-shpërndarësi Putin)?

Patjetër duhej të zbriste gjer në skajin më të largët (dhe më të papërfillshëm, aty ku komunistët vendas—enveristë tanë të marrë—morën kot dhe i tejkaluan mijëra herë edhe vetë planet dhe mizoritë e vetë shokëve revolucionarë rusë) të ish anës së gabuar (komuniste totalitare) të Perdes së Hekurt?

Unë supozoj se ka akoma në jetë, mijëra ish partizanë ish sovjetikë të kohë së “Luftës së Madhe Patriotike” që e meritojnë plotësisht, që të dekorohen, të respektohen e nderohen, jo vetëm nga Kremlini zyrtar dhe Rusia, por edhe nga e gjithë bota e qytetëruar, për luftën dhe sakrificat e tyre të padëgjuara, që patën bërë për të shpëtuar atdheun e tyre, dhe vetë njerëzimin nga makineria shfarësose ushtarake e Hitlerit dhe bishës së egër naziste.

Ndaj dhe, nuk ka sesi të mos ndihem thellësisht i habitur, që andej nga Moska, kanë shkuar e janë kujtuar për ish partizanët tanë (megjithë vlerësimin maksimal për luftën e ndershme dhe të papërlyer, të shumicës dërrmuese të atyre djemve dhe vajzave shqiptare, që gjatë Luftës së Dytë Botërore, rrëmbyen armët dhe dolën maleve për të çliruar atdheun; pa e përfytyruar dot kurrë, se një njeri pervers, një vrasës gjakatar i etur për kufoma shqiptare—si shoku Enver—do ta shfrytëzonte gjakun dhe mundin e tyre, për të ndërtuar piramidën e vuajtjeve, përndjekjes, bjerrjes së shpresës dhe përçudnimin e jetës së miliona shqiptarëve për 45 vite me rradhë).

Shqipëria në 1941-in, teksa gjendej nën pushtimin fashist italian; nuk përfshihej nga sa dimë, në zonën ruse të influencës, për shembull.

Partizanët tanë, mënjanë idealit komunist të pranishëm tek shumë syresh; nuk është se dolën masivisht maleve, për shkak të ndonjë urdhëri të Kominternit nga Moska; por vetëm dhe kryesisht, për shkak se atdheu thërriste, dhe turpi i pushtimit nuk mund të pranohej më gjatë.

Ideali komunist (si çdo utopi tjetër fundja), shërbente për shumëkënd si një lloj katalizatori për të ndezur dhe shpënë përpara një luftë të domosdoshme për të çliruar atdheun.

Maksimumi që mund të pranojmë, aq më tepër nëse i referohemi të dhënave dhe dokumenteve historike, është se ndikim të qartë në terren, sidomos sa i përket krijimit të vetë Partisë Komuniste shqiptare (dhe vëllavrasjes ndërshqiptare), kanë pasur direkt shokët jugosllavë të nisur nga Beogradi, me direktiva dhe urdhëra të druzhe Titos (të cilit “Mi te volimo”, pra “Ne të duam”; i thoshin me shpirt e me zemër edhe këta 8 nëntoras-debatikasit tanë të “udhëheqjes” moniste atëherë).

Por siç po ashtu jemi tashmë të ndërgjegjshëm dhe të informuar imtësisht, druzhe Titua dhe jugosllavët e tij, qenë partizanë që nuk është se vareshin drejtpërdrejtë nga Moska, megjithë fasadën e tyre komuniste; pasiqë Jugosllavia përgjithësisht (me përjashtim të pjesshëm të Beogradit) u pat çliruar vetë, duke humbur edhe nja 2 milionë banorë në luftë me nazistët; gjë që i lejoi Titos të mos ia varte shumë teneqen urdhërave dhe humoreve të ndryshueshëm të Moskës pas 1945-ës.

Partia Komuniste shqiptare, mënjanë ndonjë mendimtari romantik, apo utopisti shqiptar të ndershëm, thelbësisht na rezulton të ketë qenë një investim (afatgjatë dhe tejet “largpamës”) i shokëve jugosllavë dhe i kryeshokut Tito; gjë që verifikohet nga prania e patjetërsueshme dhe jashtëzakonisht kuptimplotë dhe vendimarrëse e shokëve si Miladin Popoviç, Dushan Mugosha, Vukmanoviç Tempo etj, sa në mbledhjen themelonjëse të Nënës Parti me 8 nëntor, aq edhe gjatë e pas luftës, gjer në 48-ën, kur bashkë me Titon, me të cilin u prishëm, e hëngri edhe shoku Koçi këtej nga ne, si ithtar i supozuar i “druzhes”.

Pra, tërë ky thellimi më lart, mëton dhe rreket të thotë atë që e dinë edhe pulat në Shqipëri, që domethënë se Partinë tonë Komuniste, s’e krijuan sovjetikët (që padyshim ca interesa të tyre në këtë këndvështrim, patjetër që do i kenë pasur), por shokët jugosllavë.

Ndërsa luftën tonë NacionalÇlirimtare e patën bërë vetë shqiptarët, (duke nisur nga rezistenca heroike që na zbardhi faqen në 7 prill të 1939-ës në Durrës, që u komandua nga kryelegalisti Abaz Kupi; të cilit shoku skuth Enver iu lëpi pafund gjatë luftës—meqë s’ia mbante e pasmja t’i dilte kundër haptazi—dhe që pas luftës, e nëmi për 45 vjet në librat e historisë të përpiluar nga pena e indoktrinuar dhe trushpëlarëse moniste).

Ajo që dihet, është se përveç urdhërave politikë që vinin drejtpërdrejtë nga Beogradi, drejtimin e veprimeve luftarake në terren, e bënin shqiptarët me këshillimin e ngushtë të emisarëve anglezë.

Rusë, apo sovjetikë pra, nuk figuronin askund!

Dhe kështu sërish na rilind pyetje e ligjshme: Po ç’u ra mendja këtyre rusëve që të shpërndajnë dekorata gjer në Tiranë?

Mos ka gjë ndonjë mbiprodhim dekoratash në Rusi, dhe duan t’i heqin qafe disa syresh (saktësisht 24 të tilla), duke i shpërndarë nëpër tërë këndet e planetit, përfshirë edhe Shqipërinë?

Nuk ka shpërndarë mjaftueshëm dekorata Kremlini me Putinin në krye, në Krime dhe Donjeck e Lugansk gjatë këtij vitit të fundit vallë?

Nuk u mjaftojnë zyrtarëve të Kremlinit terroristët dhe pseudo-udhëheqësit (zakonisht kriminelë ordinerë të nxjerrë apostafat nga burgjet më famëkeqe të Rusisë; apo ish funksionarë të shquar të ish KGB-së, shokë dhe kolegë armësh fundja, të vetë presidentit jetëgjatë aktual të Rusisë) e Republikave fantazma të Donjeckut, apo të Krimesë së porsabashkuar përdhunshëm me “Nënën Rusi”?

Pak medalje “trimërie” dhe “sakrifice” për të mirën e popullit “të përvuajtur” rusofon të Ukrainës, ka shpërndarë Kremlini së fundi vallë, aq sa t’i kenë mbetur akoma ca hekurishte të ndryshkura dekoronjëse edhe për ish partizanët tanë kështu?

Nëse (megjithë ndjesinë prej përzjerje zorrësh dhe të vjelle që të lë si përshtypje kjo gjë)... do jepte medalje ish Jugosllavia (që për fat ka cofur prej vitesh, dhe ka mbetur vetëm kujtesë historike) për ish partizanët tanë; edhe do të mund ta kuptoja arsyen e tyre.

Emisarët jugosllavë pranë bërthamës drejtuese të PKSH-së tonë, roli vendimtar dhe prania e tyre e zymtë gjatë tërë kohës së luftës në Shqipëri; do ta bënin të kuptueshme një dhënie të tillë dekoratash.

Patjetër që do t’i kuptoja ndërkohë britanikët e sotëm po të jepnin ndonjë medalje për ish partizanët tanë po ashtu; duke e njohur dhe vlerësuar me notat më të larta, rolin dhe praninë këshillimore, ashtu si edhe furnizimet luftarake të aleatëve anglo-amerikanë për partizanët tanë gjatë luftës.

Por rusët më duken vërtetë pa vend; si të ishin jashtë orbite!

Kremlini dhe Putini, do të duhej të dinin, se Shqipëria ka qenë e vijon të jetë, jashtë sferës së tyre të ndikimit; kështu që mund t’i kishin kursyer këto dekorata, për një luftë ku ata nuk kanë patur asnjë kontribut të vetëm në territorin shqiptar.

Nëse Kremlini është keq për të shpërndarë ca dekorata më tepër; le t’ia japin ato lëvizjeve dhe partive trashëgimtare të fashizmit dhe nazizmit, që sipas të gjitha të dhënave, Moska sot po i financon gjerësisht anembanë Europës (teksa njëkohësisht nga Kremlini zyrtar, çdo aneksion të ri në Ukrainë, e justifikojnë me luftën ndaj “fashistëve të Kievit”).

Mjafton të shikohet se nga siguroi së fundi financime lëvizja ekstremiste franceze Front National e Marine Le Pen—që mori vitin e kaluar pak oksigjen financiar, falë një huaje 9 milionë euroshe nga First Czech Russian Bank, një institucion i drejtuar nga Roman Popov, një financier me lidhje të forta me qeverinë ruse; që të kuptohet se kë duhet të dekorojë vërtetë Kremlini!



(Vota: 6 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: