Lutfi Alia: Urdhëri Françeskan në Shqipëri (4)
| E Shtune, 02.05.2015, 07:00 PM |

URDHËRI FRANÇESKAN NË SHQIPËRI – 4

Nga Prof Dr Lutfi ALIA

Historianёt dhe kronistёt e mesjetёs, bazuar nё shkrimin e gdhendur nё arkitraun mbi portёn e Kuvendit tё Shën Maries nё Lezhё: “Hoc templum Fratrum minorum aedificatum est anno MCCXL ky ёshtё tempulli i fretёrve minor, i ndёrtuar nё vitin 1240”,  e konsiderojnё kёtё datё si konsolidimin e aktivitetit apostolik tё urdhёrit françeskan nё trojet arbёrore.

Ne vitin 1248, Papa Inocenti IV, emёroi françeskanin Gjon Pian – Karpino, kryepeshkop i Tivarit dhe njёkohёsisht shpalli formimin e Kustodes tё Durrёsit (Custodia Durracensis), ose Protektorati Françeskan i Durrёsit, me aktivitet tё shtrirë në Tivar, Ulqin, Shkodër, Lezhë, Krujё, Mat, Kunavi, Benda, Stefaniaka, Vregu, Dibёr, Ohёr, Shkup etj.

Në veprën madhore të fratit minor Konrad Eubel “Hierarchia Catholica”, prezantohen disa prelat italianë dhe albanezë, qё u emёruan nё drejtimin e kishave, tё kuvendeve e tё dioqezave arberore.

Ne vitin 1253, Papa Inocenti IV emёroi At Goffredo OFM kryepeshkop të Tivarit dhe pas vdekjes se tij, Papa Aleksandri IV, ne vitin 1255 emeroi At Lorenco OFM, pёr tё cilin shprehte vleresime pёr aftesite dhe aktivitetet me popullin. Nё dioqezёn e Drishtit u emërua ipeshkev At Nikolla Abacia nga Velia, nё Ulqin u emёrua At Françesko Shkodrani, nё Lezhe At Angelo e pas tij At Antonio nga Aleksandria, ne dioqezen e Krujes At Andrea Croensis (Krutani), ne Shkup At Gregorio nga Venecia dhe At Pietro da Pizano etj.

Kronikat e kishёs katolike albaneze tё shekujve XIII – XIV, shkruan Virgilius Greiderer veprёn: “Storia dei fratti minori, dai primordi dalla loro istituzione .... 1777. Lib I”, pёrkojnё me shkrimet e historianёve tё Raguzёs, që dёshmojnё pёr fuqizimin e katolicizmit nё trojet albaneze, sidomos nё periudhёn e Regnum Albaniae, me mbret Karli I Anzhu.

Disa fretёr albanezë tё urdhёrit françeskan, shёrbyen dhe jasht vendit, ndёr tё cilёt dallohet Nicolaus Durrachio OFM (Nikolla Durrsaku). Në bulën e Papa Inocennti IV të 2 shtatorit 1254, dërguar John d’Aversa, ministrit provincial të fratërve minor të Kalabrisë, e njoftonte për emërimin e minorit Nikolla Durrsaku ipeshkvi i Krotone, per të cilin shprehet me lavdata: “I shquar për cilësi të shkëlqyera kulturale, politike dhe ekspert i gjuhës latine dhe greke: Dilectum filium magistrum Nicolaum de Durrachio, camerae nostrae clericum, in latina e et grecum lingua peritum”.

Imzot Nikolla Durrsaku, përmendet dhe në një letër të viti 1263 të Michael VIII Paleologus, i cili ia dёrgonte Papёs Urbani IV, ku i shkruan me konsiderata per aktivitetin apostolik tё imzot Nikolles (Alexis Alexander: Codex Parisinus Graecus 1115. Botim i vitit 1996, faqe 237 – 238).

Imzot Nikolla Durrsaku OFM, në vitet 1254 – 1264 përktheu nga greqishtia në latinisht “Libellus”, vepёr që e kish inspiruar Shёn Tommaso d’Aquino, të shkruante “Contra errores Graecorum” (Fra Unghelli-N, Coleti: Italia sacra; Vol IX. Venice 1721. f. 385).

Njё tjetёr françeskan albanez, At Cipriani nga Tivari, në vitin 1288, përfaqësoi Papa Nikolla IV, në takimin me mbretëreshën Helena, gruaja e Uroshit I Milutin i Serbisë. Helena ishte katolike e me sentimente fisnike dhe nё respekt tё kishes katolike, bashkё me tё motrёn e saj princeshёn Maria de Chau, ndёrtuan kishёn dhe kuvendin françeskan tё Shёn Maries nё Shkoder, kuvendin e Shёn Markut nё Ulqin, kuvendin e Shёn Françeskut nё Tivar, kishёn e Shёn Sergji e Baku nё Shirgj e nё vazhdim dhe 30 institucione tё tjera françeskane (Sirdani: Françeskanet, f. 16).

Ne shekujt XIII – XIV, aktiviteti apostolik i françeskaneve u shtri gjёrёsisht nё trojet arbёrore dhe populli i mirёpriti kёta misionarё, madje si shkruan Wadding:“Nё analet e vitit 1366 rezulton se Françeskanёt u pёrhapёn mrekullisht, madje i nxitёn shumё albanezё tё veshin rroben e murgjёve françeskanё.”

Sipas De Gubernatis (De Orbis Seraphicus lib.VI – 1896): “… Urdhёri Françeskan u forcuaa dhe u zgjerua, sa nё dekadat e para tё shekullit XVII, misionaret minor pёrbёnin numёrin mё tё madh tё klerikёve, qё vepronin nё trojet albaneze. Shumica e murgjёve minor shërbenin nё zonat malore, madje dhe nё Dardani e nё Shkup, ku u formua Prefektura Apostolike e Maqedonisё dhe mё pas Prefektura apostolike e Serbisё, Pultit dhe Kastratit”.

Nё njё letёr tё qershorit 1318, Papa Gjoni XXII e ngarkoi Imzot Andrea Croensi (Krutani) OFM,të shkoi në dioqezën e Kunavisë pёr tё konfirmuar emёrimin e At Gjon Rubeut në kishën e Shën Nikolla në Petrosa (lagjia Gurzak ne fshatin Lena - Martanesh). Sipas Milan Shuflai, famullia e Petrosa ishte shumë e pasur.

Mё 13 dhjetor 1402, Papa Bonifaci IX, duke vlerёsuar zgjerimin e urdhёrit françeskan nё trojet arbёrore dhe duke marrё nё konsideratё sugjerimet e Ministrit Provincial tё françeskanёve nё Dalmaci, urdhёroi riorganizimin e Kustodes tё Durrёsit, e cila tani pёrfshinte kuvendet e Tivarit, Ulqinit, Lezhёs dhe Durrёsit.

Nё Kuvendet françeskane shёrbenin murgjё italianё, por dhe albanezё, ndёr ata dhe i lumturumi Demetrio d’Albania–terciar françeskan, pjesmarrës në ushtrinë e Gjergj Kastriotit, por me eksodin e vitit 1441, iku nё Itali dhe u vendos nё Spoleto (Umbria), ku jetoi si heremit nё Monte Luco. Vdiq nё vitin 1491. Dita e tё lumturumit Demetrio d’Albania, ne Itali kremtohet mё 10 tetor (A. Blasucci: Beati e Santi 2009), (P. Petta. “Stradioti, soldati albanesi in Italia. Lecce  1996).

Mё 20 qershor 1447, Papa Eugenio IV, emёroi Fra Antonio ab Olivetto OFM, Nuncin Apostolik “Ad partes Albaniae et Sclavoniae”. Papa e ngarkoi me misione speciale pёr Albaninё, por njёkohёsisht iu besua dhe roli i ndёrmjetёsit Alfonsit V i Aragonёs – mbreti i Napolit me Gjergj Kastriotin e me kёto cilёsi, ai priti Skenderbeun dhe mё pas misionarёt e tij, tё cilёve iu komunikoi se kishin vёnё nё dispozicion disa anije veneciane, pёr t’i pёrdorur për evakuimin e familjes të kryetrimit tonë, nё rast rreziku, madje nё vitin 1468, me kёto anije udhёtuan pёr nё Itali Donika Kastrioti me djalin dhe tё afёrmit e familjes tё Gjergjit.

Njё ndёr françeskanёt albanezё, mё tё shquar tё shekullit XV ishte frati Eugenio Summa OFM, te cilin Papa Nikolla V, mё 21 shtator 1451, e emёroi Nunci dhe komisari apostolik pёr Albaninё, Bullgarinё dhe Rashёn e njёkohёsisht i dha funksionet e Ministrit Provincial te françeskaneve, si dhe e autorizoi tё ndёrtonte 5 kuvende tё reja. Jo vetem kaq, por i dha kompetenca, qё personalisht tё emёronte guardianёt e kuvendeve, qё ishin nё jurdiksionin e Kustodes tё Albanisё.

Nje nder bashkpuntorёt e Imzot Summa, ishte frati albanez Giovanni d’Albania OFM, te cilin Papa Kallisti III, nё vitin 1457 e emёroi misionar special, i ngarkuar me mbledhjen e ndihmave pёr ushtrinё albaneze, nё luftёn kundёr turqёve. Nga ana tjeter, Gjergj Kastrioti, i besoi murgut albanez Lazri OFM, tё transmetonte mesazhet e tij Selisё sё Shenjtё dhe princave tё Italisё.

dhjetor 1463, fra Eugenio Summa, pёrfaqёsoi Princin Lek Dukagjini nё bisedime me venecianёt, tё cilёve iu prezantoi kerkesёn e Princit, pёr strehimin nё Venecia tё familjes tё Dukagjinёve, nё rast se do tё rrezikohesh jeta e tyre.

Nё vitin 1471, kur Progeno Dukagjini, njё nga pinjollёt e dinastisё tё famёshme tё Dukagjinёve, sё bashku me tё vёllane dhe 30 malёsorё u bashkua me turqit dhe u konvertuan nё fenё myslimane, Fra Eugenio Summa, shkoi i takoi dhe i bindi tё ktheheshin nё trojet e veta dhe nё fenё katolike.

Pas vdekjes tё zotit tё Albanisё, princit Gjergj Kastrioti, turqit u dyndёn me egёrsi ne trojet tona, ku kryen genocidin e albanezeve, masakruan banorёt e mbetur nё trojet e veta, dogjёn, plaçkitёn, shkatёrruan shtёpitё dhe kishat, vranё shumё klerikë, por populli albanez, gjeti forca tё ripёrtёrij jetёn normale dhe atё shpirtёrore.

Megjithe shtypjen mizore, populli iu kundervu pushtuesve dhe i rezistoi me dinjitet presioneve dhe politikёs tё islamizimit tё popullatёs. Sipas regjistrave te adminstratës turke, rezulton se në vitin 1610, vetёm 4 % e popullatës ishte konvertuar nё fè myslimane.

Duke filluar nga gjysma e dytё e shekullit XVII e sidomos nё shekullin XVIII, numёri i banorёve tё krishterё vazhdoi tё pakёsohet gradualisht si nga konvertimi nё myslimanё, ashtu dhe nga largimet masive jashtë vendit. Nё ato vite ishin shkatërruar dhe rrënuar shumë kisha e kuvende, si dhe ishte pakësuar numëri i priftërinjve dhe i murgjёve.

Sipas Reverendo P. Gonzaga, Gjenerali i Urdhёrit Françeskan, nё vitin 1585, u ringritёn kuvendet e Rubikut, tё Lezhёs, tё Kepit tё Rodonit, tё Laç Sebasta dhe Mamelit, me tё cilёt u formua Kustodia e Albanisё (De origine Seeraphichae Religionis, 1587 - faqe 47, 106 dhe 458).

Pёr kёtё situatё, Donato Fabianich shkruan: “Me porosi dhe nёn kujdesin e Atit tё Shenjtё, u rrit aktiviteti i misionarёve françeskan dhe brenda 3 viteve, me punёn kembengulёse tё Ipeshkevit tё Tivarit, Fratit Ambrogio da Cherso, ne Kustoden e Albanise u shtuan pesё kuvende tё tjera, qё u ringritёn mbi rrёnojat e kuvendeve tё mёparshёm.

Papa Klementi VIII, me dekretin e vitit 1592, riorganizo Kustoden e Albanisё, e cila tashmë shtrihej në një territor tё gjёrё, nё veri e kufizuar me provincat e Bosnies, Dalmacisё, Raguzёs dhe nё jug arrinte deri nё detin Jon e Akaia (D. Fabianich: Il passato, il presente di Bossnia, Erzeegovina e Albania, terre della Dalmazia romana. Zara 1879. Faqe 229).

Kёto tё dhёna konfirmohen dhe nё veprёn e At Arduino Kleinhans, i cili flet pёr praninё e qindra misionarёve françeskanё italianë dhe albanezë, qё shёrbenin nё kishat dhe kuvendet e trojeve tona.

shekujt XVI– XVII e sidomos nё shekullin XIX, shume italianё dhe albanezё, u shkolluan nё disa kolegje si nё Kolegjin Ilirik tё Loretos – Ankona (1578), Kolegjin Ilirik Shen Pjetri dhe Pali nё Fermo (1663) (APF, Fondo di Vienna, Scritture, Stato temporale 1696, vol. 24, c. 4), Kolegjin nё Shёn Miter Korone (1702), Kolegjin San Bartolomeo nё Isola Tiberiana (1705), Kolegjin e Misionarёve nё Kuvendin e Shёn Pietrit nё Montorio– Roma (1709), Seminarin e Palermos (u themelua mё 1730 nga arbёreshi Gjergj Guxeta).

Shumё nga priftёrinjt dhe murgjit italianё e albanezё, nё pёrfundim tё studimeve nё kёto kolegje, shkuan misionar nё kishat dhe kuvendet arbёrore, ku ndiehesh mungesa e klerikёve.

Me vendim tё Selisё sё Shenjtё, nё programet mёsimore tё kёtyre kolegjeve, ishte pёrfshirё dhe mёsimi i gjuhёs albaneze. Në seminarin e Palermos ishin mёsues intelektualë dhe shkrimtarë të shquar arbёreshё si Pjetër Andrea nga Himara, At M. Parrino, At Nikolla Keta, qё kanё kontribuar në shkollimin e shumë klerikëve italianё, arbëreshë dhe albanezë, të cilët me pas shkuan te shёrbenin nё kishat dhe nё kuvendet e atdheut tonё.
Nё kёto kolegje dhe seminare, shumë klerikë italianё, qё studiuan gjuhën albaneze, kur shkuan me misione në trojet arbërore, e predikuan ungjillin dhe zhvilluan aktivitete apostolike nё gjuhёn albaneze, pra nё gjuhёn e popullit (A. Kleinhans Biblioteca bio-bibliografica/serie II Documenti - tomo XIII”: 1850.Faqe 221 – 265).
Pёr kёtё situatё historike At Fulvio Kordinjano shkruan: “Njё gjё ёshtё e qartё: Ndёrsa urdhёrat e mёdha katolike e braktisёn Albaninё, duke lёnё pas rrёnojat imponente tё kishave dhe kuvendeve tё tyre, qё nё fakt ishin dëshmitё e vitalitetit dhe të lulëzimit të katolicizmit në mesjetën albaneze, por në ato troje dhe pranë popullit mbetën vetëm françeskanët – ushtria e madhe e fese katolike” (Fulvio Cordignano S. J: Geografia ecclesiastica dell’Albania dagli ultimi decenni del secolo XVI alla metà del secolo XVII. Roma 1934).
Françeskanёt albanezë dhe ata italianё, qё njihnin gjuhën tonë, hapën shkollat në gjuhën albaneze pranë kishave dhe kuvendeve, duke filluar me shkollёn nё Ulqin (1258) dhe nё vazhdim nё Durrёs (1278), dy shkolla nё Shkodёr (1345 dhe 1395), Tivar (1349), Pult (1367), Drisht (1396), duke vazhduar nё shekujt XV-XVIII me shkolla tё tjera nё Shkodёr, Lezhё, Stubёl (1584), Trafandinё, Kunavi, Dibёr, Prizren, Shkup, Elbasan, Ohёr etj.
Kёto tё dhёna dёshmojnё se nё ato shekuj tё shkuar, kisha katolike albaneze me françeskanёt nё vijёn e parё, i zhvillonin tё gjitha ritet fetare nё gjuhёn albaneze, andaj populli i frekuentonte kishat e kuvendet me dёshirё, duke marrё pjesё aktive nё meshat, pagёzimet, katekizmat, kresmat, nё celebrimin e martesave etj. Jo vetёm kaq, por françeskanёt kontribuan dhe nё hapjen e shkollave nё gjuhёn albaneze.

At Donat Kurti dhe At Marin Sirdani, nё veprёn: “Mbi kontributin e elementit katolik nё Shqiperi”, i botuar mё 1935, duke prezantuar panoramёn dhe dinamikёn e kulturës dhe aktivitetet e shkollave nё gjuhё albaneze nё ato vite mesjete, nёnvizojnё rolin e veçantё tё françeskanёve pёr mbrojtjen e kulturёs dhe tё gjuhёs albaneze, shkruajne: “Nё vjetin 1638, Hiacinti da Sospitello OFM, italian nё fis, por shqyptar nё zemёr, pat guximin me iu pёrvesh pёr tё mirёn e vendit nji pune nё vёshtrim tё plotё kulturale, tuj çilun shkollёn fillore nё Pdhanё, asokohe vend mjaft i banuem... Numuri i nxanёsve tё jashtёm pat mrrijt deri nё 25. Dijm prej dokumentash, se pos uratave xeheshin dhe mёsime letrare dmth mbahet njё shkollё e mesme dhe nё gjuhёn e vendit. Pёrparimi kje aq i madh, sa i tёrboi turqit, tё cillёt mbas 9 vjetsh e rrёnuan fare... Nё vjetin 1697 kje çilun rishtas. Se deri kur vijoi nuk dihet; dokumenti mbaron tuj thanё pёr te, se “ka gjasё se gjindet edhe sot” (1702?)”.Ne vazhdim autoret tregojnё (faqe 13): “Nji vjet mbas themelimit tё shkollёs sё Pdhanёs, dmth nё vjetin 1639, kje çilё prej fretёnve tё kuvendit françeskan tё Troshanit nji tjetёr shkollё nё Blinisht, drejtor i sё cilёs kje At Karl Mirandulanus OFM. Me shka duket, kje njё shkollё mjaft e plotёsueme. Ndiqej prej ma se 50 xanxash e pos kёndimit e shkrimit xeheshin edhe landё tё tjera, si gjuha latine prej atyre qi dojshin me msue n’at shkollё; por anmiqtё ishin tё panumёr dhe nё vjetin 1640 drejtorin e ksaje shkolle e gjejm në burg...... Ne vjetin 1698 a aty pari gjejmё se At Filipi prej Shkodre OFM, i cili hapi nё Shkodёr njё shkollё private e msonte fёmitё e tregtarve dhe pasanikëve”.

Ne vitet 1640 - 1641, françeskani albanez Imzot Mark Skura OFM, pasi vizitoi dioqezat e Durrësit, Krujës, Kunavisë, Arbërisë e Bendës, mё 20 dhjetor 1641, nё relacionin dërguar Selisë së Shenjtë, e informonte për gjëndjen e ipeshkëvisё sё Durrёsit dhe të dioqezave shufragane. Ajo çka bie menjëherë në sy nga relacionet, është fakti, se luftat dhe shkatërrimet gjatë shekullit XVII, kishin imponuar ndryshime në organizimet kishtare, në shtrirjen e dioqezave, në aktivitetin e titullarëve të tyre në seli dhe ne territor, nё lidhjet e tyre me kryeipeshkvinë dhe Selinë e Shenjtë.

Në relacionet e imzot Skura, përshkruhet gjendja e mjeruar e ipeshkvive, e klerit, e kishave dhe dёshprimi i besimtarëve. Imzot Skura informon pёr aktivitetin intensiv katedrales tё Bendёs dhe pёr kёmbёnguljen e fretёrve françeskanё tё kuvendit tё moçёm tё Shёn Martinit nё Martanesh, pёr tё mbajtur lart moralin dhe besimin e krishterё tё malёsorёve.

Kjo situate qё pershkruante imzot Skura OFM, ishte e njёjtё kudo ne trojet tona, andaj pёr tё pёrballuar situatёn e vёshtirё tё kishёs arbёrore, Selia e Shenjtё dёrgoi grupe misionarёsh, kryesisht fretёr franceskanё, qe njihnin gjuhen albaneze, madje shumica e tyre ishin nga Pulia.

Ne vitin 1689, Komisari Gjeneral i Misionit fraançeskan ne Abania u emerua Fra Françesko da Karosino, i cili më pas u zgjodh Prefekti Apostolik. Kёsisoi, shёrbyen shumë italianё të tjerë si At Ludoviku, At Domeniko nga Taranto, At Antonio nga Brindizi, At Giacinto nga Gallipoli, At Giuseppe nga Valenzano, At Michelangelo nga Taranto, i cili nё 1747 u zgjodh Prefekti Apostolik i Misionit ne Albania etj.

Shumë fretër françeskanë, krahas ungjillizimit, kontribuan dhe në hapjen e shkollave në gjuhën albaneze, madjes shkruan dhe botuan tekste mesimore, fjalor dygjuhësh dhe gramatika të gjuhës albaneze, libra që u përdorën në kolegjet italiane, për mësimin e gjuhës albaneze nga seminaristet,  por njëkohesisht sherbyen si tekste mёsimore të gjuhës albaneze në shkollat e hapura në vendin tonë. Është me rëndësi të theksohet, se të gjitha këto vepra janë shkruar në dialektin gegёnishte.

Klerikёt italianё që shkuan me misione apostolike në trojet arbërore, kontribuan nё hapjen e shkollave nё gjuhёn albaneze. Ndër këto, por rendis disa fretër françeskanë italianë, autor fjalorësh dygjuhësor dhe përkthimesh në gjuhën albaneze të librave liturgjike si:

1644 - Giuseppe Iccaran OFM,është autori i “Dizionario italo-albanese” (Fjalori italisht - albaneze), i cili ruhet si dorëshkrim në bibliotekën e Etërve Jezuitë në Shkodër.

1675 - At Bernardus da Quintiano, OFM botoi në gjuhën albaneze “Doktrina cristiane epirotika”.

1675 -At Leo da Citadella OFM, shkruan “Dictionarium epiroticum” (Fjalori i gjuhës albaneze) etj.

Në shkollat e Kurbinit dhe të Lezhës, të hapura nё vitet e para tё shekullit XVII dhe mbaheshin nga Kongregata, krahas latinishtes dhe italishtes, fretёrit françeskanë, u mësonin nxёnesve shkrim e kёndim nё gjuhёn albaneze. Si kuptohet, aso kohe shkrimi i gjuhёs albaneze, sidomos në gjirin e klerit dhe të popullsisë katolike, ishte shumë më i përhapur nga ç’besohet sot.

Arqipeshkevi i Tivarit, Imzot Vinçens Zmajeviçi, në relacionin mbi vizitën apostolike, që kreu në vitet 1702 – 1703 në Sanxhakun e Shkodres, dëshmon se në fshatin Pllanë, misionarët françeskanë brënda në kuvend, kishin hapur një shkollë, që frekuentohej nga dhjetë nxënës të fshatit, ku veç të tjerash, u mësohej edhe doktrina e krishtenë (f. 24-25 e relacionit dёrguar Propogandёs Fide).

7 mars 1709, Imzot Zmajeviçi, i dёrgoi memorandum Kongregatёs, ku shprehte domozdosh-mёrinё e integrimit tё mёsimit tё gjuhёs albaneze nё sistemin arsimor tё kolegjeve tё Propogandёs, kёsisoj misionarёt qё dёrgoheshin ne trojet tona, tё zhvillonin aktivitetin ekleziazik nё gjuhёn e popullit. Nё ato vite, Propoganda u impenjua dhe nё shtypjen e librave ne gjuhen albaneze.

Krahas fjalorit të Lek Matrengёs (1589), fjalorit të Bardhit (1635),veprave të Budit (1636) dhe të Bogdanit (1685), kishte dhe tekste të shtypura, por fakti që shkruheshin libra ne gjuhën tonë, do të thotë se kishte dhe shumë albanezë, qe lexonin e shkruanin nё gjuhёn e vet. Pieter Budi dëshmon se në fillimet e shekullit XVII një malësor i quajtur Pal Hasi, shkruante nё gjuhёn albaneze, madje dhe thurte poezi në gjuhën tonё.

Nё vitin 1635, njё mision françeskanёsh, shkoi nё zonat e Albanisё veriore, ku me aktivitetin ungjillizues, ushtruan njё ndikim tё madh mbi 19 fiset malёsore, pёr tё ruajtur besimin katolik e kёsisoj shmangen konvertimin e popullatёs nё fenё myslimane.

Administrata ushtarake turke i mbylli me dhunë shkollat e gjuhës albaneze dhe i persekutoi fretёrit françeskanё italianё dhe albanezё, qe u mёsonin fёmijeve shkrim e kёndim nё gjuhёn ametare. Pёr kёtё situatё tё vёshtirё Sh. Osmani shkruan: “Pas shkatërrimit të shkollës fillore të Pllanës nga autoritetet osmane më 1648, persekutimet e gjuhës shqipe u ngritёn në sistem”.

Ne vitin 1700, nё krye tё Selisё sё Shenjtё u zgjodh Papa Klementi XI (Giovanni Francesco Albani). I ati, Karl Albani (1623 – 1684), ishte pasardhёs i familjes sё vjetёr fisnike e Mikel Laçi, kapitanit tё Kurbinit. Dy djemt e tij Gjeergjii dhe Filipi, kishin shёrbyer nё radhёt ushtrisё tё Gjergj Kastriotit dhe pas vdekjes te kryetrimit, emigruan nё Urbino, ku ishin tё mirёnjohur si “albanezi”, nga rrodhi dhe mbiemёri shtesё Albani.

Klementi XI, u impenjua shumë për rilindjen politike dhe fetare të atdheut të vet. Nё vitin 1701 deklaroi: “Rimёkёmbia e Albanisё dhe ringritja e ndёrgjegjes kombёtare, do tё vijinё duke e ruajtur gjuhёn, fenё dhe historinё e tё parёve, qё pёrfaqesojnё simbole tё unitetit kombёtar”.

Nёn kujdesin e Papa Klementi XI, u mbajt Kuvendi i Arbёrit (Kёshilli i parё fetar i kombit albanez),  qё u mblodh në Kishën e Shën Gjonit, në Mërkinjë afër Lezhës, të dielën e dytë të Epifanisë (Dita e Ujit të Bekuem), më 14 - 15 janar 1703.

Ky kuvend i rёndёsishёm, shënoi ndryshime rrënjësore në linjën e veprimit të klerit, për çështjet dogmatike, morale, kanunore dhe ipeshkvore ne Albania, si dhe percaktoi detyra pёr hapjen e shkollave nё gjuhёn shqipe. Në aktin e Kuvendit të Arbënit, masave për mbarëvajtjen e shkollave nё gjuhë albaneze, iu kushtua kreu V, i pjesës së IV, ku theksohej: “Mësuesit të mos lënë pas dore mësimin e shkrimit dhe të leximit nё gjuhёn albaneze ...”.

Këto shkolla të institucionalizuara nga Kongregata dhe tё hapura brenda kishave dhe kuvendeve françeskane në Kustoden e Albanisё, ishin vatra jo vetëm të përhapjes së fesë, por dhe të mësimit e tё shkrimit të gjuhёs albaneze.

Nё zbatim tё kёtyre detyrave nё mbrojtje tё çeshtjes kombetare, materialet e Kuvendit, qëndrimet dhe vendimet e aprovuara, u shkruajtën në latinisht dhe në gjuhën albaneze dhe u botuan në vitin 1706 në Romë.

Shekulli XVIII shёnon zhvillime me rёndёsi nё hapjen e shkollave nё gjuhёn albaneze, nё botimin e fjalorёve dygjuhёsh, tё teksteve mёsimore dhe nё pёrkthimet e veprave fetare. Nё kёto veprimtari fetare dhe kulturore, njё kontribut te madh ka dhene Urdheri Françeskan.

Në fillim të shekullit XVIII Arqipeshkvi i Shkodrës Anton Babi OFM, kishte shkruar një doktrinë të krishterë në gjuhёn albaneze dhe kishte përkthyer nga latinishtja disa litani të Shën Mërisë .
Njё ndёr françeskanёt mё tё shquar me aktivitet nё trojet arbёrore, ishte misionari Fra Françesko Maria da Lecce. Nё vitin 1686 filloi studimet nё Kuvendin e Shёn Pietrit nё Montorio, ku studioi dhe gjuhёn albaneze. Pas shugrimit, fillimisht shёrbeu ligjerues dhe predikues nё Provincen e San Nikolla i Barit, ndёrsa mё 17 mars 1696 u dergua misionar nё Albania.
Ne vitin 1701,  u emёrua Prefekt i Prefekturёs Apostolike tё Maqedonisё, qё pёrfshinte Shkodrёn, Lezhёn, Durrёsin, Krujёn, Matin dhe Kunavinё, ndёrsa nё vitin 1704 u zgjodh Provincial i Albanisё.

Nё vitin 1714, pas vdekjes tё konsullit francez nё Durrёs, Selia e Shenjtё e emёroi zv–konsull, ku u afirmua si personalitet me kulturë dhe aftёsi diplomatike pranё autoriteteve turke.

Frati Francesco Maria da Lecce, pas hulumtimesh intensive disa vjeçare, nё vitin 1702 pёrfundoi hartimin e “Dittionario italiano-albanese”, njё vepёr imponente me 562 faqe, qё pёrmban 11 200 njёsi leksikale.

Fjalёt e gjuhёs italiane, janё pёrkthyer nё dialektin gegёnishte, çka lidhet me faktin se ai shёrbeu nё trevat e Albanisё qendrore dhe veriore.

Fjalori Italiano – albaneze, ruhet i plotё nё doreshkrim. Nuk dihen motivet pёrse mbeti i pa botuar. Nё kopertinёn e kёsaj vepre madhore ёshtё njё autograf, qё tregon se dorёshkrimi i fjalorit i pёrket Papa Filippo Matrenga (Appartenga a Papa Filippo Matrenga), çka na bёn tё mendojmё se autori, Francesco da Lecce, ndofta ia kishte dёrguar arbёreshit Matrenga, pёr t’u kёshilluar. Kjo mund tё jetё arsyeja, pёrse ky fjalor ruhet nё Bibliotekёn Qendrore “A. Bombace” tё Rajonit tё Sicilisё.
Njё veçori e fjalorit ёshtё se Frati Françesko da Lecce, gjuhёn albaneze e ka shkruar me alfabet me germa latine, por pёr bashtingёlloret dyshe dh, th, ll, xh, sh, zh, nj, tё cilat i quan germa tё veçanta, ka pёrdorur  germat e huazuara nga alfabeti i Imzot Pietro Bogdani, pra Ai perdori tё njёjtin alfabet tё veprёs “Çeta e profetёve”, madje pёr germёn LL pёrdori germёn greke λ, njёlloj si dhe Bogdani.
Kete fjalor, Françesko da Lecce e ka emёrtuar “Alfabeto Albano”.
Ky fakt ёshtё me rёndёsi, pasi shpreh vazhdimёsinё e shkrimeve nё gjuhёn albaneze, me njё alfabet origjinal albanez, qё nё vitet e mё pasme shёrbeu pёr shkrimin e librave nё gjuhёn tonё amёtare,  para miratimit tё alfabetit nё Kongresin e Manastirit.
Nё alfabetin Françesko da Lecce mungon germa ё, madje nuk e ka pёrdorur as nё tekstin e Gramatikёs, qё e botoi nё vitin 1716, ashtu si ka munguar dhe nuk u pёrdor as nga pararendёsit dhe pasuesit e tij.

Si kam theksuar dhe nё njё shkrim tё mёparshёm, Fra Françesko Da Lecce, ka meritёn se nё vitin 1702, pёr herё tё parё, na jep tё shkruar emёrin shqipёtari (schippetaàrit).

Nё parathёnien e  shkruar nё gjuhёn albaneze, duke iu drejtuar shqiptarit shprehet:

Schippetaàrit.
Kete Dictionaàr oh schippetaàri i dashtun, e shkrova jò per zotnine tande, qe di ma fort se une, veçse per vehten, qe jam prej se largu, e gjuhen e schippetarevet e kam posi njikafshe te huej. E perse desha se tue u larguem prej jush, largohet prej meje kjo gjuha: per atё luftova me i rrieshtume nde letёr fjalet, qi xuna nder ju. Nde mos paça shùm mire, pò te lutem per te mire tat mos me shàa: se as une se kisha kurre kete gjuhe. E ne qofte se ti, qi kandon kete Dictionaàr prej Italia, as ti oh i bekùemi, mos me qesh, perse ti e di sàa veshtire na biè neve, me e nxanun gjuhen tane, mbe gjuhet’arberve…
Dictionarin tem, keshtù shkrùe me dore teme, e me emerit tem si kesaj…

Nё parathёnie, Francesko da Lecce tregon se, kёtё fjalor e ka pёrgatitur jo pёr shqiptarёt, por pёr misonarёt italianё, qё duhej ta mёsonin kёtё gjuhё tё bekuar dhe kur tё shkonin nё trojet tona, tё komunikonin direkt me popullin. Pёr kёtё argument, Ai iu kujton klerikeve italiane, se dhe gjuha italiane ёshtё me e veshtirё, se sa gjuha e arbёrve. Pra nё krye iu drejtohet shqiptarёve, ndёrsa nё brendёsi tё tekstit shkruan gjuha e arbёrve, pra kthehet nё pёrdorimin e termit historik dhe tradicional arbёr – albanez dhe gjuha e arbёrit.
Pёrdorimin e sinonimeve: gjuha e shqiptarёve, gjuha e arbёrve dhe gjuha albaneze, e ndeshim tё shkruar dhe nga autorёt e tjerё tё mё vonshёm tё rilindjes tonё, si p.sh Zef Jubani, nё parathёnien e librit: “Raccolta: Canti popolari e rapsodie – POEMI ALBANESI”, botuar ne Trieste ne vitin 1871, i pёrdor tё dyja format e herё shkruan lingua albaneze dhe herё tё tjera gjuha e shqyptarёve.
Fra Francesco Maria da Lecce, ёshtё autori i parё, qё na e dokumenton se, banorёt e trojeve tona quhen shqiptarё dhe se ai e kishte mёsuar gjuhёn e shqiptarёve, por asgjekundi nuk thotё se vendi ynё quhej Shqipёria.

Nё fakt, nё fjalorin e tij prezanton emera vendesh, por nё leksikun e germёs S, nuk gjёndet emёri Shqipёria, ndёrsa nё leksikun e germёs A, e ka shkruar dy herё emёrin tradicional - Albania:

Italisht: Albania – pёrkthyer nё gjuhёn tonё – arben, i, it – dhe arbenija, se.
Italisht: Di Albania – pёrkthyer nё gjuhёn tonё – prej arbenit dhe arbenesha.

Atёhere kush ёshtё etimologjia e emёrit Shqipёria dhe e emёrit shqiptari?
Kёtё e zbulojmё nё vazhdim, ku Fra Françesko Maria Da Lecce, pёrkthen leksikun Aquila.

Italisht: Aquila, uccello – pёrkthyer nё gjuhёn tonё – schkiype, a, se – orle, a, se.
Italisht: Di aquila – pёrkthyer nё gjuhёn tonё – schiyppo.

Pra fjala schiype, ёshtё shpendi shqipja, e quajtur nga populli ynё dhe orle – orla.

Nё vazhdim, fjalёn di aquila, e ka pёrkthyer shqiyppo, me kuptim prej shqipes, (di – prej), pra bijt e shqipes dhe nё kёtё kontekst shqiptarёt - banorёt e vendit tё shqipes, andaj nё krye tё parathёnies, Françesko Da Lecce i drejtohet  Schippetaàrit.
Nё dorёshkrimin e fjalorit italisht – shqip, Fra Françesko da Lecce, nё vitin 1702 shkruan emёrin shqiptarit, ndёrsa nё vepren tjetёr: “Osservazioni Gramaticali nella Lingua albanese”, tё cilёn e pёrfundoi mё 25 tetor 1715, por e botuar nё vitin 1716 nga propoganda Fide, nuk e gjejmё emёrin shqiptar, madje parathёnien e shkruan nё gjuhёn tonё duke iu drejtuar Arbёnorit.
Arbenùer i Dashiuni - Ket’ Gramatiken e shkrova jo per zotnine tande, ki di màa fort e màa nkthjellet se une, veçse per ata Fratini, ki vijne prej se largu me ju sherbyem. Dhe pse, keta nde dhe te Romes s’kane haber te gjuhes sate: pune e mire asht, qe ma parë te merren vesh ketu. Ne te pelkeft hesapi i kesaj letre (te lutem), me fal Tine o Zot, se me dhè mua shendetin me e mbarue kete pune. Ne mos i paça rrjeshtuem mire fjalet, ndjemë, sepse luftova, sa mujta, me i vum pa hile, sikunder m’i fali Zoti, me te cilen paç jeten e gjate e te puth dorene.

Qellimin e botimit tё gramatikёs tё gjuhёs albaneze, autori e shpreh nё parathёnien, ku thekson se ia dedikonte klerikeve italianё, tё cilёt duke mёsuar rregullat gramatikale tё gjuhёs albaneze, tё  aftёsoheshin, nё menyre qё nё shёrbimet, fetare tё flisnin nё mёnyrё korrekte nё gjuhёn e popullit. Ndofta kjo ёshtё arsyeja, qё nё tekstin e gramatikёs pёrdori leksikun Arbёnuer, ashtu si njihej nga qytetarёt dhe klerikёt e huajt, ndёrsa ne fjalor e shkroi fjalёn shqiptarit, me mendimin se kjo vepёr do tё pёrdorej edhe nga shqiptarёt, por pёr fat tё keq, fjalori mbeti i pa botuar pёr mё se 300 vjet.


Pavarёsisht nga kjo inkonveniencё, mbetet me rёndёsi historike, kulturore dhe gjuhёsore, fakti se banorёt e trojeve tona u quajtёn bijt e shqipes - shqiptarё dhe nё shekujt nё vazhdim, vendi ynё u njoh me emёrin Shqipёria.

Aktiviteti i françeskanёve nё lёvrimin dhe botimet nё gjuhёn tonё amёtare, vazhdoi pa ndёrprerje.

Nё vitin 1710, një misionar françeskan, i cili pёr fat tё keq mbetet ende anonim, botoi “Gramatika albaneze”, madje nё kёtё vepёr kishte shkruar dhe një shtojcë të vogël nё gjuhёn turqisht.

Nё vitin 1722,  Fra Didacus a Desio OFM mёsuesi i gjuhёs albaneze nё Kolegjin e Shёn Pietrit nё Montorio – Roma, botoi “Gramatika albaneze”, qё pёrdorej si teksti bazё pёr studentet, qё mёsonin gjuhёn tonё.

Aktiviteti i françeskanёve ne trojet tona dhe kjo pёrvojё e pasur, vazhdoi dhe nё shekullin XIX.

Nё vitin 1848, Luca da Monte Giove OFM, botoi “Dizionario italiano- albanese”. Kjo vepёr ruhet si dorëshkrim në bibliotekёn e Komunës së Todit, në Itali (Cod. 224, format 8°, me 328 faqe).

Nё vitin 1859, frati Dario Bucciarelli OFM, botoi “Grammatica della lingua albanese”. Kjo vepёr  rezulton se ka humbur.

Nё vitin 1862, Bonaventura da Francavilla OFM, botoi “Elementi grammaticali di lingua epirotica”.

Nё vitin 1866, Francesco Rossi da Montaldo OFM, botoi “Regole grammaticali della lingua albane-se”. Vepra ёshtё shtypur nё tipografinё e Kongregacionit tё Shenjtё tё Propagandёs Fide - Romё.

Nё vitin 1881, frati Leonardo de Martino, prelat dhe poet i shquar, i njohur si Leonardo albanezi, botoi “L’arpa di un italo-albanese”. Kjo vepёr u shtyp nё Tipografia dell’Ancora nё Venecia dhe ruhet në Bibliotekёn e Françeskanëve në Shkodër.

Nё gjysmёn e dytё tё shekullit XIX, shquhen shumё françeskanё shqiptarё, tё cilet do t’i trajtoj nё shkrimin e ardhshёm.



(Vota: 18 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: