Vangjush Saro: Arsim profesional, stop retorikës
| E Enjte, 30.04.2015, 08:05 PM |

Arsim profesional, stop retorikës

Një parashtrim dhe ndihmesë modeste për probleme si ikjet nga vendi, punësimi, qeverisja dhe heqja dorë nga retorika

Nga Vangjush Saro

Në këto kohë që në Shqipëri duket se ka “mjegull” më shumë se kurrë, me ikje të vazhdueshme nga vendi, me shkëmbime akuzash e mërish politike tashmë të bëra bozë, me banalitete që do ta lodhnin edhe atë më harbutin e të tjera këso, më tërhoqi vëmendjen një nga temat e cekura gjatë një vizite të kryeministrit Edi Rama në Gjermani; ishte fjala për përvojën e atjeshme lidhur me arsimin profesional. (“Në takim u fol për nxitjen e bashkëpunimit veçanërisht në fushën e dijes dhe arsimit profesional. Sipas kryeministrit Rama, ajo çka Shqipëria mund të përfitojë nga Gjermania, është sidomos ekspertiza e nivelit të lartë.)

Nuk kam asnjë dëshirë, interes apo orientim të flas për njërën forcë politike apo për tjetrën, gjithaq të bëj portrete kryeministrash a zyrtarësh të tjerë. Por çështja që ngrihet është e drejtë. Kaq. Për hir të së vërtetës, nxitja e arsimit profesional është një ide e hershme; e kanë marrë në konsideratë disa qeveri, është trajtuar gjerë në media, ka disa shkrime edhe të autorit të këtyre radhëve. Në vitet kur gara e universiteteve private mori flakë, me ato shkrime jemi përpjekur t’i shuajmë disi flakët në fjalë; duke treguar me fakte dhe shifra se për sa avokatë, filozofë dhe mjekë ka nevojë ky vend, çka do të thotë që shumica e të diplomuarve në ato universitete, vështirë se do ta gjenin dhe do ta gjejnë veten.

Mirëpo në Shqipëri gjërat nuk shkojnë sipas rrjedhës së logjikës dhe në përputhje me kushtet natyrore e shoqërore të vendit, por komandohen nga klanet dhe interesat e tyre, diktohen nga grupe politike me pushtet dhe pasuri, më në fund edhe nga individë të fuqishëm që janë (pothuaj) jashtë kontrollit. Pasurimi galopant dhe abuziv i këtyre kategorive - që tani i dëgjon të flasin çapraz dhe janë krejt në ajër - e ka bërë vendin një republikë ekstremitetesh: nga njëra anë, njerëz që janë fryrë me pasuri dhe dinë t’i fshehin ato dhe nga ana tjetër njerëz që mezi sigurojnë mbijetesën. Këta të fundit duket se po shtohen frikshëm.  Është e qartë se ndër arsyet kryesore pse njerëzit ikin apo duan të ikin, janë varfëria dhe papunësia.

Mungesa e një strategjie të qendrueshme për arsimin profesional, për arsimin në tërësi, ka ndikuar në të gjitha zhvillimet në vend; madje ka qenë një arsye më shumë pse ato zhvillime janë të sipërfaqshme, të brishta dhe pa frytet e dëshiruara. Jo më kot, në shkrimet e përmenduara më sipër dhe që kanë lidhje me arsimin profesional, kemi sjellë pikërisht përvojën e një vendi në lulëzim si Gjermania. Për fat të mirë, disa gjëra i kemi parë me sy dhe i kemi jetuar nga afër; por kur i drejtohesh opinionit me një shkrim, për të dhënë përvojë a për të ofruar një ide, klanet frymëzojnë indiferencën, institucionet heshtin; kjo ndodh edhe për shkak se tani në Shqipëri ka kaq shumë media dhe shkruhet kaq pa përgjegjësi, saqë është e vështirë të përzgjedhësh dhe të nënvizosh diçka që e vlen.

Zhvillimi i arsimit profesional dhe mbështetja e biznesit të vogël, që shumë mirë mund të inkurajoheshin edhe te ne, janë ndër përvojat më domethënëse të Gjermanisë (me emër të madh). Le të ulemi edhe më në terren. Shkolla profesionale në Koblenc (Bavari) ishte një nga detyrimet e Dhomës së Artizanatit, (për të cilën kam shkruar edhe herë tjetër, duke theksuar fuqinë dhe rolin e rëndësishëm të saj në jetën ekonomike të atij qyteti). Gjatë vizitave në Koblenc, na ka rënë rasti të shohim nga afër këtë shkollë, kabinetet, tekstet, praktikat, prodhimet e kësaj shkolle sipas degëve, ekspozitat që ngjallnin interes të madh për gjithë qytetin dhe krahinën, etj. Po ashtu, kemi qenë të pranishëm në një nga ceremonitë e dhënies së certifikatave (diplomave) të një numri studentësh të kësaj shkolle profesionale.

Me atë rast, në sallën e madhe të Pallatit të Rehn-it, ishin mbi 2 mijë qytetarë: shkollarë, prindër, gazetarë, nëpunës, të ftuar të tjerë nga institucionet. Ceremonia mori formën e një shfaqjeje; ajo filloi me fanfarë dhe duartrokitje. Në skenë, prisnin një përfaqësi e studentëve. Atje ishte një vajzë që po diplomohej për zdrukthtare, profesion dhe biznes i familjes së saj. Ishte një djalë emigrantësh nga Turqia, që kishte mësuar dhe po certifikohej për gomist. Profesioni, puna, ishte jeta e tyre. Për të dhënë diplomat, ndodheshin kryeministri dhe ministra të Landit të Bavarisë. Ata ua dorëzonin diplomat studentëve me dorën e tyre. Mënyra se si ishte organizuar ajo ceremoni, thjeshtësia në komunikim, ndërgjegjësimi për ta përballur jetën si bukëpjekës, si murator, si mekanik, të gjitha këto nuk kishin si të mos na bënin përshtypje.

Le të kthehemi në temë. Shumica e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, merren me punët më të rënda që mund të bëhen atje: miniera, bujqësi, ndërtim, shërbime, etj. Dhe ata e pranojnë këtë fat e këtë zgjedhje. E para sepse nuk kanë tjetër; e dyta sepse ata shohin që në atë vend gjërat funksionojnë pak a shumë sipas parimeve të demokracisë dhe ekonomisë së tregut. Natyrisht, edhe atje ka abuzime, ka korrupsion, ka edhe shkelje të të drejtave njerëzore, etj. Por këto nuk janë në rendin e ditës, nuk janë, si të thuash, ngjyra kryesore e pamjes që ka në sy njeriu. Ngjyra kryesore e pamjes është rregulli, puna, ngarkesa e ditës. Në Shqipëri ndodh ndryshe; ngjyra kryesore e pamjes është abuzimi, vjedhja, kacafytja politike për të humbur gjurmët… Pra, ka arsye reale pse njerëzit ikin dhe arsyet reale duhen shpjeguar e përballuar me argumente, me projekte, me qeverisje.

Një nga mënyrat për të zhvilluar vendin, është nxitja e arsimit profesional dhe mbështetja e bizneseve të vogla. Por ndërkaq, shfaqet një tjetër problem madhor. Niveli i jetesës. Nëse në Itali, Gjermani, SHBA, Kanada, etj. punonjësi, edhe emigranti shqiptar, merr një pagë të pranueshme dhe ndërkaq çmimet janë në njëlloj harmonie me pagën, shërbimet shëndetësore gjithashtu, në Shqipëri dhe vende të tjera të Ballkanit, nuk shkojnë gjërat kaq mirë. Tregu, çmimet, pabarazia, abuzimet sy për sy, trazimi i të gjithave dhe i të gjithëve nga një teatër politik i pështirë, këto e bëjnë të vështirë jetën. Nëse flasim për një element të rëndësishëm, si shkolla profesionale dhe biznesi i vogël, më së pari lypset të përmirësohet vetë qeverisja. Dhe kjo është një shkollë e një filozofi të cilën vendet e prapambetura nuk e rrokin lehtë. Megjithatë, çdo përmirësim dhe prirje për përmirësim, sikundër është edhe dëshira për shfrytëzimin e përvojave si më lart, duhet vlerësuar; natyrisht kur kalohen kufijtë e retorikës.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Emri:
Emaili:
Kodi i sigurise:
Titulli:
Komenti:

Publikime te tjera ne kete kategori: